Grupi i Llapit Sërish Nuk Deklarohet

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Latif Gashi, dhe ish-deputeti Rrustem Mustafa, janë ulur sërish të mërkurën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Supreme të Kosovës. Së bashku me ta, ishte ftuar që të paraqitej në gjykatë në ora 10, në cilësinë e të pandehurit, edhe Nazif Mehmeti.

Në seancën e fundit të mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ishte caktuar që seanca e radhës të mbahet më 17 shtator, por angazhimet e avokatëve mbrojtës të Gashit, bënë që seanca të shtyhej.

Të pandehurit, sipas aktakuzës nga Prokuroria Speciale, ngarkohen se kanë kryer veprën penale të krimeve kundër popullatës civile, e dënueshme me ish-Kodin Penal të ish-Jugosllavisë dhe me Kodin Penal të Kosovës, si dhe në kundërshtim me Konventat e Gjenevës dhe protokollet e shtesat e saj.

Tre të pandehurit gjatë luftës mbanin pozita komanduese në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Latif Gashi njihej me nofkën Lata, Nazif Mehmeti me nofkën Nazi dhe Rustem Mustafa me nofkën Remi.

Sipas aktakuzës, që nga gushti 1998 deri në prill 1999, ata kishin pasur dijeni për qendrat e ndalimit në vendet Bajgorë, Llapashticë, Majac, Potok dhe Koliq. Në këto qendra ishin ndaluar civilë shqiptarë me arsyetime se janë kolaboracionistë të pushtetit serb.

Në këto qendra, të pandehurit së bashku me persona të tjerë të panjohur, akuzohen se kanë ndaluar, torturuar, keqtrajtuar dhe rrahur në mënyrën me çnjerëzore civilë shqiptarë. Sipas aktakuzës, personat e ndaluar për të shpëtuar duhej të tregoheshin luajalë ndaj UÇK-së, ashtu që për të treguar besnikërinë duhej të vrisnin ndonjë serb.

Që në fillim të seancës, avokati Mexhid Syla, mbrojtësi i të pandehurit Latif Gashi, deklaroi se mbrojtja ka paraqitur një parashtresë në të cilën kundërshton aktakuzën e paraqitur nga prokuroria. Parashtresën nuk e kishte pranuar prokurori.

Pas një pauze të shkurtër, kolegji i gjykatësve mori vendim që prokurori të ndryshojë aktakuzën dhe të heqë në aktakuzë vendet për të cilat Gjykata Supreme kishte vendosur për to në aktgjykim.

Prokurori special, Charles Hardway, pas pushimit të drekës, me rekomandim të kolegjit, njoftoi se aktakuza nuk i përmban vendet Bajgorë dhe Koliq, ndërsa në aktakuzë mbesin vendet Llapashticë, Majac dhe Potok. Pra prokurori bëri ndryshimin e aktakuzë vetëm për vendet, pa ndryshuar asgjë nga substanca e aktakuzës.

Mbrojtja kërkoi që aktakuza e re e ndryshuar t’i jepej me shkrim, që të dihet se për çfarë po gjykohet në këtë çështje që të përgatiten.

Kolegji i gjykatësve duke parë se të pandehurit nuk ishin në gjendje që të deklaroheshin lidhur me fajësinë, apo pafajësinë e tyre, mori aktvendim për ta shtyrë seancën për 19 nëntor. Në seancën e radhës, të pandehurit do të deklarohen lidhur me fajësinë e pastaj do të procedohet marrja e deklaratave të tyre.