Haga Largon Gjyqtarin e ‘Njëanshëm’ nga Gjykimi i Sheshelit

Një lëvizje e pashembullt e Tribunalit Ndërkombëtar për krime lufte në ish-Jugosllavi, e ka larguar një prej gjyqtarëve të saj nga rasti i Vojisllav Sheshelit, për shkak të njëanshmërisë së tij, duke ngritur kështu shqetësim rreth asaj se çfarë do të ndodhë me aktgjykimin që pritet të shpallet shumë shpejt si dhe me aktgjykimet tjera të lëshuara nga ky gjykatës.

Gjyqtari, Frederik Harhoff, u pezullua pasi i akuzuari serb për krime lufte paraqiti një mocion muajin e kaluar, duke pretenduar se gjyqtari nuk ishte i paanshëm dhe se kishte treguar  “prirje të fortë … për të dënuar personat e akuzuar me përkatësi etnike serbe ” .

Akuzat filluan pas rrjedhjes së një letre të shkruar nga Harhoff , në të cilën ai kritikonte Tribunalin për shpalljen e disa komandantëve të lartë serb e kroat, si të pafajshëm.

Kështu, Tribunali i Hagës të mërkurën vendosi në favor të mocionit të Sheshelit dhe vendosi ta suspendojë Harhoffin nga ky gjykim.

“Në letër, gjykatësi Harhoff është treguar i njëanshëm në favor të dënimit, në mënyrë të tillë saqë një vëzhgues i arsyeshëm e i informuar mirë do të dyshonte për njëanshmëri”, thuhet në vendimin e Tribunalit.

Sipas rregullës së 15 procedurale të Tribunalit, nëse një gjyqtar largohet me arsyetimin se është prekur paanshmëria e tij, atëherë “presidenti (i gjykatës) cakton një tjetër gjyqtar për rastin”.

Megjithatë, nuk është bërë menjëherë e qartë se si saktësisht do të ndikojë në gjykimin e Sheshelit largimi i  Harhoffit.

Të gjitha dëshmitë për dhe kundër këtij të akuzuari janë dëgjuar tashmë nga gjykata dhe një verdikt pritej të shpallej më 30 tetor .

Tribunali i Hagës nuk ka mohuar as pohuar nëse largimi i Harhoffit do të vonojë këtë verdikt.

“Vendimi se si të procedohet në rastin e Vojisllav Sheshelit do të merret në kohë të duhur nga nënkryetari i Tribunalit, Gjykatësi Agius, që ka shqyrtuar ankesen e Sheshelit”, tha zëdhënësja e Tribunalit, Magdalena Spalinska.

Sheshel akuzohet për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullsisë joserbe në Bosnjë, Kroaci dhe Vojvodinë, në mes të viteve 1991 dhe 1994 .

Harhoff, në letrën kontroverse kishte shkruar se ai kishte dëgjuar që presidenti i gjykatës, amerikani Theodor Meron , gjoja ka bërë presion mbi gjyqtarët e tjerë vitin e kaluar që të miratojnë pafajshmërinë e gjeneralëve kroat Ante Gotovina dhe Mladen Markaq, gjeneralit jugosllav Momqillo Perishiq dhe zyrtarëve të sigurisë serbe Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq.

Ai gjithashtu ka akuzuar Tribunalin për ndryshimin e politikës në dhënien e dënimeve.

Dov Jacobs, asistent profesor i ligjit ndërkombëtar në Universitetin e Leiden në Holandë, tha se vendimi ishte “shenja e parë publike…që dikush në ICTY është i pakënaqur me sjelljen e Harhoffit”, lidhur me  letrën e rrjedhur.

Në një postim në blogun e tij, Jacobs ka shkruar se pyetja më e madhe tani është se çfarë do të ndodh me rastet e tjera në të cilat Harhoff kishte qenë gjyqtar, duke e përmendur faktin që avokatët e zyrtarit të lartë të sigurisë së shtetit serb, Stanishiq dhe të komandantit të Ushtrisë Boshnjake Rasim Deliq kanë dërguar tashmë ankesat e tyre, duke u bazuar në letrën e rrjedhur.

“Në rastin e apeluar të Stanishiqit, ende nuk është vendosur nëse mocioni ndaj letrës së Harhoffit do të pranohet si dëshmi e re. Nuk shoh se si dhoma e apelit do të mund ta refuzonte mocionin tani. Pos tjerash, mendoj se kjo mund të jetë një bazë e fortë për një ankesë të re për rishikimin e aktgjykimit”, shkroi Jacobs .

“Më në fund, në rastin e Deliqit , avokati i tij paraqiti një mocion për rishqyrtim, përkundër faktit që i pandehuri nuk jeton më. Megjithatë, vendimi i ri (largimi i Harhoffit) e forcon mocionin”, shtoi ai.

Pavarësisht vdekjes së Deliqit, në vitin 2009, mbrojtja e tij i ka dërguar një mocion presidentit të Tribunalit , Theodor Meron , duke pretenduar se gjyqtari Harhoff kishte shprehur njëanshmëri të papranueshme në favor të dënimit.