Gjykata i Dënon Me 54 Vjet “Shokët” e Bllacës

Në pasditen e së hënës, kolegji kishte caktuar seancën në rastin e njohur si Bllaca 2, që të shpallte aktgjykimin për të pandehurit. Të gjithë të pandehurit së bashku me avokatët e tyre nga seanca e fundit ishin zotuar se do të paraqiten në shqyrtim në kohën e saktë.

Por, në orën 14 në gjykatë u paraqitën vetëm Sadik Abazi e Shaban Syla. Abazi i përcjell nga avokati i tij, Iliaz Kadolli, ndërsa Shaban Syla i përcjell nga policia.
 
Edhe pse, avokatët e tre të pandehurve të tjerë kishin marrë obligime që të pandehurit t’i sjellin në seancë, ata sot lajmëruan gjykatën se nuk kishin pasur kontakte me të mbrojturit e tyre.

Fillimisht, avokati Ramiz Krasniqi tha se ka kontaktuar me Driton Hajdarin, por nuk e di se ku gjendet, ndërsa tha se marrëveshja ka qenë që të shihen në gjykatë në orën 14.

Edhe avokati Ali Beka, mbrojtësi i Bekim Sylës, tha se Bekimi e ka thirrur në telefon në orën 10:59, “por nuk kam pas mundësi me e hap telefonin pasi që isha në gjykatë në një seancë”.

Edhe avokati Beka nuk e kishte idenë se ku ishte i mbrojturi i tij, ndërsa shtoi se vëllai i Bekimit i kishte thënë se ai së shpejti do të vinte.

I pandehuri Shpresim Uka, sipas mbrojtësit të tij Basri Jupolli, i cili e kishte pasur për obligim që ta sillte atë në seancë, tha se pasi që kishte kontaktuar me të në mëngjes, ai i kishte treguar se nuk ndihej mirë me shëndet.

Kolegji duke e parë mungesën e të pandehurve mori aktvendim dhe lëshoi urdhërarrest për të pandehurit që mungonin dhe e shtyu seancën për 1 orë.

Pas pushimit një orësh, nuk kishte asnjë rezultat. Edhe mbrojtësit e të pandehurve kishin dështuar të kontaktonin me të mbrojturit e tyre. Por, kryetari i kolegjit i kritikoi mbrojtësit për mungesën e kontaktit me të pandehurit. “Kam informatë se Bekim Syla është në afërsi të gjykatës”, tha ai.

Avokati Beka tha përsëri se ka provuar që disa herë të kontaktojë me klientin e tij dhe se do të provonte prapë edhe në seancë. Ndërsa avokati Ramiz Krasniqi tha se telefonin e Driton Hajdarit e kishte vëllai i tij.

Kurse Shpresim Uka nuk kishte qasje në rrjet, tha avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

Prokurori propozoi që seanca për shpalljen e aktgjykimit të shtyhet derisa të pandehurit të arrestoheshin dhe të silleshin në gjykatë. Ndërsa mbrojtja kërkoi që të bëhet shpallja, pasi që nuk ka asnjë pengesë ligjore për një gjë të tillë.

Gjykata pasi pa Kodin e Procedurës Penale mori aktvendim dhe procedoi me shpalljen e aktgjykimit në rastin Bllaca 2.

Gjykata pasi elaboroi vendimin e shpalli fajtor dhe dënoi Shpresim Ukën me 14 vjet, për pikën 1 të aktakuzës dhe 9 vjet për pikën 3 të aktakuzës, ndërsa të njëjtit i është shqiptuar një dënim i unifikuar prej 15 vjetësh; Bekim Syla është dënuar me 12 vjet për pikën 1 të aktakuzës, Sadik Abazi – 12 vjet për pikën 1 të aktakuzës, Shaban Syla – 8 vjet për pikën 3 të aktakuzës dhe Driton Hajdari – 7 vjet për pikën 3 të aktakuzës.

Të gjithë të pandehurit u liruan nga pika 2 e aktakuzës, pasi akuza është parashkruar.

Teksa po shpalleshin dënimet për të pandehurit, nga pjesa e publikut e mbushur plot pati shumë të shara në drejtim të kolegjit të gjykatësve dhe në drejtim të prokurorit.

Shaban Syla menjëherë pas shpalljes e mori fjalën dhe tha: “Kjo mund të quhet gjithçka, por drejtësi nuk është”.

Në arsyetim, gjykata tha se dëshmitë e Nazim Bllacës janë marrë si të besueshme, por kolegji ka edhe mjaft kritika në drejtim të dëshmisë të tij. Megjithatë u tha se dëshmitë e tij kanë një vazhdimësi dhe një logjikë, por në disa raste edhe mospërputhje.

Lidhur me mospërputhjet e deklaratave të Bllacës, gjykata tha se janë gjetur në dy raste.

Fillimisht tek deklarimi se tek Ibush Kllokoqi kanë kërkuar pasaportën, ndërsa gruaja e viktimës thotë se ata që e vranë kërkuan autobusin. Çështja tjetër ishte edhe balistika e gëzhojës së dorëzuar nga Nazim Bllaca, që nuk përputhej me karakteristikat e armës që kishte shtënë.

Për pikën dytë të aktakuzës, nga e cila të pandehurit u liruan, kolegji tha se nuk ka mundur ndryshe ta kualifikonte pasi që urdhri i Shpresim Ukës ka qenë që Ismet Arifi të merret dhe të dërgohej në një vend të caktuar, edhe pse të pandehurit kanë qenë të armatosur.

Për gjykatën, Sadik Abazi, Driton Hajdari dhe Bekim Syla, nuk kanë pasur një rol në grup. “Shaban Syla ka qenë një figurë më dominonte, ndërsa udhëheqësi ka qenë Shpresim Uka”.

Prokurori në fund, pas shpalljes së aktgjykimit, kërkoj që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit. Mbrojtësit e Sadik Abazit dhe Shaban Sylës e kundërshtuan atë.

Në fund, gjykata la në fuqi të gjitha masat që ishin deri më tani për të pandehurit, e që janë arrestet shtëpiake.

Aktakuza

Sipas aktakuzës, të pandehurit në pikën 1 ishin: Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka në bashkëkryerje me Nazim Bllacën (i deklaruar si dëshmitar bashkëpunues nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë) kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë”, të dënueshme sipas ish-Ligjit Penal të Kosovës.

Të pandehurit në këtë pikë akuzohen se më 6 gusht të 1999-ës, kanë vrarë Ibush Kllokoqin duke e lënë të vdekur me disa të shtëna me armë zjarri. Atë natë Fahredin Gashi i kishte siguruar Nazim Bllacës një lloj të armës Skorpion. Pastaj ata së bashku me Shpresim Ukën, Bekim Sylën dhe Sadik Abazin shkuan te shtëpia e Ibush Kllokoqit.

Shpresim Uka kishte pritur afër shtëpisë, ndërsa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kishin trokitur në derën e shtëpisë së Kollokoqit thuhet më tutje në pikën një të aktakuzë. “Kur viktima u shfaq në derë, Nazim Bllaca e vrau atë me së paku 6 plumba”.

Në pikën dy të aktakuzës akuzohet Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla në bashkëkryerje me Nazim Bllacën kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë, të paraparë me ish-Ligjin Penal të Kosovës.

Të pandehurit kishin tentuar ta vrasin Ismet Arifin, duke shtënë disa herë në të thuhet në aktakuzë. Aty përshkruhet se në ditën kritike, të pandehurit kanë shkuar në ndërtesën e Arifit. Fahredin Gashi po ruante te dera e hyrjes së ndërtesës, Nazim Bllaca dhe Shpresim Uka po ruanin në katin e tretë, përderisa Sadik Abazi, Driton Hajdari dhe Bekim Syla kanë shkuar në apartamentin e Arifit.

Ata kanë trokitur në derën e Arifit; aty kishte dalë gruaja e tij, kurse ata tentonin që të flisnin me Arifin. Pasi që Arifi del nga apartamenti, ata urdhërojnë t’i ndjek ata, ndërsa viktima refuzon.

Arifi menjëherë pas refuzimit kapet për qafe dhe është qëlluar në shputën e tij të zbathur. Por, Ismet Arifi kishte mundur të ikte shkallëve të sipërme të ndërtesës, e dikush nga të pandehurit kanë qëlluar me disa të shtëna, por ato nuk e qëlluan viktimën.

Këtë pikë të aktakuzës, gjykata e rikualifikoi juridikisht duke e bërë në “Kidnapim i mbetur në tentativë”, ashtu që edhe këtë pikë të aktakuzës e refuzoi pasi që ishte parashkruar.

Në pikën e trete të aktakuzës, për të cilën të pandehurit Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla, u shpallën fajtorë akuzohen që së bashku me Nazim Bllacën më 12 qershor 2000 kishin tentuar të vrisnin Adem Salihajn. Vepra ishte kualifikuar si vrasje e rëndë në tentativë.