Hoti apo Thaçi, në duar të kujt është dialogu me Serbinë?

Heqja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin (LDK), ka hapur mundësinë për rifillimin e dialogut mes të dyja vendeve.

Megjithkëtë, udhëheqja e dialogut shihet nga këndvështrime të ndryshme nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, të cilët kanë deklaruar se do të veprojnë në bazë të kompetencave kushtetuese.

Kreu i shtetit, është deklaruar se nuk pretendon të marrë pjesë në negociatat në Bruksel, me ndërmjetësim të të emëruarit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Thaçi, i cili ka përfaqësuar Kosovën dialogun në nivel politik me Serbinë, muajve të fundit ka orientuar qasjen e tij kah përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për këtë proces, Richard Grenell, duke shfaqur qëndrimin se me amerikanët do të arrihet një “dinamikë – punë e shpejtë dhe e mirë”.

Ndërkaq, kryeministri Hoti në programin e tij qeverisës, mes prioritetesh e ka vendosur dialogun me Serbinë, duke shtuar se do të marr përgjegjësinë për ta udhëhequr atë, duke ruajtur kufijtë ekzistues të Kosovës si dhe duke e vlerësuar si të pandashëm rolin e BE-së dhe ShBA-së për “suksesin e këtij procesi”.

Tema e kufijve [korrigjimi i kufirit], është një ide që ishte proklamuar nga presidenti Thaçi në verën e 2018-s, e cila mbetet aktive në akuzat që sot e asaj dite merr presidenti nga faktorë të ndryshëm politik në vend dhe më gjerë.

Por kush pritet në të vërtetë të udhëheqë me dialogun nga pala kosovare?

Në programin qeverisës 2020-2023, të Qeverisë Hoti, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se palë negociuese në dialog do të jetë Qeveria, e cila i përgjigjet Kuvendit, ndërkaq Presidenti e përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese.

Nga kjo fjali e shkurtër që nuk jep specifika tjera, në vend janë dhënë interpretime, përfshirë atë se kryeministri ia delegon presidentit përfaqësimin e Kosovës në bisedime.

Por një gjë të tillë e ka mohuar Hoti, i cili të shtunën në një konferencë për media në qeveri, tha se nuk do t’i transferojë te askush kompetencat e tij për t’i udhëhequr negociatat me Serbinë.

“Kryeministri i vendit të bazë të kompetencave kushtetuese e udhëheq procesin e dialogut. Edhe po të doja unë nuk mund t’i transferojë kompetencat e mia kushtetuese as te presidenti e as te askush tjetër.Unë nuk dua dhe as nuk do t’i transferoj asnjëherë ato kompetenca sepse jemi votuar me një qëndrim të qartë, me një program të qartë që do të marrim përsipër procesin e dialogut”, theksoi ai.

“Dialogu udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës e cila i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe gjithkush tjetër secili bartës i institucioneve i ushtron kompetencat e veta në përputhje me Kushtetutën”, shtoi kryeministri.

Ndërkaq, në programin qeverisës të ekzekutivit të ri, thuhet se para fillimit të dialogut për marrëveshje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, do të përgatitet platforma për dialog, ku specifikohen “objektivat që duhet të arrihen me marrëveshjen përfundimtare, çështjet për të cilat duhet të përfshihen dhe raportimi dhe transparenca gjatë procesit të arritjes së kësaj marrëveshjeje”.

Në anën tjetër, presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili javë më parë ka zhvilluar disa takime në ShBA përfshirë me emisarin Grenell, së fundi kur është pyetur se kush do ta udhëheqë dialogun, vetë ai, apo Hoti, Thaçi ka theksuar se do ta luaj rolin e tij kushtetues.

“Aty ku Kosova trajtohet si shtet i pavarur dhe sovran unë do ta luaj rolin tim kushteutes dhe ligjor. Hierarkia institucionale është e qartë. Me dëshirën më të madhe do ta shihja z. Hoti që t’i vazhdojë këto procese në Bruksel. E ftoj që t’i merr përgjegjësitë në kuptimin e plotë me ekipet që mund të bëhen”, theksoi Thaçi në një intervistë në Televizionin 7, javën e kaluar.

Sipas tij, çështja e dialogut nuk duhet të jetë garë mes bartësve të institucioneve.

“Në këtë drejtim mendoj se edhe ai si kryeministër edhe unë si president, duhet të koordinohemi. Unë po shpresoj në kulturën dhe etikën institucionale  të  kryeministrit Hoti. Unë do ta luaj rolin tim kushtetues dhe ligjor”, tha mes tjerash presidenti.

Shoqëria civile: Për dialogun duhet bashkëpunim i gjerë politik

Shoqëria civile në Kosovë konsideron se për negociatat me Serbinë duhet bashkëpunim dhe pajtueshmëri e gjerë politike.

Arbëresha Loxha drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për KALLXO.com se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka qartësuar autoritetin dhe përgjegjësinë e Qeverisë dhe Kryeministrit për të udhëhequr dhe përfaqësuar Kosovën në raundet e ardhshme të Dialogut.

“Tashmë është përgjegjësi kushtetuese e Qeverisë dhe Kryeministrit të saj që të prodhojnë pajtueshmëri të gjerë politike në mes të gjitha grupeve parlamentare e cila unifikon pozicionet negociuese të Kosovës në raport me Serbinë”, theksoi ajo.

Sipas saj, proceset e tilla si dialogu me Serbinë, që kanë peshë të madhe politike dhe historike, nuk mund të trajohen si nisma vetanake.

“Përkundrazi të njejtat duhet gjithmonë të nxisin bashkëpunim dhe pajtueshmëri të gjerë politike. Qeveria e re duhet domosdo të krijoj unitet ndërpartiak duke ofruar infrastrukturën e duhur për përfshirje përmbajtësore të opozitës parlamentare në procesin e Dialogut”, shtoi Loxha.

Ndërkaq, Violeta Haxholli hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për KALLXO.com se pas shfuqizimit të masave të reciprocitetit nga ana e Qeverisë Hoti, pritet që procesi i dialogut të vazhdojë.

“Ne kemi parë edhe gatishmëri të presidentit Thaçi dhe kryeministrit Hoti që të marrin pjesë në këtë proces. Ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit dhe siç është ri konfirmuar edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me përgjegjësitë e institucioneve në politikën e jashtme, dialogu si domen i politikës së jashtme duhet të udhëhiqet në bashkërendim dhe konsultim në mes të Qeverisë/kryeministrit dhe presidentit”, tha ajo.

Sa i përket konsensusit politik për dialogun, Haxholli thekson se kjo mbetet ende sfidë për Kosovën, sepse ka dallime në qëndrime mes liderëve politik lidhur me qasjen ndaj Serbisë dhe përmbajtjen e marrëveshjes potenciale finale.

“Megjithatë, është me rëndësi që përpjekjet për arritjen e konsensusit të vazhdojnë, me synimin që të arrihet një qëndrim i përbashkët dhe sa më i gjerë politik e shoqëror mbi dialogun dhe epilogun e këtij procesi”, shtoi ajo.

Kurse, Arbëresha Loxha (GLPS), duke folur për rolin e legjislativit në këtë drejtim dhe faktin se Qeveria i përgjigjet drejtpërdrejtë Kuvendit, thekson se procesi juridik dhe mbështetja politike e marrëveshjes duhet të burojë, konceptohet dhe përfundojë në Kuvend.

Sipas saj, një përgjegjësi e tille bie mbi Qeverinë dhe shumicën parlamentare.

“Në këtë drejtim, Qeveria duhet të krijoj një grupi punues gjithëpërfshirës, në të cilin ftohen të marrin pjesë aktivisht përfaqësues të lartë të të gjitha partive parlamentare. Vëmendje e veçantë të ju kushtohet pjesëmarrjes së partive opozitare”, vlerëson ajo.

Qëllimi kryesor dhe i vetëm i tij siç thotë ajo, duhet të jetë që, nëpërmjet konsultimeve gjithëpërfshirëse, të përcaktojë dhe përpilojë parimet dhe kufizimet e kornizës negociuese që rregullojnë pozicionet negociuese të Republikës së Kosovës në dialog.

“Për më tepër, ato duhet të jenë në përputhje të plotë me qëllimet, vlerat dhe modelin e shtetit të Kosovë sipas propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari”, theksoi Loxha për KALLXO.com.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar që nga fundi i vitit 2018, kur në atë kohë Qeveria Haradinaj i vendosi tarifë 100 për qind produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pas fushatës kundër Kosovës nga ana serbe.

Tarifa 100 për qind u hoq nga Qeveria Kurti për t’u zëvendësuar me masa reciprocitetit, por këto të fundit u shfuqizuan nga Qeveria Hoti, duke u vlerësuar si pengesa për dialogun.