Gjilani - Komunë e Zhytyr në Borxhe dhe Tenderë Kontroversë (TV)

Ky rasport fillimisht është publikuar më 28.06.2013

Komuna e Gjilanit ka kontraktuar punë dhe ka blerë mallra e shërbime për mbi 3.5 milionë euro, të cilat nuk i kishte, përgjatë viteve të kaluara.

Borxhi mbetet barrë për secilin kryetar të komunës që do të vijë nga zgjedhjet e ardhshme lokale e që pritet të mbahen në vjeshtë.

Agron Demi, drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Avancuara GAP i cili e ka analizuar performancën e kësaj komune dhe ka nxjerrë një raport në muajin maj, e konsideron këtë borxh si shkelje të rregullave të menaxhimit të financave publike për shkak se, sipas tij, një organizatë buxhetore nuk lejohet të ketë borxh kaq të madh publik dhe të rrezikojë qëndrueshmërinë financiare të komunës.

Komuna u ka mbetur borxh operatorëve ekonomikë të cilëve u ka ndarë punë publike.

Demi shpjegon për Gazetën Jeta në Kosovë se komunat, 30 ditë pas dorëzimit të dokumentacionit për përfundimin e punëve nga ana e operatorëve, sipas ligjit për menaxhimin e financave publike, obligohen të ekzekutojnë pagesat – në të kundërtën bëjnë shkelje ligjore. 

“Kushdo që do të jetë kryetar i komunës në vitin 2014 e tutje do ta ketë problem menaxhimin e komunës për shkak se do t’i duhet të merret me shlyerje borxhi. Agron Demi

“Kushdo që do të jetë kryetar i komunës në vitin 2014 e tutje do ta ketë problem menaxhimin e komunës për shkak se do t’i duhet të merret me shlyerjen e këtij borxhi”, thotë Demi.

Sipas tij, borxhi komunal ka pasur trend rritjeje në vazhdimësi prej vitit 2009.

Edhe Arben Mehmeti, sekretar i Lidhjes Demokratike e Kosovës, thotë se borxhi nuk është risi pasi përbën një “lloj standardi për tri vjet rresht”.

“Në një farë forme komuna e Gjilanit është sikur një kompani që është para bankrotimit”, tha Mehmeti .

Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, thotë se komuna ka borxh 1.2 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime, rreth 200,000 euro për shpenzime komunale, 51,000 euro për subvencione dhe 350,000 euro për investime kapitale.

Ky borxh mund të jetë edhe më i madh, sepse në llogaritje nuk janë përfshirë obligimet e shpronësimit, e që mund të jenë rreth 1.6 milionë euro, sepse siç thotë Mustafa, këto nuk janë obligime vjetore.

“Këto obligime krijohen nga momenti kur bëhet vlerësimi i pronës nga njësia e Ministrisë së Financave  dhe duhet të shlyhen brenda 24 muajsh”, thotë Mustafa.

“Në një farë forme komuna e Gjilanit është sikur një kompani që është para bankrotimit. Arben Mehmeti

Sipas komunës, në fazën e parë është bërë një vlerësim nga komuna nga 45 euro për metër katrorë, kurse në fazën e dytë nga komisioni i ministrisë së financave nga 45-68 euro për metër katrorë.

ministria ende nuk e ka bërë këtë vlerësim. Bëhet fjalë për shpronësimet përgjatë lumit “Mirusha”.

Zëdhënësi Shefik Surdulli thotë se janë rreth 3 milionë euro borxhe.

Por Mustafa thotë se më shumë se borxhit, duhet kushtuar rëndësi faktit se si është krijuar ai borxh. “A është krijuar ai borxh për të krijuar efekt në qeverisje apo jo? Do të thotë nuk duhet me u lidh vetëm për shifrën”.

Mustafa mburret për qeverisje efektive, por ndërkohë ankohet se buxhetet e komunave kanë mbetur të njëjta ndër vite ndërsa kërkesat ndaj tyre vazhdimisht janë rritur.

“Organizmi është rritur e këmisha ka mbetur e njëjtë. Kështu dikur këmisha shqyhet. Kjo është situata në të cilën ndodhemi tash”, shprehet ai. 

“Organizmi është rritur e këmisha ka mbetur e njëjtë. Kështu dikur këmisha shqyhet. Kjo është situata në të cilën ndodhemi tash. Qemajl Mustafa

Sipas komunës, buxheti i rishikuar për vitin 2013 është 19,184,843 euro. Për vitin 2012, buxheti ka qenë 19,108,957 euro ndërsa për 2011 ka qenë 19,456,91 euro.

