Gulen i Bën Hyzmet Rrëzimit të Erdoganit

Kryeredaktori i mediumit “Truthdig” dhe kolumnisti i disa gazetave të ShBA-ve Robert Scheer, një ditë pas vrasjes së Bin Laden-it, të kërkuarit për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, nga forcat elite amerikane në Pakistan, në një shkrim autorial të publikuar më 3 maj 2011, shkroi se i vrari është një përbindësh, të cilin e kemi krijuar vetë. 

Osama bin Laden, i vrarë më 2 maj 2011 qe ndihmuar nga amerikanët për të luftuar kundër ushtarëve të Bashkimit Sovjetik, rivalit të tyre bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë, kur sovjetikët pushtuan Afganistanin. Lufta dhjetëvjeçare (1979-1989) përfundoi me tërheqjen e sovjetëve nga ky shtet. 

Në një situatë të ngjashme, por gjithsesi më pak tragjike, ndodhet kryeminisri turk Erdogan, kur që nga fundi i vitit të kaluar po përballet me aleatin të deridjeshëm Fethullah Gulen dhe pasuesit e tij. Edhe Erdogan krijoi nga Gulen-i “përbindëshin” e tij që tash po synon t’ia “hajë kokën”, në kohën kur kryeministri turk me partinë e tij të Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) po synon fitore në zgjedhjet lokale të marsit 2014. 

Gulen 72 vjeçar, një imam dhe predikues i kursit të moderuar islam, themelues i Lëvizjes politike, fetare e arsimore që shumëkush e quan me emrin “Hizmet” (shërbimi), ka ndikim të madh në Turqi dhe pjesët tjera të globit, ndërsa sipas Wikipedias ndjekësit e tij sillen prej 1 deri në tetë milionë individë. 

Ngjashmëria  dhe miqësia Gulen-Erdogan

Gulen emigroi në Pensylvania të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1999, për shkaqe shëndetësore dhe për faktin se në Turqi kërkohej nën akuzat e përpjekjeve për krijimin e shtetit islamik, edhe pse nuk konsiderohet nga radikalët e kësaj feje, ndërsa predikon edhe pajtimin fetar mes feve monoteiste. 

Në Turqi që nga vendosja e shtetit laik nga Mustafa Kemal Ataturku në vitin 1923, ushtria dhe pasuesit e reformatorit me prejardhje shqiptare që quhen republikanë, janë shumë të ndjeshëm për të mos lejuar ndërrimin e karakterit të shtetit. 

Si Gulen që zgjodhi ekzilin për t’u ikur akuzave, edhe partia e Erdoganit, për një votë i shpëtoi shpërbërjes, kur çështja e orientimit të saj pro-islam me urdhër të prokurorit të shtetit turk, doli për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, më 30 qershor 2008.  

Prandaj lëvizja e Gulenit dhe partia e Erdoganit, duke qenë të dyja me orientime politiko-fetare, ndihmuan njëra-tjetrën për interesa personale, që nga ardhja e AKP-së dhe Erdoganit në pushtet, në vitin 2003. 

Yuksel Sezgin, një profesor i shkencave politike në Universitetin amerikan të Sirakuzës, për rrjetin televiziv Al Jazeera me bazë në Katar, shpjegon lidhjet Gulen-Erdogan.

“Megjithëse Erdogan u bë kryeministër i vendit në vitin 2003, ai nuk e zotëronte shtetin turk. Shteti kontrollohej dhe drejtohej nga elita e vjetër republikane. Ai e dinte se duhet t’ia nënshtronte ushtrinë autoritetit të tij dhe të spastronte elitën e vjetër republikane nga gjyqësori dhe institucionet, për të vendosur regjimin e tij”, thuhet në opinionin e Sezginit, të botuar në portalin e Al Jazeera-s më 1 janar 2014. 

Në këtë kohë partia e Erdoganit ishte e re për të mposhtur vetë strukturat sekulare, por njerëzit e lëvizjes së Gulen-it, kishin depërtuar nëpër institucionet e sistemit dhe në hallkat periferike të gjyqësorit. Dy subjektet islamiste bashkuan forcat, duke fuqizuar bashkëpunimin sidomos në vitet 2007-2008. 

Sipas profesorit Sezgin deri në vitin 2011, të gjitha institucionet prej Gjykatës Kushtetuese, deri te Këshilli i Sigurisë Kombëtare ishin në duar të tandemit Erdogan-Gulen. Sekularistët qenë mposhtur. 

Kishte mbetur për t’u disiplinuar edhe ushtria. Në vitin 2008 filloi gjykimi kundër grupit prej 257 personash, ushtarakë dhe civilë që akuzoheshin për komplot dhe organizim grushtshteti kundër partisë dhe qeverisjes së Erdoganit. Vendimi u mor pas pesë vjetësh, shkruan gazeta The Economist. 

