Foto: Atdhe Mulla / Doktor Jakup Ismaili, shefi i Pranimit dhe Planifikimit Familjar në Klinikën Gjinekologjike

Aborti në Kosovë, i miratuar ligjërisht por i dënuar moralisht

E drejta e grave në abort, ndonëse është ligjërisht e garantuar në Kosovë ende trajtohet si temë tabu dhe dënohet moralisht jo vetëm në shoqëri por edhe në institucionet më të larta shëndetësore si në QKUK. Këtu aborti konsiderohet “vrasje” me duar të nënës. Qasje kjo diskriminuese që dënohet nga avokues të të drejtave të grave dhe Avokatit të Popullit që po kërkon veprimin e Qeverisë sidomos për abortet që kryhen në mënyrë të fshehtë në ordinanca private

“Shko të D-jam numër 18”, është udhëzimi që jep një infermiere në hyrje të Klinikës Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës – institucionit më të lartë shëndetësor në vend- gjersa na orienton tek një korridor në drejtimin e anës së djathtë pasi të hysh në këtë Klinikë.

Aty qenka salla ku bëhen abortet – apo “krimi me duart e nënës”, siç e cilësojnë disa nga punonjësit e kësaj klinike këtë procedurë mjekësore gjinekologjike.

Korridori i zymtë nuk dallon nga korridoret e klinikave të tjera në QKUK, e të ndërtuara qysh prej kohës së komunizmit kur edhe kishte filluar punën, në dhjetor të vitit 1958 dhe asokohe si Spitali i Prishtinës, e tek më vonë në 1999 si Qendër Klinike dhe Universitare.

Në fund të korridorit është doktor Jakup Ismaili, shefi i Pranimit dhe Planifikimit Familjar në Klinikën Gjinekologjike, që e pret ekipin tonë. Me një telefon në dorë, duke koordinuar ekipet sa një sallë në tjetrën, për shkak të ngarkesave që ka spitali, ai na sugjeron të presim. Për të shkuar tutje në dhomën e pranimit për të biseduar rreth temës që po e takonim. Dhoma ku ai tregon se presin edhe palë, nuk dallon shumë nga një dhomë e errët dhe me kujdesje edhe jo aq të mirë e mbajtur, veçse gjendet në institucionin më të lartë shëndetësor në vend – QKUK.

Në atë dhomë në vitin 2017 ishte pritur edhe Era (identiteti i plotë i së cilës do të mbrohet), kur kishte shkuar për të kërkuar abort.

Era ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë, kur i kishin filluar komplikimet, dhe kontrollet e javëve të para të shtatzënisë i kishte kryer në ordinanca private. Hezitimi i saj për t’u vizituar në QKUK, kishte ardhur si pasojë e reputacionit “të keq” si e shpjegon ajo, të Klinikës Gjinekologjike dhe përvojave të grave dhe vajzave që kishin kryer shërbime aty, rreth trajtimit dhe ofendimeve që kishin marrë. “Nuk desha të kalojë në stres shtesë, pos shtatzënisë”, tregon ajo.

Por komplikimet në shtazani, për shkak se fryti ishte diagnostifikuar me hidrops e kishin dërguar në derën e Klinikës së vetme në Kosovë të cilës i lejohet ligjërisht për të kryer aborte që janë mbi javën e dhjetë të shtatzënisë.

Era asokohe ishte në javën e 16-të. Dhe kur kishte hyrë në dhomën e konsultimeve për rastin e saj ia kishin bërë me dije që është Komisioni profesional ai që duhet të vendos nëse mund të kryejë abortin apo jo.

Është Ligji mbi Ndërprerjen e Shtatzënisë dhe Ligji mbi Shëndetësinë në Kosovë ata që e përcaktojnë se çdo abort mbi javën e dhjetë mund të kryhet vetëm me pëlqimin e Komisionit Profesional Shëndetësor, që përbëhet prej tre profesionistëve: dy gjinekologë obstetër dhe një psikiatër.

