Granatë në Veturën e Drejtuesve të Graçanicës

Policia e Kosovës ka larguar një granatë dore, që ishte vendosur në pjesën e pasme të veturës zyrtare “Shkoda Octavia”, të nënkryetarit të Graçanicës, Igor Aritonoviq. Edhe vetura e kryetarit Bojan Stojanoviq ishte e parkuar pranë veturës së nënkryetarit, para një lokali në Graçanicë, ku krerët e kësaj komune kishin organizuar pritjen e Vitit të Ri, të hënën në mbrëmje.

Sulmi është quajtur tentim-atentat nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), anëtar i të cilit është dhe kryetari Stojanoviq.

Kryetari i Graçanicës, Bojan Stojanoviq i ka thënë Radio KIM, se “diçka e dyshimtë” në veturë është lajmëruar nga punëtori i sigurimit të një lokali në Graçanicë, ku po festonin ndërrimin e motmoteve.

“Dy të rinj i kishin thënë punëtorit të sigurimi të lokalit se kanë vërejtur një mjet të dyshimtë në detyrën e zëvendësit tim. Kemi reaguar menjëherë dhe e kemi thirrur policinë, e cila me shpejtësi ka intervenuar dhe e ka hequr mjetet shpërthyes. Më pas ata i kanë kontrolluar të gjitha veturat tjerat në afërsi”, ka thënë Stojanoviqi.

Ai ka thënë tash sa muaj ndaj drejtuesve të Komunës së Graçanisës, po zhvillohet “persekutim i gjerë”, por nuk ka dhënë detaje se nga kush.

“Ne do t’i ofrojmë policisë gjithçka që kemi rreth dyshimeve. Ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë tash. Nuk është mirë të ngrihen tensione që do të shkojnë në dëm të situatës politike dhe nuk ia vlen që dikush ta paguajë me kokë, vetëm pse merret me zgjidhjen e problemeve praktike të qytetarëve”, ka thënë Stojanoviq.

Komandanti i stacionit të Policisë në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq ka thënë se njësiti special i Policisë së Kosovës ka larguar një garantë dore nga vetura zyrtare e nënkryetarit të Komunës së Graçanicës.

Deri më tash nuk ka të dyshuar, ndërsa rasti është kualifikuar nga policia si “shkaktim i rrezikut të gjerë”.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ndaj, siç e ka cilësuar, tentim-atentatit kundër kryetarit të Komunës së Graçanicës.

Asociacioni vlerëson se tentim atentatit ndaj kryetarit të komunës, të zgjedhur nga qytetarët, është akti i ultë dhe kundër rendit dhe rregullit kushtetues e institucional në këtë komunë por edhe më gjerë.

“Komunat e Kosovës me këtë rast vlerësojnë se janë të destinuara për dështim tentimet për të destabilizuar situatën e qetë politike në këtë komunë, por udhëheqja e dalë nga vullneti i qytetarëve duhet të vazhdojë punën e deritashme në zgjidhjen e problemeve praktike dhe të përditshme të komunës së Graçanicës”,  thuhet në reagimin për media.

Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga organet e rendit që sa më parë aktorët e këtij akti të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar në mënyrë që rendi dhe ligji të funksionojnë për të gjithë dhe pa asnjë dallime

AKK-ja me këtë rast inkurajon kryetarin që të vazhdojë punën e deritashme.