Gjobiten për Aparatet e Cigareve
Gjykata për Kundërvajtje në Drenas ka dënuar pronarët e tri kafeterive me nga 1,000 euro gjobë, pasi po mbanin brenda lokaleve aparate për shitjen e cigareve.
Me Ligjin për Duhanin, është i ndaluar reklamimi i duhanit në vende publike.
Pronari i Pastiqerisë “Lumi”, Shemsi Elezi, thotë se e di se është i ndaluar reklamimi i duhanit në vende publike. Por ai arsyetohet se kompania e cila i ka pajisur me këto aparate, iu ka thënë se nuk është e kundërligjshme vënia e aparateve.
“Kompania ‘Ardi’, e cila na ka pajisur me këto aparate, na ka thënë se është e regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe se nuk është e kundërligjshme vënia e aparateve”, i tha Elezi, Gazetës JnK.
Sipas tij, është dashur që dënimi të shqiptohet ndaj kësaj kompanie në rast se nuk është e ligjshme veprimtaria e saj. “Por nëse nuk është e ligjshme, si janë futur ato aparate në Doganat e Kosovës”, shprehet ai.
Ky pronar paralajmëron se nuk do ta paguajë gjobën. “Ta paguajë kompania, e cila më ka tradhtuar se është e ligjshme, dhe ne i kemi besuar”.
Bashkë me pastiqerinë “Lumi”, janë gjobitur edhe kafeteria “Relax” me pronar Behxhet Sylkaj dhe kafeteria “Peshkopia”, me pronar Selman Sinani.
Kryetari i Gjykatës për Kundërvajtje, Daut Qela, thotë se kanë ende lëndë për ketë çështje, të cilat pritet të mbahen.