Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” mban marshin tradicional për 8 Mars, me thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë - Foto: Shkodrane Dakaj/ KALLXO.com, 08.03.2024

Gratë, sa për numër në lista zgjedhore e media !

Në zgjedhjet e vitit 2021 gjatë transmetimeve mediale në lajme dhe kronika gratë patën vetëm 7% të hapësirës në krahasim me 93% për burra

Pjesëmarrja e grave në media, veçanërisht në debatet politike, shpesh mbetet në një nivel minimal, pa e pasqyruar në mënyrë të drejtë perspektiven e tyre për organizimin e shoqërisë.

Dominimi i hapësirës publike prej burrave dhe mënyra e moderimit të debateve, që shpesh janë të tensionuara dhe të orientuara drejt përplasjes verbale, është dekurajues sidomos për gratë që nuk kanë përvojë në pjesëmarrjen në diskutime publike. Një ndër arsyet për këtë pjesëmarrje të ulët, është mungesa e besimit të mediave dhe drejtuesit e programeve kanë ndaj ekspertizës së grave, duke u mbështetur ende në stereotipe gjinore që i lidhin temat e rëndësishme vetëm me burrat. Për më tepër., pa politika të qarta redaktoriale dhe një vetëdije të rritur për përfshirjen, gratë do të vazhdojnë të margjinalizohen në diskutimet e rëndësishme publike.

Edhe pse mediat kryesore në Kosovë tentojnë shmangien e përmbajtjeve urryese, çështjet gjinore trajtohen rrallë dhe gratë janë pak të përfaqësuara në panele dhe debate politike. Përmbajtja mediatike mbizotërohet nga burrat, përveç në temat që lidhen me dhunën seksuale gjatë luftës, çështjet sociale dhe çështjet arsimore. Megjithatë, edhe këto raportime shoqërohen shpesh nga komente abuzive online, pavarësisht përpjekjeve të gazetarëve për mbrojtjen e privatësisë dhe anonimitetin e burimeve.

Në temat ku kërkohet përfaqësim nga ana e subjekte politike në media, zakonisht i shohim të përfaqësuar nga burrat, dhe kjo pengon zhvillimin e mediave dhe shoqërisë demokratike, duke lënë gjininë më pak të përfaqësuar jashtë agjendës për të trajtuar tema të rëndësishme. Politikat publike të qarta dhe kriteret profesionale janë të nevojshme për të promovuar shprehjen e lirë, barazinë qytetare dhe profesionalizmin në media. Megjithatë, mungesa e monitorimit dhe raportimit sistematik mbi numrin e paraqitjeve të grave dhe burrave, e vështirëson njohjen e situatës lidhur me mediat dhe gjininë.

Kur gratë kanë një status më të ulët apo janë të pakta në vendimmarrje brenda redaksive, kjo pasqyrohet në përfaqësimin e tyre të kufizuar në përmbajtjet mediatike. Meqenëse 69.8% (sipas PCI[1]) e të anketuarve mendojnë se gratë janë më pak të përfaqësuara, rezulton se pabarazitë brenda strukturave të mediave ndikojnë drejtpërdrejtë në pamundësinë për të trajtuar barazinë gjinore në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në hapësirën publike.

Debate të veçanta veç për gratë, jo më!

Në zgjedhjet e fundit nacionale të  vitit 2021 partitë politike në emisione janë përfaqësuar me 57 burra dhe vetëm 10 gra[2]. Pasuar nga të dhënat e “Demokracia në Veprim”, ku të gjeturat tregojnë se minutat që kanë pasur gratë kandidate në kronika janë vetëm 7% në krahasim me 93% për burra.

Mungesa e grave në debate, në kohën kur e gjithë vëmendja e qytetarëve/eve është tek debatet televizive në kohë fushate, është mundësi e humbur edhe nga ana e medieve. Përtej asaj, në diskutime të ndryshme në debate nga një analizë e organizatës “Çohu”, bazuar në përqindje, pjesëmarrja në debate televizive dominohet nga burrat me më së shumti 90% dhe më e ulëta për përfaqësim të grave 10%.

Në hulumtimi e “Institutit D4D”mbi gjuhën e përdorur në rrjete sociale ndaj grave qe merren aktivisht me politikë, gratë ndeshen me dhunë dhe ngacmim online më shpesh nga burrat sesa nga gratë (burrat shkruajnë 89.6% të komenteve me gjuhë të urrejtjes kurse gratë 10.4%)[3]. Dhe gratë, veçanërisht ato që janë në sytë e publikut, si politikane dhe figura publike, shënjestrën shpesh nga fushata dezinformuese në krahasim me burrat.

Koha e duhur për të kthyer gjithë këto të dhëna dhe për të dëshmuar që gratë mund të jenë përfaqësuese në debate të ndryshme dhe me paraqitje të barabartë si burrat, është fushata për zgjedhjet e 2025-ës të zgjedhjeve nacionale.

Partitë mund të tregojnë pjekuri duke dërguar përfaqësim të barabartë ne debate në nivel nacional dhe lokal. Por, paralelisht, duhet të merret seriozisht edhe nga ana e redaktorëve të emisioneve dhe moderatorëve qe të krijojnë hapësira të barabarta në debate, dhe mos të jetë ambient i përplasjes verbale.

Rezarta Krasniqi është  Drejtore Ekzekutive e D4D.