Harrohet nga Institucionet Kujtimi i Masakrës së Dubravës (TV)

Gardianët e burgut dhe policët e Kosovës lejuan familjarë, të mbijetuar e qytetarë të kujtojnë masakrën e Dubravës, ndërsa ua ndaluan kameramanëve dhe gazetarëve xhirimet, duke u arsyetuar se të tilla janë rregullat e këtij institucioni ndëshkues.

Burgu i Dubravës pranë Istogut vazhdon ta kryejë funksionin e tij, pavarësisht se aty para pesëmbëdhjetë vjetësh u vranë rreth 150 të burgosur dhe qindra të tjerë u plagosën.

Bedri Kukalaj nga Prilepi i Deçanit ia doli të dalë i gjallë nga masakra e burgut të Dubravës, edhe pse atëherë e kishin vënë mes të vdekurve.

 “Unë kam qenë në mesin e atyne të vramve, të atyne 150-ve që mas 48 orëve kanë ardhë kolegët tanë me i palu të deknit dhe aty e kanë pa se jam me impulse të zemrës dhe e kanë ditë se unë jam gjallë”, tregon ai.

Pesëmbëdhjetëvjetori i kësaj masakre nuk u shënua nga asnjë institucion i Republikës së Kosovës.

Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj, edhe ai i mbijetuar nga Dubrava, arsyeton heshtjen institucionale.
“Është kohë fushate dhe kjo mund të keqinterpretohet si lloj fushate’, tha Selmanaj, teksa komentoi mungesën e akademive përkujtimore për këtë ngjarje.

Në komunën që ai drejton, direkt nga të shtënat brenda burgut vdiqën shtatë persona, ndërsa tre të tjerë nuk mundën t’i përballojnë torturat.

Kukalaj kujton se derisa ishte i burgosur në Dubravë, së bashku me 950 persona të tjerë, më 19 maj të vitit 1999, nisën bombardimet e burgut nga aviacioni i NATO-s, pasi forcat e ish-Republikës Federale të Jugosllavisë kishin futur një pjesë të makinerisë së tyre të rëndë ushtarake brenda burgut me qëllimin që këto mjete ushtarake t’i shmangen shkatërrimit.

Këto bombardime kishin vazhduar deri më 22 maj. Gjatë këtyre tri ditëve, të burgosurit ishin gjetur si kishin mundur.

Masakër e planifikuar

 “Deri me datën 22 maj ne kemi fjetë në oborr të burgut, nëpër podrume e gjthkund”, thotë Kukalaj.
Por tmerri i vërtetë kishte nisur më 22 maj, kur Kukalaj u qëllua. Ky tmerr vazhdoi deri më 24 maj. Kukalaj mendon se aksioni i forcave jugosllave ishte një plan i përgatitur me qëllim ekzekutimi të të burgosurve.

“Me datën 22 në orën pesë e gjysmë të mëngjesit na u ka dhanë urdhni t’gjithëve me u rreshtu afër pikës së vrojtimit dhe simas politikës së tyne që e kanë përgatitë për masakrën tonë, ka qenë që na të bahemi rresht aty gjoja se po na numërojnë dhe transferojnë në burgjet tjera”, kujton Kukalaj.

Ai shpjegon se të shtënat nga muret rrethuese të burgut kishin nisur, kur të burgosurit ishin renditur afër pikës së vrojtimit.

 “Ata gjatë natës janë përgatitë me e ba pushkatimin tonë dhe në atë minut kur ai ka dhanë urdhrin që të gjithë janë hazër, … veç kur e kemi pa çdo lloj bombe dore që na ka fluturu mbi neve edhe janë vnu automatikat mi muri dhe veç kanë fillu të shtanat rrafale dhe 15 kanë metë n’at ven, pa lujte veni, e nja 400 kanë metë me lëndime të rënda”, tregon Kukalaj tmerrin e mëngjesit të herdhëm të 22 majit të vitit 1999.

Të vdekur në burgun e Dubravës kishte edhe nga komunat tjera të Kosovës. Sejdi Bellanica nga Krusha e Madhe e Rahovecit, kishte ardhur për të vizituar vendin ku humbi shumë shokë.

 “Nuk është ndjenjë e mirë kur e kujton atë ditë-22 majin e vitit ’99, kur ka ndodhë një pushkatim klasik ku shumë vetë janë vrarë dhe shumë janë plagosur. Tash të gjithë ata shokë të burgosur politikë që kanë qenë me mua nuk janë më, edhe është normale sa herë të vish në këtë vend, vetëm të kujtohet figura e tyre”, thotë Bellanica.

Merita Lekaj nga Lumbardhi i Deçanit ishte në vendin ku para 15 vjetësh i vdiq babai.

 “Na kujtojmë sot nji ditë shumë të dhimshme, sepse unë e kam pasë babën këtu, edhe jemi shumë të mërzitun ashtu sikurse ditën e parë që kemi ndi ashtu edhe sot”, thotë Lekaj.

Edhe kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj, kujton 22 majin e masakrës.

“Prapa mureve të burgut policia, paramilitarët serbë gjatë gjithë natës ishin përgatitur të bënin një masakër. Ne kemi qenë afër murit të gjithë të rreshtuar, diku rreth 1 mijë të burgosur. Pastaj kanë filluar gjuajtjet pandërprerë”, shpjegon Selmanaj.

Selmanaj shpjegon se është njëri nga të mbijetuarit që ka dëshmuar në EULEX për këtë masakër, por ende nuk është ngritur aktakuzë për të. Edhe Kukalaj thotë se drejtësia nuk ka bërë asgjë.

Gazeta “Jeta në Kosovë” përmes telefonit ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë Agron Galanin, i cili ka thënë se lënda për masakrën e Burgut të Dubravës është në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi thotë se janë duke u zhvilluar hetime për masakrën e Dubravës.

“Lidhur me këtë rast janë intervistuar një numër i dëshmitarëve. Prokuroria ka bashkëpunim me Serbinë lidhur me këtë rast. Veçse ka vendim për inicimin e hetimeve ndaj disa të dyshuarve, ndërsa për disa të dyshuar të tjerë janë duke u kryer hetime preliminare”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Merita Lekaj thotë se dënimet e përgjegjësve për vrasjet në Dubravë do ta lehtësonin.

 “Po do të isha ndi shumë më lehtë sikur të ish denu dikush bile”, thotë ajo.

Dhjetë ndërhyrjet kirurgjike te Kukalaj

Bedri Kukalaj tregon se ka mbetur me lëndime të përjetshme. Më 24 maj të burgosurit e mbetur gjallë ishin bartur drejt burgut të Lipjanit, ndërsa Kukalaj i plagosur rëndë kishte përfunduar në spitalin e Prishtinës, ku mjekët kishin bërë dy intervenime kirurgjike.

Më pas, më 11 qershor 1999, kur të burgosurit e burgjeve të Kosovës ishin bartur drejt Serbisë, bashkë me tërheqjen e forcave të saj, Kukalaj ishte dërguar për shërim në Beograd. Aty kishte përjetuar pesë operacione për përmirësim të gjendjes.

Të shtatë ndërhyrjet në Prishtinë e Beograd, Kukalaj i konsideron të pasukseshme, por thotë se i ka ndihmuar shumë dërgimi për kurim në Zvicër, ku u është nënshtruar edhe tri operacioneve tjera kirurgjike.

Ministria e Drejtësisë nuk i ka kthyer ende përgjigje Gazetës Jeta në Kosovë lidhur me drejtësinë për këtë masakër.