Haradinaj i Çuditur

Ramush Haradinaj ishte çuditur kur rasti i njohur si “Kleçka” kundër deputetit Fatmir Limaj dhe disa bashkëluftëtarëve të tij u kthye në rigjykim në muajin nëntor 2012.

“Rasti Limaj është një rast i çuditshëm”, thotë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një intervistë për Jeta në Kosovë.

Limaj ishte shpallur dy herë i pafajshëm për të njëjtin rast – një herë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Ish-jugosllavi, ICTY, dhe për të dytën herë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 2012, kur u shpallen të papranueshme dëshmitë dhe ditari i Agim Zogajt, i njohur si “Dëshmitari X”, pasi u gjet i vdekur në një park në Gjermani dhe në pamundësi të ballafaqimit me mbrojtjen.

“Thënë të drejtën, më nuk po kuptoj çka është duke ndodhur me këtë situatë”, thotë Haradinaj.

“Në princip duhet ta ndihmojmë ligjin, derisa involvimi i gjatë i procedurave nuk ndihmon në zbatim të ligjit ose nuk ndihmon që të nxirret një vendim me duar të lira”, tha ai. “Shoqëria ndërkombëtare, por edhe ne, kemi mësuar edhe nga rasti im edhe nga rasti Limaj se si duhet të evitohen procedurat e gjata dhe se si ato nuk duhet të përsëriten”.

Një nga argumentet e mbrojtjes në rastin e rigjykimit të Haradinajt në Hagë, derisa u lirua në nëntor, ishte rikujtimi i parimit të drejtësisë se askush nuk duhet të gjykohet dy herë për një vepër.

“Për rastin tim, mediat nuk janë marrë shumë por kjo është shenjë e mirë, sepse keni besuar në ligj…që kryhet puna përmes ligjit”, tha Haradinaj. “Edhe mua mu kanë dhimbtë shtatë vjet, por ne kemi humbur edhe dekada. Dëshira ime është të shkojmë tutje përpara dhe jo të gjejmë elemente që na bllokojnë”.

Kështu Haradinaj tha se çfarëdo vendimi që do të merret ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve, qytetarët duhet ta besojnë. “Nuk ka zgjedhje tjetër, ne duhet të besojmë në ligj”, thotë Haradinaj. “Ligji mund të mos jetë perfekt, mund edhe të bëjë gabime në raste të caktuara, por avancimi i ligjit është proces, ndodhë çdo herë, dhe çdo lloj rasti është një precedent për studim, për trajtim”.

“Ne kemi qenë për shumë vite në burg, kemi besuar në ligj, në drejtësi e në liri. Në rast se tash që jemi kaq afër, unë them mos beso në ligj – është gabim. Nuk mund të jap kësi mesazhi për askënd”, tha ai. “Besoni në ligj. Më mirë ligj i keq, sesa pa ligj. E detyra jonë është me avancu ligjin, me e sjellë atë në pozicion sa ma te vërtetë, sa më të drejtë”.

Çudi tjera

Edhe vetëvrasjen e ish-kryetarit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, Haradinaj e ka quajtur “një rast i çuditshëm”.

“Tjetër nuk di çka të them”, u shpreh ai.

Përgjigje të ngjashme ai jep edhe për çmimin prej 26.3 milionë eurosh për të cilin ishte shitur distribucioni i rrymës elektrike për konzorciumin turk “Çalik Holding” dhe “Limak Holding”.

“Çmimi është çudia e zotit”, tha Haradinaj. “Kjo është e vështirë të shpjegohet”.

Kompania turke “Limak…” është edhe drejtuese e konzorciumit të cilit i ishte dhënë me koncesion Aeroporti i Prishtinës.

“Unë s’kam hyrë në dosje me pa çdo detaj dhe çdo aspekt…e mundet me qenë edhe koincidencë”, i pyetur se përse kompanitë turke po i fitojnë privatizimet e mëdha.

