Ilustrim | Foto: Pixabay
Historitë e heshtura të largimit të grave nga puna në Kosovë
“Ndalohet puna e natës për personat nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç dhe të punësuarat shtatzëna dhe gratë gjidhënëse. Ndërrimet e natës mund të kryhen nga prindërit e vetëm dhe gratë me fëmijë më të rinj se tri (3) vjeç, ose me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, vetëm me pëlqimin e tyre”, thotë neni 27 në Ligjin e Punës, nen ky që u bë shkaktar pse Resmije Sadiku, u detyrua pa vullnetin e saj të largohet nga puna.
Sadiku e cila tash e 8 vite ushtron profesionin e gazetares, thotë se para se të linde fëmijën e saj kishte shkruar se si grave lehona iu shkeleshin të drejtat themelore në kompani private e publike. Por asnjëherë s’e kishte menduar se vet do binte preh e këtyre të drejtave që asaj i garantoheshin me ligj.
“Kam punuar në një kompani dhe kisha bërë dy vite punë aty kur mbeta shtatzënë. Menjëherë e lajmërova pronarin për gjendjen time dhe pushimi i lehonisë më është paguar ashtu siç e parasheh ligji. Por kur u ktheva në punë pas 9 muajve, më kërkuan të rikthehem në orarin të cilin punoja para se të lindja djalin”, rrëfen Sadiku.
Ajo thotë se një gjë të tillë nuk e pranoi teksa përmendi edhe ligjin, i cili i garantonte asaj se ndërrimi i natës, që fillonte nga ora 20:00 e tutje mund të kryhej vetëm me pëlqimin e saj. Pas kësaj Sadiku u detyrua të largohej nga puna, pasi në atë orar s’mund ta linte pa përkujdesje fëmijën e saj.
Ndërkohë raste të ngjashme kur gratë shtatzëna apo lehonat largohen nga puna ose u pamundësohet puna ndodhin në shumë kompani, sipas Inspektoratit të Punës.
Nga ky organ i Qeverisë kanë bërë të ditur për, se nga janari i vitit 2022 janë paraqitur 8 raste kur gratë lehona janë larguar nga vendi i punës.
“6 ankesa janë bërë për shkak të shkëputjes së kontratës së punës pa paralajmërim, 1 ankesë është bërë për shkëputje të kontratës së punës gjatë pushimit të lehonisë dhe 1 ankesë tjetër është adresuar për skadim dhe mos vazhdim të kontratës së punës gjatë periudhës së shtatzënisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Nga këto ankesa, sipas Inspektoratit të Punës, 5 prej tyre janë zgjidhur me vendim me gjobë, ndërsa 3 ankesa tjera janë ende në proces.
Vetëm 17 % e grave në Kosovë janë në tregun e punës
17.1 për qind është shkalla e punësimit të grave në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Në bazë të hulumtimit të ASK-së, në tremujorin e parë të vitit të kaluar, nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, të punësuara janë vetëm 98 mijë gra.
Në një hulumtim tjetër të realizuar në maj të këtij viti nga Instituti kosovar Demokracia për Zhvillim, theksohet se 85.4 për qind e grave të papuna në Kosovë, nuk kanë aplikuar fare për punë.
Shkak për këtë ato e kanë listuar përkujdesjen ndaj fëmijëve të tyre.
Judida Krasniqi nga kjo organizatë, thotë se grave shihen si “përgjegjëset e vetme” për kujdes ndaj fëmijëve, gjë që shpesh herë i penalizon ato nga tregu i punës.
“Përkushtimi ndaj familjes dhe kujdesi ndaj fëmijëve mund të jenë ndër arsyet kryesore që ndikojnë në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, apo daljen e grave nga tregu i punës, kjo nuk është arsyeja kryesore. Pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës pengohet edhe nga mentaliteti i cili e konsideron gruan si “përgjegjëse e vetme” për kujdesin ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe familjes në përgjithësi, duke i penguar dhe u bërë presion në forma të ndryshme që të zgjedhin familjen dhe punën e pa paguar në vend të pjesëmarrjes se tyre aktive në tregun e punës”, ka thënë Krasniqi.
Tutje ajo potencon se edhe pagat e ulëta dhe diskriminimin me baza gjinore në pagesë nga punëdhënësit ndikojnë në uljen e numrit të papunësisë tek gratë.
“Ndër arsyet tjera që në mënyrë të barabartë e pengojnë aktivizimin e grave në treg të punës është mungesa e transportit sidomos për gratë në zonat rurale, mungesa e kopshteve, madje edhe kopshteve të përballueshme financiarisht, pagat e ulëta, diskriminimi me baze gjinore nga punëdhënësit potencial duke paragjykuar mundësinë e shtatzënisë dhe pastaj lejes së lehonisë, diskriminimi i grave në trashëgimi, etj”, ka shtuar ajo.
Midis pandemisë COVID-19 gratë shtatzëna u larguan nga puna
Të drejtat e grave shtatzëna dhe lehona shkelen edhe nga disa media, të cilat shpeshherë advokojnë për mos respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe Ligjin e Punës në përgjithësi.
Kështu kanë thënë nga zyra për informim e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, të cilët potencojnë se kompania N.G.B “Zëri” në prill të vitit 2020, pati larguar nga puna pa paralajmërim dy gra shtatzëna.
“AGK-ja në atë kohë pati reaguar dhe pati kërkuar nga Inspektorati i Punës që në një afat sa më të shkurtër kohor, ta shqyrtonte rastin, pasi përbënte shkelje të të drejtave të punës së punëtorëve pasi kontratat e tyre ishin shkëputur në kundërshtim me afatet ligjore”, kanë thënë nga AGK-ja.
Por nga Inspektorati i Punës, nuk kanë dhënë informata lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi.
Ata kanë thënë se për vitin 2020 nuk kanë data bazë të veçantë lidhur me kompanitë të cilat i kanë hetuar apo ndëshkuar.
Se ishte larguar nga puna pa paralajmërim, teksa ishte shtatzënë e ka konfirmuar ish punonjësja e Gazetës “Zëri”, Dorentina Thaqi-Mehmeti, e cila ishte njëra nga dy gratë të cilave kjo kompani ua kishte shkëputur kontratën.
Thaqi-Mehmeti ka rrëfyer se ajo dhe kolegia e saj lehonë ishin rikthyer sërish në punë pas pak ditësh, pasi kishin ndjekur rrugët ligjore.
“Unë isha shtatzënë në muajin e tetë kur u njoftova nga mediumi se më është shkëputur kontrata, por pas ankesës sonë përmes avokatit tonë neve na rikthyen në punë, sepse me largimin tonë ishin shkelur dy nene të ligjit të punës”, theksoi ajo.
Gazeta “Zëri” është kontaktuar për ta sqaruar këtë qështje por kolegjiumi i këtij mediumi nuk u është përgjigjur interesimit të gazetës deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ndërkohë nga AGK-ja, mes tjerash thonë se vërehet një hezitim i gazetarëve në përgjithësi për t’i raportuar shkeljet që ju bëhen në vendin e punës, që sipas tyre janë të shumta.
“AGK-ja, çdo vit mbanë fokus grupe me gazetarë të medieve qendrore dhe lokale, ku kërkojmë nga gazetarët të na tregojnë kushtet e tyre të punës, si dhe pakënaqësitë, apo shkeljen e drejtave të tyre, por fatkeqësisht në këto fokus grupe, kolegët asnjëherë nuk i paraqesin pakënaqësitë, madje ata thonë që kushtet e punës janë të përshtatshme për ta”, theksojnë tutje nga sindikata e gazetarëve.
Çka ju garanton ligji nënave të reja?
Me Ligjin e punës në Kosovë, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.
Ligji i punës, në nenin 27, kur flet për Punën e Natës, thekson se “Ndalohet puna e natës për personat nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç dhe të punësuarat shtatzëna dhe gratë gjidhënëse. Aty theksohet qartë se “Ndërrimet e natës mund të kryhen nga prindërit e vetëm dhe gratë me fëmijë më të rinj se tri (3) vjeç, ose me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, vetëm me pëlqimin e tyre”.
Tash së fundmi Qeveria e Kosovës ka filluar edhe ndarjen e shtesave mujore për fëmijë të porsalindur në shumën prej 20 euro, kurse 10 euro për fëmijët mbi një vjet.
