Kujtim Gashi

Gjysmë milion euro subvencione të paarsyetuara në Ministrinë e Kulturës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një varg parregullsish në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në katër vitet e fundit duke i dhënë gjithsej 88 rekomandime.

Mos arsyetimi i subvencioneve nga OJQ-të është një parregullsi e cila është evidentuar në çdo raport nga Zyra Kombëtare e Auditimit në katër vitet e fundit në MKRS. Në total, në 2016, 2017, 2018 dhe 2019, Auditori ka gjetur 554,294 mijë euro subvencione të paarsyetuara nga OJQ-të.

Auditori ka gjetur se gjatë katër vitet e fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte nënshkruar 383 kontrata mbi vepër. Në tri vitet e fundit, numri i personave të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta vazhdimisht ka qenë mbi 100.

Parregullsitë në shlyerjen e borxheve nga MKRS kanë qenë evidente. Borxhi i MKRS-së është rritur vazhdimisht, nga 2.1 milionë euro sa ishte në vitin 2016 në 3.8 milionë euro në vitin 2019.

Edhe në fushën e prokurimit shkeljet dhe parregullsitë kanë qenë prezente në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në çdo raport të auditimit në ZKA në katër vitet e fundit.

Nga 88 rekomandimet që ka marrë MKRS në katër vitet e fundit, më së shumti rekomandime kjo ministri ka marrë në vitin 2017, gjithsej 30, ndërsa më së paku rekomandime ka marrë në vitin 2019, në total, 16 të tilla. Në vitin 2018, MKRS kishte pranuar 20 rekomandime ndërsa në vitin 2016, 22 rekomandime.

Prej 20 rekomandimeve që ka marrë në vitin 2018, në vitin 2019 MKRS nuk i ka zbatuar më shumë se gjysmën e tyre, 13 gjithsej. 5 prej tyre i ka zbatuar ndërsa 2 i ka zbatuar pjesërisht.

Ndryshe ka ndodhur në vitin 2017, prej 30 rekomandimeve që kishte marrë nga Auditori, MKRS kishte zbatuar më shumë se gjysmën e rekomandimeve, 16 gjithsej, 4 rekomandime ishin përsëritur, 7 të tjera i ka zbatuar pjesërisht dhe 3 rekomandime janë mbyllur.

Edhe sa i përket rekomandimeve që i kishte marrë në vitin 2016, në vitin 2017 kishte zbatueshmëri të vogël. Vetëm 6 rekomandime ishin zbatuar nga MKRS, 15 nuk ishin zbatuar dhe një rekomandim ishte në proces të zbatimit.

Në katër vitet e fundit MKRS ka marrë tri opinione të ndryshme. Në vitin 2016 dhe 2018, kjo ministri ka marrë opinion të kualifikuar me theksim të çështjes, në vitin 2017 ka marrë opinion të kundërt me theksim të çështjes kurse në vitin 2019, Auditori i ka dhënë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes.

Mbi 550 mijë euro subvencione të paarsyetuara nga OJQ-të

Mos arsyetimi i subvencioneve nga OJQ-të është një parregullsi e cila është evidentuar në çdo raport nga Zyra Kombëtare e Auditimit në katër vitet e fundit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Subvencionet e pa arsyetuara nga OJQ-të janë rritur vazhdimisht nga viti 2016 deri në vitin 2019. Në total, në 2016, 2017, 2018 dhe 2019, Auditori ka gjetur 554,294 mijë euro subvencione të paarsyetuara nga OJQ-të.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se OJQ-të nuk kanë arsyetuar shumën prej 247,350 euro të cilat i kanë marrë nga MKRS-ja si mbështetje për realizimin e aktiviteteve të tyre në vitin 2019. Auditori ka evidentuar se në 15 raste, në shumë totale prej 247,350 euro, nuk ishin dorëzuar raporte për arsyetimin e shpenzimeve, edhe pse aktivitetet e subvencionuara sipas marrëveshjeve duhej të kishin përfunduar kohë më parë.

Në vitin 2018, sipas Auditorit shuma e përgjithshme e subvencioneve të paarsyetuara nga OJQ-të përfituese ishte 153,864 euro. Në 2017 Auditori kishte gjetur se 15 raste me vlerë 124,345 euro, subvencionet nuk ishin arsyetuar edhe pse aktivitetet e subvencionuara kishin kohë që kishin përfunduar. Ministria e Kulturës e kishte mbështetur sfilatën e modës “Koleksioni Dardania” të organizuar në verën e vitit 2017 në vlerë prej 6 mijë euro.