“Por mënyra si i bëjmë ne punët, lejimi që ndoshta shumica e punëve tona të bëhet përmes instrumenteve që nuk janë të duhur, e dëmtojnë ofertën tonë paraprakisht…sepse ndoshta para se me ofertu, ne e dimë se kjo është diçka tjetër”.

Loja e shitur?, pyetet ai.

“Po, mund të ndodhë edhe ashtu. Nuk kam qenë në këto dosje, por hetohet një lloj situate”, thotë Haradinaj. “I kemi rastet e ofertave tjera, në energji ende nuk kemi investitorë të interesuar, në PTK ende nuk ka zgjedhet investitori…të gjitha këto zvarritje në njëfarë mënyre janë dëshmi që ne po dështojmë të sigurojmë që oferta është ofertë dhe nuk ka instrumente tjera”.

Nga tërë procesi i privatizimit, i filluar më 2002, “veç transformimi i pronës nga ajo shoqërore në atë private ka qenë një sukses”, thotë Haradinaj, “por kualiteti pastaj gjatë privatizimit në shumicën e rasteve mund mos ketë qenë ai që ka merituar të jetë ose që është dashtë të jetë”.

Haradinaj shton se do të tregonte se si do të vepronte ai vetëm kur të ishte në detyrë përkatëse. Mirëpo, tha ai, rastet sikur në skandalin e printimit të pasaportave biometrike — ku 1.4 milionë euro nuk i kanë shkuar kompanisë fituese austriake por dyshohet se u janë dhënë si ryshfet zyrtarëve kosovarë –, “nuk guxojnë të ndodhin në cilëndo qeverisje”.

“Është tragjedi e jona që na ndodhin kësi lloj gjërash”, tha ai.

“Ngjarja i ka do dëme të mëdha. Për shembull, ne synojmë liberalizimin e vizave dhe një prej kushteve janë dokumentet biometrike…minimum gjashtë muaj kjo na i ka humbur në liberalizim”, shtoi Haradinaj.

Ai kritikoi edhe grupin e vet parlamentar në lidhje me aktivitetin e vet ndërkohë që janë zhvilluar procese si këto të mësipërmet.

“6-7 aty pari”, e notoi ai grupin parlamentar të AAK-së për 2012-tën. “Ajo është pamja ime”.

Në përgjithësi, tha ai, disa deputetë kanë qenë aktivë dhe për këtë dikush mund të marrë notë të lartë, por jo edhe për nga kriteret e zbatimit.

“Në politikëbërje nuk përfundon gjithçka me qëndrimin ose me bindjen, por mund të lavdërohesh në rast se ka ndodhë diçka pozitive prej nismave tuaja”, tha ai.

Haradinaj e vlerësoi si pozitive përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur dhe nxjerrjen e legjislacionit përkatës, por tha se Parlamenti ka mundur t’i japë më shumë peshë vetës në rritjen e kualitetit dhe kontrollit të ekzekutivit.

Të përgjuar qe dhjetë vjet

Fjala “Pronto” e cila u bë e famshme nga përgjimet që i kishte bërë EULEX-i shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, e që rrodhën më pas në publik, nuk ishte ndonjë risi për Ramush Haradinaj.

“Gjithkush ka përgjuar gjithkënd qe 10-të vjet në Kosovë”, tha ai. “Këtë e dinë të gjithë”.

“Të paktën unë e di që tri lloj shërbimesh, edhe ato që nuk kanë qenë zyrtare, e kanë përgjuar njëri-tjetrin, janë përdorë për shantazim, janë përdorë për gjithçka”, shtoi Haradinaj. “Kësaj here veç që kanë dalë në publik. Rasti ka dimensionet e veta të implikimit në ligj dhe implikimet politike, por për mua kjo nuk është ndonjë risi”.

 
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës  

 

Dhe as nuk ka qenë për të risi hyrja e Kadri Veselit, ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, në politikë.

“Mendoj se ai gjithmonë ka qenë pjesë vendimmarrëse në PDK. Të paktën u pa edhe nga afria e tij me kryetarin e partisë”, thotë Haradinaj. “Edhe shumë herë përpara ata kanë qenë bashkë”.

Por kjo hyrje e Veselit në PDK, shtoi ai, “mund të jetë me peshë për mënyrat e funksionimit të partisë”. Sipas tij, kjo mund ta “ndryshojë raportin e funksionimit” në partinë në pushtet.

Kur Haradinaj u sfidua për kritikat e tij të vitit 2009 në lidhje me veprimtarinë e SHIK-ut, ai tha se “nuk bëhet fjalë se SHIK-u na ka çuar në burg” por për atë se “çka ka përfaqësuar SHIK-u në shoqërinë kosovare”.

“Ai ka qenë një vlerësim real për atë etapë kohore”, shtoi Haradinaj. “Unë sot nuk e gjej SHIK-un që e kam lënë, por gjej institucione të vendit. Ata (ish-zyrtarët e SHIK-ut) janë gjithkund, jo vetëm deputetë”.

Dhe ju jeni të gatshëm të bashkëpunoni tash me ata?, është pyetur Haradinaj. 

“Unë jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi, me punu, që është një lloj dallimi”, u përgjigj ai. “Kam thënë disa herë, unë nuk po shkoj (në qeveri) që të bëhem bashkëpunëtor, po shkoj të bëhem bartës i një përgjegjësie përmes së cilës do të ndodhë një nisje, një ditë 1”.

“Kam gatishmëri t’ia nis në rast se ndodhë, në rast se arrihet një marrëveshje e tillë”, deklaroi ai.

Çudia e fundit

Çudia e fundit për Haradinajn, e shprehur gjatë intervistës, kishte të bënte me marrëveshjen e shkurtit 2012 për përfaqësimin e Kosovës me fusnotën që i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit kur ajo të përfaqësohet në organizatat rajonale.

“Mendoj që rasti me fusnotën atë kohë ka qenë një kualitet jo i mirë i zgjedhjes”, tha ai. “Ne duhet të synojmë që çdo herë kualitet që është edhe fillim për tema tjera. Sa ma të lartë e synon pragun në çdo zgjidhje të mundshme, ai prag është precedent edhe për tema tjera që vazhdojnë”.

Ai vlerësoi punën në sigurimin e njohjeve të reja. Por, e kritikoi politikën e jashtme për “sinkronizim të dobët” të veprimeve të veta.

“Duhet të shkojmë jashtëzakonisht të disiplinuar në këto çështje. Kuptohet që roli i gjithsecilit është i rëndësishëm, por kjo duhet të bëhet në mënyrë të sinkronizuar”, tha Haradinaj.

Sipas tij, po ashtu Qeveria e Kosovës ka mundur të bëjë edhe më shumë në bindjen e pesë vendeve europiane që nuk e kanë njohur vendin për ta bërë këtë.

“Sigurisht edhe shumë vende që na kanë njohur i kanë pasur problemet e veta, por na kanë njohur d.m.th. është gjetur një mënyrë për t’i tejkaluar ato pengesa. Edhe këto vende ndoshta kanë probleme të brendshme, por mund të gjenden mënyra për t’i tejkaluar ato”.

Sidomos, tha ai, duhet të punohet në politikën e brendshme pasi ajo është reflektim në të jashtmen.

I pyetur se a beson që vërtetë lufta kundër korrupsionit do ta bindë Spanjën për ta njohur Kosovën, Haradinaj tha se ajo njohje do të vijë së pari nga rritja e disponimit pozitiv europian.

“Por disponimin pozitiv mund ta rrisin edhe lajmet e mira për kualitetin e rendit dhe ligjit, kualitetin e mbrojtës së trashëgimisë kulturore, trajtimin e pakicave, të bërllokut, ujërave të zeza…Mund të ndodhë që spanjolleve u pëlqen kjo”, tha ai.

“Të gjitha këto janë lloj parametri ose treguesi që shfaqin kualitetin tonë në tavolinë”.