Hamiti: Jam Kërcënuar Përmes Telefonit dhe Rrjeteve Sociale

Policia e Kosovës thotë se pas raportimit të Xhabir Hamitit për kërcënime, është vlerësuar rrezikshmëria ndaj tij me ç’rast janë nxjerrë disa rekomandime për të dhe për Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Policia ka bërë vlerësimin e rrezikut për z.Hamiti dhe nga ky vlerësim janë dhënë rekomandime të cilat i janë dërguar atij dhe institucionit ku punon…”, thotë zëdhënësi i policisë Brahim Sadria.

Sipas gazetës Zëri, policia ka rekomanduar që Xhabir Hamitit t’i sigurohet transporti nga vendbanimi i tij deri në punë dhe anasjelltas nga institucioni ku ai punon, deri në përfundimin e rastit të tij.

Xhabir Hamiti thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se kërëcnimet ndaj tij kanë ardhur që nga koha kur ai ka shpallur kandidimin  për të kryesuar BIK-un.

“Kërcënimet kanë qenë anonime, përmes rrjeteve sociale dhe përmes telefonit, që nga koha kur unë kam shpallur kandidimin tim”,  thotë Hamiti

Kundërshtar kryesor i kandidimit të tij ka qenë Lëvizja Islame Bashkohu (LISBA).

LISBA ka dalur më herët me një komunikatë, në të cilën deklaronte pëlqimin për rizgjedhjen e Naim Tërnavës në krye të BIK-ut edhe për një mandat të tretë.

Një nga themeluesit dhe anëtari i kryesisë së LISBA-s, Fuad Ramiqi i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë mohon mundësinë që lëvizja e tij qëndron prapa ndonjë kërcënimi të mundshëm.

“Absolutisht, ai vetëm po don me e paraqite veten viktime … nga Bashkesia Islame don me e zhvendosë vëmendjen diku tjetër, asgjë tjetër. Ai nuk është ndonjë person qe ia vlen me u marrë me kërcënime ndaj tij. Ky është shtet demokratik, s’ka nevojë ti kërcënohet askush kërrkujna”, thotë Ramiqi.

Xhabir Hamti u shkarkua nga pozita e kryetarit të Kuvendit të BIK-ut, në mbledhjen e rregullt të këtij kuvendi më 20 gusht, pasi kishte refuzuar që të futej në rend dite pika për ndryshim kushtetues.

Me ndërhyrjet në kushtetutën e BIK-ut synoheshin ndryshimet për mandatin e kryesuesit të BIK-ut, përkatësisht zgjatjen e tij, ashtu që myftiut aktual t’i jepet mundësia edhe për një mandat të radhës.

Kushtetuta aktuale nuk lejon që një myfti të zgjedhet në më shumë se dy mandate.