Ilustrimi: Trembelat

Abuzimi online tashmë i zakonshëm për gazetaret në Ballkan

Gazetaret në Ballkan përballen çdo ditë me kërcënime online. Shumë prej tyre thonë se lihen të vuajnë të vetme.

 

Si gazetare në Serbi, Tatjana Vojtehovski ishte përballur edhe më parë me kërcënimet online.

Por sulmet u përkeqësuan në vitin 2015 pasi ajo bëri një program në televizionin serb mbi pedofilinë në Kishën Ortodokse Serbe, një temë tabu për shumë serbë konservatorë.

“I admiroj njerëzit që pretendojnë se nuk kanë frikë. Unë kam frikë,” tha 49 vjeçarja Vojtehovski. “Njerëzit thonë, ‘është thjesht online, është botë virtuale’. Unë them që kjo nuk është e vërtetë sepse këta njerëz ekzistojnë. Ata ekzistojnë dhe janë nëpër rrugë.”

Muajin e kaluar, gjykata e apelit në kryeqytetin serb, Beograd, dënoi një burrë serb me emrin Branko Tomiç me tetë muaj arrest shtëpie pasi u deklarua fajtor për kërcënimet me vdekje ndaj Vojtehovskit dhe vajzës së saj 28-vjeçare nëpërmjet Twitterit.

Krimi i Tomiç ishte vetëm një në një epidemi globale në rritje të sulmeve online kundër gazetareve.

Rajoni i Ballkanit nuk bën përjashtim dhe ndërsa Vojtehovski ka marrë një masë drejtësie, të tjera thonë se nuk shohin arsye për t’u ankuar te punëdhënësit apo policia, duke pasur parasysh atë që kritikët thonë se është një dështim sistematik për të ndëshkuar autorët, sipas gjetjeve të një analize të BIRN.

“Ajo që më bëri më shumë përshypje ishte indiferenca e njerëzve, duke e lejuar këtë të ndodhte,” tha Milena Peroviç Koraç, një gazetare në revistën e përjavshme të Malit të Zi Monitor, e cila ka qenë objektiv i një abuzimi të tillë që nga viti 2011. “Nuk pati asnjë reagim dhe pikërisht kjo ishte gjëja më e tmerrshme. ”

Trend global

Në një sondazh të vitit 2018 nga Fondacioni Ndërkombëtar për Gratë në Media në Uashington, IWMF, gati dy të tretat e gazetareve që u përgjigjën thanë se ishin kërcënuar ose ngacmuar në internet së paku një herë.

Gjithashtu në vitin 2018, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, IFJ, raportoi se 66 për qind e gazetareve që ishin viktima të ngacmimeve në internet ishin sulmuar bazuar në gjininë e tyre.

Dhe për sulmuesit,  qasja s’ka qenë kurrë më e lehtë.

Mediat sociale janë bërë një mjet i domosdoshëm për gazetarët, por në të njëjtën kohë ato i ekspozojnë ato në lavdërime dhe persekutim të menjëhershme, 24 orë në ditë.

Sipas sondazhit të IWMF, 90 për qind e të anketuarave raportuan një rritje të kërcënimeve në internet gjatë pesë viteve të fundit dhe 82 për qind thanë se sulmet digjitale ishin rritur gjithashtu “duke përfshirë aktivitete të tilla si piratimin e llogarive sociale ose vjedhjen apo komprometimin e të dhënave.”

Abuzimi online i gazetareve shënjestron jo vetëm punën e tyre, por gjininë e tyre, shpesh duke iu referuar pamjes së tyre, jetës familjare dhe marrëdhënieve personale.

“Kurvë”, “lavire” dhe “prostitutë” janë vetëm disa nga fyerjet që gratë gazetare raportojnë të marrin çdo ditë online.

Ekspertët thonë se sulme të tilla janë seksiste në natyrë dhe përdoren për të kanosur, diskredituar dhe frikësuar, duke ndikuar shpesh mënyrën sesi gazetarja bën punën e saj dhe se si ajo sillet në jetën e saj private.

Gjurmimi i kërcënimeve të tilla në Ballkan nuk është e lehtë. Autoritetet dhe shoqatat e gazetarëve rrallë i diferencojnë kërcënimet në internet nga forma të tjera kanosjeje, siç janë abuzimi verbal apo fizik.

Në Bosnje, për shembull, shoqata lokale e gazetarëve tha se kishte regjistruar 52 sulme kundër gazetareve, online dhe ndryshe, midis vitit 2016 dhe prillit 2019.