Përveç borxheve të komunës, edhe kryetari i Gjilanit ka deklaruar në vitin 2012, 80 mijë euro borxhe private në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit ndaj një personi privat. 

Sipas drejtuesit të GAP-it, Agron Demi, edhe vitin 2012 komuna e mbylli me 3.3 milionë euro borxh. Prej tyre, 1,364,985 euro për mallra dhe shërbime, 189,908 euro për shpenzime komunale dhe 1,735,633 euro për investime kapitale. Nga 1.364.985 euro borxh për mallra dhe shërbime, 382,201 ishin vetëm të Zyrës së Kryetarit.

“Hyrja në obligime të papaguara për secilën komunë përcillet me rreziqe, ngase këtë vit komuna e Gjilanit do të këtë fare pak mundësi për investime”, tha Demi.

Kryetari

Instituti GAP e ka cilësuar Qemajl Mustafën një ndër kryetarët më të përfolur për përzierjet e tij në procedurat e prokurimit dhe për lidhje me biznese.

Raporti i institutit cek se Mustafa, para marrjes së postit të kryetarit të Komunës më 2010, ishte një biznesmen i suksesshëm dhe se lidhjet e tij formale dhe joformale me bizneset vazhduan edhe pas zgjedhjes së tij si kryetar.

Më 2010 ai kishte deklaruar 456 mijë pasuri të paluajtshme dhe dy vetura në vlerë 22 mijë euro. Mustafa nuk kishte deklaruar ndonjë biznes atë vit. Por, më 2011, ai deklaroi edhe aksione në vlerë 250 mijë eurosh në “Viva Fruta” si dhe aksione në vlerë 10 mijë eurosh në “Vizion”. Në të njëjtin vit ai deklaronte tash 713 mijë euro pasuri të paluajtshme. Më 2012, Mustafa deklaroi edhe 80 mijë euro detyrime ndaj qytetarit Ridvan Asllani.

Demi thotë se në tri vitet e kaluara partnerët e Mustafës në biznes kanë fituar projekte prej komunës.

Sipas tij, ortaku i Qemajl Mustafës në “Viva Frutta”, Mustafë Shala, figuron si person i autorizuar në “Compakt Grup”. Kjo e fundit, shton ai, del të këtë marrë tenderë në komunën e Gjilanit në disa raste gjatë dy viteve të kaluara (2012-2011).

Gjatë vitit 2012, komuna e Gjilanit kompanisë “Compakt Grup” i ka dhënë tender për rregullimin e terrenit të stadiumit të qytetit në vlerë 9,900 euro. Më 2011 ajo ka fituar tender për furnizim të komunës me derivate për vetura dhe gjeneratorë në vlerë 100,000 euro. Pastaj një tender për furnizim me naftë për ngrohje në vlerë të 120,000 eurove. Disa muaj më vonë, “Compakt…” fitoi tender për drenazhimin dhe vendosjen e barit të ri në stadiumin e qytetit për 151,236 euro. Po ashtu, ajo fituar të drejtën për ofrimin e inventarit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan dhe për drejtoritë komunale në vlerë të 4,000 euro.

Mustafën, më 30 maj 2012, pas procedurës së nisur nga Agjencioni Kundër Korrupsion, Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Gjilan e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me gjobë për faktin se figuronte si personi i vetëm i autorizuar në biznesin “Frutta Viva” gjë që binte ndesh me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

Gjithashtu, komuna e Gjilanit më 24 maj 2011 ka njoftuar se i ka dhënë tender kompanisë “Ari Trading” nga Gjilani për ndërtimin e objektit banesor në vend të ish-objektit të kadastrit në vlerë prej 1.8 milionë eurosh. Kjo kontratë është nënshkruar nga Qemajl Mustafa në emër të Komunës së Gjilanit dhe Asllan Asllani në emër të kompanisë “ARI Trading”.

Në njoftim për dhënie të kontratës thuhet se procedurat e tenderimit për Partneritet Publiko Privat (PPP) janë zhvilluar vetëm me një kompani. Në bazë të kontratës thuhet se objekti do të ndërtohet brenda dy vitesh.
 
Sipas Agron Demit të Gap-it, autoritetet janë duke e hetuar Mustafën pasi kompania fituese i takon personave të cilëve kryetari i Gjilanit u ka borxh 80,000 euro, më konkretisht se Asllan Asllani është axha i Ridvan Asllanit të cilit kryetari i kishte borxh 80,000 euro.

Më 23 maj 2013, Prokuroria Themelore në Gjilan ndërkohë hodhi poshtë një kallëzim penal të policisë ndaj Qemajl Mustafës për dyshime se kishte shpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimet si kryetar komune duke ndikuar në procesin e tenderimit rreth organizimit të një ekskursioni për nxënësit e shkollave të mesme në Gjilan.

Por GAP-i ka gjetur po ashtu se Qemajl Mustafa del të këtë fshehur një pjesë të pasurisë së tij në deklarimin e pasurisë Agjencionin Kundër Korrupsionit (AKK), në vitin 2010.

Sipas institutit, gjatë vitit 2010 Qemajl Mustafa i ka deklaruar AKK-së, përveç tjerave, se posedon dy parcela toke, njëra në Gjilan dhe tjetra në Prishtinë, në madhësi totale prej 3,100 metrave katrorë, parcela këto të përfituara (blera) gjatë periudhës së paraluftës.

Dy vjet më pas, më 2012, kryetari deklaron AKK-së se posedon tri parcela toke në madhësi prej 11,300 metrash katrorë, ose 8,200 metra katrorë, më shumë se deklarimi gjatë vitit 2010.  Të gjitha parcelat e deklaruara në vitin 2012 potencohen të jenë fituar (blerë) para periudhës së luftës.

“Kontratë mbi vepër” me gruan dhe gruan e vëllait

Instituti GAP thotë se 38 njerëz ishin punësuar nga komuna me kontrata mbi veprën. Pagat e të tyre nuk figurojnë në listën e pagave por paguhen nga kategoria “mallra dhe shërbime”.

“Komuna e Gjilanit ka angazhuar individë me kontratë mbi vepër për periudha më shumë se tre vjeçare”, thotë GAP. “Kjo është në kundërshtim me ligjin në fuqi, për shkak se nuk mund të angazhohet një person me kontratë mbi vepër më shumë se tre muaj”. 

“Komuna e Gjilanit ka angazhuar individë me kontratë mbi vepër për periudha më shumë se tre vjeçare. GAP.

Ismete Kurtalani, zyrtare në personel të komunës së Gjilanit, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se aktualisht numri i të punësuarve me kontratë mbi vepër është 3. “Kontrata e tyre është njëmujore, do të thotë në fund të këtij muaji (qershor 2013) u mbaron ajo”.

GAP-i ka parë se për këso pozita nuk është shpallur konkurs dhe se në këtë formë është punësuar edhe gruaja e vëllait të kryetarit Qemajl Mustafa, si zyrtare e personelit në kuadër të zyrës së kryetarit. Komuna, përmes Kurtalanit, e mohon këtë duke thënë se zyrtarja në fjalë është pranuar me kontratë dhe sipas procedurës së rregullt.

Po ashtu, me kontratë mbi vepër, kryetari Qemajl Mustafa është kujdesur që të punësojë edhe gruan e tij në kuadër të drejtorisë së arsimit, thotë raporti i GAP-it.

Bardhyl Syla, shefi i personelit në administratën komunale, i tha gazetës se gruaja e kryetarit të komunës është e angazhuar me kontrate në vepër që nga 11 shkurti 2013. Sipas tij, është kontrata e parë në vepër dhe afati i saj skadon më 13 gusht 2013.

Gjithashtu, në muajin prill 2013, komuna e Gjilanit dhe Zyra për Shërbime Juridike “Fadil Sinani N.I”  lidhën një kontratë njëvjeçare prej 161,214 eurosh. Sipas kontratës, operatori do të ofrojë shërbime si me juristë, teknikë administrativë etj për komunën. 

“Kontrata e tyre është njëmujore, do të thotë në fund të këtij muaji (qershor 2013) u mbaron ajo. Ismete Kurtalani

Ismajl Kurteshi i Vetëvendosjes thotë se me këtë kontratë komuna “ka privatizuar një pjesë të shërbimeve administrative”.

Por zëdhënësi komunal Shefik Surdulli thotë se kontrata është bërë për shkak të nevojës që komuna ka për shërbime të ndryshme profesionale dhe meqë nuk kanë pasur të drejtë që në ndonjë formë tjetër të marrë ato, për shembull, përmes punësimit të stafit shtesë për çka komunat kanë kufizime.

Lumi Mirusha – premtim i përhershëm

Komuna e Gjilanit po kritikohet nga opozita për mos realizimin e premtimit të dhënë qe katër vjet, për shtrimin e shtratit të lumit Mirusha.

Gjatësia e projektuar e lumit është 3,485 metra kurse gjatësia e kanalizimit fekal në të dy anët e lumit është 8,375 metra, sipas komunës.

Zëdhënësi Shefik Surdulli thotë se një pjesë e madhe e punës në shtratin e lumit ka përfunduar. 

“Tani më nuk mund të flitet për një kënetë apo moçal (në qytet)”, tha ai. “Por është një vend piktoresk dhe një vepër e bukur artistike”. 

“Tani më nuk mund të flitet për një kënetë apo moçal (në qytet) por është një vend piktoresk. Shefik Surdulli 

Komuna thotë se janë investuar 1.6 milionë euro në rregullimin e këtij shtrati të lumit.

Por, përfundimin e punimeve, sipas komunës, po e pamundësojnë problemet e natyrës pronësoro-juridike. “Ka pengesa, ka uzurpime të pronës publike…”, thotë Surdulli.

Sipas Surdullit, deri më tash për shpronësim deri te hotel “Kristali” janë dhënë  600 mijë euro, ndërsa deri në përfundim të projektit pritet të ndahen edhe 400 mijë euro tjera.

I tërë projekti kap vlerën e rreth 5 milionë eurove, ndërsa mjetet për finalizim i ka premtuar qeveria, tha Surdulli. 

“Tash jemi në vitin 2013 dhe lumin Mirusha e kemi në gjysmë. Arben Mehmeti

Arben Mehmeti, sekretari i LDK-së opozitare në Gjilan, thotë se ky qytet që nga viti 2008 identifikohet me premtimin se brenda dy viteve do të përfundojë projekti i lumit Mirusha.

“Tash jemi në vitin 2013 dhe lumin Mirusha e kemi në gjysmë”, thotë ai. 

Për Ismajl Kurteshin e Vetëvendosjes në Gjilan Mirusha tani “më tepër është shndërruar në kanalizim sesa në lumë”. 

GAP-i thotë se lumi nuk do të kryhet brenda këtij viti, por, sipas institutit, punimet kanë arritur të eliminojnë kundërmimin që vinte nga lumi.

Ujësjellësi në gjysmë të rrugës

Vetëvendosja thotë se komuna shpenzoi 150,000 mijë euro në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Cërnicë.

“Por qytetarët ende nuk kanë ujë”, thotë Ismail Kurteshi i VV-së.

Banorët me të cilët ka folur gazeta janë ankuar edhe për mungesën e ujit edhe për vlerësimin e pronës. 

“Por qytetarët ende nuk kanë ujë. Ismail Kurteshi

Komuna thotë se vlerësimin e tokave për nevojat e ujësjellësit e ka bërë komisioni nga Ministria e Financave. Sipas saj, pronarët ishin pajtuar me vlerësimin dhe kushtet e ofruara duke nënshkruar procesverbalet e ministrisë. 

Pikërisht problemet pronësore, thotë zëdhënësi Surdulli, kanë bërë që punimet të ndalen. Lënda, sipas tij, ka shkuar në gjykatë.

Universiteti

Sekretari i LDK-së, Arben Mehmeti, kritikon qeverinë e drejtuar nga PDK-ja duke thënë se premtimi se në tetor 2013 do të fillojë punën universiteti publik i Gjilanit “në praktikë është shumë larg së realizuari”.

Anamoravasit e përkrahin iniciativën për shkak të numrit të madh të studentëve të këtij rajoni si dhe mundësive që krijohen për studentët shqiptarë nga jugu i Serbisë, Maqedonia si dhe komunat Kamenicë, Novobërdë, Ferizaj, Viti, Kaçaniku etj.  

“[Ndërtimi i Universitetit Publik] në praktikë është shumë larg së realizuari. Arben Mehmeti

Sipas Mehmetit, nuk ka ndonjë risi sa i përket infrastrukturës publike për funksionimin e një universiteti . 

Por një bord është themeluar nën drejtimin e kryetarit të komunës dhe me përfaqësues nga ministria e arsimit, rektorati dhe fakulteti i edukimit me qëllim që universiteti të jetë i gatsgëm për datën 1 tetor.

Kryetari Mustafa nuk e sheh të pamundshëm fillimin.

“Ne kemi planifikuar që shkolla e mjekësisë që është duke punuar në aneksin e fakultetit të edukimit të kalojë në objektin e gjimnazit, shkolla e bujqësisë të kalojë në objekt të ri  dhe pastaj krejt këto hapësira do të jetë disponim të universitetit”, thotë Mustafa.