“Tek në javën e 17-të jam shtruar në QKUK për abortim sepse komisioni që formohet aty ka konstatua se fryti me nuk mund të zhvillohet më tutje. Normalisht si nënë që pritesha të bëhem për herë të parë e kam përjetu atë përvojë me shumë dhimbje. .më patën shtruar në repartin për diagnostifikim dhe aty kam qëndru dy ditë tek më pas më kanë dërgu aty ku bëhet aborti dhe më kanë dhënë 10 kapsulla, çdo dy orë mi kanë vendos”, rrëfen Era të cilës afër po i qëndronte vetëm bashkëshorti i saj.

Dhimbjet shpirtërore dhe fizike thotë të kenë bërë shpeshherë të bërtas në dhomën ku po qëndronte, por kjo nuk thotë se i kishte bërë mjekët dhe stafin e Klinikës ta ndihmonin. Përkundrazi, fyerjet dhe ofendimet që kishte dëgjuar se marrin gratë në atë Klinikë, do të duhej t’i dëgjonte edhe ajo.

“Mjeket kujdestarë të cilët ndërroheshin e vinin, për të vendosur kapsulat, nuk ishin të durueshëm, Kur unë bërtitsha prej dhimbjeve ata mu drejtonin me ton të lartë. Deri në orën 21 në mbrëmje ka qenë ashtu. Pas orës 21 vinte te na kontrollonte vetëm motra.

Çdo gjysmë ore vinte motra me kontrollonte. Dikur rreth orës 1 pas mesnate filluan dhimbjet dhe deri sa bashkëshorti ka zgjuar prej gjumit motrën medicinale unë veç kam abortu me kunatën e një gruaje tjetër që ishte aty afër duke më ndihmuar”, rrëfen Era e cila thotë të mos ketë marrë aspak reagim të mirë nga motra medicinale që kishte qenë në gjumë në kohën kur ajo po abortonte.

“Kuku çka paske bo krejt shtratin ma paske shyt”, kështu thotë t’i ketë thënë infermierja pas ajo derisa kishte abortuar jo në sallën e aborteve por në dhomën e spitalit. Era ngjarjen e kujton si ndër përjetimet më të rënda që ka pasur dhe përvojën më të keqe në QKUK.

“Nuk ka qenë aspak përvojë e mirë dhe e kujtojë çdoherë, ka qenë traumë”, thotë ajo.

Erës nuk i kujtohen emrat e personelit që mban mend të mos jenë kujdesur siç thotë ajo, mjaftueshëm për të.

E nga ana e Klinikës Gjinekologjike nuk ka qenë e mundur të kuptohet ndonjë informatë ngase kërkesat e drejtuara në këtë institucion dhe te drejtoresha e Klinikës për intervistë janë injoruar.

Pyetje dhe disa kërkesa për intervistë janë drejtuar në zyrën për informim si dhe te drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike, por deri në datën e publikimit të artikullit nuk është ofruar asnjë përgjigje.

Qasje moraliste e stafit të QKUK-së ndaj abortit

Në anën tjetër, kur vjen fjala për abortin, një procedurë mjekësore ligjërisht të lejuar, sugjerohet që të kryhet në klinika të licencuara për shërbime gjinekologjike, dhe mbi javën e dhjetë vetëm në QKUK. Aborti në Kosovë, për dallim prej disa vendeve të zhvilluara që janë më rigoroze apo e kanë të ndaluar si Italia ta zëmë, është një procedurë mjekësore e lejuar me ligj.

Ligji mbi Ndërprerjen e Shtatzënisë në Kosovë i përcakton parametrat dhe kushtet nën të cilat aborti lejohet. Deri në javën e dhjetë të shtatzënisë, që përllogaritet nga dita e parë e ciklit të fundit menstrual para koncepcionit, aborti mund të përformohet me pëlqim të nënës si i vullnetshëm. Qëllimi i ligjit, thuhet të jetë parandalimi i sëmundshmërisë apo vdekshmërisë së nënës.

Deri në javën e dhjetë abortin mund ta kryejë çdo institucion i licencuar për shërbime gjinekologjike. Megjithëse mbetet e paqartë kushtet nën të cilat punojnë ordinancat private, dhe protokollimi i aborteve dhe kushtet nën të cilat është kryer nga ana e këtyre.

Shtatzanitë mbi javën e dhjetë, lejohen të ndërpriten vetëm për shkaqe shëndetësore, pra vetëm nëse nëna apo fryti rrezikojnë jetën dhe shëndetin apo fryti ka anomali. Aprovimi për aborte mbi javën e dhjetë duhet të bëhet nga Komisioni Profesional Shëndetësor në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së, që kryesohet nga drejtori i Klinikës plus një profesor (gjinekologë obstetër) dhe një psikiatër. Derisa shtatzënitë që vijnë si pasojë e akteve kriminale si dhunimi, marrëdhënia e padëshiruar seksuale me viktima të trafikimit, apo marrëdhënies me të mitur apo incestit, ligjërisht lejohet deri në javën e njëzetedytë.

Shefi i Pranimit dhe Planifikimit Familjar në Klinikën Gjinekologjike në QKUK, Jakup Ismaili, tregon se shumica e aborteve që kryhen në këtë Klinikë janë aborte për shkaqe shëndetësore, apo edhe të planifikimit familjar te çiftet e martuara. Ta zëmë te gratë e martuara që kanë dy e më tepër fëmijë dhe që për shkaqe socio – ekonomike ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e dhjetë.

752 aborte ku janë ndërprerë shtatzënitë deri në javën e dhjetë, ka kryer kjo Klinikë prej vitit 2012 e deri në muajin shtator të vitit 2018.

Nëse shihen shifrat ndër këto vite vërehet që numri për vit pak a shumë mbetet i njëjtë. Në vitin 2012, sipas të dhënave të ofruara nga Ismajli, janë protokolluar 67 aborte në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së, në 2013 janë 124, në 2014-ën janë 130, në 2015-ën janë 106 aborte të protokolluara, në vitin 2016 janë 111, në 2017-2n janë 121 ndërsa këtë vit deri në muajin gusht 93. Aktualisht në Klinikën Gjinekologjike në QKUK ka të dhëna prej vitit 2011.

Doktor Ismajli tregon se bëhet fjalë për një moshë mesatare të grave prej 25 vjeç, dhe thuajse të gjitha janë raste të grave që kanë pasur status martesor.

“Aborti është i ligjshëm dhe i vullnetshëm deri në javën e dhjetë të shtatzënisë, me insistim të pacientes për ndonjë arsye të cilën qoftë sociale, ekonomike, me planifiku familjen… për shembull ka fëmijë tepër, pra për planifikim familjar. Deri në javën e dhjetë të shtatzënisë kryhen, normalisht kompletohet me analiza, i shpjegohet mënyra, komplikimet edhe kryhet aborti deri në javën e dhjetë”, thotë Ismaili. “Pas javës së dhjetë, deri në javën e 22-të kryhen abortet të cilat kanë ndonjë arsye qoftë nga Nëna, qoftë nga beba. Qoftë për shkak të ndonjë sëmundje të nënës, apo ndonjë anomalie. Por në këtë kategori hynë edhe rastet e dhunimit, shembull rastet e padefinuara si të dhunës, ato deri në javën e 22-të”, tregon ai.

Një trend i aborteve prej periudhës së para luftës e deri më sot nuk ka qenë e mundur të nxjerrët ngase sipas informatave nga arkiva e Klinikës, protokollet e aborteve është vendosur të asgjësohen çdo pesë vjet, nga viti 200 e këndej. Derisa ato para vitit 2000 nuk posedohen fare. Arsyet për asgjësimin e këtyre të dhënave nuk janë dhënë.

Ajo që kuptohet në QKUK megjithatë është se asaj e stafit të Klinikës së Gjinekologjisë është në kundër abortit. Në vitin 2016, drejtoresha e kësaj Klinike, Myrvete Paçarada, e pati përshkruar abortin si “vrasje”, në një intervistë të dhënë për BIRN, ani pse shteti i Kosovës ka vendosur ta konsiderojë si të drejtë ligjore të grave dhe vajzave. “Nuk lejohet as me fe, as me shkencë mbytja e fëmiut”, pati thënë ajo. Madje në atë vit, në sallën ku kryhen abortet në klinikën e saj ishte vendosur edhe një afishe ku thuhej “aborti krim i bërë me vetë duart e nënës”.

Këtë afishe e shihte çdo nënë e cila hynte për të kryer abortin. Sot ajo afishe e shumë kritikuar në media, nuk gjendet më. Megjithatë qasja e stafit është e njëjtë për abortin. Jakup Ismaili, i autorizuari për të dhënë intervistën nga drejtoresha Myrvete Paçarada, (e cila nuk iu është përgjigjur kërkesave të një pas njëshme për intervistë), tregon pse e kanë atë qasje duke treguar se tentojnë të bindin paciente që të mos abortojnë. “Oj ti, unë paraprakisht secilën paciente që do me kry abortin unë paraprakisht e marrë e shti mrena, ka raste kur ja thirrin edhe burrin edhe pse janë prish, edhe kemi arrit mi bashku, mi bind mos me ndërpre shtatzëninë.

Do të thotë nuk është insistimi i parë me hyp mbi tavolinë, unë dhjetë minuta e gjysmë ore nuk i kam dert pse i hupi një orë a dy orë…”, nis të tregon ai se si tentojnë të bindin pacientët të mos kryejnë abort. E kur pyetet pse tentojnë t’i bindin, për një procedurë për të cilën pacientet kanë të drejtë ligjore ai thotë sepse aborti është “vrasje”.

“Pse me kry aborti është tash, ana humane. është një vrasje ajo. Ta tregoj një fotograf qysh formësohet një fëmijë në shtatë javë… Pa kalu shtatë javë nuk mundet fryti mu ba si unë e ti qysh jemi… Ka metoda kontraceptive sot, ka metoda lloj-lloj të ndryshme kontraceptive. Duhet me u marrë me u eduku, me u emancipu, me i informu mos me ardh deri te shtatzënitë e padëshirume…”, thotë Ismaili.

25 aborte ishin refuzuar në këtë Klinikë vetëm në vitin e kaluar nga 142 kërkesa sa kishte pranuar klinika për abort. Ligji mbi ndërprerjen e shtatzënisë nuk lejon abortin për shkak të gjinisë së frytit. Megjithatë QKUK nuk ka ofruar përgjigje në lidhje me atë se cilat janë arsyet pse 25 kërkesa për abort janë refuzuar këtë vit.

Qasja e stafit të klinikës, sa i përket abortit, që megjithatë është e drejtë ligjore e grave në Kosovë kritikohet nga organizata që merren me mbrojtjen dhe avokimin për të drejtën e grave në Kosovë.

Adelina Berisha, aktiviste në Rrjetin e Grupit të Grave, që pati lansuar edhe raporte mbi shëndetin e grave dhe ku flitet edhe për shëndetin riprodhues dhe abortet, e quan tejet të gabueshme qasjen e stafit të QKUK-së.

Duke treguar edhe për përvojat e saja personale në atë klinikë, për të cilën thotë se abuzon me gratë dhe nuk plotëson kushtet për trajtim të mirëfilltë. “Na e dina vetë QKUK, institucioni ma i lartë shëndetësor i ka abuzu të drejtat kur gratë për shembull është dashur të lindin në korridor. Kështu që këto janë disa fakte që na tregojnë. Por në përgjithësi interesimi i shoqërisë kosovare nuk është te gratë. Shumë thjeshtë. Pikërisht pse shëndeti riprodhues shihet si problem që i prek direkt më shumë gratë, që është gabim sepse shëndeti riprodhues i prek edhe burrat edhe gratë, edhe kur gjithçka është e interesume mi targetu gratë edhe interesimi është më i vogël”, nis të shpjegojë ajo.

