Abuzimi me komasacionin lë fermerët pa tapi (II)

Ka më shumë se tre vjet që për Ministrinë e Bujqësisë janë finalizuar punët në Drenas e Vushtrri për sipërfaqet e komasacionit, që kishin nisur në vitet ’80. “Në letër” kështu është, por në terren gjërat nuk kanë ndryshuar, ani se kompanisë së kontraktuar Ministria ia ka gjuajtur në konto paratë për zbatimin 100 për qind të kontratës në këto komuna.

Drenasi është një nga komunat që kompania kishte realizuar projektin në territor më të madh. Ishte bërë në 21 zona kadastrale, në një sipërfaqe prej 4.790 hektarësh, që shumëzuar për njësinë që ishte 197.40 euro për hektar, i bie të jetë realizuar për vlerën që mbërrin gati 1 milion euro.

Në fund të zbatimit të kontratës, kishte pasur ankesa në Ministri nga shumë pjesëmarrës në komasacion, por ato ishin kthyer si të pabazuara dhe, ose i ishin vënë Komisionit komunal për rishqyrtim, ose ishin përcjellë në gjykatë.

“Pasi janë përfunduar këto ankesa, lëndët janë të gatshme që të futen në Regjistrin e të drejtave të pronës së paluajtshme – RDPP, në Komunën e Drenasit”, thuhet në një raport që gazetës ia ka prezantuar Ministria.

Është thënë kjo, pavarësisht se neni 27 i Ligjit për rregullimin e tokë, saktëson se procedura e komasacionit “përfundon me Regjistrimin përfundimtar në RDPP të të gjithë pronarëve të rinj në projekt”.

Një raport që kompania e kishte quajtur final, e që ishte nxjerrë më 28 maj 2015, thoshte se të gjitha punët sipas kontratës janë kryer në këtë komunë.

Për projektin e rregullimit të tokës në Komunën e Drenasit, Ministria e kishte caktuar një komision, në krye të të cilit ishte Hakif Hasi. Mbështetur në ligj, Komisioni është përgjegjës për tërë projektin e rregullimit të tokës, hartimin e planeve, zbatimin dhe të gjitha procedurave të tjera përkatëse.

Dy anëtarë e kishin lëshuar këtë trupë, gjatë zbatimit të projektit dhe nuk ishin zëvendësuar me të rinj. Safet Hoxha kishte dhënë dorëheqje 6 muaj pasi ishte emëruar nga Ministria, kurse Xhavit Nebihi dy vjet pas emërimit. Letrat e dorëheqjes të dy ia kanë prezantuar gazetës dhe kanë thënë se ato lidheshin me arsye personale dhe familjare, por burime të gazetës kanë treguar se ata “ishin të pakënaqur me formën se si realizohej projekti”.

Problemet në Drenas e Vushtrri

Hoxha dhe Nebihi kanë treguar se nuk i kanë dokumentet dhe as informatat që lidhen me zbatimin e projektit në sipërfaqen nën komasacion në Drenas.

Hasi, ndërkaq, për rreth dy muaj nuk i ka dhënë përgjigje një numri pyetjesh që i janë përcjellë, fillimisht nëpërmjet Komunës, e më pastaj edhe në adresë private.

Por versionin e tij gazeta ka mundur ta mësojë në një shkresë që vitin e kaluar ia ka përgatitur kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, si përgjigje për një pyetje të asamblistit Vehbi Berisha. Berisha kishte pyetur për këtë problem, pasi ka thënë se shumë qytetarë i ishin ankuar.

“Janë disa qytetarë që ma kanë shprehur hallin. Ata janë pronarë faktikë të tokave, por jo edhe ligjorë, sepse për pronat që i kanë në zonat kadastrale nën komasacion, nuk po mund t’i nxjerrin as fletët poseduese në Zyrën kadastrale, nuk po mund të bëjnë shitblerje të rregullt dhe as ta fusin pronën e tyre si hipotekë”, ka treguar Berisha. “Druaj se, shkaku i kontesteve, do të ketë shumë probleme, kurdo që ndodh regjistrimi i pronave”.

Dokumenti për të gjitha ngastrat nën komasacion, prej vitesh nuk është në zyrat e Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi. Ndodhet në një objekt që e ka braktisur komuna, prej kur është transferuar në objektin e ri. Kjo për shkak se Drejtoria ka refuzuar ta pranonte dokumentacionin e përgatitur nga “Consult Engineering”.

Një shkresë, që mban nënshkrimin e Mehdi Kurrumelit, tregon arsyen pse dokumentacioni nuk ishte pranuar.

“Në Komisionin komunal për rregullimin e tokave, anëtar me të drejta të plota ka qenë punëtori i organit të gjeodezisë nga lëmi profesional, i cili pas gjashtë muajsh nga koha e fillimit të punëve ka dhënë dorëheqje nga puna në Komision, duke njoftuar se gjatë kohës së angazhimit të tij nuk janë kryer matjet gjeodezike etj. Drejtorisë… nuk i ka ardhur ndonjë dokument zyrtar se në çfarë niveli janë kryer punët që po kërkoni t’i pranojmë”, thuhet në shkresën e Kurrumelit, që mban datën 22 mars 2016. “Prandaj, NUK mund ta pranojmë në këtë fazë dhe në këtë formë një dokumentacion që ka të bëjë me pronat për 21 zona kadastrale”.

Hasi atëkohë ishte nëpunës në Komunë. Tash nuk është. Por në shkresën që vitin e shkuar ia ka përgatitur kryetarit Lladrovci, ka thënë se Drejtoria për kadastër “nuk ka juridiksion të vlerësojë punën e operatorit ekonomik”.

“Është dyshim i bazuar se kjo Drejtori me dashje nuk ka pranuar dokumentacionin e ofruar nga Komisioni për regjistrimin e pronarëve të palujtshmërive të dala pas zbatimit të komasacionit, për të pasur mundësi që ndarjen fizike të tokave të përfshira në masën komosative ta bëjë në mënyrë private, duke mos pasur mundësi të njëjtat t’i azhurnojë në Librin Kadastral Komunal”, thuhet në përgjigje. “Të njëjtit kanë refuzuar pranimin e tyre pa arsye ligjore, por vetëm që të sigurohet një pasiguri tek qytetarët, sepse në mungesë të këtij dokumentacioni kjo Drejtori nuk ka kompetencë ligjore të lëshojë kurrfarë dëshmie lidhur me pronën”.

Hasi tani ka dhënë këtë shpjegim, ndonëse vetë ai kishte pasur një qëndrim tjetër vite më parë, kur kompania kishte konsideruar se në Drenas e kishte kryer gjithë punën e kontraktuar nga Ministria.

Disa raporte të firmosura nga Hasi flasin për shkallën e zbatimit të kontratës në këtë komunë. Mbështetur në to, punët janë përfunduar sipas të gjitha specifikave teknike të kontratës, ndërkaq në raportin e fundit që mban datën 2 qershor 2015, Hasi kishte shkruar se raporti i tetë i kompanisë figuronte të ishte final dhe, sipas tij, Ministria nuk duhej t’ia pranonte si të tillë.

“Nëse operatori ekonomik mendon se ky është raport përfundimtar dhe me këtë ka përfunduar rregullimi i tokave në Komunën e Gllogocit (Drenasit v.j.), ky raport nuk duhet të aprovohet nga Ministria, nga baza se tani është faza e apelimit të përfituesve në Ministrinë e Bujqësisë që janë të pakënaqur me vendimet e Komisionit për rregullimin e tokave. Do të thotë, akoma nuk ka titull përfundimtar të nxjerrë në procedurë administrative për këtë çështje që është objekt i kontratës”, thuhet në shkresën që Hasi ia kishte përcjellë Kapllan Halimit, sekretar i Ministrisë, e të cilit edhe ia kishte rikujtuar se “në kuptim të nenit 27, paragrafi 2, të Ligjit për rregullimin e tokës, Komisioni Komunal ia paraqet kërkesën Ministrisë për miratimin e Vendimit për përfundimin e projektit për rregullimin e tokës, e jo Operatori Ekonomik”.

Ministria nuk ia ka prezantuar gazetës dokumentin, sipas kërkesës ligjore që i është referuar Hasi, dhe e cila ka këtë përmbajtje: “Ministria pas paraqitjes së kërkesës së Komisionit për rregullimin e tokës e miraton vendimin për përfundimin e projektit për rregullimin e tokës”.

Komasacioni “i përfunduar” në Drenas ka prodhuar edhe situata komike. Parcela me numër 110 që i përkiste zonës kadastrale të Damanekut, në bazë të skicës ishte evidentuar në emër të Jakup Hoxhës. Por Hoxha ka deklaruar se ajo nuk është e tij dhe nuk ka qenë asnjëherë. Ndërkaq, ishin gjashtë tabela që ishin përgatitur për t’u regjistruar si parcela të rregullta, e që i përkisnin zonës kadastrale të Nekocit, edhe pse projekti nuk i kishte shuar kontestet pronësore.

Se çfarë nënkuptonte projekti, tregon edhe ky konstatim i dhënë nga trupa që e kryesonte Hasi: “Komisioni komunal, pas kontrollit dhe analizës së të dhënave të dorëzuara nga kompania implementuese e projektit, ka arritur në përfundimin se kjo zonë kadastrale (Poklek v.j.) nuk duhet të regjistrohet në regjistrin kadastral në bazë të projektit të komasacionit, pasi që përqindja më e madhe e parcelave të rregulluara nuk përputhet me gjendjen reale në terren”.

Nëpërmjet së njëjtës kontratë, ishte realizuar komasacioni edhe në Vushtrri. Bazuar në një raport që Ministria e ka ofruar, projekti i komasacionit të nisur në vitet ‘80, e që kishte mbetur i papërfunduar në tokat bujqësore, ka përfunduar në 6 zona kadastrale të kësaj komune, në një sipërfaqe prej 943.6 hektarësh.

Emrullah Muli ishte caktuar kryesues i Komisionit për komasacion për realizimin e këtij projekti në Vushtrri. Ai kishte bërë disa raporte, nëpërmjet të cilave kishte konstatuar realizimin e punëve të kompanisë, konform kërkesave të kontratës. I fundit ishte ai i datës 19 shkurt 2016, në të cilin konstatohej përmbushja e të gjitha pikave të kontratës.

Nëpërmjet Komunës, gazeta ka adresuar disa pyetje për Mulin. Ai nuk është përgjigjur, nën arsyetimin e autoriteteve lokale se ndodhet në udhëtim jashtë vendit, ani se gazeta ka pritur më shumë se dy muaj.

Në Vushtrri, shumica e sipërfaqes që ka përfshirë komasacioni, është integruar në RDPP, por autoritetet lokale kanë treguar se kjo nuk është rezultat i kompanisë së fundit që ishte kontraktuar nga Ministria, e madje as i Komunës.

“Në total janë formuar 6.343 parcela të reja të ndara sipas gjendjes së komasacionit të barazuara në pjesën grafike dhe tekstuale”, ka thënë nëpërmjet e-mailit Amir Haradinaj, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Vushtrrisë. “Në fund të vitit 2017, është zhvilluar projekti i tretë për futjen e të dhënave, gjegjësisht të parcelave të reja të komasacionit në RDPP dhe fshirja e parcelave të vjetra nga programi SIKTK, gjithashtu është bërë  edhe arkivimi i tyre. Ky projekt është kryer nga operatori Ekonomik ‘Urban Metropol’, me seli në Prishtinë”.

Haradinaj ka treguar se pronarët e të gjitha parcelave të reja, të cilat punohen sipas gjendjes së komasacionit dhe që nuk kanë konteste, janë pajisur me certifikata të pronës, duke ua mundësuar që me to të mundë të bëjnë edhe transaksione, të aplikojnë për hipotekë, për subvencione dhe grante. Ai ka treguar se në RDPP nuk janë përfshirë parcelat për të cilat ka konteste dhe për ato që ka vendime, por të cilat janë ankimuar.

Plani për milionat e tjerë

Aktualisht, Ministria e ka në realizim një kontratë të lidhur me konsorciumin që përbëhet nga dy prej kompanive që kanë fituar shumë projekte nga Ministria: “Consult Engineering” dhe “Geo&Land”.

Bazuar në kontratën kornizë që Ministria ia ka prezantuar gazetës, ajo ka të bëjë me konsolidimin dhe inventarizimin e tokave bujqësore në Kosovë. Përfundon në gusht të 2020-s dhe peshon 1.491.490 euro.

Edhe në këtë kontratë është paraparë realizimi i pagesës, pas secilës fazë të përfunduar.

Ministria nuk i ka ofruar gazetës informacione për shkallën e zbatimit të këtij projekti dhe as dy kompanitë, të cilave u është kërkuar të tregojnë të gjitha kontratat me Ministrinë e Bujqësisë dhe të ofrojnë informacione për shkallën e zbatimit të tyre.

Ndërkaq, është një dokument me shumë relevancë që tregon problemet me komasacionin e inventarizimin e  tokave, dhe që flet edhe për investimet që do të bëhen.

“Zgjerimi i fermave përmes konsolidimit dhe rregullimit të tokave bujqësore” është titulli i masës së gjashtë të listuar në Programin e Kosovës për Reforma në Ekonomi 2017, dokument ky që adreson prioritetet kryesore shtetërore të dakorduara me BE-në.

Në të theksohej se konsolidimi i tokës bujqësore do të zbatohet duke aplikuar reformat strukturore, përfshirë masat ligjore dhe institucionale, rregullimin e tokave bujqësore në ngastra me formë të rregullt gjeometrike, pastaj në investimet dhe krijimin e rrjetit të rrugëve fushore për të lehtësuar qasjen e drejtpërdrejtë në ngastra, si dhe shfrytëzimin më racional të tokës bujqësore në përgjithësi. Kjo masë bazohej në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe në Strategjinë për të Drejtat Pronësore.

Mbështetur në këtë dokument, në 2017 ishte paraparë të ndërmerreshin katër aktivitete: Shqyrtimi i ankesave të pjesëmarrësve në Projektin e komasacionit të papërfunduar nga ana e Komisionit Komunal për komasacion në Drenas me sipërfaqe 4.790 hektarë tokë bujqësore dhe Komisionit Komunal për komasacion në Vushtrri me sipërfaqe prej 487 hektarësh tokë bujqësore; Futja e të dhënave në RDPP nga kadastrat e komunave përkatëse; Zbatimi i pilot projektit për konsolidim vullnetar të tokës bujqësore bazuar në metodologjinë e FAO dhe financuar nga FAO, që përfshin 25 hektarë tokë bujqësore në zonën Kadastrale Celinë, Komuna e Rahovecit; Vazhdimi i projektit të konsolidimit vullnetar të tokës bujqësore në 10 Zona Kadastrale në Komunën e Vitisë me sipërfaqe prej 2.790 hektarësh, duke përfshirë informimin e pronarëve, zgjidhjen e çështjeve pronësore dhe shqyrtimin e ankesave të pjesëmarrësve në projekt.

Po ky dokument përshkruante edhe veprimet për dy vjetët vijues.

Kësisoj, në 2018-n ishte paraparë: Vazhdimi i projektit të konsolidimit vullnetar të tokës bujqësore në 10 Zona Kadastrale në Komunën e Vitisë me sipërfaqe prej 2.790 hektarësh; dhe Fillimi i projektit të konsolidimit të papërfunduar në Komunën e Mitrovicës në 4 Zona Kadastrale në sipërfaqe prej 725 hektarësh.

Asnjë nga këto veprime nuk është realizuar.

Pavarësisht kësaj, në Programin e Kosovës për Reforma në Ekonomi referuar vitit 2018, është theksuar se “Projekti i komasacionit të papërfunduar të tokës bujqësore ka përfunduar në 21 Zona Kadastrale në Komunën e Drenasit me sipërfaqe 4.790.00 ha dhe në 5 Zona Kadastrale në Komunën e Vushtrrisë me sipërfaqe 487.21 ha”.

Por ky dokument përmban si shtojcë Tabelën me numër 12, në të cilën Qeveria raporton për “zbatimin e reformave strukturore të Programit për Reforma në Ekonomi 2017-2019”.

Aty tregohet se masat e parapara për 2017 nuk janë zbatuar.

Një rubrikë kërkon të dijë shkallën e zbatimit, në rastin kur për të raportohet të jetë bërë zbatim i pjesshëm.

Vetdemantimi gjendet pikërisht në këtë pjesë. Aty theksohet: “Projekti është ende në fazën e shqyrtimit të ankesave të pjesëmarrësve në Konsolidimin e Tokës nga Komiteti Komunal për Konsolidimin e Tokës dhe në gjykatat kompetente. Pas përfundimit të këtyre procedurave ligjore, rastet janë të gatshme të hyjnë në Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Patundshme – IPRR”. Tutje vijohet se, “futja e të dhënave në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme (RDIP) nga kadastrat e komunave përkatëse, pas përfundimit të procedurave ligjore (nga Komiteti Komunal për Konsolidimin e Tokës dhe në gjykatat kompetente). Kjo procedurë pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti (2018 v.j.) dhe pastaj të futen të dhënat në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme (RDIP) nga kadastrat e komunave përkatëse”.

Së paku Komuna e Drenasit ka konfirmuar se të dhënat nuk janë përfshirë në këta regjistra as në 2018-n, e në Komunën e Vushtrrisë kanë theksuar se shumica janë përfshirë.

Po kështu, në matricën që tregon nivelin e përmbushjes së aktiviteteve të parapara në Programin Ekonomik, janë dy kolona me të kuqe, ngjyrë që tregon se masa nuk është zbatuar. Njëra masë i referohet zbatimit të pilot projektit për konsolidimi vullnetar të tokës bujqësore, që përfshin 25 hektarë tokë bujqësore në zonën Kadastrale Celinë të Rahovecit, ndërsa tjetra flet për vazhdimin e projektit të konsolidimit vullnetar të tokës bujqësore në 10 Zona Kadastrale në Komunën e Vitisë, me sipërfaqe prej 2.790 hektarësh tokë bujqësore.

Në janar të këtij viti është miratuar edhe Programi për Reforma në Ekonomi, referuar periudhës 2019-2021. Në të, konsolidimi dhe inventarizimi i tokës bujqësore është listuar si masë e katërt e reformës. Ndryshe nga ai i 2018-s, ky dokument nuk përmban shtojcën që tregon shkallën e zbatueshmërisë së veprimeve të parapara të ndërmerreshin në vitet paraprake.