Sfilata “Koleksioni Dardania” është mbajtur nga Blerina Kllokoqi – Rugova, e cila është bashkëshortja e Mendimit, djalit të presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Kjo sfilatë mode është mbështetur nga MKRS me arsyetimin se “projekti ka rëndësi për promovimin kulturor të vendit” ndërsa Auditori ka shkruar se ky është aktivitet me karakter biznesi.

Kurse në vitin 2016, Auditori kishte evidentuar se në 10 raste me vlerë 28,735 euro, subvencionet e dhëna nga ministria nuk janë arsyetuar.

“Ministri duhet të sigurojë se të gjitha projektet e subvencionuara të Organizatave Jo Qeveritare (OJQ) arsyetohen në kohën e paraparë dhe me dokumentet mbështetëse valide të parapara me rregulloren e brendshme të subvencioneve dhe transfereve. Në rastet e mos arsyetimit të subvencioneve të ndërmerren veprimet ligjore, siç parashihet me kontratat përkatëse”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2019.

380 të punësuar me kontrata mbi vepër në tri vitet e fundit

Auditori ka gjetur se në katër vitet e fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka punësuar 383 persona me kontrata mbi vepër.

Në raportin e auditimit të vitit 2019 thuhet se në MKRS janë evidentuar 147 punëtorë me marrëveshjeve për shërbime të veçanta apo siç njihen kontrata mbi vepër. Më tej në raport thuhet se në fund të vitit 2019 numri i të punësuarve me kontrata mbi vepër kishte rënë në 75 persona.

37 zyrtarë të angazhuar me kontrata mbi vepër, prej tyre 16 në MKRS, 1 në Baletin Kombëtar të Kosovës dhe 20 në Akademinë e Shkenca dhe Arteve të Kosovës. Auditori ka potencuar se në vitet paraprake për të njëjtit nuk ishte zbatuar ndonjë procedurë rekrutimi, ndërsa gjatë vitit 2019 u ishte vazhduar kontrata vetëm  me vendim. Ndërkaq 101 zyrtarë të angazhuar me kontrata mbi vepër kishin vazhduar nga vitet paraprake, vetëm se gjatë vitit 2018-2019 i janë nënshtruar procedurës së thjeshtësuar të rekrutimit.

“Ministri duhet të sigurojë se janë marrë masa për të ndërprerë praktikën e lidhjes së kontratave pa procedura të rekrutimit dhe kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës. Në rast se ka nevojë për të punësuar shtesë në Ministri (pozita të rregullta), të sigurojë se në buxhetin e viteve në vijim në kategorinë paga dhe mëditje përfshihen pagat e të gjithë të punësuarve të nevojshëm, duke kaluar përmes sistemit të pagave”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2019.

Në vitin 2018 MKSR kishte angazhuar 129 zyrtarë me kontrata mbi vepër. Në  43 raste, Ministria nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të rekrutimit sipas kërkesave ligjore, kurse 86 zyrtarë të angazhuar me kontrata mbi vepër kishin vazhduar nga vitet paraprake.

Edhe në vitin 2017, numri i personave të angazhuar me kontrata mbi vepër ka qenë mbi 100. Auditori ka gjetur se në vitin 2017, MKRS kishte angazhuar 104 persona me kontrata mbi vepër. Sipas Auditorit 14 prej tyre janë marrë pa procedura të rekrutimit. Kurse në vitin 2016, Auditori kishte gjetur 3 dosje të personelit të angazhuar me kontrata mbi vepër, vërejtëm se të angazhuarit ishin pranuar pa procedura të rekrutimit, ndërsa për 2 nga ta nuk kishte as kërkesë nga departamentet përkatëse.

Rritja e vazhdueshme e borxheve

Parregullsitë në shlyerjen e borxheve nga MKRS kanë qenë evidente vazhdimisht në katër vitet e fundit. Përveç kësaj, borxhi i MKRS-së është rritur vazhdimisht, nga 2,146,345 euro sa ishte në vitin 2016 në 3,814,475 euro në vitin 2019. Sipas Auditorit, obligimet papaguara nga MKRS janë bartur nga viti në vit për katër vitet e fundit.

Në raportin e vitit 2019, Auditori ka gjetur se vlera e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve ishte 3,814,475 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2020. Arsye e mos shlyerjes së këtyre obligimeve, sipas Auditorit janë: pranimi i disa faturave me vonesë, mos kompletimi i dokumentacionit për pagesë e neglizhenca e zyrtarëve, etj.