“Unë e di kur kam shku si tinejxhere në vizitën time të parë gjinekologjike për shkak të disa problemeve me cikël edhe e di qysh në hyrjen e parë aty ka qenë ajo salla e kontrolleve. Kam qenë 15 vjeçare dhe aty ka qenë një dhomë ku unë kam shku për herë të parë te gjinekologu edhe kam hy në atë sallë dhe aty i ke pas pesë karrige tjera, edhe aty e ke pas një grua me barkun e madh pak para lindjes, edhe unë një fëmijë që nuk e kam pas problemin e njëjtë me atë.

Edhe ndoshta edhe dikush ka qenë me ndonjë sëmundje aty dhe krejt kemi qenë në një vend. Ka qenë shumë traumatike dhe shokuese ajo. Sepse e para unë kam mendu që doktori me merr në zyre dhe më fol dhe bëjmë muhabet për problemet e mia para se mu shtri në karrigen. Për mua ka enë shumë shokuese dhe ma ka bo direkt, ulu qetu. Duke ia nis prej kësaj prej pritjes së parë që të bëhet në spitalet e Kosovës, e këtu ndoshta është ende ma e ndjeshme për shkak të natyrës së punës”, thotë Berisha.

Ministri i ri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nisur valën e reformave brenda sistemit shëndetësor, dhe së fundmi ka proklamuar furnizimin e gjinekologjisë me shtretër të ri nga kontigjenti i 750 shtretërve të ri për gjithë QKUK-në.

Në Klinikën Gjinekologjike stafi është i vetëdijshëm për kushtet ekzistuese, megjithatë është qasja e tyre ndaj abortit ajo që i bënë më të atakueshëm për nga kritikat.

“Në momentin që ty të lejohet me ligje dhe Kushtetutë aborti nuk është askush këtu ma për ta bërë moralin ose të bëjë thirrje çka po di unë të bazuar në fe ose të bazume në çkado tjetër.Kjo për mua është shkelje direkte e vetë ligjit… fatmirësisht ne e kemi të rehatume me ligjet dhe doktori nuk e ka aspak rolin me i tregu një vajze a po bënë mëkat apo po bënë krim. Përderisa është e lejuar deri te java e dhjetë e ka për të obliguar me zbatu ligjin”, thotë aktivistja Berisha, e cila mendon se aborti përkundër që është ligjërisht i rregulluar në Kosovë, praktikisht nuk po konsiderohet ende si e drejtë.

“[Ligji] është në vijë me ligjet të Evropës dhe me shtetet që e respektojnë më shumë çështjen gjinore.Mirëpo në praktikë qysh implementohet kjo, qaty është krejt gabimi, sepse qysh e dina janë vetëm pesë spitale që kanë të drejtë ta përformojnë abortin sepse i plotësojnë të gjitha kushtet, mirëpo në anën tjetër na të gjithë e dimë që aborti ndodh ilegalisht në të gjitha ordinancat private”, thotë Berisha.

Ligji për Ndërprerjen e Shtatzënisë në Kosovë ishte miratuar më 6 nëntor të vitit 2008, dhe kishte hyrë në fuqi tek në janar të vitit 2009 pasi u shpall në gazetën zyrtare me vendim të Kuvendit. Megjithëse e lejon abortin si të drejtë, ai konsiderohet se ka mangësitë dhe nevojë të amandamentohet.

Zyra e Avokatit të Popullit të Kosovës në vitin 2016 kishte lansuar një raport, të titulluar “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues në Kosovë: Një realitet përtej ligjit?”, e në të cilin raport përveç tjerash rekomandon edhe amandamentimin e Ligjit mbi Ndërprerjen e Shtatzënisë në Kosovë. Sipas të njëjtit raport thuhet se Ligji për Ndërprerjen e Shtatzënisë kërkon rishikim, përfshirë largimin e kufizimit të abortit për vajzat mbi 16 vjeç si dhe rekomandohet që ofruesit e shërbimeve publike duhet të përmirësojnë shërbimet e tyre sa i përket abortit.