Por në të jepen informacione për investimet që është planifikuar të bëhen për llogari të kësaj mase. Kostoja totale për zbatimin e saj, sipas Programit, pritet të jetë rreth 3.802.668 euro për 2019-2021. Nga kjo shumë 1.402.668 euro për 2019; 1.200.000 euro për vitin 2020 dhe 1.200,000 euro për vitin 2021. Prej buxhetit të Kosovës do të jenë 702.668 euro për vitin 2019 dhe nga 500.000 euro për vitet 2020 e 2021, kurse nga GIZ do të jenë nga 700.000 euro për 2019, 2020 dhe 2021.

Aty janë përshkruar edhe rreziqet, një nga të cilat është “mungesa e bashkëpunimit dhe mungesa e shprehjes së vullnetit nga qytetarët për konsolidim vullnetar të tokës”.

Në Zyrën e BE-së kanë thënë se ky Program nuk sheh zgjidhje të shpejtë për problemin me konsolidimin e tokave.

“Programi Evropian për Reforma parasheh konsolidimin e tokës për 25 hektarë për vit”, kanë thënë në këtë zyrë. “Kjo është tejet e ulët për Kosovën, e cila ka tokën më të fragmentuar në rajon me parcela shumë të vogla për ta bërë kultivimin e bujqësisë ekonomikisht të qëndrueshëm”.

Shumë kontrata

Vetëm projektet e para të komasacionit, të implementuara gati një dekadë më herët, janë përmbyllur plotësisht.

Atëkohë, tri kompani ishin kontraktuar për ta përmbyllur komasacionin e nisur në vitet ’80 në Gjakovë. Kontratat që Ministria i kishte lidhur me to thoshin se pagesa ekzekutohej, vetëm pasi të kryhej e gjithë puna, ndryshe nga kontratat me “Consult Engineering” dhe “Geo&Land”, që parashihnin ekzekutimin e mjeteve nëpër faza.

Prandaj, projektet ishin përmbyllur.

“Geo-Info” në vitin 2009 ishte kontraktuar nga Ministria për shërbime të komasacionit të tokave bujqësore për një vit, për komunat Vushtrri dhe Kastriot. Vlera e punëve të kontraktuara ishte 643 mijë euro. Ishte kontraktuar për 3.400 hektarë në Vushtrri për çmim njësie 150 euro, si dhe për 1.026 hektarë në Kastriot, për çmimin 130 euro për njësi.

Mes tjerash, në terma të referencës përfshiheshin: Korrigjimi i të dhënave sipas vërejtjeve, nëse kishte të tilla nga Zyra komunale e kadastrës për regjistrim në RDPP; Dorëzimi në këtë zyrë i dokumentacionit final – të korrigjuar, teknik e juridik, për zonat kadastrale në komasacion; e edhe Plotësimi i kërkesave nga Agjencia Kadastrale e Kosovës për azhurnimin e të dhënave kadastrale për regjistrimin e pronës në RDPP.

Atëkohë kontraktoheshin kompani edhe për mbikëqyrje projektesh. Për këtë që zbatohej nga “Geo-Info”, ishte kontraktuar “Consulting MM”. Në emër të kompanisë, kontrata ishte nënshkruar nga Murat Meha, i cili në vitet e fundit ka qenë kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Gjatë periudhës 2010-2011, kompania kishte marrë nga Ministria punë në vlerë 50.600 euro.

Në dhjetor të 2011-s, Ministria e Bujqësisë kishte firmosur një kontratë me kompaninë “Intershped” nga Ferizaj, e cila mbante titullin “Komasacioni i tokave për Komunën e Gjakovës”. Çmimi i dakorduar ishte për hektar: për pronat private ishte 108.20 euro, ndërsa për ato në pronësi shoqërore 60.40 euro. Ishte kontraktuar komasacioni për 2.909 hektarë në tokë private, për çmimin prej 314.753.80 euro, si dhe për 3.857 hektarë tokë në pronësi shoqërore, për shumën 232.962.80 euro. Kësisoj, kontrata peshonte 547.716.60 euro.

Në pjesën e identifikimit të çmimit, për kompaninë kishte firmosur Tomor Qela, një nga njerëzit që dy vjet më parë ka mbështetur marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilin opozita e mandatit të shkuar dhe shumë ekspertë thoshin se ia humbte Kosovës rreth 8 mijë hektarë tokë.

Neni 26 i kontratës saktësonte se kur do të bëhej pagesa. Aty theksohej se shuma e kontraktuar do të paguhej pas përfundimit të shërbimeve të komasacionit dhe pas përmbylljes së kufirit të çdo zone kadastrale veç e veç, të përfshirë në projekt.

