Hivzi Muharremi

Artisti Politik

I lindur në vitin 1948 në qytetin e Pejës, Hivzi Muharremi i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kryer Fakultetin e Historisë së Artit në Beograd, ku më pas magjistraturën dhe doktoraturën e kishte kryer po në Beograd. 

Njihet për një varg postesh kryesisht të artit dhe të botës akademike. 

Ai ishte profesor i shkollës së mesme, profesor universitar, dekan i Fakultetit të Arteve në Prishtinë për dy mandate si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit.

Muharremi në qytetin e tij të lindjes ka qenë edhe drejtor i Teatrit të Qytetit për dy mandate, 1986-1990, si dhe 2005-2007.

Në biografinë e tij ka të renditura një varg librash të botuara, kryesisht të botës së artit.

Ndërkaq sipas po të njëjtës biografi, Muharremi ka qenë laureat i shumë shpërblimeve dhe mirënjohjeve, duke filluar nga artet pamore, e deri tek ato për kontribut të pakursyer në zhvillimin dhe afirmimin e arteve në përgjithësi. 

Deri sa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës, Hivzi Muharremi, nuk ka pranuar që t’i intervistohet bashkëshortja, djali i tij Ilir Muharremi, ka vlerësuar se i ati i tij të jetë person i kujdesshëm që sidomos tregon kujdes të veçantë në shumëzimin dhe përpjestimin e gjërave të jetës.

“Nuk e mbaj mend që të jetë bërë nervoz ndonjëherë”, ka thënë Iliri, duke shtuar që i ati të mos jetë adhurues i veturave.

Djali i tij ka pohuar se i ka pëlqyer që i ati i tij të merret me politikë.

Programi i LVV-së sipas Muharremit,  është i bazuar në tri shtylla, shtetin juridik, zhvillimor dhe social.

“Në bazë të alternativës, programi im është hartuar në specifikat që ka qyteti i Pejës, qyteti i dy lumenjve, qyteti me bjeshkët e Rugovës, qyteti me natyrën e bukur dhe tokat pjellore”, ka thënë Muharremi i VV-së në debatin Zgjedhjet Lokale 2013.

Muharremi thotë se do të angazhohet për rritjen e numrit të vendeve të punës, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, bazuar në fushën e bujqësisë dhe turizmit.

Ai thotë se platforma e Lëvizjes Vetëvendosje përmban brenda vetes edhe riaktivizimin e artizanaleve të vjetra si dhe bashkëpunimin me diasporën, së cilës do t’i prezantohen vlerat e mirëfillta shqiptare. 

Në debatin e kandidatëve të Pejës, më 11 tetor në KlanKosova, ditën kur Shqipëria në futboll, u ndesh me Zvicrën, duke humbur 2 me 1, në Tiranë, Muharremi, politikani i ardhur nga fusha e artit, tha se gjithçak është bërë politikë.