Më 5 nëntor 2013, 18 nga të pandehurit, mes tyre edhe Ilker Basbug, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, u dënuan me burgim të përjetshëm. 

Vetëm 21 nga të akuzuarit u liruan. Të tjerët pritet të qëndrojnë gjatë prapa grilave. Komploti njihet me emrin Ergenekon, pasi autoritetet zbuluan se komplotistët ia kishin vënë organizatës së tyre këtë emër të mitologjisë turke. 

Sipas kësaj mitologjie Ergenekon është një vend ku turqit e vjetër pas një distfate të rëndë, u strehuan për t’u rimëkëmbur. Nga atje pastaj, gjithnjë sipas legjendës dolën më të fortë. 

Njërin nga sukseset kryesore të Erdoganit, mediat globale e konsiderojnë përjashtimin e ushtrisë nga politika. 

Përlasjet mes dy lëvizjeve islamiste

Por bashkëpunimi me lëvizjen e Gulen-it e kishte haraçin e vet. Tash Erdoganit, miqësia e pretenduar me imamin në ekzil, e shndërruar në armiqësi, po i kthehet si bumerang. Kryeministri turk që mbylli sytë, kur aktivistët e Lëvizjes Hizmet u ngjitën nëpër pozita, sidomos në strukturat policore, gjyqësore, por edhe të vetë Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit, e ka të vështirë të merret me ta. 

Në nëntor të vitit të kaluar, me qëllim që të zvogëlojë ndikimin e pasuesve të Gulenit në shoqëri, politikë e institucione, Erdogan vendosi të mbyllë shkollat private që përgatisin studentët për provimet në universitete. 22 për qind të shkollave të tilla në Turqi janë pronë e Lëvizjes Hizmet. 

Qeveria turke ua përcaktoi shkollave të tilla shtatorin e vitit 2015 si afatin e fundit kur do të shndërrohen në shkolla private. Ato nuk do të kenë më të drejtë të përgatisin studentë për provime. 

Një muaj më vonë, në dhjetor, prokuroria e Stambollit ngriti akuza për korrupsion kundër 52 personave, në mesin e tyre edhe ndaj tre djemve të ministrave dhe disa biznesmenëve miliarderë. 

Urdhri për valën e dytë të arrestimeve që pritej të dërgonte prapa grilave 41 persona tjerë të njohur, nuk u zbatua nga policia e Stambollit. 

Prokurori që urdhëroi arrestimet e para u degradua, ndërsa zyrtarit tjetër të ndjekjes që vazhdoi punën e të parit, iu mor pa shpjegim rasti nga dora.

Tre ministrat e qeverisë turke, djemtë e të cilëve u arrestuan dhanë dorëheqje më 24 dhjetor 2013, ndërsa Erdogan riformatoi qeverinë, duke ndërruar edhe shtatë ministra të tjerë, ose gati gjysmën e kabinetit të tij, një ditë më pas. 

Kryeministri fajësoi Lëvizjen Hizmet për akuzat korruptive, ndërsa i lidhi ata edhe me armiqtë e jashtëm të tij. “Ata që mundohen ta vendosin shtetin paralel brenda shtetit, do të na kenë neve kundërshtarë”, tha Erdogan, më 28 dhjetor. 

Por, në ditët e para të vitit 2014, Fethullah Gulen nga ekzili amerikan i dërgoi letër presidentit Abdullah Gul, ku sugjeronte bashkëpunim deri në zgjidhjen e krizës, shkruan gazeta The New York Times më 7 janar. 

Të njëjtën ditë, kryeministri Erdogan shkarkoi qindra policë dhe oficerë policie, të lidhur me arrestimet dhe hetimet anti-korrupsion të zyrtarëve të lartë dhe biznesmenëve miliarderë. 


Shtëpia ku jeton Gulen, sipas BBC-së | Foto: Reuters

Shkollat e Gulen-it dhe dyshimet për të

Mediat thonë se imami i Lëvizjes Hizmet, adhuruesit e tij i rekruton nëpër shkollat që drejton. 

Rrjeti i shkollave të tilla ka shtrirje globale, sidomos në Azi dhe Afrikë, nga Kazakistani deri në Keni, por skollat e tij po shtrihen edhe në Amerikë dhe vende tjera. 

BBC-ja në një profil të kësaj lëvizjeje, mësoi se ndjekësit e saj japin nga 5 deri 20 për qind të të ardhurave personale, për ta mbajtur organizimin, ndërsa Gulen kombinon bamirësinë dhe biznesin për të qenë i afërt me njerëzit. 

Fatma Disli për herë të parë pa shkollat dhe ndjekësit e klerikut, kur u ndihmoi studentëve të kalojnë provimet pranuese në universitete. 

