Grumbullimi i Ushqimit të Egër - Falas dhe Produkt Vendor

Nëse jo, mundesh me relaksue pak se këto ditë grumbullimi i ushqimit të egër faktikisht është ba modë. Dhe besoj që e ka ba ti gjatë jetës – mos harro ato manaferra që ke mbledhë kur ishe në fshat… Dhe gjërat e grumbulluara sot si ushqim të egër mund nesër të bëhen artikuj luksi – për shembull perimja italiane rucola është trajtue vetëm si bar i keq dhe është mbledhë vetëm në forma të egra deri në vitet 1990-të, por tash asnjë restorant elegant, as në Prishtinë as në qytete të tjera në Europë, nuk guxojnë m’i ofrue myshterisë një meny pa të paktën një sallatë rucola.
 
Pra, çfarë është ushqimi i egër i disponueshëm në Kosovë? Bashkë me manaferrat, stina e të cilave po afrohet, unë po ju sugjeroj për qejf këtë verë një perime vendore dhe një pije freskuese.
 
Perimja është hithri. Jo vetëm për Shëngjergj. A ke ndëgjue për traditën e gjumit në mbrëmjen e Shëngjergjit me hithrat nën jastëk? Ose me u la më gjethet e hithrit, ose me spërkat secilin anëtar të familjes me pika uji prej hithrave për shëndet dhe bereqet (kur e kam pyet një familje për këto tradita, i kanë përbuzë, tue thanë që i duken qesharake se çka duhet të bëhet është me vendosë hithrat në kokë…)

Mirëpo, të gjithë pajtohen që ia vlen me përdorë hithrat si spinaq në gatimin e piteve, për shembull. Hithrat janë të shëndetshëm, me më shumë vitamina dhe minerale sesa brokoli dhe mund t’i mbledhësh pa pagesë. Kuptohet hithrat e njoma janë më të shijshme dhe nëse merr majat e tyre (5 gjethet më të reja prej secilës) do të keni shije më të mirë. Mos i ha mbasi kanë fillue me formue lule.

Por, a nuk të regjin ata? Jo, mbasi janë të zier. Në Kosovë janë të disponueshme, jo vetëm falas nëpër parqe, parkingje dhe nëpër fusha, por edhe të thara prej kompanisë “Natyra” të Gjilanit (044 425003). Mundesh m’i përdorë në supa, ose si alternativë në çdo recetë që kërkon spinaq; javën e kaluar unë përgatita një pesto prej hithrave dhe bademeve, bashkë me lëng limoni, vaj ulliri dhe hudhër.
 
Dhe nëse don një pije freskuese, të prodhuar tërësisht në Kosovë për me shoqërue gjellën me hithrat, dil me mbledh shtog. Ka shumë në Kosovë (unë më shumë kam pa në Hoçën e Madhe, por shpesh haset në shumicën e vendeve rurale) dhe ka një aromë të lehtë dhe të bukur dhe mund të përdoret pa u vluar, si dhe kur është i zier (vetëm lulet – jo bishtat ose gjethet që janë helmuese) me limon dhe sheqer/ mjaltë për me ba shurup, që mund të hollohet me ujë minerale.
 
Gjellëra të tjera që kam hangër prej ushqimit të egër përfshijnë kërpudha boletus – kokat e mëdha që gjeta në një pyll ahu në Llap (por të lutem shko me dikë që din mirë për çka me kërkue që të nuk helmohesh), dredhëza, boronica dhe mjedra të egra në Rugovë, arra në Deçan (edhe në oborrin e Muzeut Etnologjik në Prishtinë), duda jo vetëm në oborrin e Universitetit të Prishtinës (por s’besoj që do të mbeten ndonjë se kalamajtë e dinë këtë pemë shumë mirë), por edhe në Dranoc, si dhe çaj mali në Pejë. Kur fillon me kërkue bereqetin që ka Kosova, do të kuptosh që mundesh me hangër mirë dhe lirë te tryeza e natyrës.
 
Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]