Ndërsa disa raste kanë rezultuar me dënime, “një numër i konsiderueshëm  çështjesh janë mbyllur për shkak të mos ekzistencës së dyshimit të bazuar se ato përbënin vepra penale”, tha Una Telegrafciç, avokate në Linjën për Median e Lirë të Shoqatës së Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Safejournalist.net, një platformë rajonale e financuar pjesërisht nga Bashkimi Europian dhe që mbron lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, ka dokumentuar 34 sulme në përgjithësi kundër gazetareve në Bosnje që nga viti 2015, 32 në Serbi, 13 në Kosovë, 10 në Maqedoninë e Veriut dhe tetë në Mal të Zi.

Secili vend dikur ishte pjesë e Federatës Socialiste Jugosllave, e cila u shpërbë në luftën e viteve 1990.

Në të njëjtën periudhë, Këshilli i Europës, organi kryesor i të drejtave të Europës, ka marrë raporte për shtatë raste të tilla në Serbi, gjashtë në Maqedoninë e Veriut, gjashtë në Bosnje dhe katër në Mal të Zi.

Në Malin e Zi, Peroviç Koraç dhe të tjerë te Monitor qenë shënjestër e një fushate të organizuar nga media malazeze mbështetëse e Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet, DPS.

As qeveria, as zyra e prokurorisë nuk iu përgjigjën ankesave të saj për një fushatë kërcënimesh online, kështu që Peroviç Koraç dhe një gazetare tjetër nisën një padi private në vitin 2011.

Në qershor të vitit të kaluar u dha një vendim i shkallës së parë, i cili urdhëronte zëdhënësin e qeverisë malazeze Srdjan Kusovaç dhe shtetin që t’u paguanin atyre 2,000 euro për fyerje dhe gjuhë urrejtjeje të botuar në të përditshmen shtetërore Pobjeda, ku Kusovaç dikur ishte kryeredaktor.

“Në atë momentin e parë, je krejtësisht i vetëm,” tha Peroviç Koraç për BIRN.

Impakti psikologjik

IWMF, në sondazhin e vitit 2018, raportoi se një shumicë e grave të abuzuara, 63 për qind, thanë se sulmet kundër tyre kishin lënë plagë psikologjike në aspektin e ankthit, frikës ose stresit.

Një tjetër “përfundim alarmues” i raportit të IFJ ishte se një shumicë e madhe e rasteve nuk ndëshkohen, me vetëm 53 për qind të viktimave të abuzimit në internet që i raportojnë sulmet strukturave menaxhuese të medias, unionit apo policisë. Në dy të tretat e atyre rasteve, nuk ndodhi absolutisht asgjë, thuhej në raport.

Nga ato që zgjodhën të mos raportonin abuzimin, 75 për qind thanë se nuk besonin se kjo do të bënte ndonjë ndryshim, ndërsa 23 për qind ishin të shqetësuara për efektin në punën e tyre.

“Është shqetësuese që gazetaret po mësohen të përballen vetë me kërcënimet online duke i konsideruar këto situata si “të zakonshme”,” tha IFJ.

Ivana Stoimenovska, një psikologe në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, tha se trauma e përjetuar nga gratë që janë objekt i ngacmimit seksual shpesh kalon pa u vënë re nga shoqëria, “për shkak të kulturës së fshehjes dhe heshtjes që nuk u ofron grave një vend të duhur për të për të ndarë përvojat e tyre dhe për të kapërcyer frikën”.

Meri Jordanovska, një gazetare maqedonase në agjencinë e lajmeve Makfax, e cila ka qenë edhe vetë shënjestër e një abuzimi të tillë, tha se të flasësh për këtë është tepër e rëndësishme për shëndetin emocional dhe parandalimin e sulmeve të tjera të tilla.

“Duke i ndarë me të tjerët dhe duke folur për këto ngjarje kupton se nuk je e vetmja me këtë problem dhe se shumë gra të tjera gazetare po përballen me të njëjtat forma ngacmimesh, qoftë online ose jo,” tha Jordanovska për BIRN.

Për Jovana Gligorijeviç, gazetare në të përjavshmen liberale serbe Vreme, një abuzim i tillë është bërë pjesë e jetës së përditshme.

“Dikush që e quan veten Damian Ky më dërgoi mesazh vetëm për të më thënë se jam një kurvë shqiptare, që ai dëshiron të më hapë kokën dhe se gazetarët janë njerëzit më të këqij që e diskreditojnë vazhdimisht Serbinë,” tha Gligorijeviç për BIRN.

Në mesazhin e tij të ardhshëm, “Ky” e pyeti pse Gligorijeviçin se përse ajo nuk vriste veten.

Për këtë histori, Gligorijeviç regjistroi të gjitha kërcënimet online që ajo mori gjatë një periudhe prej një jave.

Ato varionin nga thirrje që ajo të vdiste veten e deri tek mesazhe që e përshkruanin atë si “një thes muti që jeton në dritaren e një dyqani në rrugën me drita të kuqe”, një “sipërmarrëse vaginale”, një “kurvë e frustruar pa fëmijë” dhe një “gazetare që paguhet keq dhe që herë pas here shkon në Amsterdam për të punuar si prostitutë për mbijetuar”.

Stuhi e përsosur

Telegrafciç, avokatja në Linjën e Ndihmës për Median e Lirë në Bosnjë, tha se ata që abuzonin me gazetaret shpesh mendonin se ato nuk do të rezistonit dot apo që nuk do t’i raportonin sulmet dhe se komentet në lidhje me pamjen fizike të një gazetareje ose statusin martesor reflektonin qëndrime të rrënjosura shoviniste në Ballkan.

Gazetaret janë gjithashtu viktima të komenteve shoviniste nga politikanët, të intervistuarit dhe redaktorët ose drejtorët e tyre, tha Telegrafciç.

Eksperti i medias Mehmed Haliloviç tha se gazetaret në Ballkan përballen me një stuhi të përsosur mizogjinie të përhapur dhe përbuzjeje për gazetarët në përgjithësi.

“Ka një supozim kur vjen puna te këta burra macho – ata mendojnë se është më e lehtë të merren me gazetaret, qoftë kjo përmes kërcënimeve të drejtpërdrejta apo nënvlerësimeve,” tha Haliloviç për BIRN.

“Dhuna është mjeti bazë që përdoret nga publiku, i cili ka një qëndrim negativ ndaj gazetarëve meshkuj dhe femra, por, fatkeqësisht, atë po e përdorin edhe autoritetet.”

Në Kosovë, kryetarja e Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, tha se pozicionet e menaxhimit dhe ato editoriale nëpër media dominohen nga meshkujt.

“Vetë gazetaret hezitojnë të raportojnë kërcënimet ndaj tyre, duke marrë parasysh qasjen e përgjithshme ndaj grave në shoqërinë tonë,” tha Begolli për BIRN.

Në Maqedoninë e Veriut, Kristina Ozimeç, kryeredaktore e Platformës për Gazetari dhe Analiza Investigative, tha se kërcënimet dhe ngacmimet e drejtuara ndaj gazetareve “janë lënë të pa trajtuara për një kohë aq të gjatë, saqë për fat të keq ato janë bërë të zakonshme, një lloj forme e pranuar rreziku profesional për gratë e angazhuara në këtë profesion.”

“Ngacmimi, shpesh në baza seksuale, nuk vjen vetëm nga individë jashtë vendit të punës, por shpesh edhe në forma të ndryshme nga kolegët meshkuj në poste pushteti,” tha Ozimeç për BIRN.

Në Serbi, Vojtehovski tha se ajo po përballej ende me impaktin psikologjik të abuzimit që ajo merr në internet.

“Nuk e di se çfarë pamje kanë dhe nëse do t’i kalojnë kufijtë e komunikimit me shkrim,” tha ajo për torturuesit e saj. “Jeton me të dhe supozohet që të mësohesh. Megjithatë, unë s’u mësova dot kurrë.”

Klima e kanosjes në Serbi

Në raportin e saj të fundit, Freedom House e karakterizoi Serbinë si “pjesërisht të lirë” dhe përmendi një “mjedis kanosjeje dhe ngacmimi që pengon punën e përditshme të gazetarëve”.

“Ofendimet dhe ngacmimet verbale nga politikanët dhe llogaritë në internet janë të gjithëpranishme dhe sulmet nga tabloidët pro-qeveritare janë një dukuri e rregullt. Punonjësit e medias shpesh quhen “tradhtarë” dhe “mercenarë të huaj”, shkroi ajo.

Statistikat e mbledhura nga Fondacioni SHARE, një organizatë joqeveritare me seli në Serbi që merren me të drejtat digjitale, i mbështesin gjetjet e raportit.

Në vitin 2018, SHARE regjistroi katër raste kërcënimesh në internet kundër gazetareve. Një person u arrestua në maj të atij viti.

SHARE regjistroi edhe katër raste të tjera në pesë muajt e parë të këtij viti, duke përfshirë dy kundër gazetares së shquar Brankica Stankoviç, e cila mori mbrojtje nga policia në vitin 2009 për shkak të kërcënimeve me vdekje të bëra kundër saj.

SHARE tha se nënkryetari i bashkisë së qytetit jugor serb të Nishit kishte ofenduar gjithashtu gazetaren Sena Todoroviç nëpërmjet Twitterit dhe redaktorja e faqes së internetit Kolubarske, Darija Rankoviç, gjithashtu ishte nën presion.

Në vitin 2017, SHARE regjistroi dy raste të tilla, gjashtë në vitin 2016 dhe shtatë në vitin 2015.