Pajisja e rrobaqepësisë e cila iu dha një gruaje pas trajnimit dhe avancimit, Foto: KALLXO.com/ 2020

Gratë e rikthyera nga Siria dhe Iraku  nisin të shesin produktet e tyre

Deri në vitin 2019 të burgosurit në Kosovë ndiqnin vetëm disa programe të ngushta të trajnimit të cilat i aftësonin ata për ndërtimtari dhe bujqësi.

Në vitin 2019 Kosova vendosi t’i riatdhesoj nga zonat e luftës në Siri dhe Irak një grup prej mbi 100 personash. Në mesin e tyre dhjetëra gra dhe fëmijë.

Resurset e vendit nuk garantonin që gratë dhe të rikthyerit e tjerë të nisnin të integroheshin në shoqëri. Për ta adresuar këtë sfidë në divizionin për ri-integrim të MPB-së u ndërtua një program edukimi dhe përkrahje sistematike për gratë e rikthyera.

Programi kishte për synim edukimin e grave dhe të rikthyerve për të kryer punë të caktuara e po ashtu përkrahja e bizneseve të tyre me mjete financiare.

Sipas MPB-së 11 nga 32 gratë që janë rikthyer nga zonat e konfliktit janë vetë-punësuar ndërsa njëra ka filluar punën në një kompani të rrobaqepësisë.

Vetëpunësimi i tyre është kryer kryesisht në biznese tradicionale familjare si qepja e rrobave shitja e mjaltit dhe qumështit.

Ganimete Gërbovci, e cila drejton Divizionin për Ri- integrim në MPB, në një bisedë me KALLXO.com ka thënë se për gratë që aktualisht janë duke fituar të ardhura financiare pas rikthimit ishte hartuar një plan i trajnimeve të ndryshme për to.

“Të gjitha gratë të cilat janë duke punuar në fushën e rrobaqepësisë kanë përfunduar 2 nivele profesionale të kursit të rrobaqepësisë ku më pastaj ato kanë pranuar makina profesionale”- thotë Gërbovci.

Për këtë KALLXO.com pati shkruar muaj më parë.

Gratë e rikthyera sipas Gërbovcit janë të fokusuara në shitje online aktualisht ndërsa programet të cilat ato kanë qenë të interesuara t’i ndjekin ishin kryesisht rrobaqepësi dhe gastronomi.

Në trajnimin dhe aftësimin e grave që aktualisht janë duke punuar në formë online duke shitur produkte qumështi, mjalti por edhe rroba, kanë ndihmuar edhe disa organizata të cilat funksionojnë në Kosovë.

Një nga to është edhe Fondi për zhvillimin e komunitetit- Community Development Fund (CDF).

Ani pse në fillim konsiderohej si sfidë ri- integrimi i grave të rikthyera në Kosovë, Rebeka Qena pjesë e CDF thotë se të njëjtat kanë qenë të hapura për bashkëpunim në lidhje me aftësimin e tyre.

“Ofrimi i aftësimit profesional ka ardhur në periudhë të duhur për to, atëherë kur një lloj përshtatjeje në rrethanat e reja edhe ka përfunduar dhe u është ofruar një mundësi e mirë për të zgjeruar njohuritë e tyre individuale, që do ti çojë drejt punësimit”- thotë Qena për KALLXO.com.

Përveç avancimit të grave në aspektin e tyre financiar, Qena thotë se ka pasur interesim nga ana e tyre edhe për mësim nxënie në mënyrë që të njëjtat të zhvillojnë një komunikim të shëndoshë me fëmijët e tyre.

Qena tregon se aktivitetet në të cilat kanë përfituar njohuri gratë e rikthyera janë trajnimet prindërore dhe ato profesionale.

“Më konkretisht gratë kanë vijuar kurse, sipas përzgjedhjes së tyre, kurse të aftësimit profesional me ç’ rast 20 gra kanë përfunduar me sukses trajnimet e rrobaqepësisë (2 nivele)”- shpjegon Qena procesin.

Pas këtyre trajnimeve gratë kanë përfituar përmes granteve edhe pajisje me të cilat sot arrijnë të fitojnë të ardhura financiare për veten dhe fëmijët e tyre.

Në total nga fondi për zhvillimin e komunitetit janë dhënë 42 grante.

“Grantet megjithatë nuk janë ndarë vetëm për përfitueset e kurseve dhe nuk janë siguruar vetëm pajisje për rrobaqepësi. Kësisoj janë mbështetur ndërmarrësi të ndryshme të vogla; bletari, ferma të pulave, pajisje për prodhim vejrash por gjithsesi edhe makina rrobaqepësie, hekur hekurosjeje dhe pajisje të tjera për të mundësuar punësimin e rregullt dhe përfitim më të gjerë të të gjithë komunitetit”- shton Qena për KALLXO.com.

Angazhimi, trajnimi, avancimi i grave të rikthyera nga zonat e konfliktit për në Kosovë, sipas Qenës ka ndihmuar këto gra që të tejkalojnë traumat e përjetuara prej nga kanë ardhur si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së tyre.

“Aktivitetet e tilla janë të domosdoshme për tejkalim të traumave të përjetuara, për forcim të identitetit, për reflektim dhe për rritje të vet qëndrueshmërisë së individëve. Një individ I fuqishëm, që jen mbështetje në shoqëri ku jeton e ndjen edhe përkatësinë dhe mund të kontribuojë në zhvillim pozitiv edhe tek individët që ka përreth”- thotë Qena.

Ri- integrimi i grave dhe të tjerëve që janë rikthyer nga zonat e konfliktit sipas Qenës duhet të vazhdojë tutje.

Kjo duke ndihmuar të njëjtit që të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme të cilat ndihmon ato të krijojnë një jetë sa më të mirë në Kosovë.

E ajo liston disa prej punëve të cilat duhet të bëhen tutje për vazhdimin e ri- integrimit të të rikthyerve në Kosovë.

“Investimi në shkollim cilësor është i domosdoshëm për të gjitha shoqëritë, por veçanërisht për shoqëritë që janë ende në tranzicion. Mendimi kritik, aktivitetet e shumta sportive e kulturore duhet të ofrohen për fëmijë. Krijimi I mundësive për trajnime, për zanate e për punësim duhet të jetë një prej prioriteteve ndërkohë që duhet të punohet në thyerjen e stereotipave që mbizotërojnë në kulturën tonë”,- përfundon Qena.

KALLXO.com që nga rikthimi i mbi 100 kosovarëve nga luftërat në Siri e Irak ka raportuar në vazhdimësi për ri- integrimin e tyre në shoqëri.

Sfidat dhe mangësitë në nivel lokal e qendror kanë qenë pika kryesore të raportimit të KALLXO.com në mënyrë që institucionet të punojnë për të rregulluar dhe adresuar problemet në mënyrë që ri- integrimi i të rikthyerve të funksiononte.