Gjykata e Tenderëve e anulon tenderin e 'kurdisur' të ministrisë së Mjedisit

Gjykata e Tenderëve ka kërkuar nga ministria e Mjedisit që të anulojë një tender meqë i njëjti i ishte përshtat një biznesi.

Dyshimet për kurdisje kanë qenë baza e vendimit të OSHP-së përmes të cilit e ka obliguar ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të anulojë tenderin për zhvillimin e “Bazës së të dhënave të legalizimit dhe organizimit të trajnimeve dhe zhvillimi i sistemit kombëtar E-Lejet”. Ministria e ka zbatuar vendimin e OSHP-së.

“Pas pranimit të vendimit nga ana e OSHP-se, ku ka marr qëndrim që të bëhet anulimi ne tërësi i këtij aktiviteti, ne si AK jemi te obliguar që të zbatojmë vendimin e OSHP-së”, thuhet në njoftimin për anulim të tenderit nga MMPH.

Për këtë tender ishin dorëzuar ofertat e bizneseve, ndërsa bazuar në procesverbal e hapjes së ofertave del që ministria kishte pranuar katër oferta nga katër operatorë ekonomik: “Infosoft Systems Sh.p.k” ka ofertuar në vlerë 668 mijë euro, “Novus” me 629 mijë euro, grupi i operatorëve ekonomikë “Storm ICT” me ofertën 648 mijë euro, si dhe “Komtel Project Enginiering”, i cili ka pasur ofertën 1.9 milionë euro.

Në njoftimin për anulim të tenderit, MMPH ka thënë se do të marrë për bazë rekomandimin e gjykatës së tenderëve.

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte konstatuar se Ministria ka vendosur specifika në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke shkelur nenin e 7-të të këtij Ligji, i cili ka të bëjë me diskriminim e OE apo trajtimin  jo të barabartë të tyre.

“Anulohet në tërësi aktiviteti i prokurimit me titull: “Zhvillimin e Bazës së të Dhënave të Legalizimit dhe Organizimit të Trajnimeve dhe Zhvillimi i sistemit kombëtar E-Lejet”, (MMPH), ndërsa nëse edhe me tutje AK-ja, ka interes për të vazhduar me këtë aktivitet të prokurimit të njëjtin mund ta ritenderojë konform dispozitave te LPP-se”, thuhet në vendimin e OShP-së. Për këtë tender ishin ankuar dy operatorë ekonomik: “Botek” dhe “Komtel Project Engineering”.

Sipas Operatorit Ekonomik “Botek”, Ministria e Mjedisit ka bërë shkelje duke pamundësuar Operatorëve Ekonomik që të tenderojnë me pajisje dhe zgjidhje ekuivalente pasi që specifikacionet teknike janë përshtatur për një prodhuesi dhe është kërkuar autorizim vetëm nga prodhuesi dhe nuk ju ka lejuar mundësi OE-ve të ofertojnë edhe me autorizimet e lëshuara nga prodhuesit.

Ndërsa, OE “Komtel Project Engineering” ka pretenduar se Ministria ka bërë shkelje pasi ka kufizuar pjesëmarrjen duke kërkuar autorizim nga prodhuesi, për produktet.

“Ne specifikimet teknike që janë bërë është bërë përzgjedhja e produkteve dhe në total e përmban 10-16% që është për dy herë e gjysmë i ekzagjeruar, është kufizuar pjesëmarrja, është kërkuar MAF-i për produkte që kanë specifikuar në anën tjetër OE-të e kanë bllokuar ose të tre nga ta e kanë bllokuar MAF-in. Ne kemi ofertuar me pajisje me trefish më të shtrenjtë, por kemi qenë brenda buxhetit, dhe me MAF i kanë eliminuar të gjitha kompanitë për një softuer të thjeshtë është lënë vlera 680 mijë euro, ku ky specifikim është bërë për këtë harduer është ndarë 50 mijë euro”, është pretendimi i OE-së.

Përfaqësuesi i Ministrisë ka thënë se qysh në fillim të tenderit kanë bërë sqarim që të mos ketë vonesa nga kompania fituese.

“Sa i përket Lote-ve prej eksperteve që i kemi ne, në ministri është dhënë arsyeja që kontratën ta fitojë një kompani apo konsorcium që të mos ketë vonesa, edhe për kërkesën për rishqyrtim të “Komtelit” e kemi cekur që është e pranueshme të ofrohet zgjidhje teknike e njëjtë apo që i tejkalon specifikacionet teknike të kërkuara në Dosjen e Tenderit. Sa i përket problemit që është bllokuar MAF-i, unë po besoj që nuk është problem i Autoritetit Kontraktues që një OE ka mundësi të bllokojë një sistem softuerik apo harduerik”, ka thënë përfaqësuesi i ministrisë.

OShP rreth ankesave të operatorit “Botek”, ka konstatuar se Ministria ka shkelur Ligjin për Prokurim Publik duke zbuluar identitetin e OE me publikimin në platformën e E- Prokurimit, pasi OE ka kërkuar informata shtesë.

Po ashtu, gjykata e tenderëve ka konstatuar se Ministria ia ka pamundësuar operatorët ekonomik të konkurrojë pasi ka kërkuar specifika dhe autorizime nga prodhuesi dhe jo nga distributori.

Edhe kërkesën e ministrisë për një ekspert për Data Bazë dhe siguri sistemesh, duke kërkuar përvojë pune në zhvillimin e data bazave dhe siguri te sistemeve, OShP e ka konstatuar shkelje pasi mund të jetë favorizuese për një Operator Ekonomik dhe diskriminon bizneset tjera të interesuar për këtë aktivitet prokurimi.

Ndërsa për operatorin ekonomik “Komtel Project Engineering”, gjykata e tenderëve pas pretendimeve të operatorit se AK ka bërë shkelje duke mos e ndarë aktivitetin e prokurimit në Lote, përkatësisht pjesën e harduerit në një Lot të veçantë nga softueri, ka konstatuar se ndarja e kontratave në lote është përgjegjësi e Ministrisë.

Gjithashtu, OShP ka konstatuar se ndarja e specifikimeve teknike janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik pasi që favorizojnë prodhues të caktuar dhe diskriminojnë biznese tjera.

‘Njoftimi për kontratë’ në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit është bërë me datën 13 maj 2019, afati për dorëzimin e ofertave ka zgjatur 30 ditë punë, përkatësisht deri me datën 20 qershor

Ky aktivitet prokurimi ka pasur dy operatorë ekonomik ankues, OE “Botek” SH.P.K –Prishtinë dhe OE “Komtel Project Engineering -SH.P.K në Prishtinë.