Ilustrim
Ilustrim

“Raporti përfundimtar për realizimin e projektit dorëzohet në Komisionin komunal për komasacion, kompaninë mbikëqyrëse dhe në MBPZHR. Të gjitha materialet e përgatitura, të aprovuara nga kompania mbikëqyrëse dorëzohen në Komisionin komunal për komasacion, dhe pas aprovimit nga ana e Komisionit për komasacion këto materiale (dokumente) dorëzohen në Zyrën kadastrale komunale të gatshme për regjistrim në RDPP. Pas këtij zinxhiri kontrollues, MBPZHR bën aprovimin e këtij raporti, ku edhe proceson lëndën për pagesë”, thuhet në pikën e dytë të këtij neni të kontratës.

Në kontratë ishin përshkruar 18 pika, si specifika teknike të projektit. Sikurse në rastin e kontratës me “Consult Engineering”, edhe pikat e fundit kërkonin që në rastet kur ekzistonin vendimet e vjetra dhe nuk kishte kërkesa për azhurnime të pronësisë, ato duhej të dërgoheshin për regjistrim në RDPP. Por në rastet kur kishte vendime të vjetra ose edhe kërkesa për azhurnime të pronësisë, kompania implementuese e projektit obligohej të kryente matjet sipas zgjedhjes aktuale në terren. Në këtë situatë, Komisioni komunal për komasacion obligohej të përgatiste vendimet e reja dhe tërë dokumentacionin e nevojshëm sipas dispozitave në fuqi dhe që pastaj ato të dërgoheshin për regjistrim në RDPP. E për rastet ku nuk ekzistonin vendimet e vjetra, kompania implementuese e projektit obligohej të bënte matjet sipas gjendjes në terren. Në këso rastesh, Komisioni komunal për komasacion obligohej të përgatiste vendimet e reja dhe tërë dokumentacionin e nevojshëm sipas dispozitave ligjore dhe që ato të dërgoheshin për regjistrim në RDPP.

Gjatë rrugës së zbatimit të kontratës ishin bërë kompromise, meqë atë e kishin shoqëruar jo pak probleme.

Në një raport që mban datën 30 mars 2012, Komisioni komunal, kryetar i të cilit ishte Mujë Shabani, kishte shprehur pakënaqësitë që në start. Mes tjerash ishte ankuar se “që nga fillimi, përfaqësuesit e kompanisë ‘Intershped’ nuk kanë qenë të interesuar të bashkëpunojnë me Komisionin komunal për komasacion, por kanë gjetur aleatë të tjerë në Gjakovë”.

Mes ankesave, ishte ajo që lidhej me stafin profesional të angazhuar, i cili i mungonte kompanisë.

Pas kërkesës për stafin, kishte pasur një situatë të sikletshme.

“Më ka marrë në telefon Tomor Qela dhe i njëjti më është kërcënuar se do të shihemi dhe nuk do të dërgojë kurrfarë liste të ekspertëve, sepse nuk i përgjigjet Komisionit për komasacion. Nga ai moment janë shkëputur kontaktet mes Komisionit dhe Kompanisë”, thuhet në një raport të firmosur nga Shabani. “Shihet qartë se kjo kompani nuk ka ekspertë punëtorë të saj, por ka prezantuar kontrata fiktive të marrëdhënies së punës, ku ka vënë në mashtrim organet e prokurimit për marrjen e tenderit, që është vepër penale”.

Gazeta e ka kontaktuar Qelën, i cili ka refuzuar të flasë për këtë situatë dhe të tjera gjatë zbatimit të kontratës, nën justifikimin se ai ka qenë vetëm i angazhuar nga kompania dhe se ishte tërhequr gjatë realizimit të projektit. Edhe në kompani kanë refuzuar të flasin.

Megjithëkëtë, problemet që përshkruheshin në raport, ishin tejkaluar. Një takim mes përfaqësuesve të komisionit, përfaqësuesit të kompanisë dhe mbikëqyrësit nga Ministria, por dhe drejtorit të prokurimit, i kishte qetësuar gjakrat. Në të ishin marrë vesh të bashkëpunonin.

Kësisoj, kompanisë i ishin caktuar zonat kadastrale në të cilat duhej të punonte. Dhe mbikëqyrjen e punës duhej ta bënte një Komision, të cilin e kishte caktuar Ministria. Ai drejtohej nga Nehat Veliu, por për anëtar e kishte edhe Marjan Karricën. Ky anëtar kishte për vendlindje Doblibaren, një nga zonat kadastrale ku realizohej projekti të cilin e mbikëqyrte. Aty kishte shumë prona. Gazeta ka parë certifikatën që dëshmonte se në këtë pjesë kishte parcela në pronësi të bashkësisë familjare, e për të cilat dokumentacioni ishte djegur para lufte.

