Foto: Gjykata Themelore në Gjilan

Gjilani - Rajoni ku qytetarëve u zgjidhen vetëm 60% të rasteve në gjykatë

Autor: Elbasan Rexhepi

Vetëm rreth 60 % e rasteve të cilat paraqiten për gjykim në gjykatat e rajonit të Gjilanit arrijnë të zgjidhen brenda një viti.

Të dhënat statistikore nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, tregojnë se efikasiteti i trajtimit të rasteve në shkallë të parë në rajonin e Gjilanit shkon deri në 60 % brenda viti, përderisa 40% të lëndëve mbesin pa u gjykuar dhe bartën në vitin tjetër.

Në rajonin e Gjilanit në shkallë të parë për krime të nivelit të përgjithshëm dhe çështje civile vendosin gjykatat në Gjilan, Kamenicë, Viti e Novobërdë, kurse krimet e rënda gjykohen vetëm në Gjilan.

Të dhënat tregojnë se nga 192 mijë e 395 lëndë në fushën civile dhe penale nga viti 2016 e deri në vitin 2020, Gjykata Themelore e Gjilanit ka arritur t’i zgjidhë pak mbi gjysmën e tyre, pasi vetëm 108 mijë raste janë zgjidhur. Përqindja e përgjithshme e efikasitetit gjatë kësaj periudhe është 56%.

Më produktive nuk ishin as gjykatat e tjera në rajonin e Gjilanit, të cilat sipas llogaritjeve në periudhën 4 vjeçare nuk arritën t’i zgjidhin as 60% të lëndëve civile e penale.

Nga Gjilani, drejtuesit e këtyre instituconeve nivelin e përformacës e arsyetojnë me mungesen e numrit të gjyqtarëve.

Sipas të dhënave të grumbulluara del se Gjykata në Gjilan së bashku me degët Kamenicë, Viti dhe Novobërdë numëron gjithsejtë 34 gjyqtarë.

Prej tyre janë 22 gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Gjilan, 4 gjyqtarë janë të angazhuar në degën Kamenicë, kurse 6 gjyqtarë janë të angazhuar në degën Viti.

E ndonëse dega e Novobërdës, sipas të dhënave, “çalon” më së shumti në trajtimin e rasteve penale e civile, ajo aktualisht i ka vetëm 2 gjyqtarë. 

“Numri aktual i gjyqtarëve është i pamjaftueshëm, por me konkursin e mbyllur së fundi është caktuar një gjyqtare për Gjykatën Themelore në Gjilan dhe shpresojmë që në konkursin e ardhshëm që pritet të dal së shpejti të emërohen gjyqtarë të rinjë për gjykatën tonë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Ndërkohë në nivel vendi, aktualisht numri i gjyqtarëve në gjykatat e Kosovës është 388, kurse ai i prokurorëve 176.

Efikasiteti i ulët i Gjykatës së Gjilanit në trajtimin e lëndëve civile

Gjykata e Gjilanit asnjëherë që nga viti 2017 nuk arriti të përmbush më shumë se 61 % të agjendës së lëndëve civile dhe penale që pranonte çdo vit.

Sipas të dhënave nga databaza, ku është pasqyruar efikasiteti i Gjykatave të Kosovës ndër vite, theksohet se Gjykata e Gjilanit, në vitin 2017 ka pranuar 15 mijë e 517 lëndë në rastet civile. 

Nga këto lëndë, vetëm 9 mijë e 471 janë zgjidhur, teksa ‘në sirtarë’ kanë mbetur 6 mijë e 46 lëndë të tjera. Efikasiteti i kësaj gjykate gjatë atijviti, ishte  61.04 %.

Në vitin 2018, Gjykata e Gjilanit në trajtim ka pasur gjithsej 12 mijë e 247 lëndë, teksa vetëm 7 mijë e 258 prej tyre janë zgjidhur. Efikasiteti i gjykatës këtë vit kishte shënuar rënie nga viti 2017, në 59.26%.

Rënie kishte edhe në vitin 2019. Atë vit  Gjykata e Gjilanit i kishte mbi 9 mijë lëndë civile, teksa prej tyre gjyqtarët arritën t’i zgjidhnin 4 mijë e 813 prej tyre ndërsa gati gjysma e tyre kanë mbetur të pazgjidhura. Shkalla e efektivitetit gjatë këtij viti arriti vetëm 53.41 %.

Ndërsa rënien më të madhe të efikasitetit Gjilani e pati në vitin 2020 gjatë kohës kur vendi përballej me pandeminë.
Në atë vit numri i lëndëve ishte zvogëluar në 7 mijë e 755, kurse 6 mijë e 73 kanë mbetur të pazgjidhura.

