AAC propozon dyfishim të stafit dhe pozitën e zv.drejtorit që nuk ekziston me ligj
Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) po synon të rrisë numrin e punëtorëve brenda 5 viteve të ardhshme. Rritja e numrit të punëtorëve është paraparë në plotësim/ndryshimin e rregullimit të brendshëm dhe strukturës organizative të këtij institucioni që ende është në formë të draftit, e të cilën e ka siguruar KALLXO.com.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës (MPBAP) i ka dhënë komentet në këtë draft – Rregullore, duke gjetur disa shpërputhje me Ligjin për Aviacionin Civil.
Aktualisht, AAC ka 30 punëtorë, prej tyre 28 shërbyes civil, drejtorin e Përgjithshëm dhe zv.drejtorin e Përgjithshëm.
Në draftin e Rregullores është paraparë që në planin afatmesëm të ketë më shumë se dyfishim të punëtorëve. Brenda 5 viteve të ardhshme është planifikuar që AAC t’i ketë gjithsej 73 pozita, nga ato 71 nëpunës civil.
Ndërsa në planin afatgjatë parashihet më shumë se trefishi i pozitave aktuale në AAC. Në këtë draft-Rregullore, në planin 10 vjeçar, planfikohet të jenë gjithsej 101 pozita, nga to, 99 nëpunës civil.
MPBAP-së ka dhënë komente rreth draftit të rregullores, ashtu siç kërkohet me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura. Përveç MPBAP-së, AAC është e detyruar të kërkojë mendim këshillimor edhe Ministria e Financave dhe Auditori i Përgjithshëm.
KALLXO.com i ka siguruar komentet që ka bërë MPBAP në draftin e parë të rregullores të hartuar nga menaxhmenti i ACC-së. Në komentet e saj, Ministria e ka kundërshtuar rritjen e numrit të punëtorëve në AAC. Sipas tyre, Rregullorja duhet të pëmbajë vetëm pozitat aktuale të aprovuara me buxhet.
Rregullorja parasheh zv.drejtorin i cili nuk ekziston me ligj
Përveç dyfishimit dhe trefishimit të numrit të punëtorëve, në ndryshimin riorganizimin e propozuar parashihet edhe pozita e zv.drejtorit të AAC-së.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në komentet e saj ka theksuar se pozita e zv.drejtorit nuk është paraparë as me Ligjin e Themelimit të AAC-së dhe as me Ligjin për Organizim dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore.
Sipas tyre, Ligji për organizim të brendshëm ka përcaktuar mbështetjen e drejtorit të Përgjithshëm me zv.drejtor vetëm për agjencitë ekzekutive, por jo edhe për ato rregullatore dhe të pavarura.
Po ashtu duke iu referuar numrit të vogël të të punësuarve në AAC, gjithsej 28, MPBAP ka theksuar se kjo pozitë duhet të shuhet.
“Këtë pozitë nuk e njeh as Ligji i themelimmit dhe as Ligji për organizim të brendshëm, prandaj luteni ta largoni”, potencohet në koment.
Aktualisht, pozitën e zv.drejtorit të Përgjithshëm në AAC e mban Xhelil Bekteshi, i cili është emëruar në këtë pozitë më 27 janar të vitit 2017 nga Qeveria e Isa Mustafës, me propozim të ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
Në kohën që Isa Mustafa e ka udhëhequr Komunën e Prishtinës, Xhelil Bekteshi ka qenë drejtor i Financave.
Para se të emërohej si zv.drejtor i Përgjithshëm në AAC, Xhelil Bekteshi e kishte mbajtur pozitën e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.
Më 29 janar të vitit 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe ndaj të akuzuarit Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.
I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se sa ishte në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.
Në aktakuzë thuhet se Bekteshi e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) V.R që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë – Kijevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016, në vend të datës reale 26 qershor 2016.
Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik me çmim të lartë 991,418 euro ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.
Që nga fillimi i procedurës gjyqësore janë mbajtur disa seanca por ende ky rast nuk ka përfunduar.
Para Bekteshit, pozitën e zv.drejtorit në AAC e kishte mbajtur Kreshnik Gashi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria Thaçi, më 19 shkurt të vitit 2014.
Gashi ka qenë zv.drejtori i parë i AAC-së, pasi paraprakisht që nga themelimi i AAC-në në vitin 2008 nuk ka ekzistuar pozita e zv.drejtorit dhe rrjedhimisht nuk e mbajtur askush.
