Gruaja e zëvendësministrit propozohet për drejtore të Agjencisë së Pronës
Afërdita Beka-Arifaj, gruaja e zëvendësministrit të Tregtisë, Mentor Arifaj, është propozuar nga Qeveria e Kosovës për drejtore të Agjencisë për Krahasim dhe Verifkim të Pronës.
Fjalën e fundit për zgjedhjen e saj në krye të AKVP-së do ta kenë deputetet e Kuvendit të Kosovës, shumica e të cilëve janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo.
Vetëvendosje që udhëhiqet nga Albin Kurti ka qenë kritike në të kaluarën kur njerëz të afërt me parti politike drejtonin Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Në shkurt të 2019, duke injoruar rekomandimet e kompanisë britanike BDO, Kuvendi i Kosovës, që shumica përbëhej nga deputetet e koalicionit PAN, kishin zgjedhur, Naser Shalën, i njohur në publik si komandat “Ftyra” në krye të kësaj Agjencisë.
Pas zgjedhjes së “Ftyrës” në krye të Agjencisë së Pronës, kishte pasur shumë reagime, duke përfshirë Ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka futur në seancë për votim, zgjedhjen e drejtores së AKVP-së edhe pse Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për propozimin e Afërdita Beka-Arifajt në mbledhjen e mbajtur me 28 dhjetor 2022.
Zëvendësministri i MINT, Mentor Arifaj ka thënë se edhe gruaja e tij ka të drejtë për të aplikuar nëpër konkurse publike.
“Po, bashkëshortja ime është. Ajo ka të drejtë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës që të aplikoj në çdo pozitë që i takon. Ajo nuk po emërohet me naj emërim të caktuar, nëse emërohet, por ajo iu ka nënshtruar procesit të konkursit, me të gjitha kriteret” – tha Arifaj në një bisedë për KALLXO.com.
Mentor Arifaj, para se të bëhej zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë, ishte emëruar në Bordin e Përkohshëm të Postës së Kosovës nga Qeveria Kurti 1. Në atë kohë, Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, premtonin se nuk do të ketë politizim të Ndërmarrjeve Publike. Por, Arifaj, si donator i LVV-së kishte zënë vend në bordin e përkohshëm në prill të vitit 2020.
Tre vjet pas, Mentor Arifi thotë se nuk ka ndikuar që emri i bashkëshortes së tij të dërgohet për votim në Kuvend nga Qeveria e Kosovës.
“Kur ka apliku, ka paliku në forca të veta jo që ka apliku me naj far premtimi të dikujt edhe është normale sepse ne e kemi lëshu Kanadanë e duhet me gjetë pune këtu. Jo, unë s’kam ndiku absolut dhe nuk mund ta gjeni një person që mund të thotë se kam ndikuar. Pozita e zëvendësministrit nuk është najfarë pozite që mund të ndikoi diçka në Qeveri” – vlerëson ai.
Tutje, zëvendësministri Arifi tha se gruaja e tij është juriste e diplomuar, gjithashtu ka kryer edhe shkollim të mëtutjeshëm në Kanada dhe është licencuar si menaxhuese e pronave.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në zyrën për media të ZKM-së, për të kuptuar më shumë rreth emrave që janë dërguar në Kuvendin e Kosovës për votim, por ekzekutivi që drejtohet nga Albin Kurti, ende nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërsa, vete Afërdita Beka-Arifaj nuk ka dashur të prononcohet rreth përzgjedhjes së emrit të saj nga ZKM.
Në anën tjetër, në një përgjigje me shkrim, Ambasada Britanike ka konfirmuar se ajo nuk ka qenë pjesë e monitorimit të konkursit për pozitat në Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Kritika ndaj politikës
Ambasada Britanike në Kosovë prej vitesh mbështet institucionet e larta publike duke iu ofruar monitorim të konkurseve publike. Në vitin 2019 kur po zgjidhej drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Kualifikim dhe Vlerësim të Pronës kishte aplikuar edhe një person i afërt me partinë Nisma Socialdemokrate që drejtohet nga Fatmir Limaj. Naser Shala, i njohur në opinion si komandant “Ftyra” ishte votuar me 50 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për shef në këtë Agjenci.
Por, monitorimi që ishte bërë nga kompania britanike BDO kishte vlerësuar se ai nuk i plotësonte kushtet (nuk është i emërueshëm) për këtë pozitë.
Për këtë kishin reaguar Ambasadori i Shteteve të Bahskuara të Amerikës në atë kohë, Philip Kosnett dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell.
Atë kohë, si kryetare e Kuvendit të Kosovës, kishte reaguar edhe Vjosa Osmani, duke kërkuar shkarkimin e tij.