Raporte nga periudha e luftës në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Foto: BIRN.

Histori e fragmentuar: Pse Kosova nuk ka një arkiv të mirëfilltë të kohës së luftës

Dosje të rëndësishme, fotografi dhe të dhëna dëshmitarësh që hedhin dritë mbi historinë e luftës së Kosovës, mbahen veçmas nga grupe të të drejtave të njeriut, arkivistë amatorë dhe Arkivi Shtetëror, pasi autoritetet nuk kanë arritur të krijojnë një arkiv të duhur qendror.

Bexhet Shala kalon gishtat nëpër raftet që përmbajnë njëqind kuti me mijëra dosje, duke përfshirë kaseta dhe CD.

Shala është kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, një OJQ, aktivistët e së cilës dokumentuan çdo vrasje, plagosje, incident torture, përdhunimi apo çfarëdo lloj abuzimi nga policia serbe dhe trupat jugosllave midis viteve 1989 dhe 1999, ndonjëherë duke punuar me organizatat ndërkombëtare të të drejtave Human Rights Ëatch dhe Amnesty International.

Teksa përpiqej të jepte një shpjegim kronologjik të materialit në dosjet e tij, Shala ndaloi dhe psherëtiu duke ngritur vetullat.

“Eh, shumë punë, shumë vite. Është mëkat që nuk përdoren mjaft shpesh”, tha ai.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka monitoruar shkeljet e të drejtave të njeriut që nga viti 1989. Aktivistët e tij intervistuan viktima dhe dëshmitarë dhe mblodhën informacione, dhe disa nga avokatët e tij i dhanë informacione gjykatës së OKB-së në Hagë për presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç.

“Mbi 2,000 njerëz punuan për më shumë se një dekadë vullnetarisht për të raportuar. Ne regjistruam gjithçka që ndodhi në Kosovë gjatë viteve 1990”, tha Shala për BIRN.

Dokumentet që OJQ-ja ka grumbulluar janë shumë domethënëse dhe përbëjnë një rekord vendimtar të historisë së Kosovës nën sundimin jugosllav.

“Mendojmë se pas 33 vitesh ka ardhur koha që ato të futen në Arkivin Shtetëror”, tha Shala. “Janë të ruajtura mirë. Por ne nuk kemi kapacitet t’i ruajmë ato përgjithmonë”, shtoi ai.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut është ende magazina kryesore e të dhënave të prodhuara nga aktivistë të ndryshëm të të drejtave të njeriut në Kosovë nga viti 1989 deri në vitin 1999. Gjatë dy dekadave të fundit, shumë pak është bërë për të mbledhur materiale arkivore në lidhje me luftën. .

Që nga përfundimi i luftës, Arkivi Shtetëror i Kosovës nuk ka arritur të krijojë ndonjë koleksion të duhur arkivor. Kreu i Arkivit të Shtetit, Bedri Zyberaj tha se materialet që ai mban në lidhje me luftën janë fotografi dhe disa shkrime nga gazetat e huaja për konfliktin.

“Arkivi Shtetëror i Kosovës, që përmban tetë metra kub material, ka pak më shumë se një metër material që lidhet me luftën”, shpjegoi Zyberaj për BIRN. Megjithatë, ai këmbënguli: “Edhe pse materialet e lidhura me luftën janë të fragmentuara, ato janë megjithatë të dobishme.”

Por ai pranoi se koleksioni është i pamjaftueshëm: “Është për të ardhur keq. Mund të bënim më shumë”, tha ai.

Politikanët kosovarë kanë akuzuar vazhdimisht Serbinë për kryerjen e gjenocidit gjatë luftës, dhe gjithashtu kanë kërcënuar me procese gjyqësore kundër Beogradit në gjykatat ndërkombëtare. Por në mënyrë paradoksale, ata nuk kanë mundur të krijojnë një arkiv dokumentesh që kanë të bëjnë me luftën.

“Është një turp i vërtetë që për më shumë se dy dekada nuk kemi krijuar një kulturë që mbështet krijimin e arkivave të kohës së luftës”, tha Zyberaj.

Ashtu si nismat e tjera që kanë të bëjnë me luftën dhe që kanë të bëjnë me të kaluarën, shumica e koleksioneve arkivore që ekzistojnë në Kosovë janë krijuar nga organizata të shoqërisë civile si Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Prishtinë, që punon në dokumentimin e fakteve rreth luftës për të ndihmuar në sigurimin e integritetit të gjyqeve për krime lufte.

“Ne kemi mbledhur materiale të lidhura me luftën. Shumica prej tyre janë dëshmi të të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, si dhe prova të tjera të regjistruara duke përfshirë materiale vizuale dhe fotografi”, tha për BIRN Bekim Blakaj, kreu i Fondit për të Drejtën Humanitare.

“Por megjithatë, shumë materiale janë shpërndarë në duar private dhe asnjë institucion nuk e ka menduar seriozisht mbledhjen, analizimin dhe arkivimin e tyre”, tha ai.

Dokumentet zhduken pa gjurmë

Bexhet Shala në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Foto: BIRN.

Një institucion që mund të jetë në gjendje të ndihmojë në krijimin e një arkivi të duhur të materialeve të lidhura me luftën është Instituti Kosovar për Hulumtime të Krimeve të Luftës. Instituti fillimisht u themelua në vitin 2011, por më pas u shfuqizua në vitin 2018 nga kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj, përpara se të rithemelohej vitin e kaluar nga qeveria e Albin Kurtit.

Baki Svirca, i cili është shef i Divizionit të Drejtësisë Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë dhe kryeson grupin e punës për strategjinë kombëtare të drejtësisë tranzicionale të Kosovës, tha se strategjia do të përfshijë gjithashtu krijimin e një baze të dhënash me materiale arkivore. Strategjia tashmë është hartuar dhe do të dalë për debat publik në shtator.

“Mund të jetë e nevojshme që Instituti i sapokrijuar i Kosovës për Hulumtimin e Krimeve të Luftës të jetë një mekanizëm arkivor i cili do të mbledhë të gjitha të dhënat e mundshme lidhur me luftën, si dhe themelimin e një qendre për kujtesën historike e cila do të merret me përpunimin e materiale arkivore”, tha Svirca.

Në shumë raste, materiale potencialisht të rëndësishme janë të vështira për t’u gjetur sepse nuk ka informacione të sakta se cilët individë ose organizata e kanë atë.

“Vendndodhja e shumë dokumenteve ka humbur përgjithmonë, sepse nuk ka pasur shënime të sakta se kush i ka mbledhur dokumentet dhe nga cilat lokacione”, tha Blakaj.

Shumë materiale të rëndësishme mbeten në duart e individëve privatë të cilët mblodhën dokumente dhe sende të tjera për luftën në baza personale. Këto materiale janë në rrezik përkeqësimi sepse nuk po trajtohen dhe ruhen siç duhet.

Zyberaj u bëri thirrje individëve që kanë koleksione të tilla private t’i dorëzojnë ato në Arkivin e Shtetit për t’u siguruar që ato të ruhen “si duhet”. Por është e paqartë se sa arkivistë privatë do ta dëgjojnë thirrjen e tij.

Në shtëpinë e tij në fshatin Krajkovë të komunës së Drenasit, arkivisti amator Esat Shala ka mbledhur më shumë se 2,000 video regjistrime të krimeve të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Regjistrimet kryesisht pa zë dhe të pa montuara nuk janë parë kurrë nga publiku dhe shumë prej tyre përmbajnë imazhe shqetësuese të cilat nuk mund të transmetohen apo publikohen në rrjetet sociale. Por Shala beson se ata mund t’u shërbejnë prokurorëve në hetimet e tyre.

“Ministria e Drejtësisë u kërkon njerëzve si unë që t’ua dorëzojnë. Por ministria nuk është një departament arkivor. Nëse do t’i dorëzoja, do t’i dërgoja në Arkivin e Shtetit”, tha Shala për BIRN.

Por, ai paralajmëroi: “Aktualisht Arkivi Shtetëror i Kosovës nuk ka asnjë sistem sigurie. Ende nuk ndihem rehat t’i dërgoj atje.”

Zyberaj, kreu i Arkivit Shtetëror, pranoi se atyre u mungojnë shumë veçori sigurie, mes tyre edhe një sistem alarmi zjarri. Por ai këmbëngul se Arkivat e Shtetit mund të japin garanci që koleksionet private, nëse do të dorëzohen, nuk do të dëmtohen.

Sali Krasniqi, një mjek në pension, i cili gjithashtu ka mbledhur prova për njerëzit që kanë vdekur si pasojë e abuzimeve dhe torturave në spitalin qendror të Kosovës, kryesisht gjatë luftës, po heziton nëse do t’i dorëzojë ato në Arkivin Shtetëror.

“Ministria e Drejtësisë më ka kontaktuar për bashkëpunim. Por ende nuk i shoh të përkushtuar për të punuar seriozisht”, shpjegoi Krasniqi.

“Ka më shumë se 12,000 regjistra spitalorë, video dhe fotografi që kam mbledhur për nevojat e kërkimit tim akademik. Po mendoj nëse do t’i dorëzoj në Arkivin e Shtetit apo do t’i mbaj në shtëpinë time”, tha ai.

Arkivi digjital i Gjykatës Penale Ndërkombëtare të OKB-së për ish-Jugosllavinë ofron qasje në një sërë dokumentesh dhe shënimesh të tjera që lidhen me historinë e konfliktit në ish-Jugosllavi, duke ofruar informacione të rëndësishme për atë që ndodhi në Kosovë gjatë luftës.

Gjatë viteve të fundit, Kosova gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të hapë arkivat e saj ushtarake dhe policore të epokës jugosllave për të ofruar informacione për të ndihmuar në gjetjen e vendndodhjeve të varreve masive të kohës së luftës, por lutjet e saj deri më tani nuk janë marrë parasysh. Serbia në këmbim ka kërkuar që arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të hapen për shqyrtim. Kjo thirrje gjithashtu ka kaluar pa u vënë re, pasi Kosova këmbëngul se UÇK-ja, pasi ishte një organizatë guerile, nuk kishte kurrë arkiva ushtarake.

Dosjet e OKB-së mbeten të paaksesueshme

Përveç arkivave që lidhen drejtpërdrejt me luftën, Kosova ka një problem me arkivat civile që u hoqën ose u shkatërruan kur Ushtria Jugosllave dhe policia serbe u tërhoqën në fund të luftës 1998-1999.

Kur forcat serbe po largoheshin nga Kosova, ata morën shumicën e dosjeve ushtarake dhe policore, por edhe arkivat dhe dokumentet civile. Ndërsa Serbia vazhdoi të operonte një sistem paralel gjykatash, departamentesh policore dhe zyrash komunale edhe pas largimit të forcave të saj, autoritetet e shtatë qyteteve në Serbi u bënë përgjegjëse për regjistrat civilë të qyteteve dhe komunave të Kosovës.

Në vitin 2015, Instituti Kosovar për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, një organ i themeluar nga qeveria, botoi një libër për plaçkitjen dhe shkatërrimin e arkivave të Kosovës nga Serbia, para dhe gjatë luftës.

Autori i librit, Baki Svirca, i tha BIRN se kjo ishte “planifikuar dhe realizuar me kujdes nga strukturat shtetërore serbe” për të ndryshuar situatën demografike në Kosovë, për të sekuestruar pronat dhe për të parandaluar kthimin e shqiptarëve etnikë që ikën nga lufta.

Ai shpjegoi se arkivat historike, të dhënat kadastrale, të dhënat e regjistrit civil dhe të dhënat e trashëgimisë kulturore, plus të dhënat e kompanive publike dhe bankave dhe arkivat e gjykatave dhe policisë, të gjitha ishin prekur. “Por asnjë raport i detajuar nuk është përgatitur ende deri më tani për shkallën e shkatërrimit të sistemit institucional të arkivave”, tha Svirca.

Gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës që synon normalizimin e marrëdhënieve, ka pasur marrëveshje për regjistrat e gjendjes civile dhe të dhënat kadastrale, që synojnë të sigurojnë që Kosova të ketë të dhëna të plota të periudhës para se Jugosllavia të humbiste kontrollin mbi provincën e saj të mëparshme në fund luftës. Serbia i ka kthyer këto regjistra, por vetëm si kopje të skanuara.

Svirca argumentoi se çështja e të gjitha arkivave të humbura të Kosovës duhet të diskutohet gjatë negociatave në Bruksel.

Ai gjithashtu sugjeroi që Kosova të kërkojë zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara që t’i dorëzojë dokumentet arkivore të krijuara ndërsa vendi ishte protektorat i OKB-së që nga paslufta në 1999 deri në shpalljen e pavarësisë në 2008.

“Bazuar në të drejtën ndërkombëtare, gjithçka e krijuar në një territor i përket atij vendi që është krijuar nga misioni i OKB-së në Kosovë”, tha Svirca.

Qeveria e Kosovës kurrë nuk i ka kërkuar OKB-së këtë material – dokumente të cilat mund të ofrojnë njohuri të rëndësishme në një periudhë tjetër të rëndësishme në historinë e Kosovës.