Gratë e Fushë Kosovës Ekspozojnë Punimet e Dorës

Elife Berisha, 19 vjeçe jeton në Fushë Kosovë dhe nuk është e punësuar dhe nuk ka vazhduar shkollimin pas përfundimit të shkollës së mesme. 

Berisha i është bashkëngjitur OJQ-së, “Lëvizja Rinore e Komuniteteve”, LRK, e themeluar në shkurt të këtij viti nga një grup të rinjsh të Fushë Kosovës.

Ajo në këtë lëvizje ka mësuar shumë gjëra. Njëra ndër to janë edhe punimet e dorës siç janë tjerrja e xhemperëve, kapelave, jelekëve tradicional me fije të arit, e shumë të tjera.  

“Ka qenë hera e parë që kam marrë ndonjë gjë për të punuar sepse nuk kam ditë dhe kam pas mundësi që të mësojë. Ato punëdore të cilat i kam bërë i kam parë edhe në ekspozitë, ka qenë shumë mirë, më ka pëlqyer e gjithë puna”, tha Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

LRK ka ftuar të gjitha gratë dhe vajzat e reja të komunitetit në Fushë Kosovë që të jenë pjesë e ekspozitës, e cila ishte ndihmuar nga UNICEF Innovations Lab Kosovo dhe Terre des Hommes. 

Ekspozita është pjesë e projektit “Youth Micro-Project” të UNICEF-it dhe ka për qëllim promovimin e punës dhe talentit të vajzave dhe grave nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Zyrtarë nga komuna dhe policia e Fushë Kosovës kanë vizituar ekspozitën.

Materiali të cilin e kishin përdorur vajzat është punuar nga tjerri, kllapodani (fije të arit) dhe rruazat. Ato u shpërblyen me punën e tyre dhe LRK-ja ndau mirënjohje për ato.

Gjatë ekspozitës është parë edhe Laila Omar Gadit, shefe e re e zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe e cila ishte shumë e kënaqur me punën e të rinjve të Fushë Kosovës.

“Vazhdoni të punoni sepse ju keni kapacitete, dhe e ardhmja juaj është në duar të juaja. Këto gra dhe vajza kanë talent të bukur”, tha Gadit.

“Edhe pse jemi komunitet pakicë në Republikën e Kosovës, nuk na mungon kultura dhe tradita. Jemi komuniteti i cili mundë të organizoj aktivitete dhe ti promovojmë ato siç ishte ekspozita”, tha Ibrahim Qerimi, drejtor i LRK-së.

Organizata e re, LRK ka organizuar kuisin e diturisë dhe sportit në maj dhe po ashtu ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme, siç është shkolla verore në Shqipëri e organizuar nga SOROS.