Gjyqi i Ftohtë në Veri

Ndërmjetësi i njohur amerikan Christopher Hill, gjatë vizitës së tij në Kosovë këtë javë, porositi që agjenda kosovare e zhvillimit nuk kërkon më Gjeneral Clark’un, por General Motors’in. Ndoshta, asaj qasje duhet t’i shtohet vetëm edhe gjeneral Gjyqi. 

Nëse dëshiron të realizosh një të drejtë që të takon në bazë të ligjit, dhe e cila i besohet organit të thirrur për ta zbatuar këtë – gjykatës, atëherë kjo është e vështirë, për të thënë fare e parealizueshme, në veri të vendit. Qytetari shqiptar i qarkut të Mitrovicës është i privuar nga këto të drejta. Më saktësisht, i penguar nga e drejta për qasje në drejtësi, e drejta për gjykim brenda kohës se arsyeshme dhe, për rrjedhojë, edhe e drejta për liri. 

Thirrja në gjendjen politike nuk e arsyeton mospunën e autoriteteve për të funksionalizuar gjyqësorin në atë pjesë të Kosovës. Edhe General Motors’i vështirë se do të pranonte të investonte në terrene të tilla ku drejtësia nuk bëhet në gjykatë. 

Në shkurt të 2008’ës, gjykatat në Mitrovicë ishin mbyllur pas dështimit të një aksioni të UNMIK’ut për rimarrje të kontrollit, gjatë të cilit u vra një polic i këtij misioni. Si pasojë, gjykatat kishin vazhduar të mos funksionojnë dhe gjykatësit vazhduan punën e tyre në objektin e Gjykatës Komunale të Vushtrrisë. Vetëm gjykatësit e EULEX’it gjykonin në objektet e Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale të Mitrovicës. E njëjta situatë ishte edhe në prokuroritë e Mitrovicës, të Qarkut dhe Komunale.

Gjykatësit vendorë të caktuar në gjykatat e Mitrovicës, nuk punojnë në objektet zyrtare të tyre. Lëndët e shumta në Gjykatën e Qarkut, atë Komunale dhe të Kundërvajtjes, si dhe mosprocedimi i tyre, kanë lënë pasoja të shumta duke rënduar gjendjen e gjyqësorit jo vetëm në rajonin e Mitrovicës, por edhe në tërë territorin e Kosovës duke i ulur edhe më shumë statistikat edhe ashtu të zbehta të rezultateve të punës.

Pas shpalljes së pavarësisë dhe mbylljes së gjykatave në veri, qasja e publikut në drejtësi, përkatësisht në procedurat gjyqësore, ka qenë shumë e reduktuar. Në praktikë, gjatë viteve të fundit, gjykatat kanë punuar vetëm në rastet emergjente tjetërkund. Edhe seancat emergjente shpesh janë stërzgjatur duke mos përfunduar brenda kohës së arsyeshme.

Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, ajo Komunale dhe për Kundërvajtje, funksionin e vet tani e kryejnë jashtë komunës së Mitrovicës, përkatësisht në objektin e Gjykatës Komunale të Vushtrrisë, ndërsa lëndët me kompetencë në gjykatat komunale në Zubin Potok dhe Leposaviq delegohen në Gjykatën Komunale të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë, në objektet e kësaj të fundit. 

Për shkak të hapësirës tejet të ngushtë, gjykatësit (të qarkut dhe komunales) të vendosur në vetëm një sallë dhe një zyre në objektet e gjykatës komunale vushtrriase nuk mund t’i trajtojnë të gjitha lëndët, në veçanti gjyqtarët penalistë të cilët, në rast të ndonjë lënde me urgjencë, duhet t’i luten kryetares së gjykatës t’i lirojnë njërën nga sallat e rralla për gjykim. 

Mungesa e hapësirave, ka bërë po ashtu që jo të gjithë gjykatësit komunalë dhe të qarkut të Mitrovicës të mund të dalin në punë, fakt për të cilin, kryetari i gjykatës së qarkut i Mitrovicës është ankuar. 

Hapësirat që shfrytëzojnë këto gjykata që mbajnë emrin e njëjtë por punojnë në Vushtrri, janë ekstremisht të ngushta, me çka pamundësohet puna e gjykatësve, le më gjykimi në kushte normale.

Hiç më mirë nuk qëndron as prokuroria.

Prokuroria Komunale e Mitrovicës e cila shfrytëzon një zyrë me rreth 12 metra katrorë sërish në Vushtrri, qëndron më keq me pranimin dhe procedimin e lëndëve. Në zyrën e njëjtë në të cilën janë vendosur dhjetë zyrtarë, duke përfshirë edhe prokurorët komunalë të Mitrovicës, nuk pranohen lëndët në procedurë të rregullt që vijnë nga policia. 

Që nga 11 tetori 2009, pranohen vetëm lëndët emergjente dhe ato të paraburgimit. Si arsyetim për këtë jepet mungesa e hapësirës për vendosje të lëndëve. Që nga ajo datë, në prokurori lëndët në procedurë të rregullt dërgohen vetëm për t’u evidentuar dhe më pas kthehen sërish në stacionin përkatës të policisë – përkatësisht çdo hetues i mban ne zyrën e tij.

Edhe Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë ndodhët në hapësirë të vogël duke shfrytëzuar vetëm një zyrë në hapësirë prej 16 metra katrorë. Si pasojë e mungesës së hapësirës që reflekton në funksionin e saj, Prokuroria e Qarkut, nuk arrin që të mbulojë të gjitha lëndët nga kompetenca e saj 

Në korridoret e objektit të Gjykatës Komunale të Vushtrrisë nëpër sirtarë janë vendosur lëndët e shumta të prokurorisë, pa asnjë standard sigurie. 

E gjithë kjo vazhdon të reflektojë në gjendjen e rëndë të gjyqësorit, veçanërisht në rajonin që përfshin gjykatat dhe prokuroritë komunale dhe të qarkut të Mitrovicës, të cilat mbulojnë rreth 220 mijë qytetarë të Kosovës.

Mungesa e plotë e funksionalitetit të gjykatave dhe prokurorive në veri, duket të jetë problem i vazhdueshëm në gjyqësorin e Kosovës. Organet që administrojnë me gjyqësorin dhe prokurorinë (Këshilli Gjyqësor i Kosovës përkatësisht Këshilli Prokurorial i Kosovës), ende nuk kanë arritur të fusin nën ombrellën e tyre institucionet që punojnë në veri, ndaras atyre të Republikës së Kosovës. 

Kur Kosova ta ketë kaluar koncentrimin e agjendës së përditshme në politikë, banorët e saj, si rrjedhojë, do të jenë bërë qytetarë më të fortë. Por, aktualisht, klisheja e moçme është asgjë më pak se e saktë – njeriu kosovar është krijesë politike. Homo-politicus.