Sindikata pa të dhëna lidhur me shkeljet që iu bëhen lehonave
Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës, thotë se s’ka të dhëna lidhur me rastet e raportuara për shkeljen e të drejtave të punës kundrejt grave që lindin fëmijë.
Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi, thekson se kompanitë private në 70% të rasteve i largojnë nga puna gratë me të kuptuar që ato janë shtatzëne, ndonëse tha se nuk kanë statistika konkrete për numrin e rasteve të tilla.
“Ne nuk kemi të dhëna se gratë shtatzëna punojnë në ndërrimet e pasditës, ne nuk kemi takuar po edhe për këto ekziston mundësia se mund të ketë. Sa shkelen të drejtat e grave shtatzëna, ne themi se ato janë më të rrezikuara, duke u nisur nga më elementarja, në momentin kur pronari i kompanisë e vërteton se ajo është shtatzënë mbi 70 për qind i largojnë nga puna”, potencoi ai.
Diskrepanca midis sektorit publik dhe privat për nënat që punojnë
Deputetja, Ariana Musliu- Shoshi nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila rishtazi u bë sërish nënë, thekson se Kosova nuk ofron as kushtet elementare për gratë lehona.
“Përderisa në vendet e zhvilluara ka shumë mundësi që ju ofrohen lehonave siç janë pagesa në lindje, pagesa për beben, ju ofrohet edhe ndihmë nga spitalet në shtëpi me rritjen e bebes dhe mënyrën e gjidhëniës (sidomos për nënat e reja) tek ne nuk ofrohet asnjë shërbim”, thotë ajo .
Për faktin që shkelen të drejtat e tyre pas lindjes së fëmijëve, sipas Musliu – Shoshit shumë nëna detyrohen të heqin dorë nga puna për tu kujdesur për fëmijën.
“Sfidë në vete dhe shkelje e të drejtave të njeriut është vet fakti që si grua e re të bëhet pyetje planifikimi familjar kur aplikon për punë dhe pastaj në shumë vende, kryesisht bizneset private nuk respektohet ligji dhe duhet të kthehen në punë shumë shpejt pas lindjes. Si rrjedhojë, jo shumë nëna apo familje e kanë mundësinë që të ofrojnë dado që kujdesen për foshnjën dhe kështu shumë gra të reja detyrohen që të heqin dorë nga puna”, ka theksuar ajo.
E duke qenë vet pjesë e sektorit publik, ajo vlerëson se institucionet publike respektojnë të drejtat e grave lehona, teksa konsideron se pushimi 12 muaj është kohë e mjaftueshme për nënën dhe foshnjën.
Ndërkohë sipërmarrësja Bardha Leka, e cila punon me gra qe 10 vite beson se pozita e grave pas lindjes në vendin e punës është përmirësuar paksa viteve të fundit.
“Ndoshta ka ndikuar emancipimi i gruas në përgjithësi dhe rregullimi i legjislaturës në Kuvend por kam vënë re që gratë gëzojnë shumë më shumë të drejta sot se para disa vitesh. Me disa përjashtime në përgjithësi vlerësoj se ato janë mirë të trajtuara në vendet e punës (flas në biznesin që ushtroj, ku për punëdhënëse kanë po një grua) si ato që janë në marrëdhënie pune pa lindur apo ato që kthehen pas lindjes së fëmijës së tyre. Madje marrim në konsideratë edhe gjidhënien duke u dhënë pushime shtesë”, ka thënë ajo.
Duke theksuar se sheh shpesh raste kur të drejtat e grave që bëhen nëna shkelen, ajo thekson se punëtoreve të saja është munduar maksimalisht të ua plotësoj kërkesat në lidhje me fëmijët e tyre.
Kosova është një nga vendet me shkallën më të ulët të punësimit të grave në rajon.
Sipas një raporti të Bankës Botërore, shkalla e punësimit të grave në Shqipëri në vitin 2019 ka qenë mbi 50 për qind, në Mal të Zi dhe Serbi afro 50 për qind, në Maqedoni të Veriut mbi 40 për qind, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë rreth 30 për qind.
‘Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC dhe BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian’