Ilustrim

Heshtja e gjykatës karshi dhunës në familje për më shumë se një dekadë

E nisur në vitin 2011, një dosje e dhunës në familje në komunën e Pejës ende nuk ka marrë përgjigje përfundimtare nga sistemi i drejtësisë. Gjykata e Prokuroria përplasen për të mos pranuar përgjegjësinë e në vend se të vendoset drejtësi e mirëfilltë për viktimën e dhunës sistematike, ajo po ndiqet edhe penalisht nga po të njëjtat organe nga të cilat ka kërkuar ndihmë.

Rasti ishte ri-regjistruar në kohën e pandemisë kur viktima ri-deklaroi disa herë akte të dhunës fizike e psikike nga bashkëshorti i saj për vite me radhë, edhe në prani të fëmijëve të saj.

Sipas analizës së bërë nga BIRN, ekziston një papërputhshmëri mes veprimeve të institucioneve që janë marrë me këtë rast.

Në njërën anë Prokuroria e Pejës thotë se janë ngritur disa aktakuza ndaj kryerësit të dhunës, kurse gjykata në anën tjetër nuk posedon një regjistër mbi dënimet e shqiptuara për këto aktakuza, ndonëse kryerësi është recidivist dhe emër i njohur për sistemin e drejtësisë në Pejë – sipas prokurorisë.

Rasti në fjalë është një rast tipik i dhunës sistematike në baza gjinore brenda marrëdhënieve familjare. Viktimës vazhdimisht përgjatë viteve i është shkaktuar frikë për sigurinë personale e të fëmijëve të saj.

Dhuna kishte filluar vetëm 5 javë pasi që çifti ishte martuar. Tash, 12 vjet më pas nga paraqitja e rastit për herë të parë, i akuzuari endet i lirë pa u ulur akoma në bankën e të akuzuarit për t’u përballur me ligjin.

Ani pse ndaj tij ishte lëshuar një urdhër për mbrojtje prej 6 muajsh në maj të vitit 2022,  i njëjti nuk e kishte përfillur këtë masë duke u munduar që edhe përmes fëmijëve të kishte ndikim në gruan e tij.

Për lëshimin e këtij urdhri gjykata kishte deri në ditën e 16-të për të vepruar sipas kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, edhe pse Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje atë e obligon të veprojë brenda 15 ditësh. Kjo përcaktohet me nenin 15 të këtij ligji.

“Unë jam si hije, të përcjelli ditë e natë”, “si të më kalon urdhri kam me të vra” ishin fjalët me të cilat i është drejtuar bashkëshortes gjatë kohës kur urdhri mbrojtës ishte në fuqi. Kështu është përshkruar në arsyetimin e vendimin e gjykatës.

Madje, shkeljen e urdhrit e kishte pranuar edhe vetë kryerësi gjatë kësaj seance. “Mua edhe pa më skaduar urdhri nga gjykata jam afruar gruas time…” – kishte deklaruar ai ndër të tjera.

Në bazë të ligjit përkatës, shkelja e urdhrave mbrojtës dhe rastet recidiviste konsiderohen vepra penale që duhet të ndiqen sipas detyrës zyrtare.

Sipas Konventës së Stambollit ndaj së cilës shteti ynë ka obligim për zbatim, kryerja e dhunës në familje në mënyrë të përsëritur; në prani të fëmijëve; nën kërcënimin e armës; shkaktimi i dëmit të rëndë fizik e psikik, përbëjnë rrethana rënduese të cilat rëndojnë sanksionet.

E që fatkeqësisht, të gjitha këto elemente e karakterizojnë rastin në fjalë.

Në rrëfimin e saj ajo përshkruan tmerrin që  ka përjetuar bashkë me fëmijët nga dhuna e kërcënimet e vazhdueshme përgjatë viteve.

Viktima ishte vendosur në strehimore për shkak të këtyre kërcënimeve  të rënda, me raste edhe kërcënime me armë për vrasje. Kurse nga policia, e njëjta ishte udhëzuar ta tërheqë deklaratën dhe të kontaktojë me të akuzuarin, me arsyetimin se në këtë mënyrë do të dorëzohej bashkëshorti i saj.

“Mu nuk ka kush m’arreston” – evidentohet në shkresa t’i ketë thënë bashkëshorti i saj, duke i dërguar video afër stacionit të policisë.

Ai e kishte pasur të ndalur t’i afrohej edhe fëmijëve të tij, dhe kishte të drejtë t’i takonte vetëm në Qendrën për Punë Sociale.

Sipas Prokurorisë së Pejës, kryerësi i dhunës është recidivist dhe emër i njohur për prokurorinë. Ndaj tij janë ngritur edhe aktakuza tjera, ndër to edhe mospërfillja e urdhrave gjyqësor, lidhur pikërisht me këtë rast.

Edhe pas kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Pejës nuk kishte shqiptuar masën e paraburgimit. Ndaj këtij vendimi prokuroria ka bërë ankesë.

Kjo gjendje e rënduar, viktima thotë se ka ndikuar edhe në psikologjinë e fëmijëve të saj, të cilët kishin qenë shembullorë në shkollë.

Kështu, viktima A.D kishte humbur shpresat ndaj sistemit të drejtësisë.

Përderisa dhunuesi ishte liruar me arsyetimin se nuk kishe pasur prova të mjaftueshme, gjykata në rastin e caktimit të masës mbrojtëse dispononte 5 fotografi si dhe raportin e mjekut.

“Kufomat, do të jenë provat që sistemi ndoshta do i marrë parasysh, por atëherë do të jetë shumë vonë”– kështu e mbylli rrëfimin e saj nëna nga Peja.

Lidhur me rastin, për BIRN u prononcua edhe avokati i të dyshuarit i cili për klientin e tij A.D u shpreh se është “një xheloz i sëmurë dhe i papërmirësueshëm” dhe se nuk ka njohuri mbi vendndodhjen e tij.

Në zinxhirin  e mekanizmave të zotuar për mbrojtjen e viktimave të tilla, barra kryesore në dështimin e mbrojtjes së kësaj gruaja i mveshet gjykatës e në këtë analiza e BIRN evidenton se Gjykata nuk e ka përmbushur rolin e saj për të vendosur drejtësi për viktimën.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.