“Ofruesit e sektorit publik të abortit duhet të përmirësojnë shërbimet e tyre përfshirë përmirësimin e respektit të të drejtave të përdoruesve, si dhe ofrimin e kujdesit gjithëpërfshirës, përfshirë informatat e sakta, këshillimin jo dirigjues nëse kërkohet nga gruaja, shërbimet e abortit pa vonesë, dhe shërbimet kontraceptive pas abortit për të ndihmuar parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara në të ardhmen”, thuhet në raport. Qeveria, sipas Avokatit të Popullit duhet të sigurohet se shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues, përfshirë shërbimet e abortit, plotësojnë nevojat e të gjithë adoleshentëve.

Një ndër dy autorët raportit të IAP, Majlinda Sinani-Lulaj ka treguar se nga 63 rekomandime që janë bërë, shumica prej tyre që i adresohen Qeverisë nuk kanë marrë përgjigje fare. Lulaj thotë se të drejtat në shëndetin riprodhues dhe seksual nuk mund të shihen, as të kuptohen, si të shkëputura prej kompleksitetit socio-ekonomik e kulturo-historik në vend dhe përgjithësisht, Kosova ka rindërtuar sistemin shëndetësor dhe ka një kornizë të fortë ligjore në fushën e të drejtave në shëndetin riprodhues dhe seksual, e cila është konsistente me parimet e vendosura nga Kushtetuta dhe Instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të zbatueshme drejtpërdrejtë në vendin tonë.

“Megjithatë, e garantuara në letër, në krahasim me nivelin e zbatimit të këtyre garancive, qëndrojnë goxha larg njëra me tjetrën. Prania e shërbimeve të shëndetit riprodhues, përfshirë shërbimet e abortit, është esenciale për gëzimin e të drejtave të grave mbi bazën e mosdiskriminimit. Shteti duhet të ndërmarrë masa për t’i bërë shërbimet të jenë të pranueshme, të sigurta dhe të respektojnë të drejtën e gruas për dinjitet dhe konfidencialitet”, thotë Lulaj.

Ajo thekson se Aborti si temë ka qenë një nga 7 çështjet kyçe që ka trajtuar Raporti për shëndetin riprodhues dhe seksual në Kosovë. “Nga 25 rekomandimet drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, rekomandimet 1, 5, 8, 10, 11, 12, 13( b), 14, 15, 16, 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24 konsiderohen të zbatuara. Nga 20 (21) rekomandimet drejtuar Qeverisë (ZKM), nuk kemi marrë ndonjë përgjigje përkitazi me to, edhe pse, për disa(pak) prej tyre kemi njohuri se ka pasur zhvillime pozitive dhe aktualisht jemi në proces të vlerësimit të statusit të zbatueshmerisë së tyre”, tregon Lulaj.

Megjithatë këto nuk janë dilema kryesore që zyra e Avokatit të Popullit ngrit në rekomandimet e tij. “Në Vlerësimin Nacional të të Drejtave në Shëndetin Riprodhues dhe Seksual theksohet se gjetjet tregojnë se shkalla e aborteve në Kosovë është shumë e lartë dhe se, përkundër faktit se ka një numër institucionesh publike të licencuara për të ofruar abortin, shpesh herë kjo ndodh ilegalisht, nëpër institucione private, ku standardet e abortit të sigurt nuk janë të garantuara. Në anën tjetër, nuk ka një sistem gjithëpërfshirës të regjistrimit të vdekjeve maternale, gjë që vështirëson grumbullimin e të dhënave të sakta për numrin e vdekjeve dhe shkaqeve”, thotë Lulaj.

Duke treguar kështu se institucioni që monitoron diskriminimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, ndanë dilemën e njëjtë si të thuajse të akterëve që merren me shëndetin e grave – abortin në ordinancat private, ku disa mendojnë se po bëhet edhe “tregti” në sy të shtetit me një të drejtë elementare njerëzore.

 

Klauzolë: Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së”