“Njerëzit e Hizmetit që takova vërtet punojnë shumë, janë njerëz të virtytshëm që praktikojnë fenë e tyre, por në të njëjtën kohë kanë vende pune të rëndësishme”, i tha Disli televizionit britanik, një ditë pas arrestimeve të djemve të zyrtarëve qeveritarë. 

Nga ta e kuptova se është e mundshme të jesh fetar dhe në të njëjtën kohë të kesh edhe karrierë, vazhdoi shpjegimin Fatma Disli. 

Por kritikët e Gulen-it thonë se nëpër rrjetin e shkollave të tij, ai përgatit studentët që pas diplomimit të punësohen nëpër institucione shtetërore. Ata nuk i besojnë as islamit të tij të moderuar. Thonë se qëllimi i Gulen-it dhe pasuesve të tij është fitimi i pushtetit me qëllim të shpërndarjes globale të sjelljeve konservative islame në shoqëri lidhur me çështjet e martesës dhe aklkoolit. Ata që nuk e duan mendojnë se Hizmeti do të shtypë çdo kundërshtim. 

Në një predikim të incizuar në një video që u publikua në vitin 1999, Fethullah Gulen shihet se si udhëzon pasuesit e tij. 

“Ju duhet të lëvizin brenda arterieve të sistemit, pa e vërejtur dikush ekzistencën tuaj, deri sa të arrini  të gjitha qendrat e pushtetit, thotë ai. 

“Ju duhet të prisni  deri në kohën kur të keni marrë të gjithë pushtetin shtetëror, derisa ju kanë sjellë në anën tuaj të gjithë pushtetin e institucioneve kushtetuese në Turqi.”, vijon më tutje Gulen. 

Por në letrën e fillim janarit që i shkoi presidentit Gul, kleriku Gulen mohoi kontrollin ndaj nëpunësve dhe institucioneve të shtetit. Megjithatë, në një paraqitje para masës tha të kundërtën. 

“Unë jam në thelb një fëmijë i Anadollit … Për hir të vlerave të vendit tim është normale [t’u] them [simpatizantëve mi] për t’u bërë policë, diplomatë, ushtarë apo juristë”, citon fjalët e Gulen-it, të thëna në një predikim, rrjeti Al Jazeera më 24 dhjetor 2013. 

“Ata janë si shpirtra. Janë çdokund dhe askund”, tha për gazetën The Economist, gazetari hulumtues turk Ahmet Sik, teksa përshkroi njerëzit e Gulen-it. Sik qëndroi një vit në burg, pasi prokurorët e lidhën me organizatën Ergenekon. 

Ai u burgos në mars të vitit 2011, ndërsa hulumtonte kontrollin e shtetit nga Lëvizja Hizmet. 

Derisa mbahej në paraburgim, një libër i shkruar prej tij për Gulen-in, i titulluar “Ushtria e imamit”, u ndalua nga autoritetet, me pretekstin se është një dokument ilegal i organizatës Ergenekon. 

E ardhmja e politikës turke 

Analistët turq thonë se beteja e Erdoganit dhe Gulenit do të ketë ndikime politike, ndërsa fituesi i saj do ta përcaktojë kahjen që do të marrë ky shtet gjatë dekadës së ardhshme. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen në mars, ndërsa “lojtari” tjetër, kryetari Abdullah Gul, do ta përfundojë mandatin në gusht. 

Gul është mik i vjetër i Erdoganit, ndërsa ka lidhje të mira me “gulenistët”. Profesori Yuksel Sezgin në shkrimin për Al Jazeerën, të pblikuar ditën e parë të vitit 2014, thotë se njerëzit e klerikut e shohin presidentin, si pasues të Erdoganit në krye të AKP-së dhe shtetit. Gul nga disa ekspertë konsiderohet si truri i AKP-së. 

Erdogan që ka hyrë në vitin e 11 të qeverisjes, sipas Sezgin-it e ka edhe planin B- që të jetë kryetar i Turqisë, por posti i kryetarit më shumë është ceremonial dhe erdogan nuk dëshiron ta humbë fuqinë politike. 

Prishja e Erdoganit me Gulen-in, nuk e ka befasuar gazetarin Ahmet Sik. “Ishte një martesë e detyruar dhe është shndërruar në ndarje të shëmtuar”, citoi fjalët e tij rrjeti CNN, më 21 dhjetor. 

Ai tri ditë më vonë, luftën e pasuesve të kryeministrit turk dhe imamit me banim në Amerikë, për mediat turke, e cilësoi luftë bërthamore, pa fitues. 

“Unë mendoj se të dyja palët kanë dokumente të mjaftueshme dhe njohuri në lidhje me njëri-tjetrin për t’i dhënë fund njëri-tjetrit”, tha Sik.