Hajdar Beqaj

Kryeshefi i Gruas së Tij 

Hajdar Beqa është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Gjakovës. 

Edhe pse i punësuar fillimisht në qeverinë e Kosovës dhe më pas në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenc”,  ku shërben edhe tani, Hajdar Beqaj ka vendosur të kthehet në qytetin e tij të lindjes dhe të kontribuojë për qytetin e tij. 

Është lindur me 5 janar 1978 në Gjakovë. 

Pas përfundimit të shkollës fillore, mësimet i kishte vijuar në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë për të vazhduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Tani është magjistër i diplomacisë, të përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë. 

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, gjatë së cilës kishte shërbyer si epror në Zonën Operative të Dukagjinit, ai ishte anëtarësuar në PDK, me themelimin e saj.

Nga viti 2005-2006 ishte praktikant në Prokurorinë Komunale në Prishtinë, për të vazhduar në vitet 2007-2008 si menaxher i Komisionit Kushtetues të Kosovës dhe i Komisionit për Simbolet dhe Himnin e Republikës së Kosovës. 

Në vitet 2008-2009, ishte shef i kabinetit të zëvendës-kryeministrave të Republikës së Kosovës, për të vazhduar si kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike N.H “Ibër Lepenc” SH.A-Prishtinë, nga shtatori i vitit 2009.

Si kryeshef në ndërmarrjen publike N. H “Ibër-Lepenc”, Hajdar Beqa ka punësuar edhe bashkëshorte të bashkëpartiakëve të tij. 

Njëra nga të punësuarat në “Ibër Lepenc” është edhe gruaja e Adem Grabovcit, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së. 

Hajdar Beqa kishte pranuar se ka punësuar bashkëshorte të bashkëpartiakëve të tij, mirëpo kishte shtuar se kjo ishte bërë në përputhje me rregullat e konkursit.

Beqa kishte shtuar vazhdimisht se në asnjërën prej punëve që i ka menaxhuar deri më tash, nuk kishte bërë shkelje ligjore.

Derisa vetë ishte bërë kryeshef në vitin 2009, bashkëshortja e tij Qendresa Veliu – Beqaj, ishte punësuar në vitin 2010,  si shefe e kabinetit në Ibër Lepenc, ndërsa nga shkurti i vitit 2012, është udhëheqëse e Burimeve Njerëzore në të njejtën ndërmarrje.  

“Është bërë brenda rregullave ligjore. Bashkëshorten fillimisht e kam njohur në qeveri”, deklaroi Beqaj, në debatin Zgjedhjet Lokale 2013. 

Bashkëshortja e tij deklaroi për Jeta në Komunë se fillimisht e kishte njohur Hajdarin në qeveri të Kosovës, gjatë kohës sa punonin bashkë dhe kishin shoqëri të mirë. 

“Më pas kjo shoqëri është shndërruar në dashuri”, shton bashkëshortja, e cila përshkruan Hajdar Beqën si njeri me karakter të fortë, të sinqertë dhe të qetë. 

Bashkëshortja e tij thotë se Hajdar Beqa e ka në qejf leximin e librave historikë. 

Ndër premtimet kryesore të Hajdar Beqës janë: jetësimi i zonës së lirë ekonomike për Gjakovën, mirëqeverisja dhe garantimi i së ardhmes.