Gjykata Speciale merr aktakuzat e para

Gjykata Speciale ka nisur shqyrtimin e aktakuzave të para që tashmë janë ngritur nga ana e Prokurorit të Specializuar, përderisa ka bërë të ditur se me konfirmimin e aktakuzave, ato do të bëhen publike.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se Presidenti i Specializuar ka caktuar një gjyqtar të procedurës paraprake të shqyrtojë aktakuzat e paraqitura nga Prokurori i Specializuar.

Por, sipas saj përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale në këtë moment.

“Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj për të shqyrtuar provat që mbështesin aktakuzën për të vendosur nëse ekziston një dyshim i bazuar mirë kundër të dyshuarit dhe për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën”, thuhet në përgjigjen e Griep për KALLXO.com.

Ajo ka shtuar se aktakuzat do të bëhen publike atëherë kur ato të jenë të konfirmuara nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Gjykatë Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

Gjykata “hibride”, e cila është me vendndodhje në Holandë, por pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, u krijua nga akuzat e bëra në një raport nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, në vitin 2010.

Një task forcë e BE-së më pas shqyrtoi pretendimet e Marty dhe arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për gjykime për vepra penale si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-luftëtarët e tjerë të UÇK-së të përmendur në raportin e Marty i kanë mohuar akuzat dhe “gjykata speciale” mbetet shumë jopopullore midis shqiptarëve të Kosovës, por zgjatja e mandatit të saj duket e pashmangshme.

Bazuar në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, mandati i gjykatës duhet të vazhdojë derisa Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Europian që hetimet kanë përfunduar dhe se çdo procedurë është e plotë.

Ehat Miftaraj drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për KALLXO.com se muajt e verës së këtij viti, do të jenë me siguri të ngarkuara për gjykatën kur, sipas tij, pritet të trajtohen aktakuzat e para.

Sipas Miftarajt, konfirmimi eventual i aktakuzave nënkupton edhe fillimin e procedurave gjyqësore para trupave gjyqësore.

“Me vet faktin që Gjykata Speciale sipas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar në dy raste ka caktuar gjykatës të procedurës që do të shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë qoftë lidhur me kërkesat eventuale për caktimin e masës së paraburgimit apo shqyrtimit të aktakuzave të para që mund të paraqiten, nënkupton që lëndët që prokuroria i ka trajtuar kanë kaluar në një fazë të avancuar të procedurës penale”, thekson ai për KALLXO.com.

Sa i përket transparencës së Speciales për aktakuza, Miftaraj thotë se publiciteti i seancave gjyqësore duhet të jetë standard minimal që kjo gjykatë duhet ta përmbush.

“Në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara, seancat gjyqësore duhet të jenë publike dhe të qasshme për mediat dhe palët e interesuara”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, së fundi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se Gjykata Speciale do të merret me diçka që është “trillim shkencor”.

“Por qytetarët e Kosovës kanë të drejtë, që pas 10 vitesh hetime, ta dinë a ka pasur në të vërtetë tregti me organe apo jo, gjë që ishte edhe arsyeja e themelimit të gjykatës”, është shprehur ai, në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe.

Sipas Thaçit, Kosova i ka përmbushur obligimet ndaj Gjykatës Speciale.

“[Kosova] bashkëpunon më shumë me organet e drejtësisë ndërkombëtare nga çdo shtet në rajon. Këtë e bëjmë për ta ruajtur partneritetin më Uashingtonin dhe Brukselin”, ka theksuar ai.

Mes tjerash kreu i shtetit ka ftuar që puna e Gjykatës Speciale të mos politizohet.

“Shpresoj që gjykata nuk do të jetë monoetnike sepse kjo do ta dëmtojë thellësisht reputacionin e këtij institucioni, nëse nuk do të merret me gjenocidin që e ka kryer Serbia në Kosovë – duke i vrarë më shumë se 12 mijë civilë shqiptarë, duke i kryer 400 masakra mbi popullatë, i kemi 20 mijë viktima të dhunës seksuale të kryer nga forcat serbe, dhe më shumë se 1300 fëmijë të vrarë”, ka thënë Thaçi.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate.

Në atë kohë, kryeministërka qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Kjo gjykatë është themeluar me kërkesë të faktorit ndërkombëtar, për të gjykuar krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pesë vjet pas themelit, Specialja ka dërguar dhjetëra ftesa për intervistim dhe ka intervistuar edhe ish-luftëtarë të UÇK-së, por se ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Për tu intervistuar në Hagë janë paraqitur edhe krerë të institucioneve të vendit, si ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Thirrja nga Dhomat e Specializuara për tu intervistuar në cilësinë e të dyshuarit ishte motiv për Haradinajn që të jepte dorëheqje nga pozita e shefit të Qeverisë së Kosovës.