“Guri i Plakës”, rruga e rrezikshme e “pa përgjegjës”

Rruga “Guri i Plakës” në Komunën e Obiliqit lidh mes vete disa fshatra, ndërsa udhëtimin më të shpeshtë në të e bëjnë banorët e Grabovcit të Epërm e atij të Poshtëm.

Duke qenë një rrugë e rrezikshme, ajo ka marrë jetën e dy personave në një interval kohor të shkurtër.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, i konfirmojnë rastet e vdekjeve, por gjithashtu tregojnë se aksidentet janë të shpeshta në këtë aks.

“Që nga 2018-ta e deri në 2021-tën në këtë rrugë dy persona kanë vdekur në aksidente trafiku, përderisa këtë vit, kanë ndodhur pesë aksidente”, thonë në Policinë e Kosovës, duke shtuar se në katër nga këto raste, ka pasur të qytetar të lënduar.

Pos rrezikshmërisë gjatë udhëtimit me makina, për banorët e kësaj ane, del të jetë problem edhe mungesa e trotuareve.

“Rruga ‘Guri i plakës’ u shërben fëmijëve për të shkuar në shkollë, e kjo rrugë nuk ka trotuar”, thotë Nehat Mjeku, banor i kësaj ane.

Porse, për Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Obiliqit, kjo nuk është e vërtetë.

“Rruga në fjalë ka trotuar”, thonë ata.

KALLXO.com e ka konfirmuar nga vendi i ngjarjes se një pjesë e rrugës ka trotuar, mirëpo, pjesa tjetër ku gjendet shkolla dhe përdoret për fëmijët për të kaluar nuk ka trotuar e as nuk ka ndonjë vendkalim të shënjuar për kalim.

Foto:KALLXO.com-Pjesa e rrugës afër shkollës ku nuk ka trotuar

Procesi kronologjik i kërkesave dhe ankesave për rrugën ‘pa përgjegjës’

Më 31 gusht të 2018-ës me dhjetëra banor të Komunës së Obiliqit, ata të fshatit Grabovc i Epërm nënshkruan një peticion përmes së cilit kërkonin që të merren masa për rregullimin e rrugës “Guri i Plakës”.

Kjo rrugë që e lidh regjionin e Komunës së Fushë Kosovës, Drenasit dhe Obiliqit është parë qysh atëherë si e rrezikshme e me pasoja edhe për jetën e banorëve të kësaj zone.

Nehat Mjeku nga ky fshat ka qenë organizator i peticionit dhe vazhdimisht është marr me këtë problem.

I njëjti edhe e ka dorëzuar këtë peticion në Komunë.

Një javë pasi që e dërgoi kërkesën, ai kishte marr përgjigje nga Komuna e Obiliqit.

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë kishte thënë që kjo rrugë nuk është nën kompetencën e tyre.

“Ju njoftojmë që kërkesa e juaj është trajtuar dhe rruga e lartcekur [Guri i Plakës] është rrugë Regjionale e cila është nën menaxhimin e Ministrisë së Infrastrukturës”, patën thënë nga kjo Drejtori në përgjigjen për qytetarët e Obiliqit.

Pas kësaj përgjigje, Nehat Mjeku e dërgoi një kërkesë të njëjtë edhe në Ministri.

Të njëjtët më dy nëntor të 2018-ës i kthyen përgjigje atij duke i treguar se rruga për të cilën Mjeku dërgoi kërkesë nuk menaxhohet nga ta.

Në këtë përgjigje u tha që më 31 tetor të atij viti, zyrtarët nga Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve kishin zhvilluar një vizitë në terren në lidhje me kërkesën e qytetarëve dhe e kishin analizuar gjendjen.

“Zyrtarët kanë ardhur në përfundim se segmenti rrugor për të cilën kërkoni të merren masa të caktuara, nuk është pjesë e rrugëve të kategorizuara me të cilat menaxhon Ministria e Infrastrukturës”, thuhet në përgjigjën e tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar me të dy palët.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë mohuar të jenë përgjegjës për këtë rrugë.

“’Guri i Plakës’ është rrugë lokale dhe nuk është e pjesë e rrjetit të kategorizuar rrugor që është në përgjegjësi të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në përgjigjen dhe për KALLXO.com.

Edhe në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Obiliqit, thonë se s’janë përgjegjës për këtë rrugë.

“Rruga ‘Guri i Plakës’, konsiderohet si rrugë regjionale. Rrugët regjionale janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, prandaj kompetencat nuk janë në kuadër të Komunës”, thanë nga DSHPE për KALLXO.com.

Zyrtarët e këtij dikasteri komunal, megjithatë thonë se i kanë marr të gjitha masat që janë në kompetencën e tyre.

“Komuna e Obiliqit ka marrë të gjitha masat të cilat janë në kompetencë të Komunës duke përfshirë edhe infrastrukturën brenda rrugës, trotuar, ndriçim publik, sinjalizimin, si dhe objektivat tjera të sigurisë”, thanë ata.

Foto:KALLXO.com – Momenti kur një veturë injoron pengesat dhe kalon në anën tjetër të rrugës

Rrëfimi i qytetarit që ka tre vite që mundohet të gjejë zgjedhje

Nehat Mjeku që nga 2018 nuk është ndalur që të gjendet një zgjedhje e duhur për rregullimin e kësaj rruge.

Ai është organizatori i kërkesave të dërguara në autoritetet qeverisëse.

Mjeku thotë se si pasoj e shpejtësisë së madhe që automjetet zhvillojnë në këtë rrugë, një veturë i ka hyrë në oborrin e shtëpisë së tij.

“Rasti ka ndodhë në gjysmë të natës. Për shkak të shpejtësisë të madhe. Personat kanë qenë me lëndime të mëdha trupore, kur unë kom dal jashtë ata kanë qenë t’u bërtit”, ka thënë Mjeku për KALLXO.com.

Mjeku tregon odiseadën e angazhimit të tij për të gjetur një zgjidhje për këtë rrugë. Thotë se vazhdimisht ka dërguar kërkesa në mënyrë fizike, përmes email e edhe duke e kontaktuar në telefon drejtorin e DSHPE – së, Naim Miftari.

“Kam dërguar kërkesa edhe në mënyrë fizike edhe me email, edhe i kam telefonu. Naim Miftari më thoshte unë andej vij veç për të pame dhe dasma”, citon Mjeku zyrtarin komunal.

I njëjti tregoi se kërkesa e tyre është që të vendosen pengesa përgjatë rrugës në mënyrë që të ulet shpejtësia e automjeteve që e shfrytëzojnë këtë atë.

“Me gjetë një mënyrë me i parandalu aksidentet, e vetmja mënyrë është me vendosë pengesa përgjatë rrugës”, tha ai.

Ai tregoi se Komuna i ka vendosur disa pengesa në rrugë në afërsi të shkollës së këtij fshati, mirëpo sipas tij këto ato nuk kanë bërë zgjidhje veç se i kanë rrezikuar edhe më shumë banorët.

“Komuna për me thanë që ka marr masa, i ka vendos disa pengesa te shkolla edhe veç në njërën anë, e që e ka rreziku edhe më shumë vendin për shkak se tash shoferët po i ikin pengesave e po kalojnë në pjesën tjetër të rrugës që është pa pengesa, prapë duke mos e ndalur shpejtësinë”, tregon Mjeku.

KALLXO.com ka konfirmuar nga vendi i ngjarjes se janë disa raste ku ashtu siç edhe e ka përshkruar Mjeku, ndodhë që veturat t’i injorojnë pengesat e vendosura vetëm në njërën korse të rrugës, dhe kalojnë duke dalur në anën tjetër (korsenë) të rrugës në të cilën nuk ka pengesa.

“Pengesat munden me qenë si ato në Prishtinë, me madhësi e më të gjëra që nuk e dëmtojnë veturën, por që detyrimisht ulin shpejtësinë e automjeteve”, thotë Mjeku.

Ai thotë se për rrezikun që bartë rruga, ka kontaktuar dhe me stacionet e Policisë në Obiliq dhe Fushë Kosovë.

“Unë shumë shpesh i thirri Policinë, madje në këtë aksidentin e fundit që ndodhi i thash pse nuk po vini më shpesh”, thotë ai, duke shtuar se Policia rrallë u përgjigjet ftesave të qytetarëve që shtrojnë në lidhje me zhvillimin joadekuat të komunikacionit që bëhet në këtë rrugë.

Një kërkesë për prezencë më të shtuar të Policisë në këtë anë, kanë bërë edhe Komuna e Obiliqit.

“Ne kemi paraparë dhe e kemi njoftuar me shkrim edhe stacionin policor për rritje të kontrollit në atë segment rrugorë për shkaqe sigurie”, thuhet në përgjigjet e DSHPE-së.

Për këtë rrugë KALLXO.com kishte raportuar edhe në mars të 2019 – ës. Asokohe kjo rrugë nuk ka pasur as shenja paralajmëruese. Sot, vazhdon të jetë një rrugë me intensitet të lartë të qarkullimit, e mbi të gjitha, ajo që banorët i shqetëson, është mosrespektimi i shpejtësisë që për pasojë ka ndodhur të ketë edhe raste të vdekjeve.