A kanë ministrat e ri prona në emër të përbashkët me bashkëshortët e tyre?

Nga të dhënat e siguruara nga hulumtimi i KALLXO.com rezulton se nga 15 ministrat e qeverisë së re, vetëm katër prej tyre posedojnë prona të paluajtshme të regjistruara në emër të përbashkët me bashkëshortet/ët e tyre.

 

 

 

 

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku ka deklaruar për KALLXO.com se posedon një shtëpi në Prishtinë të cilën e ka të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

Njëjtë si Lumir Abdixhiku, edhe Blerim Reka, ministër i Ministrisë së Integrimit Europian ka deklaruar se posedon një banesë në Shqipëri të cilën e ka në bashkëpronësi me bashkëshorten e tij.

Ministrja e Arsimit, Hykemete Bajrami, ka deklaruar se posedon një truall dhe një shtëpi të cilën e ka të regjistruar në bashkëpronësi me bashkëshortin e saj.

E sipas të dhënave publike dhe sipas deklaratës së ministres së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhënë për KALLXO.com, ministrja Emilija Redžepi ka deklaruar se posedon pronë në emër të përbashkët me bashkëshortin.

 

Ndryshe nga ministrat e sipërpërmendur, ministri i mbrojtjes Anton Quni, ka deklaruar për KALLXO.com se nuk ka asgjë mbi vete dhe se e gjithë pasuria e tij është e regjistruar në emër të prindërve.

“Lidhur me interesimin tuaj për të ditur statusin pronësor të pronës së paluajtshme të krijuar gjatë jetës bashkëshortore të Ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, iu njoftojmë se patundshmëria e tij është në emër të prindërve të tij”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga kjo ministri.

Njëjtë si ministri i mbrojtjes, ka deklaruar edhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari e cila ka thënë se nuk ka asnjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të saj.

Ndërsa ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka deklaruar se është i pa martuar.

Për KALLXO.com është deklaruar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka thënë se nuk ka asnjë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin.

“Nuk kemi pronë të krijuar gjatë jetës bashkëshortore. Banesa në të cilën jetojmë është pasuri e bashkëshortit e krijuar në vitin 2007. Ne jemi martuar 5 vite pas, pra në vitin 2012. Përveç të tjerash, kjo mund të verifikohet edhe në formularin mbi deklarimin e pasurisë, ku ne si zyrtar të lartë obligohemi për çdo vit të deklarojmë pasurinë”, ka deklaruar ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Edhe Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka thënë se nuk posedon asnjë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

Përkundër përpjekjes tonë për të marrë një përgjigje nga ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, i njëjti nuk i është përgjigjur pyetjes tonë.

Por nga të dhënat lidhur me deklarimin e pasurisë për vitin 2019, figuron se ministri Konjufca nuk ka asnjë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk i është përgjigjur pyetjes së KALLXO.com, por sipas të dhënave mbi deklarimin e pasurisë për vitin 2018, figuron se nuk ka pronë të paluajtshme të regjistruar bashkërisht me bashkëshorten e tij.

Besnik Bislimi, ministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve nuk ka dashur të deklarohet për KALLXO.com me arsyetimin se një gjë e tillë është çështje e tij personale, e lidhur me regjistrimin e pasurisë së tij deri më tani nuk ka të dhëna publike.

Nga të dhënat mbi deklarimin e pasurisë, figuron se ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ivan Millojeviç, po ashtu nuk ka pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

Vlora Dumoshi, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka deklaruar se e posedon një banesë të regjistruar në emër të saj.

Nga të dhënat lidhur me deklarimin e pasurisë figuron se Dalibor Jevtić, ministri për Komunitete e Kthim, si dhe bashkëshortja e tij posedojnë prona të paluajtshme të regjistruara në emrat e tyre.

Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve martesorë është pasuria e fituar me punën e tyre të përbashkët ose të ndarë, gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë nëse me kontratë paramartesore bashkëshortët martesorë nuk kanë përcaktuar regjimin pasuror të pasurisë së fituar gjatë martesës.

BIRN në vazhdimësi e ka monitoruar respektimin e këtij udhëzimi administrativ nga Komunat e Kosovës si dhe ka raportuar lidhur me regjistrimin e pronave të zyrtarëve të lartë.

Nga hulumtimi i kryer në qershor të vitit 2018, kishte rezultuar se vetëm 4 kryetarë të komunave e kishin regjistruar pronën e paluajtshme në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Nga ky hulumtim kishte rezultuar se nga 31 kryetarë të 31 Komunave në Republikën e Kosovës të kontaktuar nga BIRN, prej 16 nga të cilët kemi pranuar përgjigje, vetëm 4 kryetarë kishin deklaruar se posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me gratë e tyre.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzim administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzimi Administrativ nr.08/2018 për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve, është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Në bazë të këtij Udhëzimi, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

Në përkrahje të kësaj iniciative BIRN ka kontaktuar afro 2 mijë zyrtarë të lartë të vendit për të parë nëse janë duke e respektuar Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Por, gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se as 5% e këtyre zyrtarëve të lartë nuk janë duke e respektuar këtë Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Hulumtimi ynë ka treguar se vetëm 35 nga 1,304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Pjesë e hulumtimit kanë qenë të gjithë zyrtarët e lartë të vendit, duke filluar nga kryetarët e komunave, nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, gjykatësit, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e ministrive, drejtorët e rajoneve policore, deputetët e deri te presidenti e kryeministri.

Nga gjetjet e këtij hulumtimi ka rezultuar se nga 362 gjykatës të gjykatave të vendit, vetëm 5 prej tyre të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Hulumtimi i BIRN-it ka pasqyruar në opinion se përveç gjykatësve prej të cilëve një numër jashtëzakonisht i vogël kanë deklaruar se posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte, asnjë kryetar (burrë) i gjykatave të vendit nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

E nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga ata të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona, kemi kuptuar se vetëm 13 deputetë posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte.

BIRN-i i ka kontaktuar edhe drejtorët e rajoneve policore nga të cilët vetëm një drejtor ka deklaruar se posedon pronë të regjistruar bashkërisht me bashkëshorte.

BIRN në vazhdimësi ka raportuar edhe për betejat e gjata ligjore me të cilat po ballafaqohen gratë me qëllim të njohjes së kontributit të tyre në krijimin e pasurisë së përbashkët me bashkëshortet e tyre.

.