Shkalla e efikasitetit gjatë atij viti ishte më e ulëta prej vitit 2016, me vetëm 21.69 %.

Efektiviteti i Gjykatës së Gjilanit në lëndët penale s’e kalon as 50%

Rënie në efikasitet Gjykata e Gjilanit pati edhe në trajtimin e lëndëve penale.

Në vitin 2017 kjo gjykatë kishte në proces 7 mijë e 690 lëndë penale, teksa prej tyre të pazgjidhura kanë mbetur 4 mijë e 294. Efikasiteti i gjykatës këtë vit ishte 44.16 %.

Pak ndryshime në shifra kishte në vitin 2018, kur kjo gjykatë pranoi 7 mijë e 118 lëndë në fushën penale, teksa i zgjodhi vetëm 3 mijë e 556 me efikasitet prej 49.96%.

Performanca e kësaj gjykate në lëndet penale shënoi një ngritje të vogël në vitin 2019. Gjykata këtë vit nga 6 mijë e 603 raste i zgjodhi 3 mijë e 385. Efikasiteti në zgjidhjen e lëndëve këtë vit ishte 51.26%, përderisa një vit më pas efikasiteti i përgjithshem në lëndet penale ishte vetem 31%.

Pra në vitin e pandemisë nga 4652 lëndët që i kishte në punë, gjykata arriti ti zgjidhte vetëm 1 mijë e 531.

Efikasiteti i degës në Kamenicë

Rënie të përformancës pati edhe në degën e Kamenicës. Në vitin 2017 kjo gjykatë e kishte pasur efikastitetin më të lartë pasi kishte trajtuar 64% të rasteve në fushën civile që i kishte në punë, mirëpo këtë rezultat nuk kishte arritur ta përserisë një vit më pas. 

Të dhënat tregojnë se në vend që ta shtonte përfomancën, dega në Kamenicë e kishte përgjysmuar atë në vitin 2018. Gjatë atij viti nga 2 mijë e 722 raste civile, ishin zgjidhur vetëm 910 prej tyre çka e zbriti koeficientin e efikasitetit në 33.43 %.

Kurse në vitin 2019, Gjykata e Kamenicës shënoi një ngritje në performancën e saj. Nga 2 mijë e 498 raste, arriti t’i zgjedhë 1 mijë e 378 prej tyre, ku edhe efikasiteti i gjykatës shënoi rritje në 55.16%.

Kjo performancë nuk zgjati shumë pasi u përgjysmua në vitin 2020. Të dhënat e analizuara tregojnë që Kamenica në këtë vit kishte pranuar 1 mijë e 778 lëndë, teksa kishte arritur t’i zgjidhë vetëm 443. Efikasiteti këtë vit i gjykatës u zbrit në 24.92%. 

Në fushën Penale, Dega e Kamenicës bazuar në të dhënat nga databaza, “çalon” nga viti 2017 deri 2020. 

Në vitin 2017 Kamenica kishte pranuar 1 mijë e 516 lëndë, teksa kishte trajtuar vetëm 637 prej tyre. Shkalla e efikasitetit këtë vit ishte 42.02%.

Kurse në vitin pasues, lëndën që ishin në proces, ishin 1 mijë e 362, kurse 724 prej tyre u zgjodhën. Efikasiteti këtë vit ishte më i lartë se në vitin 2017, me 53.16%.

As viti 2019 nuk ishte më efikas për Gjykatën e Kamenicës. 52.17 % ishe shkalla e efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve penale. Nga 1 mijë e 175 lëndë, u zgjodhën vetëm 613 prej tyre.

Kurse në vitin 2020 Gjykata e Kamenicës nga 760 lëndë nuk ka arritur të zgjedh më shumë se 281 prej tyre, duke mos arritur ta kalojë efikasitetin e 36.97%.

Efikasiteti i ulët i trajtimit të rasteve civile dhe penale në Novobërdë

Në këtë rajon, më së keqi qëndron Gjykata e Novobërdës. Pavarësisht vëllimit më të vogël të lëndëve në fushën civile dhe penale, Novobërda nuk arrin t’i zgjidh as gjysmën e rasteve në agjendë.

Komuna e Novobërdës sipas të dhënave në fushën civile nga viti 2017 e deri në 2020, asnjëherë shkallën e efikasitetit në trajtimin e lëndëve nuk e ka pasur më të lartë se 50%.

Në vitin 2017 kjo gjykatë, ka pranuar 1 mijë e 347 lëndë, teksa ka trajtuar vetëm 611 prej tyre. Me këtë rast këtë vit shkalla e efikasitetit ishte 45.36%.

