Guri i mullirit si amanet

Bekim Kamberaj e ka marrë si mision që ta mbajë në lëvizje gurin e mullirit të cilin familja e tij po e mbajnë ndër shekuj.

I marrë si amanet nga babai, Bekimi është i vendosur që ta çojë këtë amanet deri në fund prandaj i kushton çdo moment këtij monumenti në fshatin Uçë të Istogut.

Bekim Kamberaj është trashëgimtari i gjashtë që kujdeset për këtë mulli dhe zhurma e tij e ka përcjellë qysh nga fëmijëria e deri tani kur goditjet e çakallës ia kthejnë kujtimet me të bukura të asaj kohe.

Rruga e vjetër e me gropa e shoqëruar me përrocka uji, ruan befasinë për vizitorët.

Është një mulli me ujë, në të cilin banorët ndër shekuj kanë bluar drithin e tyre.

Për dallim nga shumë të tjerë të cilëve tani nuk u gjendet asnjë gjurmë, guri i mullirit të Binak Kamberajt nuk ka pushuar asnjëherë së rrotulluari.

“Kam qenë shumë i ri në atë kohë mirëpo babai im më ka treguar se në atë kohë mulliri ka qenë në gjendje të mbajë 30 anëtarë të familjes, sa krejt tokat që kemi pasur. Ky mulli na ka shërbyer jo vetëm për bukë por edhe për kafshë, një familje që ka pasur mulli në atë kohë, ajo ka qenë e pasur”, thotë Bekim Kamberaj.

Pamja e tij të kënaq sytë, hyrja në ambientin e këtij mulliri të kthen mbrapa në kohë, kur çdo gjë ishte e ndërtuar nga guri e druri.

Zhurma e përroit që rrjedh afër tij përcjell në vete edhe cicërimat e zogjve. Hapja e derës së dytë të këtij mulliri zbulon punën që bën uji i këtij përroi që rrjedh përmes një gypi deri brenda mullirit, duke mundësuar rrotullimin e rrotës e cila vë në funksion mullirin nga i cili bëhet bluarja natyrale e drithit.

“Bluarja e misrit bëhet përmes gurit duke filluar qysh nga vinti i cili shërben për ngritjen dhe uljen e gurit varësisht se sa dëshiron të bluash drithin, pastaj është çakalla që godit gurin dhe bie mielli, ka çakalla më të renda, me te lehta”, thotë Bekim Kamberaj.

Bekimi si njohës i punës në mulli tregon veçantin e këtij mulliri me plot krenari. Përmes një zinxhiri të zgjatur nga poshtë e deri lartë në koshin e drithit bëhet lëshimi i ujit nga mulliri, duke mundësuar bluarjen e drithit deri në përfundim, pa pasur nevojë për ndihmën e dorës së njeriut.

“Këtë veçanti nuk e kanë të tjerët mullinj, e rregulloj miellin në kosh para se të përfundon bluarja para 5,6 kilogramë ai ndalet vet, nuk kam nevojë që unë të jem prezent këtu. Ka raste kur e vendos drithin shkoj në punë kur të kthehem e gjejë të përfunduar”, thotë ai.

Sipas Rexhep Hetemaj, banor i fshatit, mikpritja që i është bërë nga pronarët e mullirit e ka shtyrë atë të bluaja drithin aty qysh nga hapja e tij.

“Jemi shumë të kënaqur, mielli aty është kualitet dhe mulliri është këtu në fshatin tonë, qysh nga stërgjyshërit ne e bluajmë misrin aty, mielli është shumë i pastër”, thotë Rexhep Hetemaj.

Bekimi edhe sot vazhdon traditën duke i kujtuar fjalët e babait të tij sa herë që është duke punuar në mulli, fjalë të cilat i kanë shërbyer që të vazhdojë punën dhe të mos lodhet asnjëherë së munduari deri sa të ketë mundësi.

“Ruaju sa më shumë. Miellin që të takon merre por kujdesu që mos ta marrësh kurrë hisen e dikujt tjetër se nuk ia sheh hajrin”, thotë ai.

Nga 33 mullinj dikur në fshatin Uçë, tani Mulliri i Bekim Riza Kamberaj vazhdon ende t’i shërbejë këtij fshati duke mos i humbur vlera asnjëherë. Përkundrazi tani ai ka bërë për vete edhe turistë të cilët pa përtesë vizitojnë mullirin, si për pamjen e bukur që ka por edhe për kualitetin që ka bluarja e drithit në këtë vend.