Në 7 raste faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë totale 651,002 euro, MKRS i kishte paguar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditësh. Vonesat sillen nga 32 deri në 493 ditë. Po ashtu, vlera e obligimeve të papaguara në fund të vitit 2019 të cilat kishin kaluar afatin ligjor prej 30 ditësh ishte 1,328,209 euro. Ndërsa në 13 raste faturat në vlerë 489,161 euro me rastin e pranimit nuk ishin protokolluar. Si rezultat i kësaj MKRS ka paguar edhe dënime shtesë për shkak të vonesave në shlyerjen e obligimeve.

Kështu sipas Auditorit, gjatë periudhës janar – korrik 2019, nga Thesari janë ekzekutuar gjashtë pagesa në vlerë 281,524 euro. Me këtë rast MKRS ka paguar 12,245 euro si shpenzime shtesë për procedurë gjyqësore, përmbarimore dhe interes.

“Ministri duhet të sigurojë vendosjen e një sistemi efektiv në të cilin të gjitha faturat e papaguara protokolohen dhe evidentohen si dhe procedohen me kohë për pagesë në mënyrë që vlera e obligimeve të papaguara në fund të vitit (përveç atyre që janë afat) të evitohet”, thuhet në rekomandimit të Auditorit.

Edhe gjatë 2018 vitit MKRS kishte vonuar shlyerjen e obligimeve financiare. Pasqyra e obligimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2018 ishte 3,084,380 euro. Këto obligime ishin bartur për t’u paguar në vitin 2019.

Në raportin e vitit 2018, Auditori kishte konstatuar se MKRS nuk ka zbatuar procedurat e kontrollit të brendshëm me rastin e pranimit të faturave, ngase faturat e pranuara nuk janë protokolluara dhe nuk janë evidentuar në librin e faturave, në disa raste edhe nuk janë raportuar në PVF për 2018 si obligime të papaguara.

Kështu nga 46 mostrat e testuara nga Auditori për faturat e paguara në vitin 2019, në periudhën janar-shkurt, të cilat ishin obligime të vitit 2018, Auditori ka konstatuar se 21 fatura në vlerë totale prej 10,814 euro nuk ishin të shpalosura në pasqyrat financiare vjetore të vitit 2018 si obligimeve të papaguara.

Kurse në 25 raste, faturat apo obligimet ndaj furnitorëve në vlerë totale 433,724 euro ishin paguar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditësh. Vonesat shkonin nga 5 deri në 420 ditë.

Edhe në vitin 2017 MKRS përveç se e kishte vonuar shlyerjen e obligimit, detyrimet e papaguara nuk i kishte evidentuar në pasqyrat vjetore financiare në vitin 2017. Sipas ZKA-së obligimet e papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2017 ishte 2,262,000 euro. Edhe këto obligime ishin bartur për t’u paguar në vitin 2018.

Nga faturat e paguara në vitin 2018, të periudhës janar – mars, të cilat ishin obligime të vitit 2017, Auditori ka konstatuar se 35 fatura në vlerë totale prej 80,598 euro, të paguara gjatë viti 2018 nuk ishin të prezantuara në raportin e obligimeve të viti 2017.

“Kishte tejkalim të afatit ligjor (30 ditë) për pagesën e obligimeve të prezantuara në PFV, vonesa që variojnë nga 2 deri në 591 ditë vonesë”, thuhet në raportin e auditimit.

Një problem të tillë MKRS e kishe pasur edhe gjatë vitit 2016. Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2016 ishte 2,146,345 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2017.

Në vitin 2016 në 2 raste kur pagesa për fatura me vlerë 3,471 euro të tilla ishin ekzekutuar direkt nga thesari. Po ashtu obligimet e shpalosura në pasqyrat financiare vjetore nuk ishin të plota.

Shkeljet në prokurim 

Shkeljet dhe parregullsitë në prokurim kanë qenë prezente në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në çdo raport të auditimit në ZKA në katër vitet e fundit. Në vitin 2019 Auditori ka gjetur parregullsi në disa marrëveshje të lidhura me kompani duke mos respektuar ligjet në fuqi dhe ka evidentuar vonesa në realizimin e punimeve.

Sipas Auditorit, MKRS më 7 mars 2019 kishte nënshkruar kontratë me një kompani turke, për Studimin e Fizibilitetit për Stadiumin Kombëtar të Futbollit në Drenas në vlerë 1,440,000 euro, përderisa kjo kompani nuk kishte përcaktuar ndonjë përfaqësues fiskal në Republikën e Kosovës dhe në kundërshtim me ligjin për ATK-në. Auditori gjatë vitit 2019 i kishte paguar shumën prej 864 mijë euro dhe në çmim nuk ishte përfshirë edhe TVSh-ja. Në raport është potencuar se MKRS, kësaj kompanie kishte kryer pagesën e paradhënies në vlerë prej 432 mijë euro apo 30% pa aprovim të Qeverisë dhe pa garancion të performancës.

“Ministri duhet të sigurojë se para realizimit të kontratës të kërkohet nga kompania ndërkombëtare që të themeloj përfaqësuesin fiskal në Kosovë, për të marrë siguri se kompania po i përmbush obligimet ligjore ndaj ATK-së. Më tej, për rastin konkret të kërkojë nga kompania fituese ndryshim të kontratës për t’i përmbushur kërkesat ligjore të ATK-së”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Po ashtu, në vitin 2019 Auditori ka gjetur se shpenzimi i mjeteve në vlerë prej 410 mijë euro të cilat ishin ndarë për gjashtë projekte të Institutit Arkeologjik të Kosovës, ishin bërë në kundërshtim më legjislacionin për shkak se angazhimit të stafit pa ndonjë procedurë të caktuar të rekrutimit. Ndërsa kontratat e tyre ishin nënshkruar pas përfundimit të punëve.

Edhe në 2018 Auditori ka gjetur parregullsi te investimet kapitale të MKRS-së. Në kontratën për ndërtimin e palestrës sportive në Komunën e Deçanit – faza e tretë në vlerë 549,865 euro, MKRS, sipas Auditorit kishte kryer pagesën e paradhënies në vlerë prej 82,479 euro apo 15%, operatorit ekonomik pa sjellë garancionin e performancës. Ndërkaq Auditori ka gjetur që edhe këtë vit kishte vonesat në përfundimin e projekteve kapitale.

Në raportin e vitit 2017 Auditori gjeti se MKRS në kuadër të kontratës bazë në vlerë prej 3,843,715 euro, “Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Prishtinë”, kishte lidhur një aneks kontratë për punë shtesë në vlerë prej 381,088 euro. Ndërkaq për ta bërë gati këtë stadium për ndeshje ndërkombëtare MKRS ka lidhur  kontratë me procedura të negociuara pa publikim të kontratës, në vlerë 4,471,928 euro.

Në vitin 2016, Auditori gjeti mospërfillje të procedurave të prokurimit. Sipas Ligjit mbi prokurimin publik, zyrtari i prokurimit është i vetmi person i autorizuar për të nënshkruar një kontratë publike në emër të autoritetit kontraktues.

Auditori ka vërejtur se ministria kishte nënshkruar kontratë për shërbime të telefonisë mobile, me operatorin ekonomik Ipko, pa aplikuar procedura të mirëfillta të prokurimit.

Në vend të kësaj Sekretari i Përgjithshëm kishte autorizuar udhëheqësin e Departamentit të Financave dhe shërbimeve të përbashkëta, për të nënshkruar kontratën për këto shërbime, pas vlerësimit të ofertave të bërë nga një komision ad-hoc i caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm.

“Ministri duhet të sigurojë një rishikim në lidhje me rastin në fjalë, për të vlerësuar ligjshmërinë e marrëveshjes si dhe për të vlerësuar nëse shërbimet e kontraktuara janë ekonomike dhe sigurojnë vlerën për paranë e shpenzuar”, thuhej në rekomandimin e Auditorit në vitin 2016.

Ministria pagoi 31 ish-pjesëtarë të strukturave paralele pa ditur çfarë bëjnë

Në dy vitet e fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paguar 31 ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes civile” apo ish-pjesëtarë të strukturave paralele.

ZKA ka konstatuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paguar 31 pjesëtarë  të “Mbrojtës civile”, pa ofruar ndonjë dëshmi rreth vijueshmërisë në punë apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2019.

Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2019 për këta pjesëtarë ishin 150,789 euro. Angazhimi i ish-pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile” ishte bërë duke u bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të datës 26 mars 2015 dhe në vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 22 korrik 2015.

Auditori konstaton se pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, shkakton dëmtim të buxhetit sipas vlerës së shpenzimit, njëkohësisht mos arritje të objektivave të përcaktuara në marrëveshje dhe mos integrim të këtij komunitetit në sistemin aktual.

“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore. Në të kundërtën, këtë problem ta adresoj edhe në Qeveri, duke qenë se problemi si i tillë, po përsëritet për vite me radhë dhe asnjë masë drejt zgjidhjes nuk është ndërmarrë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Situatë e njëjtë me ish-pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” ishte edhe në vitin 2018, gjithnjë duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Qeverisë 31 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’ ishin caktuar në departamente të ndryshme të MKRS-së në veri të vendit. Por, shpenzimet e pagave për këtë strukturë gjatë vitit 2018 ishin 163,363 euro.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!