Edhe më e dobët në performancë, Dega e Novobërdës ishte në vitin 2018 kur nga 1 mijë e 51 raste, u trajtuan vetëm 378 prej tyre. Shkalla e efikasitetit këtë vit ishte 35.97%.

Për 4 vitet e analizuara, viti 2019 ishte më i dobëti për Novobërdën.

Teksa kishte pranuar vetëm 933 lëndë civile, veç 261 u trajtuan, kurse 672 mbetën “pa prekur”. Efikasiteti i gjykatës këtë vit ishte 27.97%

Në vitin 2020 u pranuan 1 mijë 234 lëndë, por vetëm 364 prej tyre arritën “të hynin” në duart e gjyqtarëve.

Dega e Gjykatës Themelore në Novobërdë nuk tregoi efikasitetin e duhur as në lëndët e çështjeve penale, në periudhën e analizuar nga viti 2017 deri më 2020.

Në vitin 2017, kishte në punë vetëm 307 lëndë, teksa i procedoi vetëm 145 prej tyre. Shkalla e efikasitetit këtë vit ishte 47.23%.

Më i dobët se viti paraprak, ishte viti 2018, kur u trajtuan vetëm 87 lëndë nga gjyqtarët në Novobërdë, nga 272 lëndë sa ishin gjithsej.

Shkalla e efikasitetit u ngrit pak në vitin 2019, ku arriti në 31.68%. Kjo pasi që nga 303 lëndë, 96 prej tyre u trajtuan, teksa 207 mbetën të pa prekura.

Viti 2020 sërish solli shifra të ulëta. Efikasiteti këtë vit ishte vetëm 17.89 %, pasi që u trajtuan vetëm 51 lëndë, nga 285 gjithsej.

Trajtimi i lëndëve penale dhe civile në Degën e Vitisë

As Dega e Vitisë nuk qëndron më mirë në trajtimin e rasteve civile dhe penale.

Madje që nga 2017 kjo gjykatë asnjëherë s’ka arritur të zgjidhë më shumë se 58% të lëndëve vjetore, lëndët barteshin për vitin pasues.

Në vitin 2017, Vitia nga 6 mijë e 124 lëndë, kishte trajtuar pak më shumë se gjysmën e tyre, duke lënë kështu të pazgjidhura 2 mijë e 556 raste. Shkalla e efikasitetit këtë vit ishte 58.26%.

Në vitin 2018 shifra e efikasitetit zbriti në 41.59 %, ku nga 4 mijë e 11 raste, gjyqtarët e kësaj dege arritën të zgjidhin vetëm 1 mijë e 668 prej tyre.

Në vitin 2019, gjyqtarët e Vitisë nga 3 mijë e 768, arritën të zgjidhnin 1 mijë e 191 lëndë, duke e quar kështu efikasitetin në 31.61%

Viti 2020 ishte më i dobëti në periudhën e analizuar 2017-2020.

Në këtë vit shkalla e efikasitetit u zbrit në 15.47%, ku u trajtuan vetëm 464 lëndën, nga 2 mijë e 999 sa ishin në proces gjithsej. 

Fatin e njëjtë e kishin edhe lëndët penale.

Në vitin 2017, Dega e Vitisë kishte në proces 2 mijë e 733, teksa arriti të procedonte vetëm 1 mijë e  93 prej tyre. Efikasiteti i kësaj dege këtë vit isht 39.99%.

Në vitin 2018 nga 2 mijë e 390 raste, u trajtuan 1 mijë e 124. 

Në vitin 2019 shkalla e efikasitetit në lëndë penale e kësaj dege ishte 40.65 %.

Të dhënat tregojnë që viti 2020, shënon vitin me efikasitetin më të ulët të Degës së Vitisë. Nga 1 mijë e 923, trajtuan vetëm 450 raste, gjë që ndikoi që të ulet shkalla e efikasitetit të gjyqtarëve të kësaj dege, në 23.40%.

Ngarkesa me lëndë në Gjykata 

Bazuar në të dhënat statistikore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në nivel vendi rezulton se gjatë vitit 2021 gjykata më e ngarkuar me lëndë ka qenë Gjykata Themelore në Prishtinë me gjithsej 78 mijë 691 lëndë në punë, derisa ajo më pak e ngarkuar ka qenë Gjykata Themelore në Gjakovë me 10 mijë e 289 lëndë në punë.

Performancë më të dobët në zgjidhjen e lëndëve që i kanë pasur në punë gjatë vitit 2021 ka treguar Gjykata Themelore në Prishtinë (22.77%) dhe ajo në Mitrovicë (34.74%), derisa performancë më të lartë në zgjidhjen e lëndëve në punë ka pasur Gjykata Themelore në Gjakovë (43.56%) e pasuar nga ajo e Gjilanit (40.08%).

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.