Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjyqtari i Kushtetueses përplas politikanët serbë

Radomir Llaban, i cili aktualisht është gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është bërë “mollë sherri” ndërmjet Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve të Kosovës, dhe njërit prej ish-anëtarëve dhe themeluesve të këtij subjekti politik, Branimir Stojanoviqit, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës.

Stojanoviq tashmë ka vendosur që në zgjedhjet lokale të17 tetorit në Kosovë, të kandidojë si i pavarur për kryetar të Graçanicës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, në afërsi të Prishtinës, për shkak të pakënaqësisë ndaj vendimit të Listës Serbe që për kryetare të Komunës së Graçanicës të kandidojë Lilana Shubariq.

Branimir Stojanoviq pretendon që kandidati i Listës Serbe për kryetar të Graçanicës ishte përcaktuar nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban.

Pretendimet e Stojanoviqit janë hedhur poshtë nga Lista Serbe.

Kush është Radomir Llaban?

Radomir Llaban u bë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në gusht të vitit 2018, pas emërimit nga Kuvendi i Kosovës në maj të po atij viti. Asokohe, ai ishte një nga kandidatët me numrin më të madh të pikëve dhe kishte mbështetjen e Listës Serbe. Pak para emërimit të Radomir Llabanit në postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi kërkoi verifikim shtesë për shkak të së kaluarës së tij të dyshimtë, por në fund ai u zgjodh gjyqtar për një mandat nëntëvjeçar.

Llaban gjendet në Kosovë që nga viti 2011, pasi kishte ikur nga Serbia, ku ishte dënuar me gjashtë vjet burg, për shkak se ishte pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore”, një grup i të dyshuarve për pranimin dhe dhënien e ryshfetit, shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve.

Llaban është mbajtur në paraburgim në Serbi që nga nëntori 2006 deri në prill 2009.

Gjykata Themelore në Kralevë më 19 gusht 2021 ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Radomir Llaban është ende nën urdhërarrestin e Serbisë, si dhe nën urdhërarrestin e INTERPOL-it, për ikje nga vuajtja e dënimit me burg për krimin e pranimit të ryshfetit.

Stojanoviq: Llaban në krye të grupimit brenda Listës Serbe

Çështja lidhur me të kaluarën e dyshimtë të gjyqtarit Llaban është aktualizuar sërish pasi që ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq e ka akuzuar se ai po përzihet në politikën e Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Stojanoviq, ish-anëtar i Listës Serbe dhe një nga themeluesit e këtij subjekti politik, më 16 gusht, në një konferencë për gazetarë, pasi që e kishte dorëzuar kandidaturën e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë se Llaban është ai që ka përcaktuar që Lilana Shubariq të jetë kandidate e Listës Serbe për kryetare të Komunës së Graçanicës.

Radio Evropa e Lirë, më 27 gusht, ka kontaktuar me Branimir Stojanoviqin, për të kuptuar nëse ai ka fakte të prekshme për pretendimet se Llaban përzihet dhe ndikon në politikën e Listës Serbe.

Stojanoviq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “nëse dikush merret me politikën, nuk duhet detyrimisht të lë gjurmë materiale”, por efektet e veprimit, sipas tij janë të dukshme.

“Ju mund të gjeni plot gjurmë, që janë pasojë e këtij ndikimi. Pra, njerëzit e tij të afërt janë të punësuar në pozita të ndryshme dhe janë në funksione. Motra e tij është anëtare e KQZ-së, të cilën e ka deleguar Lista Serbe. Gruaja e tij i ka ndryshuar vendet e punës ashtu siç ka dashur. Pastaj, motra tjetër e tij ka qenë zëvendësministre në një ministri, pastaj në një tjetër, ndihmëse dhe kështu me radhë. Ajo që njerëzit në Graçanicë e dinë fare mirë është se ai është në krye të një grupimi që tash është krijuar brenda Listës Serbe dhe që është mjaft destruktiv dhe ai kalon mjaft kohë me të. Por, ai është gjykatës i Gjykatës Kushtetuese dhe askush s’ka pasur guximin që ta fotografojë atë në situata të tilla dhe t’i shfaqë në opinion sepse ai ka autoritet dhe i frikëson njerëzit”, tha Stojanoviq.

Në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Gordana Llaban-Zuviq figuron si anëtare e këtij komisioni.

Lista Serbe: Pse e bëri këtë Stojanoviqi?

Por, për shkak të akuzave të Stojanoviq në adresë të Radomir Llabanit, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, mbajti një konferencë për shtyp, më 17 gusht, në të cilën ai tha se “një serb, ish -anëtari ynë, sulmoi një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.

“Një njeri që është një profesionist, një njeri i besueshëm dhe një njeri që njihet dhe pranohet nga serbët dhe shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar. Pyetja është pse e bëri këtë Bane (Branimir) Stojanoviq? Cili është interesi (i tij) që ai njeri të mos jetë më përfaqësues serb, pra gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq që ne e dimë se ajo gjykatë i ktheu 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit”, tha Rakiq.

Radomir Llaban nuk ka qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në kohën kur u mor vendimi që 24 hektarë tokë i takojnë Manastirit të Deçanit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2016 mori vendim, sipas të cilit 24 hektarë tokë i përkasin Manastiri i Deçanit.

Radomir Llaban u bë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dy vjet më vonë.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjeke ta kontaktojë Radomir Llabanin, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve telefonike.

A është problematike që Llaban të jetë gjyqtar në Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese e Kosovës përbëhet nga nëntë gjyqtarë dhe bazuar në Kushtetutën dhe Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, këta duhet të jenë juristë të shquar të karakterit më të lartë moral, me të paktën 10 vjet përvojë pune profesionale dhe me reputacion të shkëlqyer profesional.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me pyetjen se a kanë pasur dhe a kanë informacione lidhur me ekzistimin e fletëarrestit ndaj Radomir Llabanit në Serbi dhe sidomos fleatëarrestit në INTERPOL.

Gjykata Kushtetuese dhe as Zyra e Presidentes së Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje.

Por, Gjykata Kushtetuese në një përgjigje me shkrim i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “vlerësimi i kandidatëve dhe përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është në përgjegjësinë dhe kompetencën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Radomir Llaban është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës me 71 vota të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 18 maj 2018, pas vlerësimit të kandidaturës së tij në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka theksuar se “për sa i përket shkarkimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, neni 118 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e përcakton qartë” që, “shkarkimi i tyre bëhet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas propozimit të dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por ‘vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave’ gjatë mandatit si gjyqtar”.

Njëjtën e konfirmon edhe Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se rregulli i tetë i Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese i specifikon procedurat për shkarkim të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

“Duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, siç mund të vërehet, presidentja e vendit nuk ka kompetencë kushtetuese që e vetme, pa pranuar propozim nga dy e treta e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të shkarkojë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Deri më tani, Zyra e presidentes së Republikës së Kosovës nuk ka pranuar ndonjë propozim të tillë”, ka thënë Kupina.

Hasani: Kuvendi nuk e ka marrë për bazë aktgjykimin në Serbi

Njohësi i çështjeve juridike, Jeton Hasani nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se çdo gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ka garanci kushtetuese që nga momenti i zgjedhjes së tij.

Në rastin e Llabanit, sipas Hasanit, çështja e të kaluarës së tij eventuale kriminale apo e reputacionit moral, është dashur të trajtohej në momentin e emërimit për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit të Kosovës, si organ emërues.

“Siç duket, një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga ana e kuvendit ose në kuptimin që është bërë vlerësimi i figurës së tij në këto aspekte, mirëpo si organ emërues ka vlerësuar që një person si Radomir Llaban do të duhej që të zgjidhje si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese”.

“Mbase, në këtë vlerësim të tyre – kjo është çështje politike ose një lloj hamendësimi – ka pasur rol fakti që Radomir Llaban është dënuar nga një aktgjykim i një shteti, siç është Serbia, aktgjykimet e së cilës nuk kanë dashur që t’i pranojnë dhe t’i marrin si të mirëqena. Çështja mbase do të kishte qenë ndryshe nëse ai të ishte dënuar në një shtet tjetër apo edhe në Kosovë”, tha Hasani.

Nuk ka masa juridike në bazë të spekulimeve

A mund të shërbejnë akuzat e Stojanoviqit ndaj Llabanit si bazë për nisjen ndaj tij të masave eventuale nga Gjykata Kushtetuese?

Jeton Hasani nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se akuzat e Stojanoviqit, tash për tash, mbesin në domenin e spekulimeve, sepse në të kundërtën, akuzat se një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese përzihet në çështje të partive politike, janë të rënda.

“Gjithçka mbetet në qarkun e spekulimeve. Mirëpo, varësisht nga situata dhe faktet reale që do të shpaloseshin lidhur me këtë çështje, sigurisht që në raste të caktuara, do të mund të kishte përgjegjësi për këtë gjyqtar. Mirëpo, më shumë mbase do të përbënte çështje disiplinore sesa çështje të përgjegjësisë kushtetuese përmes shkarkimit”, vlerësoi Hasani.

“Dirigjim nga hija”

Por, Branimir Stojanoviq thotë që pavarësisht të gjithave ai nuk do të zhvillojë, siç e quan ai, “luftë private” kundër Radomir Llabanit.

“Unë me atë njeri nuk kam asgjë personale dhe si individ nuk më intereson. Mua më shqetëson fenomeni i ndikimit të njerëzve të tillë – dhe jo vetëm i tij (Llabanit), por i gjithë grupimit që është rreth tij, në fakt po e prishin dhe po e shkatërrojnë çdo shpresë dhe hapësirë që njerëzit këtu të mendojnë politikisht, pra njerëzit e thjeshtë dhe jo që disa eminenca gri, nga hija të dirigjojnë dhe të vendosin. Se a do të ndërmarrë dikush ndonjë hap, unë nuk e di. Por, unë nuk e kam ndërmend që të denoncojë ose të bëj çfarëdo qoftë. Se çfarë do të ndodhë, kjo varet nga institucionet se si do ta vlerësojnë dhe çfarë mendojnë se duhet bërë”, theksoi Stojanoviq.

Radomir Laban, sipas autoriteteve serbe, vazhdon të jetë në kërkim ndërkombëtar dhe në rast se ai udhëton jashtë shtetit, mund t’i vihen prangat, sepse ka urdhërarrest në INTERPOL ndaj tij. /REL