Gjykata Kushtetuese dhe kulminacioni ‘i betejave të ashpra’ politike

Gjykata Kushtetuese është njëri prej institucioneve më të përmendura javëve të fundit për shkak të adresimeve të ndryshme ndaj saj që po bëjnë përfaqësues të institucioneve vendore dhe të partive politike.

Situata e krijuar pas rrëzimit të Qeverisë në muajin mars, ka bërë që autoritetit përfundimtar në Kosovë për interpretimin e Kushtetutës t’i drejtohen disa kërkesa për vendime të caktuara.

Gjykata Kushtetuese së fundmi i shpalli antikushtetuese dy vendime të ndara të Qeverisë në detyrë, lidhur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masa të ndërmarra për shkak të pandemisë COVID-19.

Në rastin e parë, Presidenti i vendit Hashim Thaçi, e dërgoi në Kushtetuese vendimin e Qeverisë Kurti të datës 23 mars për orën policore. Ndërkaq, në rastin e dytë Partia Demokratike e Kosovës iu drejtua për interpretim Gjykatës Kushtetuese lidhur me disa vendime të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu, Kushtetuesja e pezulloi deri me 29 maj dekretin e Presidentit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit e mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese dekretin, duke kërkuar edhe masë të përkohshme ndaj tij, përderisa të dyja palët politike janë në pritjes të fjalës së fundit të gjykatës.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për KALLXO.com se në Kushtetutën e Kosovës ekziston një mosharmonizim i dukshëm, pasi sipas tij në disa pjesë ajo është tejet e avancuar, kurse në pjesë tjera ka mangësi të konsiderueshme.

“Paqartësitë e mëdha politike dhe shumësia e kërkesave për interpretime në rrethana të caktuara rrjedhin nga fakti se kushtetuta nuk i ka parashikuar disa situata të cilat do të duhej t’i kishte parashikuar, kësisoj duke mos i ftilluar udhët e zgjidhjeve. Teorikisht nuk ka shumë skenarë të cilët mund të ndodhin pas zgjedhjeve, ose kur bie një qeveri, prandaj të gjithë janë lehtë të imagjinueshëm dhe të planifikueshëm”, theksoi ai.

Votimi i suksesshëm i mosbesimit ndaj Qeverisë në krye me Albin Kurtin, bëri që presidenti Thaçi ti drejtohet Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve duke i kërkuar emrin e një mandatari tjetër, por se kjo e fundit nuk e refuzoi por as dërgoi ndonjë emër në Zyrën e Presidentit, duke shfrytëzuar faktin se në Kushtetutë nuk përcaktohet afat kohor për kthim të përgjigjes.

Pas disa letrave që shkëmbyen mes vete, kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe presidenti, Thaçi mblodhi të gjitha partitë politike parlamentare, duke u kërkuar qëndrim nëse janë për zgjedhje, ose formim të qeverisë. Këto të fundit zgjodhën opsionin e dytë, përveç partisë së Kurtit e cila kërkon zgjedhje të parakohshme – pas pandemisë.

Sipas Artan Muhaxhirit, është vështirë e kuptueshme sesi deri më tash nuk janë qartësuar në plotësi etapat që duhet të ndërmerren kur ndodh një votëbesim i suksesshëm i qeverisë, ose që të mos jetë bërë përcaktimi rigoroz i procedurave dhe afateve kohore kushtuar mandatarit për formimin e qeverisë.

“Me këtë ritëm të ballafaqimit me bllokada dhe kundërshti të çdohershme – veçanërisht kur shndërrohet në fenomen që ngjarjet politike t’u paraprijnë vendimeve kushtetuese, e jo kushtetuta ngjarjeve politike – problemet e këtilla do të përsëriten pafundësisht”, thotë ai për KALLXO.com.

Analisti politik Artan Muhaxhiri, vlerëson se është domosdoshmëri që Kushtetuta e Kosovës të përplotësohet duke u bërë më decidive në kapitujt për të cilët ka dëshmi se kanë gjasa të jenë potencialisht problematikë.

“Konstitucionalitët kosovarë e kanë detyrim profesional dhe moral që me urgjencë të iniciojnë strategji konkrete të cilat do t’i kontribuonin davaritjes së dilemave elementare dhe do t’i zvogëlonin maksimalisht hapësirat për tentimet e instrumentalizimeve politike të zbrazëtive kushtetuese”, shtoi ai.

Pas pezullimit të mandatarit për të formuar qeverinë e re të vendit nga LDK-ja me aleatët e tjerë politik, përfaqësues të tyre por edhe ata nga krahu i kryeminisrit në detyrë Kurti janë zotuar se do të respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses.

Kurse, analisti Muhaxhiri vlerëson se në ballafaqimet e vrazhda mes liderëve, partive dhe blloqeve, Gjykata Kushtetuese konsiderohet si i vetmi arbitër objektiv që mund të ndërtojë precedentë normativë. Për këtë arsye, siç thotë ai, vendimet e saj shndërrohen në kulminacion të betejave të ashpra.

“Investimet e mëdha strukturore, organizative dhe emocionale në ndonjërin prej opsioneve bëjnë që pas vendimeve të Kushtetueses të perceptohen fitore dhe humbje të mëdha politike. Mirëpo, në aspektin afatgjatë këto vendime janë tejet të mirëseardhura për sistemin institucional përgjithësisht, sepse caktojnë dhe garantojnë orientime të qëndrueshme për të ardhmen”, thotë ai për KALLXO.com.

Sipas tij, dobia e këtyre vendimeve për partitë përkatëse mund të ndryshojë diametralisht nga zgjedhjet në zgjedhje, “por gjithnjë në të mirën e stabilitetit të përbashkët vleror”.