Hashim Thaçi: S’kemi Asgjë për të Fshehur nga Gjykata Speciale

Thaçi tha ditën e enjte se themelimi i gjykatës së re speciale, e cila ka hasur kundërshtime të forta nga opozita në Kosovë, nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte ai i duhuri.

“Është e rëndësishme që gjithçka të jetë transparente tani. Kosova gjithsesi nuk ka asgjë për të fshehur,” tha Thaçi në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”.

Gjykata do të ngrihet pasi një task forcë i BE-së hetoi akuzat e bëra në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Evropës, i cili pretendonte se luftëtarë të UÇK-së kryen krime kundër civilëve, siç janë rrëmbime, torturime dhe trafikim organesh.

Në raport përfshihej edhe Thaçi, i cili ishte kreu politik i UÇK-së gjatë konfliktit të saj të armatosur me forcat serbe, por ai i ka mohuar kategorikisht akuzat.

Thaçi tha në një intervistë se nuk dëshironte të spekulonte mbi të pandehurit e mundshëm në gjykatën e re.

“Emrat nuk duhet të diskutohen për momentin. Kosova ka treguar maturi ndërkombëtare me vendimin e saj për të krijuar gjykatën,” tha ai.

Gjykata e re pritet të fillojë punë vitin e ardhshëm dhe të ashtuquajturat “dhomat e specializuara” do të krijohen për t’u marrë me akuzat se luftëtarët e UÇK-së janë të përfshirë në vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe persekutim të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të kenë qenë bashkëpunëtorë të regjimit serb.

Por veteranët e luftës në Kosovës dhe disa parti opozitare janë shprehur se krijimi i gjykatës së re është një fyerje për luftën e drejtë të UÇK-së kundër sundimit shtypës serb.

Me qindra veteranë protestuan kundër gjykatës së re në qershor. Ndërkohë tre partitë opozitare nisën një sfidë ligjore për themelimin e saj, por ajo u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ditën e hënë.

Në intervistë, Thaçi diskutoi gjithashtu për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe tha se Serbia ka tashmë “e ka njohur de facto Kosovën si shtet të pavarur”.

“Çdo ditë Beogradi ka ndërmarrë hapa të cilat e sjellin atë më pranë njohjes zyrtare të Kosovës,” tha ai.

Dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë filloi në mars të vitit 2011, fillimisht vetëm në nivel teknik dhe u shndërrua në një dialog të nivelit të lartë në tetor të vitit 2012, duke kulmuar në marrëveshjen e prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur si Marrëveshja e Brukselit.

Në gusht të këtij viti, kryeministri serb dhe ai i Kosovës, Aleksandër Vuçiç dhe Isa Mustafa, finalizuan marrëveshje kyçe për energjinë, telekomunikacionin dhe një Asociacioni të Komunave serbe të operojnë në zonat me shumicë serbe të Kosovës.