Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Lufta e Ukrainës e ka bërë më urgjente marrëveshjen Kosovë-Serbi

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës thotë për BIRN se agresioni rus e ka bërë zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi, me angazhimin e SHBA-së dhe BE-së, më të nevojshme se asnjëherë më parë.

Ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj thotë se është koha e fundit që Kosova dhe Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare të përgatiten për ta vënë në binarë mosmarrëveshjen e gjatë mes dy vendeve, duke arritur një marrëveshje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja deri në vitin 2024.

Në një intervistë për BIRN, Hoxhaj, i cili së fundmi ka botuar një libër mbi pasojat e luftës së Ukrainës në Kosovë dhe në Ballkan, thotë se kjo luftë e ka bërë gjetjen e një zgjidhjeje edhe më urgjente.

“Lufta në Ukrainë tregon se do të kishte qenë tejet me rëndësi për ne që ta kishim arritur një marrëveshje midis viteve 2013 dhe 2017, atëherë kur zgjerimi i BE-së kishte dinamika të ndryshme,” tha Hoxhaj për BIRN.

“Mirëpo, ne e lamë të hapur këtë çështje dhe ngjarjet ndërkombëtare po krijojnë situata të reja, fokuse dhe vëmendje të ndryshme”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia janë angazhuar në një dialog të udhëhequr nga BE që nga viti 2011, fillimisht për çështje teknike dhe më pas duke i përfshirë liderët më të lartë politikë.

Megjithatë, pak ka ndodhur dhe prej vitesh të dyja vendet i kanë hedhur fajin njëra-tjetrës fajin për dështimin në zbatimin e atyre marrëveshjeve të cilat u arritën gjatë procesit.

Tani, kur Kosova dhe Serbia kanë kaluar nëpër procese zgjedhore kohëve të fundit, me zgjedhjet presidenciale në SHBA të planifikuara për në vitin 2024, dhe me shumë vende të rëndësishme evropiane, duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë, që janë në proces të mbajtjes së zgjedhjeve gjatë muajve të fundit, Hoxhaj sheh një mundësi për një fazë të re në dialog në një përpjekje për të arritur një marrëveshje deri në vitin 2024.

“Nëse i japim një lexim situatës dhe kontekstit ndërkombëtar, kjo do të ishte koha ideale. SHBA nuk do të ketë zgjedhje presidenciale deri atëherë [2024] dhe tani ne kemi një kancelar gjerman [Olaf Scholzin] i cili është i qartë në lidhje me situatën”, tha ai.

“Jam i bindur se amerikanët dhe evropianët duan të krijojnë një momentum të ri dhe këtë momentum duhet ta shfrytëzojë kryeministri i Kosovës [Albin] Kurti”, shtoi ai.

Rendi europian ‘është thyer’ më 24 shkurt

Duke e marroë parasysh pushtimin rus të Ukrainës, Hoxhaj e ka botuar librin “Përplasja e madhe: Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin”, në të cilin i shtjellon pasojat që i ka krijuar në rajon lufta e Ukrainës.

Dita kur raketat ruse sulmuan Ukrainën më 24 shkurt, shënoi shpërbërjen e rendit evropian, thotë Hoxhaj.

“Në Evropë, mendohej se një model …në thelb… u formësua nëpërmjet Aktit Final të Helsinkit të vitit 1975 ku pavarësia, sovraniteti, demokracia, shteti ligjor dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të një shteti tjetër duhet të funksionojnë me parime, vlera, dhe rregulla”, kujton Hoxhaj.

“Mirëpo, gjatë këtyre 30 viteve të fundit, Rusia ka folur për një rishikim të këtij rendi evropian, për një Evropë që duhet të ndahet në dy sfera interesi, një perëndimore dhe një sferë lindore… në një lëvizje për ta ringjallur një perandori e cila ka vdekur, qoftë në formën e Bashkimit Sovjetik apo Rusisë Cariste”, shtoi ai.

I diplomuar për Histori në Vjenë, 51-vjeçari është përfshirë në politikë aktive që nga fillimi i viteve 2000 kur ishte i angazhuar në Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, nën udhëheqejen e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Përveç se është zgjedhur disa herë deputet, ai ka mbajtur disa poste qeveritare që nga viti 2008, përfshirë postin e ministrit të Arsimit dhe Ministrit të Jashtëm dhe Zëvendësministër të Jashtëm. Ai tani është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ai thotë se Bashkimi Evropian dhe shumë shtete evropiane i dhanë një lexim të gabuar lëvizjeve të Rusisë përpara pushtimit të Ukrainës dhe se presidenti Vladimir Putin “e sheh Ukrainën si një gurthemeli për krijimin e një Perandorie të re Ruse”.

“Mirëpo  pushtimi rus ua ka hapur sytë dhe e ka ringjallur gjeopolitikisht NATO-n dhe BE-në”, shton ai.

Ndërkohë që lufta në Ukrainë i ka detyruar më shumë se 5 milionë ukrainas të largohen nga vendi për t’u strehuar nëpër Evropë, dhe predhat ruse kanë shkatërruar shumë qytete, efektet e luftës janë ndjerë edhe në rajon, ku jo të gjitha vendet janë bashkuar sanksioneve të komunitetit ndërkombëtar kundër Rusisë.

Ndonëse jo e angazhuar ushtarakisht në Kosovë që nga fillimi i viteve 2000, kur Rusia u tërhoq nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, Rusia ka qenë aktive politikisht në rajon gjatë viteve.

Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe që atëherë është njohur nga shumica e vendeve perëndimore. Por ajo nuk ka është bërë anëtare e OKB-së, pasi aleatët e Serbisë, Rusia dhe Kina, kanë përdorur të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta ndaluar Kosovën që të anëtarësohet në OKB.

Hoxhaj thotë se “Rusia tradicionalisht e ka ndjekur një politikë antishqiptare në rajon”, por interesat e saj kryesore, sipas tij, shpesh kanë qenë diku tjetër.

“Nuk është se Kosova ka qenë kaq lart në politikën e jashtme të Rusisë, por se është përdorur për ta luftuar Perëndimin dhe për ta luftuar një rend botëror liberal,” vëren ai.

Koha për një rishikim të “Ballkanit të Hapur”

Hoxhaj tha për BIRN se ai do ta favorizonte pjesëmarrjen e Kosovës në nismën e Ballkanit të Hapur, në një deklaratë që mund të jetë jopopullore në disa qarqe, duke pasur parasysh rezistencën e qeverisë së Kosovës dhe hezitimin e partive opozitare për nismën rajonale të tregtisë së lirë të inicuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, me Malin e Zi në prag të bashkimit me to.

“Ballkani i Hapur është një organ joformal i vendeve që mund të bashkëpunojnë ose të mos bashkëpunojnë për çështje të caktuara. Nuk ka Sekretariat, statut dhe asnjë procedurë. Është më shumë pasojë e dështimit të Bashkimit Evropian për ta shtyrë përpara zgjerimin në rajon”, thotë ai.

Sipas pikëpamjes të tij, kryeministri Kurti nuk po udhëheq një politikë të mirëmenduar rajonale duke vepruar në kundërshtim me atë që paraardhësi i tij nënshkroi në një marrëveshje në Uashington nën patronatin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump në shtator të vitit 2020, kur Kosova u zotua fillimisht t’i bashkohej nismës së quajtur “Mini-Shengen”.

E parë si një përpjekje për t’i normalizuar të paktën lidhjet ekonomike midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh, premtimet e nënshkruara në Uashington janë harruar që atëherë.

“Nëse do të isha në pozicionin [për ta bërë këtë], do të dëshiroja të merrja pjesë [në Open Balkan] dhe të përballesha me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, vende që e kanë njohur Kosovën, me dilemën se si do të uleshim të gjithë në tavolinë: me flamuj, etiketa emrash apo çfarë. Kjo do të krijonte një momentum të ri për Kosovën për ta ndjekur një politikë gjithëpërfshirëse rajonale dhe do të tregonte se problemi nuk jemi ne, por problemi qëndron tek Serbia”, thotë ai.

“Ajo që po dëgjoj nga kryeministri Kurti dhe rrethi i tij deri më tani është një narrativë e populizmit që e detyron vendin të jetojë në të kaluarën”, shtoi ai.

“Kurti dhe qeveria e tij, me politikën rajonale që po e ndjekin, po e dëmtojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe ne po e paguajmë një çmim të lartë. Po kalojmë një periudhë izolimi”, thotë ai.

Sipas Hoxhajt, harta politike e Ballkanit nuk mund të rivizatohet.

“Kufijtë, sovranitetet dhe shtetet janë entitete të përhershme dhe askush nuk mund ta kthejë orën e historisë prapa dhe, sipas meje, Serbia bën një gabim të madh nëse e lexon shpalljen e pavarësisë së Kosovës vetëm si një kapitull të ri në konfrontimin mes serbëve dhe shqiptarëve. ” ai thote.

“Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor janë me fat që janë pjesë e gjeografisë së re evropiane në të cilën jemi brenda zonës së sigurisë dhe stabilitetit të NATO-s dhe BE-së.

“Kjo zonë fillon nga Baltiku dhe shkon deri në Poloni, Hungari, Rumani, Bullgari dhe Greqi dhe është një zonë ku paqja është e përhershme dhe lufta është e paimagjinueshme,” përfundoi ai.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight