Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic.

Gratë në median shqiptare: Nga riviktimizimi tek stigmatizimi si imorale

Kodet e etikës kanë pak rëndësi kur vjen fjala për mënyrën se si mediat shqiptare raportojnë për gratë, nga viktimat e abuzimit seksual e deri te pushueset në Dubai.

Në tetor 2017, një vajzë 15-vjeçare në një fshat të izoluar në Shqipërinë juglindore raportoi në polici se ishte përdhunuar në mënyrë të përsëritur nga fqinji i saj, një burrë rreth të pesëdhjetave.

Pas arrestimit të autorit, policia publikoi një deklaratë për shtyp. Menjëherë pas publikimit të deklaratës në shtëpinë e saj vërshuan gazetarët.

Në harkun e 24 orëve, viktima dhe nëna e saj u intervistuan nga gjashtë media të ndryshme dhe rrëfimet e së miturës u raportuan në 11 edicione informative. Në një përpjekje të çalë për të qenë etikisht korrekt, viktimës i ishin mbuluar vetëm sytë me një fashë të zezë. Shtëpia, rruga, si dhe prindërit e gjyshërit e saj, u filmuan dhe transmetuan në lajme. Intervistat e 15 vjeçares janë parë më shumë se një milion herë në internet.

Kanë kaluar thuajse pesë vjet nga ngjarja, por për viktimën duket se koha ka mbetur në vend. Historia e saj i është kthyer në pengesë për t`u arsimuar, punësuar dhe për të krijuar marrëdhënie personale. Ajo tregoi se ka tentuar dhe vetëvrasjen.

“Mendova se duke folur me gazetarët do të mbroja disi veten nga abuzuesi. Isha e shokuar dhe në gjendje jo të mirë. E kisha mbajtur të fshehur abuzimin për një kohë të gjatë dhe doja vetëm ta bërtisja dhe të kërkoja ndihmë”, tha ajo.

Sot, ajo e përshkruan ekspozimin e saj në media “si të ishte abuzuar për të dytën herë”.

“Të gjithë ata që njihja në shkollë dhe në fshatin tim ishin në gjendje të përfytyronin ngjarjen në detaje dhe në fakt më gjykuan për të. Mendoj se gazetarët përfituan nga fakti se unë isha vetëm një fëmijë dhe nga situata e familjes sime në atë kohë. Ne jemi të varfër dhe babai im nuk është në gjendje të mirë mendore.”

“Ndoshta nëse nuk do ta dinte e gjithë bota, do ta kisha pasur më të lehtë ta kaloja vetë traumën time. Prindërit janë të turpëruar nga unë përpara të gjithë familjes. Asnjë nga xhaxhallarët nuk më flet. Madje, më kanë thënë se mbase unë e kam provokuar abuzuesin.”

Historia e ekspozimit në media dhe riviktimizimi i saj nuk është ngjarje e pazakontë në Shqipëri, ku media shpërfill shpesh rregullat dhe normat në rastet e abuzimit seksual dhe krimeve ndaj të miturve.

Një analizë e BIRN mbi artikujt e publikuar online nga janari 2020 deri në prill 2022 ka evidentuar 320 artikuj mbi abuzimet seksuale, ku identifikohet: viktima, familja, publikohet adresa e shtëpisë ose informacione të tjera personale.

Po kështu, një analizë e raportimeve mbi dhunën në familje, gjatë së njëjtës periudhë, konludoi se 142 artikuj janë përpjekur në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi të justifikojnë dhunën.

Ndërkohë, janë evidentuar 364 artikuj të cilët përmbajnë të dhënat personale të viktimave, si dhe foto ose video të tyre.

Gjatë së njëjtës periudhë, të sipërpërmendur, në televizionet vendase janë transmetuar 32 programe ku përfshihen intervista me fëmijë viktima të abuzimit seksual ose pjesëtar të familjeve të tyre si dhe kanë transmetuar në detaje rastet.

Gazetarja, ekspertja e medias dhe trajnerja Valbona Sulçe u shpreh se bazuar në eksperiencën e saj, gazetarët e dinë se si duhej të trajtoheshin tematika të tilla, por përballen me presionin për të prodhuar lajme sensacionale.

“Sipas trajnimeve të mia me gazetarët, kur i pyes për këtë fenomen, të gjithë thonë: ‘ne dimë  se si të shkruajmë një artikull etik, jo seksist. Por në redaksi jemi nën presion sepse artikujt profesional dhe neutral nuk sjellin klikime’”, tha Sulçe për BIRN.

Të dhëna të bazuara në monitorimin e BIRN të kryer për qëllime të këtij artikulli. Infografik- BIRN – Igor Vujcic.

Kodet etike shpërfillen

Kodi i etik i medias në Shqipëri, i publikuar në vitin 2006 është i qartë kur shkruan: “Media duhet të raportojë me kujdes dhe ndjeshmëri çështjet e krimit dhe të dhunës dhe të trajtojë me maturi identifikimin e viktimave dhe dëshmitarëve të krimit. Në rastet kur ka të bëjë me sulme seksuale, media nuk duhet të identifikojë viktimat përveç rasteve kur japin pëlqimin me vullnetin e tyre..” Dhe kur bëhet fjalë për një të mitur kodi parashikon: “Gazetarët nuk duhet të shfrytëzojnë pafajësinë dhe besimin e fëmijëve dhe mund të publikojnë informacion ose imazhe mbi jetën private të një fëmije vetëm nëse ka një interes publik mbizotërues..”

Në mënyrë të ngjashme,  Kodi i Transmetimit për Mediat Audiovizive parashikon se “Duhet shmangur çdo raportim apo transmetim që çon direkt apo indirekt në identifikimin e çdo fëmije që mund të jetë ose është përfshirë në një ngjarje të rëndë.”

Transmetuesit, sipas rregullores, “nuk duhet të keqpërdorin grupet vulnerabël, por duhet të promovojnë një qasje pozitive ndaj tyre (minoritetet, gratë e dhunuara, personat me aftësi të kufizuara, etj…).

Dr. Silvana Loka,  psikologe me një eksperiencë të gjatë në rastet e abuzimit seksual dhe dhunës në familje, shprehet se qasja përmes së cilës media shqiptare raporton mbi këto ngjarje jo rrallë herë i përkeqëson ato.

“Publikimi i profilit të viktimës shpesh nxit shoqërinë të fajësojë vetë viktimën”, tha Loka për BIRN. “ Identifikimi publik i viktimës jo vetëm i shumëfishon të gjitha reagimet emocionale të tij/saj duke e dëmtuar emocionalisht, por rrezikon riviktimizinin e saj nga të tjerë dhunues potencialë të cilët presin rastin të gjejnë një viktimë të mundshme..”

Në janar 2021, Top Channel, një nga kanalet kryesore televizive në Shqipëri, transmetoi një episod të një programi televiziv të titulluar “Dua të të bëj të lumtur” në të cilin një grua tregoi për abuzimin sistematik që kishte pësuar nga bashkëshorti i saj. Ky i fundit, dhunuesi, u shfaq në studio për të suprizuar dhe për të kërkuar falje. Çifti u pajtua në trasmetim direkt, dhe fenomeni i dhunës dhe abuzimit u relativizua.

Dhe sikur të mos mjaftonin këto, kemi dhe rastet kur media merr përsipër të gjykoje trupat e grave dhe vajzave.

BIRN identifikoi 939 artikuj të botuar midis janarit 2020 dhe prillit 2022  që përmbanin frazat “është e shëndoshë”, “ka shtuar peshë”, “turpëron veten” ose i referohen në formë përçmuese paraqitjes së grave.

“Ka një artikull specifik që mund ta identifikoj, për të cilin kam bërë ankesë në Këshillin e Etikës”, tha Sulçe.

“Lajmi fliste për një deputete shqiptare e cila u kthye në parlament pas shtatzënisë e veshur me rroba të ngushta. Dhe duke përdorur teknikën e turpërimit të fizikut (body shaming), artikulli sugjeronte që deputetja të rikthehej në palestër ose do të duhej të konsultohej me një stilist për veshjet e saj. Duke dhënë kështu mesazhin se parlamenti nuk është vendi ku mund të shfaqen trupat e papërsosur pas shtatzënisë me disa kilogramë më shumë.”

Pasojat janë “reale”

Ilustrimi – Unsplash.com – Mika Baumeister.

Kjo formë raportimesh nuk është fenomen  i ri.

Emiljano Kaziaj, ekspert i medias dhe menaxher programi në IREX, u shpreh se ka punuar dy studime monitoruese të gjuhës së urrejtjes dhe asaj joetike në mediat shqiptare në 2018 dhe 2020.

“Në vitin 2020, u identifikuan 293 artikuj që përmbajnë gjuhë jo etike, duke përfshirë gjuhën e urrejtjes, seksiste dhe përmbajtje diskriminuese”, tha Kaziaj për BIRN.

“Këta lloj artikujsh bullizues dhe turpërues portretizojnë gratë dhe vajzat, steriotipe që lidhen me to dhe realitetet e tyre nga një këndvështrim që është i gabuar”, tha ai. “Së dyti, këto artikuj përforcojnë disa koncepte të gabuara dhe mentalitete demtuese për vajzat dhe gratë.”

Raportimi i vazhdueshem në këtë mënyrë “ka pasoja reale për vajzat dhe gratë në jetën e përditshme”.

“Mënyra se si audienca i sheh vajzat dhe gratë që portretizohen në media, ndikon në mënyrën se si ne i trajtojmë vajzat dhe gratë në familjet, komunitetet, vendet tona të punës, në marrëdhënie personale, etj. Nuk ka dyshim se artikuj të tillë përforcojnë idetë patriarkale në Shqipëri.”

Në tërësi, stereotipizimi gjinor është një dukuri e përhapur në mediat shqiptare; një studim i vitit 2020 i publikuar nga Friedrich Ebert Stiftung evidentoi se televizionet priren të raportojnë “më shumë për gratë si nëna, amvisa ose si bashkëshorte, duke u bazuar tek dukja, bukuria dhe paraqitja e tyre”.

Gratë dhe vajzat portretizohen kryesisht si viktima dhe janë “shumë më pak të pranishme në lajmet politike”, shkruhet në raport. Analiza e kryer nga  BIRN evidenton të njëjtën trajektore; midis 1 dhjetorit 2021 dhe 1 prillit 2022, në gjashtë emisionet kryesore politike në televizionet shqiptare  janë ftuar në panele diskutimi 312 burra dhe vetëm 56 gra.

Kjo prespektive paragjykuese vihet re dhe në mënyrën se si mediat vendase kanë raportuar për vajzat shqiptare që zgjedhin të pushojnë ose të jetojnë e punojnë në vende si Dubai.

Shumë prej artikujve guxojne të aludojnë mbi moralin e vajzave në fjalë. Si në rastin e Adela Kodres, blogere dhe modele shqiptare e cila postonte shpesh në rrjetet sociale foto nga pushimet në Dubai. Postimet e saj u pasuan nga tituj viral në portale si “Modelja shqiptare ‘çmend sheikët’ e Dubait” dhe “Eskortë në Dubai?”

“Jam abuzuar shumë nga mediat online. Fotot e mia janë shfaqur edhe gjatë diskutimeve televizive në një kontekst të shëmtuar”, tha 22-vjeçarja Kodra, modele dhe studente në vitin e tretë të gazetarisë.

“Unë isha me pushime, të cilat i pagova përmes reklamave, klering, por u aludua dhe interpretua nga mediat si imoralitet. Duket sikur kanë një rregull të ri, sipas të cilit nëse shkon në Dubai, u ke dhënë mediave të drejtën të të kategorizojnë në një formë të caktuar.”

Këto artikuj e shtynë Kodrën të hiqte dorë nga rrjetet sociale dhe të ndryshonte karrierë.

“Nuk e di se çfarë bëra gabim, por ndjeva presion të jashtëzakonshëm”, tha ajo për BIRN. “Prindërit e mi janë ende në gjendje shoku. Vendosa të ndryshoj profesion. Është shumë e vështirë për ta përballuar emocionalisht ”, tha Kodra. “Nuk e kuptoj se si mediat kanë  marrë të drejtën për të shkruar çfarë të duan pa u mbështetur në informacione apo fakte.”