Monumenti 'Heroinat' në Prishtinë. Foto: Kallxo

Historitë e të mbijetuarave përshkruajnë terrorin dhe traumën e dhunimeve të luftës

Psikanalistja Wiola Rebecka thotë se libri i saj i ri, i cili flet sulmet seksuale gjatë kohës së luftës, thekson se si të mbijetuarat e përdhunimit në Kosovë druheshin t’i tregonin dikujt për atë që u ndodhi, duke e zgjatur traumën që ato pësuan.

“Isha vetëm me fëmijët e mi në shtëpinë time. Vajza ime më e vogël në atë kohë ishte një vjeçe dhe më e madhja ishte tre vjeçe. Ato ishin në vendngjarje dhe ishin dëshmitare të përdhunimit tim.”

Shyhrete Tahiri-Sulejmani po kujton atë moment të prillit 1999 gjatë luftës së Kosovës kur ushtarë serbë, me fytyrë të mbuluar, hynë në shtëpinë e saj dhe filluan ta përdhunojnë, teksa dy vajzat e saj e shikonin të gjithë skenën.

“Që nga ajo ditë, nuk gatuaj më pilë. Pamja e një pule të zhveshur, të ekspozuar, aroma e saj më kujtojnë ditën kur u përdhunova. Edhe tani, aroma më përndjek… Ndihem ende e pistë dhe e turpëruar.”

Tahiri-Sylejmani është një nga të paktat shqiptare të Kosovës të mbijetuara të dhunës seksuale të kohës së luftës që ka folur publikisht për kalvarin e saj. Ajo ndoqi shembullin e Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila dha një intervistë televizive në vitin 2018 ku tregoi se si u përdhunua nga policët serbë kur ishte 16 vjeçe. Krasniqi-Goodman, e cila tani është deputete, u vlerësua si ajo që hapi diskutimin për çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Tahiri-Sylejmani e bëri rrëfimin e saj për psikanalisten Wiola Rebecka për librin e saj të botuar së fundmi, “Përdhunimi: Një histori turpi”, një kronikë prekëse që flet për pikëllimin, stigmën, traumën, çrregullimin e stresit post-traumatik, traumën transgjenerative dhe sindromën e të mbijetuarit. Libri përmban histori të grave të përdhunuara gjatë konflikteve në vende të ndryshme, përfshirë Kosovë.

Mijëra gra besohet se kanë qenë viktima të dhunës seksuale të shkaktuar nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998-1999, të cilës NATO i dha fund me një fushatë bombardimesh 78-ditore që i dha fund sundimit represiv të presidentit Sllobodan Millosheviç mbi atë që në atë kohë ishte një provincë jugosllave.

Rebecka, e cila është e vendosur në Nju Jork, ka punuar si terapiste në disa vende të prekura nga konflikti – Ruandë, Republika Demokratike e Kongos dhe Kosovë. “Puna ime në terren si terapiste në zona të ndryshme konflikti më ka sjellë mundësinë të dëgjoj përvojat e të mbijetuarve të përdhunimeve të luftës”, tha ajo për BIRN gjatë një vizite në Prishtinë.

“Imazhet dhe idetë që lidhen me përdhunimin janë shumë intensive dhe shqetësuese, sepse ne nuk e kemi gjuhën për ta përshkruar mizorinë, dhe çdo përdhunim gjatë një lufte është një akt mizorie”, tha ajo.

Ajo shtoi se libri tregon se ka diçka unike në situatën në Kosovë. “Bazuar në historitë e tmerrshme dhe të papërshkrueshme më parë të viktimave, është e qartë se klima e krijuar pas luftës në Kosovë, duke u përpjekur për të fshehur përdhunimin apo për të bërë viktima të heshtura të përdhunimeve, ka shkaktuar dëme të pariparueshme”, shpjegoi ajo.

“Përdhunimi ishte arma më e lirë e luftës”

Rebecka, e cila është një pasardhëse e të mbijetuarve të Holokaustit, tha se ajo është ende duke u përballur me traumën transgjenerative të trashëguar nga gjyshja e saj, e cila u përdhunua nga ushtarët rusë të dehur gjatë çlirimit të kampit nazist të përqendrimit në Ravensbruck në Gjermani.

“Trauma transgjenerative mund të shihet brenda familjeve ku prindërit janë traumatizuar dhe efektet e asaj traume po jehojnë ndër breza”, tha ajo.

Kjo mund shihet edhe në Kosovë, vazhdoi ajo: “Përdhunimi ishte arma më e lirë dhe më e fortë e luftës në Kosovë dhe, për fat të keq, më efikase. Pas përdhunimit, viktima, familja e viktimave dhe shoqëria përballen me pasojat afatgjata të këtyre akteve që ishin përtej poshtërimit.”

Ajo tha se në Kosovë shumica e viktimave e kanë mbajtur dhimbjen e tyre në heshtje, vetëm, dhe traumat e tyre ende nuk janë trajtuar hapur. Shumë pak të mbijetuara të përdhunimit të kohës së luftës në vend kanë folur për atë që kanë vuajtur për shkak të stigmës së vazhdueshme shoqërore të lidhur me krimet seksuale dhe frikës së izolimit nga familjet dhe komunitetet e tyre.

“Të mbijetuarit priren të luftojnë për të gjetur një mënyrë për të treguar të papërshkrueshmen dhe ndonjëherë kjo shkakton një zinxhir problemesh”, tha Rebecka.

Në shkurt 2018, Komisioni qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Kosovës filloi të pranojë aplikime nga persona që kërkonin statusin zyrtar të të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës.

Dhënia e këtij statusi jo vetëm që i jep një njohje zyrtare vuajtjes së viktimës, por gjithashtu i bën ata të kualifikuar për përfitime sociale, të tilla si pagesa mujore prej 230 eurosh.

Por shumë të mbijetuara kanë hezituar të aplikojnë për shkak të frikës së stigmatizimit. Deri më tani ka pasur 1680 aplikime, prej të cilave 984 janë pranuar. Por më shumë se 220 janë refuzuar, shpesh për shkak të mungesës së dokumenteve mbështetëse, gjë që tregon se sa e vështirë mund të jetë të vërtetohen faktet për sulmet që kanë ndodhur më shumë se 20 vjet më parë.

“Ajo me të cilën përballet shoqëria këtu në Kosovë është ende sfida e të kuptuarit të kompleksitetit të përvojave emocionale dhe sociale të të mbijetuarave të përdhunimeve të kohës së luftës, si dhe të traumës me të cilën ato po luftonin”, tha Rebecka.