Grusht shtet në kohë pandemie: Si ndodhi që mungesa e tifozëve u dha shansin lakmitarëve

 Nga: Barney Ronay/The Guardian

Super Liga e Evropës vë në pah faktin se pronarët e klubeve të futbollit nuk kujdesen për tifozët, aq më tepër edhe pas një viti kur e kanë kuptuar se ekzistenca e tyre varet vetëm nga të hyrat televizive.

Shitja e Anglisë me kile, pjesa 94. Superliga Evropiane mund të jetë shumëçka: një pashmangshmëri strukturore, një format i ri emocionues, një orgji e shkëlqyer djersitëse. Por vështirë se mund të jetë një befasi. Në realitet, kjo është pjesa e fundit e futbollit e mimikërisë, një moment tjetër ku kjo pjesë e madhe, e pjekur dhe e pa fund e teatrit publik që reflekton botën përreth tij, shkruan The Guardian.

Të lakmosh është gjë e mirë. Lakmia e bën tregun funksional. E gjitha kjo mund të jetë e vërtetë. Mirëpo një gjë tjetër lidhur me lakminë është se nuk ka një ndërprerës apo një fund. Duart që rrëmbejnë do të rrëmbejnë gjithçka munden  – dhe pastaj do ti hapin sytë në kërkim të një diçkaje më të madhe. Mirë se vini tek ne: vitin 2021

Ndoshta ajo që është më befasuesja sot lidhur me lajmin se gjashtë klube angleze janë nënshkruar si anëtarë themelues të një klubi privat fitimprurës i maskuar si një ligë sportive, është identiteti i atyre palëve të cilat ofrojnë reagime të papritura gjatë përgjigjeve të tyre.

Deri më tani këtu përfshihen Premier Liga, UEFA, Sky, BT dhe (siç thuhet këtu) Mike Ashley. Plus, natyrisht, ai proteksionisti dhe guardiani i mirënjohur me kompleks Napoleoni, Boris Johnson.

Ky është me sa duket i njëjti Boris Johnson që përdori ligjëratën e Margaret Thatcher për të deklaruar se pabarazia është “thelbësore” për rendin njerëzor, se fondet mbrojtëse dhe “Gordon Gekkosi i Londrës” duhet të trajtohen si mbretër dhe që flet me një eksitim të madh për virtytet natyrale të asaj pjese prej 2% që janë të pasur. Dhe po, le ta mbajmë politikën temë kryesore. Sepse kjo ka qenë gjithmonë në lidhje me politikën, aq sa ata që janë në anën e kapjes mund të pretendojnë se nuk është kësisoj.

Një numër i madh do ta përcjellin lëvizjen e fundit drejt një shkëputjeje nga formimi i Premier Ligës: Thaçerizmi në një palë pantallona të shkurtra dhe në momentin që klubet më të pasura të futbollit u inkurajuan të hapnin veten për një model pajtimi, duke krijuar një produkt të mrekullueshëm e të suksesshëm, para, dhe fuqinë e parave, do të shfaqeshin gjithmonë në fund.

Mirëpo, ky ka qenë një udhëtim në çdo aspekt i shoqërisë britanike si përpara ashtu edhe pas saj. Hapuni. Hiqni pengesat. Rishpërndahuni. Jepuni atyre krijuesve të ëmbël, shumë të ëmbël e të pasur, çdo liri për të praktikuar artin e tyre, të papenguar nga dora e ftohtë, dora e vdekur  e rregullimit, “tifozët trashëgues” dhe krejt pjesa tjetër.

E megjithatë rezulton se tregu do të vijë edhe për atë që ju pëlqen. Në këtë rast për atë zonë ku anglezët mbajnë një lloj të çuditshëm të socializmit sentimental. Mund të flisni për ofruesit tanë shëndetësorë, shërbimet tona publike. Thjesht, i lini çelësat tek klubet e futbollit, apo jo?

Duke e pasur në mendje një gjë të tillë, të vetmet pyetje reale që ia vlen të bëhen janë: si do të duket në të vërtetë? Dhe a ka ndonjë gjë që mund të bëjmë për ta ndaluar, vonuar apo për të bërë kompromise lidhur me këtë?

Prapë, të dyja këto kërkojnë një pranim se kjo nuk është një lëvizje në një drejtim të ri. Barbarët nuk i kanë sulmuar portat. Ata tashmë janë këtu, të ulur në tryezën kryesore, duke mbushur gushat e tyre me copëza dhjami teksa sytë i kanë drejt derës së qilarit.

Foto: Tom Jenkins/The Guardian

Rezulton se njerëzit që kanë investuar para në futbollin anglez dhe që janë mirëpritur  me histori triumfaliste, në të vërtetë mund të jenë kapitalistë të pamëshirshëm globalë. Dhe jo vetëm kaq, kapitalistë të pamëshirshëm global me vetëm një interes kalimtar në identitetin, historinë, vlerën kulturore dhe lidhjet gjeografike të klubeve tona të preferuara të futbollit.

Kjo është arsyeja pse Superliga po ndodh më në fund. Vetëm shikoni njerëzit të cilët po i prijnë kësaj. Familja Glazer ka bërë shumë pak fitime porse fitime prej shushunje nga Manchester United. Nuk mund të reagoni si te befasuar nga krejt kjo nëse ai proces nuk ka ngritur kurrë shqetësime më herët.

Brenda të njëjtit qytet, Shejh Mansour është zv/kryeministri i një shteti tjetër sovran, i detyruar të vendosë besnikëritë e tij finale diku tjetër. Roman Abramovich as nuk mund të jetojë më tutje në Angli. Pronarët e pjesshëm të Milanos janë një bandë e kapitalistëve famëkeq.

Këta njerëz nuk kujdesen për emocionet e degraduara të përkrahësve të futbollit anglez, ose për materiale të paprekshme si lidhjet familjare, ndjesinë e të qenit pjesë e  këtij vendi, vlerën shoqërore, trashëgiminë, kolektivizmin, e lëre më garën e fortë sportive.

Nuk kishte asnjë konsultim paraprak me tifozët, asnjë konsideratë për pikëpamjet e banorëve lokalë, asnjë letër të hapur emocionuese lidhur me atë se për çfarë bëhet fjalë. Pikëpamjet tuaja nuk do të vërehen dhe ato patjetër nuk do të merren parasysh.

Është po ashtu e rëndësishme të qartësohet se çfarë po humbet me këtë. Super Liga do të shkatërronte premisën themelore – konkurrencën e hapur, lidhjen me bazat, lidhjet gjeografike, një ndjenjë për shtëpinë – që ka financuar, energjizuar dhe ushqyer futbollin anglez.

Foto: Mike Egerton/PA

Është diçka joshëse të trajtohet kjo me kushtet e veta dhe të theksohet se modeli i ri do ti shkatërrojë pikërisht ato gjëra të cilat e kanë bërë produktin e tij të duket kaq tërheqës. Ka gjëra më të rëndësishme në lojë, elemente që do të humbasin përgjithmonë. Ligës vendore do ti bie vlera menjëherë. Ndarja feudale e ultra-të pasurve nga klasa e ulët do të jetë e plotë. Çdo sens i lidhjes jomateriale, i një sporti unifikues kombëtar, do të shkatërrohet.

Këto lidhje tashmë janë dobësuar dhe prishur. Por në fund, ekziston ende një ndjenjë e unitetit, romancës sportive, barazisë së mundësive dhe klubeve të futbollit si diçka më shumë sesa thjesht një përzgjedhje e konsumatorit.

Një vendim i tillë do të bëjë që ta urreni futbollin, por prapë të investoni në futboll. Dhe, kjo, ngadalë do ta vrasë futbollin – jo arritjen e tij ose të ardhurat e tij, të cilat do të maksimizohen, por vlera që njerëzit i kushtojnë, gëzimi që mund të sjellë, pasuria e tij.

Super Liga, natyrisht, do t’i refuzojë këto sugjerime. Tashmë bisedat lehtësuese të “pagesave të solidaritetit” dhe një shqetësim kryesor për rrjetin e mbështetjes nga poshtë është hedhur nëpër kanalet zyrtare. Loja e grave do të marrë së shpejti projeksionin e saj të Super Liges, edhe pse detajet për këtë janë shumë të pakta.

Në këtë pikë shfaqet edhe një perspektivë për rezistencë. Super Liga mund të duket si një pikë e fundit natyrore për kaq shumë gjëra. Por është gjithashtu një pjesë e oportunizmit e lindur nga pandemia. Për çerek shekullin e fundit tifozët në stadium kanë vepruar si kor, kundërbalancë në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv. Në mungesë të tyre, ne kemi parë kapje te pushtetit, një lojë që tani vihet në skenë, drejtohet dhe shpërndahet tërësisht përmes një ekrani, dhe që ndihet papritmas e lirë, e fuqizuar të përcaktojë kufijtë e vet.

Klubet më të mëdha të futbollit kanë zbuluar atë që ata e dinin tashmë – se ata në të vërtetë nuk kanë nevojë për njerëz të bezdisshëm, të zhurmshëm në tribuna, se kjo krizë është gjithashtu edhe një mundësi. Gjithmonë ekzistonte frika se gjëja tek e cila ktheheshim do të ndryshohej, zvogëlohej në një farë mënyre. Epo, ja ku jemi tani.

Protesta, mobilizim, angazhim i tifozëve: këto gjëra kanë munguar, por gjithsesi kanë vlerë. Kjo është ende loja jonë, dhe hapësira jonë publike. Ne, njerëzit, mund ta kemi financuar këtë botë dhe e kemi parë atë tek përhapet në një gjendje me masë kritike, të humbur në ato ngjyra dhe drita më të mëdha. Nëse duam të bëjmë ndonjë gjë në lidhje me këtë, nevojiten veprime te ndryshme dhe të pakthyeshme. Tani, me të vërtetë, është koha për të marrë anë.

 

Përkthyer nga: Nuhi Shala