Ligji për aviacionin civil nuk e ka paraparë fare poziten e zv. drejtorit të AAC-së. Në nenin 20 të këtij ligji, përmendet drejtori i Përgjithshem por nuk përmendet në asnjë pikë pozita e zv. drejtorit.
Akuzat për jotransparencë në hartimin e Rregullores
Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) ka hedhur akuza për jotransparencë në procesin e ndryshimit të rregullimit të brendshëm dhe strukturës organizative të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), proces i cili është inicuar nga Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, Bujar Ejupi.
“Sindikata e punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) reagon publikisht për të shprehur indinjatë lidhur me mungesën e transparencës gjatë procesit të ndryshimit të rregullimit të brendshëm dhe strukturës organizative së AAC të cilën e ka inicuar Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Sipas Sindikatës, drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi, edhe pse u kishte premtuar transparencë, një gjë të tillë nuk e ka ofruar.
“Nga shqetësimet e ngritura nga SPAAC ka qenë fillimisht fakti se në Grupin Punues për hartimin e Projekt rregullores nuk është përfshirë asnjë anëtar i SPAAC, dhe për më tepër nuk janë përfaqësuar as katër nga pesë departamentet profesionale – teknike të AAC-së. Po ashtu, përkundër premtimeve, Projekt rregullorja nuk i është përcjellë SPAAC për konsultim, ndonëse ky është edhe obligim ligjor që buron mes tjerash nga Ligji për organizmin sindikal, që obligon menaxhmentin për të zhvilluar dhe promovuar dialogun social”, thuhet në reagimin e SPAAC.
KALLXO.com ka dërguar pyetje disa herë në adresë të Bujar Ejupit, drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së, zv.drejtorit të Përgjithshëm, Xhelil Bekteshi dhe të gjithë anëtarëve të bordit të AAC-së, në lidhje me procesin e riorganizimit në AAC por as anëtarët e bordit e as drejtori Ejupi nuk janë përgjigjur.
Në fund të muajit janar, KALLXO.com kishte pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në lidhje me Rregulloren e propozuar nga AAC dhe ndryshimet e parapara.
“Ju njoftojmë që aktualisht jemi në proces të shqyrtimit të Projekt-rregullores për Organizim të Brendshëm dhe Sistematizim të Vendeve të Punës të Agjencisë së Aviacionit Civil dhe ende nuk i kemi të gatshme komentet dhe rekomandimet tona për këtë Projekt-Rregullore”, thuhet në përgjigjen e 27 janarit të MPBAP-së.
KALLXO.com duke iu referuar afatit prej 15 ditëve të kthimit të përgjigjes nga ministritë përgjegjëse, ka dërguar përsëri pyetje në adresë të MPBAP. Edhe pse kanë kaluar gati një muaj e gjysmë që kur janë dërguar dhe ridërguar pyetjet në adresë të tyre, të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje. KALLXO.com vazhdimisht ka kontaktuar me Zyrën për Media në këtë ministri por të njëjtit kanë thënë që përgjigjet janë në Zyrën e Sekretarit, Lulzim Ejupi dhe janë në pritje të plotësimit nga ana e tij.
Në lidhje me procesin e riorganizimit në AAC është pyetur edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, me propozim të të cilit Bujar Ejupi është emëruar drejtor i AAC-së. Por ministri ka thënë se drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi e ka mbështetjen e tij të plotë.
“Drejtori i AAC, Bujar Ejupi, e ka mbeshtetjen e plotë të Ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, në kryerjen e detyrave të tij që ia përcakton ligji”, theksohet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.
Bujar Ejupi është emëruar drejtor i AAC-së në muajin qershor të vitit 2020 me propozim të ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi. Në foton e mësipërme, të publikuar në janar të vitit 2020, rreth 6 muaj para emërimit të Ejupit si drejtor në AAC, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi shihet në një fotografi në krah të Bujar Ejupit.
Ejupi ishte emëruar në vend të Eset Berishës, i cili ishte shkarkuar nga Qeveria Kurti.
Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC) është themeluar me Ligjin për Aviacionin Civil si agjenci e pavarur rregullatore për aviacionin civil. AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës.
Aktivitetet në aviacionin civil në hapësirën ajrore të Kosovës zhvillohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Aviacionin Civil, Konventën për Aviacionin Civil Ndërkombëtar të datës 7 dhjetor 1944 dhe Marrëveshjen për Themelimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit.