Gratë më Prezente në Xhami

Javën e kaluar Thor Halvorssen dhe Pedro Pizano të Fondacionit për të Drejtat e Njeriut (HRF) me seli në New York e përmendën sërish rastin e Manal Al- Sharifit, gruas që rrezikon jetën e saj në Arabinë Saudite vetëm pse vozitë veturë dhe sfidon ndalesën ndaj vozitëseve femra.

Ka diçka që edhe gratë kosovare po shtyjnë përpara, vetëm se ndoshta me më pak rrezik dhe me më shumë sukses. Barazinë fetare.

Këtë e tregon Lavdie Selimi, një grua nga Gjilani, e cila punon si edukatore në Prishtinë. Ajo çdo ditë e falë namazin e drekës në kryeqendrën e Kosovës.

Të enjten, rreth orës 13, ajo gjendej në xhaminë te “Bregu i Diellit”. “Xhamia është afër punës sime dhe ka kushte shumë të mira”, tha ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Përveç se ka hapësirë të veçantë ku gratë mund të kryejnë lutjet fetare, aty ka edhe hapësirë ku ato marrin abdes (procedura e pastrimit para faljes).

“Vij këtu se shumë pak xhami tjera në Prishtinë kanë hapësirë ku femrat mund të marrim abdes”, thotë Lavdia.

foto  
Lavdie Selimi merr abdes në xhaminë te Bregu i Diellit  

 

Xhamitë tjera në Prishtinë me hapësirë abdesi të ndarë për gratë gjenden vetëm edhe në lagjen e “Muhaxherëve”, te “Katër Llulat”, “Zenel Hajdini” dhe te “Bunari i Hajratit”.

Fadil Sogojeva, imam në  xhaminë te “Bregu i Diellit”, tregon se ajo i ka të gjitha kushtet dhe hapësirat e veçanta për femrat. “Gratë mund të marrin abdes ndaras, e kanë sallën e ndarë për faljen e namazit si dhe hapësirat për fëmijët”, tha Sogojeva.

Imami i xhamisë në lagjen e “Muhaxherëve”, Baki Imeri, tregon se kjo xhami është ndërtuar në vitin 2007 me të gjitha kushtet si për meshkujt që falen, ashtu edhe për femrat.

“Femrat në këtë xhami e kanë hyrjen e veçantë si dhe hapësirën e veçantë për marrjen e abdesit”, tha Imeri. “Ato në xhami vijnë më shumë gjatë kohës së Ramazanit, ndryshe në ditët tjera vijnë shumë më rrallë”.

Shumë nga gratë e tjera myslimane, të cilat jetojnë larg këtyre xhamive, duhet ta bëjnë abdesin në shtëpi të tyre, e pastaj të shkojnë për faljen e namazit në xhamitë më të afërta që i kanë.

Vaxhide Podvorica, kryesuese e Departamentit për Gra në kuadër Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), thotë se nëpër xhamitë kosovare, e në veçanti në xhamitë e Prishtinës, hapësirat për abdes nuk gjenden në masën e duhur.

“Unë personalisht abdesin e bëj në shtëpi, vendin e punës si dhe në xhamitë të cilat e ofrojnë këtë mundësi”, tha Podvorica për Gazetën JnK.

Podvorica thotë se këtë temë e ka shtruar edhe në BIK. “Kjo problematikë ka kohë që shtrohet  edhe në BIK, sidomos pas çlirimit të  Kosovës kur gratë myslimane gjithashtu kanë rikthyer prezencën dhe dukshmërinë e tyre nëpër xhami”, tha Podvorica.

foto  
Hyrja për gra e xhamisë te “Bunari i Hajratit”  

 

Qyteti i Prishtinës, i cili sipas regjistrimeve të fundit ka rreth 100 e 80 mijë  banorë, i ka gjithsej 25 xhami, ndërsa dy tjera janë në ndërtim e sipër.

Kryesuesja e Departamentit te Grave, tregon se në  BIK thonë “që numri i këtyre xhamive është  i vogël, se vetë xhamitë janë të vogla, dhe se mendohet që me shtimin e numrit të xhamive më të mëdha grave do t`u mundësohen hapësira adekuate”.

Bahri Sejdiu, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) dhe përgjegjës për xhamitë e Prishtinës, thotë se xhamitë me hapësira të veçanta edhe për gratë janë të reja dhe janë ndërtuar pas luftës.

“Në xhamitë e vjetra, ne nuk mundemi të ndërhyjmë dhe t’i rregullojmë ngase janë të mbrojtura nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore”, tha Sejdiu.

Përpos hapësirave të abdeseve, gratë thonë se mungesa ndjehet edhe për ligjërata dhe trajtime të duhura për mësimin e besimit, biblioteka dhe hapësira për fëmijë .

Bahri Sejdiu, kryetari i Këshillit të BIK-ut, thotë se tash ka filluar ndërtimi i Qendrës Kulturore për gratë, në të cilën ato sërish do të kenë hapësirë të veçantë. “Në Qendrën Kulturore të Grave, ato do të kenë kurse për mësimin e gjuhëve të huaja dhe kompjuterit, hapësira të cilat nuk kanë ekzistuar më herët”, tha Sejdiu.

Por gratë thonë se çështja e abdesit është larg më kryesorja. Vaxhide Podvorica thotë se gratë veç i kanë bërë tashmë sugjerime me shkrim Kryesisë së BIK-ut. Ato presin që me ndërtimin e xhamisë së madhe e të re në qendër të Prishtinës edhe ato të kenë hapësirën e tyre të abdesit dhe namazit.