Tek në korrik të 2012-s, diku gjashtë muaj pas emërimit, Departamenti Ligjor i Ministrisë kishte konstatuar se Karrica “ka pengesa ligjore që të jetë anëtar i Komisionit për mbikëqyrjen e ekzekutimit të punimeve për projektin ‘Komasacioni i tokave në Komunën e Gjakovës’ dhe se i njëjti duhet të zëvendësohet me një anëtar tjetër”.

Në fund të nëntorit të 2012-s, Komisioni mbikëqyrës që e kishte caktuar Ministria, kishte konstatuar se kompania nuk e kishte përmbushur kontratën. Deri në këtë kohë, kompania kishte kryer punët për zonat kadastrale: Ujëz në shkallë 100 për qind; Gjakovë jashtë qytetit në shkallë 90 për qind; Rugovë II në shkallë 90 për qind; dhe Vraniq në shkallë 65 për qind. Për tetë zona terja kadastrale të parapara me kontratë nuk kishte kurrfarë informacioni.

Kontrata mbi implementimin e projektit kishte përfunduar më 8 nëntor 2012. Mbështetur në nenin 5 të këtij dokumenti, atëkohë kompania duhej ta përgatiste një raport mbi kryerjen e punëve, me një kopje elektronike dhe analoge që duhej t’i dorëzohej Ministrisë. Dokumentacioni duhej të ishte edhe konform kërkesave që i përmbante pika 18 e specifikave teknike.

“Komisioni i MBPZHR-së deri me datën e skadimit të afatit të paraparë me kontratë (08.12.2012) nuk kemi pranuar asnjë raport me shkrim për përfundimin e punëve në ndonjë zonë kadastrale të paraparë me kontratë dhe specifikave teknike të tenderit”, thuhet në një raport të Komisionit të Ministrisë.

Pas përfundimit të kontratës, me kërkesë të kompanisë Ministria ia kishte zgjatur afatin për zbatimin e projektit. E kishte bërë këtë nëpërmjet një aneks-kontrate. Sipas saj, punët duhej të kryheshin më së largu më 14 qershor 2013. Afati ishte zgjatur për gjashtë muaj, ani se Departamenti ligjor kishte thënë se zgjatja do të duhej të ishte vetëm tre muaj, nga shkaku se kaq ishin arsyet objektive.

Sipas një raporti të Komisionit mbikëqyrës, “Intershped” kishte arritur t’i realizonte punët sipas kontratës dhe specifikimit teknik për sipërfaqet e raportuara të shprehura në hektarë, në katër zona kadastrale në Komunën e Gjakovës: ‘Rugovë I’, Ujëz, Vraniq dhe Gjakovë jashtë qytetit.

Komisioni për komasacion e kishte dorëzuar në zyrat kadastrale dokumentacionin për komasacion të këtyre katër zonave.

Totali i sipërfaqes së kryer ishte 967 hektarë pronë private dhe 1.730 hektarë pronë shoqërore. Sipas Ministrisë, kompania nuk ka realizuar vlerën e të gjithë kontratës. Në vitin 2012 i kishte marrë 82 mijë euro, ndërsa në vitin pasues 127 mijë euro.

Me këtë projekt ishte bërë edhe copëtim tokash, në kundërshtim me atë çfarë kërkon komasacioni. Bazuar në një raport të “Intershped”, që mban datën 17 qershor 2013, në zonën kadastrale Rugovë I ishin kryer edhe “14 marrëveshje mbi ndarjen e bashkësisë familjare”.

Më 9.10.2013, Tomor Qela në cilësinë e koordinatorit të projektit, kishte kërkuar në emër të kompanisë zgjatjen e kontratës edhe për gjashtë muaj. Kërkesa ishte refuzuar.

Belatë mbeten

Para kësaj kontrate, Ministria e Bujqësisë kishte lidhur edhe një kontratë tjetër prokurimi për komasacionin në Gjakovë. Ishte korriku i vitit 2008 kur zyrtarë të saj kishin hedhur firmën mbi dokumentin që e kontraktonte kompaninë “Geo-Info” nga Prishtina. Në emër të kompanisë kishte firmosur Muzafer Mustafa. Krahas Gjakovës, duhej ta bënte edhe komasacionin në Klinë. Edhe kjo kontratë ishte bërë për finalizimin e komasacionit të nisur në vitin 1983, por që nuk ishte përfunduar.

Kompania “Geo-Info” kishte siguruar realizimin e kontratës në shumë prej 375.440.00 eurosh për shërbimin e komasacionit të tokës bujqësore për vitin 2008. Në Komunën e Gjakovës duhej ta realizonte projektin në 5 zona kadastrale me 1.378 hektarë, dhe për punën që e kryente në secilin prej tyre përfitonte 230 euro. Ndërkaq, për Komunën e Klinës ishte kontraktuar për një zonë kadastrale me 130 hektarë, e ku çmimi për njësi ishte 450 euro.

“Në rast të pengesave në terren, aktiviteti i kompanive do të zgjerohet edhe në zonat E tjera po të njëjtës komunë, me çmime të lartcekura sipas komunës përkatëse të parapara në dosje tenderi”, thuhej në kontratë. “Afati i kryerjes së këtij shërbimi – projektimi (komasacioni) i të gjitha projekteve është më 24.10.2008”.

Punët në vijim nuk ishin zbatuar konform këtyre dy kërkesave.

Një muaj pas nënshkrimit të kontratës ishte lidhur një aneks-kontratë. Krahas tjerash, me aneks ishte zgjatur kontrata deri në fundvit, përkatësisht deri më 10 dhjetor.

Kompania e kishte filluar punën nga shtatori i atij viti. Bazuar në një raport të Komisionit komunal për komasacion. Aty flitej se ishin përgatitur dhe regjistruar të gjitha aktvendimet e RDPP-së, diku rreth 560 dhe regjistrat e ndërrimeve të RDPP në një sipërfaqe prej 1.350 hektarë, ndërsa ishte thënë se në procedurë para përfundimit ishin edhe 450 hektarë.

Më 24 dhjetor 2008 nga drejtori i Departamentit të zhvillimit rural ishte dhënë raport për shkallën e përmbushjes së projektit. Në të ishte thënë se puna ishte kryer konform specifikave të kontratës.

“Është konstatuar se kompania ‘Geo-Info’ i ka përfunduar punët dhe i ka futur të dhënat në RDPP sipas kontratës dhe i ka plotësuar kushtet për pagesën e shumës sipas kontratës në vlerë prej 310.500.00 eurosh, mirëpo nga kjo shumë duhet të zbritet shuma prej 75.088.00 eurosh, e paguar si avans”.

Sipas këtij raporti, “projekti për rregullimin e tokave bujqësore në këtë komunë ka filluar me vonesë” dhe se “për shkak të procedurave sipas ligjit për prokurimin publik, është bërë rishpallja”.

“Komisioni ka pasur vështirësi në procedimin e tyre për shkak të vëllimit të madh të punëve dhe problemeve ligjore, pronësore juridike, mungesa e dokumentacionit, joprezenca e pronarëve, pastaj edhe probleme të natyrës teknike gjeodezike”, theksohet në këtë dokument.

Në bazë të së njëjtës kontratë, duhej të zhvillohej komasacioni vullnetar në fshatin Videj të Komunës së Klinës, në një sipërfaqe prej 130 hektarësh. Por banorët nuk kishin shprehur interesim për këtë. Në kundërshtim me kërkesat e kontratës, sipërfaqja që duhej të kryhej në Klinë, ishte kryer në Gjakovë. Në vend të Videjt, projekti ishte zhvendosur në zonat kadastrale Bordosan dhe Marmul në Gjakovë.

Pavarësisht kësaj, në fund të vitit fiskal, Komisioni në nivel të Ministrisë kishte rekomanduar t’i bëhej pagesa kompanisë. Pagesa ishte realizuar.

Brenda një dekade, tri kompani të ndryshme janë kontraktuar në Gjakovë për ta finalizuar rregullimin e tokave bujqësore. Por asnjëra nuk kishte kryer punë në Qerim.

Kompanitë kanë marrë milionat nga shteti, e Mark Lasku dhe fqinjët e tij jetojnë me problemet që ua ka lënë komasacioni prej 35 vjetësh. Ai konsideron se kompanitë që kontraktohen duhet ta zgjidhin secilin kontest, e jo vetëm t’i marrin paratë e t’i lënë ngatërresat.

“Situata nuk është e mirë. Bukur shumë probleme po shkakton”, thotë Marku. “Njëri këtu e ka një qosh që kurrë nuk ka qenë i tij. Por me letra i ka dalë e tij dhe pastaj ka lindur problemi mes kojshive. Kompanitë që kontraktohen duhet ta pranojnë se ka gabime. Mundet mos me qenë të qëllimshme, por kjo e shtron nevojën me dalë në terren e me i evitu gabimet dhe mos me lënë bela”.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Besnik Krasniqit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së)

Pjesa e parë e HULUMTIMIT

Komasacioni lë belanë te fermerët dhe çon milionat te kompanitë (I)

.