Me 78 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në fund të muajit maj janë ratifikuar vendimet e qeverisë për themelimin e universiteteve publike të Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës.

Asfaltimet fiktive

Arben Mehmeti i LDK-së kritikon komunën e Gjilanit se në broshurën “Investimet Kapitale 2008-2011” ka shënuar si të asfaltuar rrugën e fshatit Kravaricë për 222 mijë euro, ndërsa në realitet asfaltim nuk ka.

Rruga është shtruar vetëm me zhavorr.

Selim Shaqiri banor i fshatit Kravaricë thotë se janë 44 shtëpi dhe se kryetari u kishte premtuar asfaltimin e rrugës së tyre kryesore.
 
“Para dy viteve komuna rrugën e ka shtruar me zhavorr, por në disa pjesë veç e kanë prishur edhe më shumë.  Rruga ka qene më mirë e shtruar në kohën e përparme”, thotë Shaqiri.

Ai ankohet se as autobusi nuk shkon deri në fshat për shkak të rrugës së keqe. 

“Para dy viteve komuna rrugën e ka shtruar me zhavorr, por në disa pjesë veç e kanë prishur edhe më shumë. Selim Shaqiri

Lidhur me nxjerrjen e rrugës së Kravaricës si të asfaltuar në broshurë, zëdhënësi i komunës së Gjilanit thotë se ka ndodhur një gabim teknik gjatë shtypjes së broshurës.  

Dhe, sipas Surdullit, ky nuk është gabimi i vetëm në këtë broshurë. Edhe rruga në fshatin Kosaqë është paraqitur si e asfaltuar.

“Asfaltimi është kontraktuar dhe një pjesë e punës është kryer por nuk është asfaltuar”, shpjegon Surdulli.

Njëjtë ka ndodhur edhe me asfaltimin e rrugës në fshatin Malishevë.

“Këto janë tri raste për të cilat ne është dashur ta njoftojmë publikun – se këto projekte janë të kontraktuara”, thotë Surdulli.

Kryetari udhëton nga Prishtina në Gjilan

Instituti GAP e sheh si problem të komunës së Gjilanit përdorimin e parasë publike. Sipas tij, janë vërejtur shpenzime të mëdha në disa kategori buxhetore.

“Për këto tri vite sa ka qeverisur Mustafa komuna ka shpenzuar afër 300 mijë euro vetëm në dreka zyrtare”, thotë Agron Demi nga Instituti GAP.

Një shpenzim i panevojshëm është konsideruar edhe udhëtimi i përditshëm i kryetarit Mustafa nga Gjilani në Prishtinë, ku ai është i vendosur me banim të përhershëm.

Për tri vite, vetëm vetura e kryetarit të Komunës ka shpenzuar 18,527 euro karburante.

”Në bazë të ligjit për vetëqeverisje kryetari i komunës duhet të jetë banor i komunës gjatë qeverisjes së asaj komune, mirëpo është e paqartë nëse ai lejohet të udhëtojë çdo ditë. Është një zbrazëti ligjore”, thotë Demi.

Sipas tij, kryetari Mustafa nuk është i vetmi që qeverisë prej Prishtinës.

Ai përmend edhe kryetarin e Komunës së Klinës, i cili sipas tij, pjesën më të madhe të kohës e kalon në Prishtinë.

“Ashtu ka ndodhur para disa viteve edhe me kryetarin e Komunës së Ferizajt dhe kryetarin e Komunës së Podujevës”, thotë Demi.

Sipas tij, është bërë shprehi që kryetarët e komunave të mos banojnë në ato komuna që i qeverisin.

Transparenca

Raporti i GAP-it e vlerëson rritjen e transparencës së komunës. Uebfaqja zyrtare e komunës së Gjilanit posedon material dhe informata të bollshme për shumicën e sferave që i mbulon komuna dhe ka publikuar edhe raportet financiare, thuhet në raportin e GAP-it. 

“Komuna e Gjilanit është një ndër komunat më transparente në Kosovë dhe me ne ka qenë korrekte kur kemi dërguar kërkesën për qasje në dokumente publike”, thotë drejtori ekzekutiv i GAP-it.

Por ai tregon se menjëherë pas publikimit të raportit “Letërnjoftimi Komunës së Gjilanit 2013” në maj të këtij viti, kjo komunë është mbyllur kundrejt Institutit GAP, me arsyetimin se nuk kanë qenë të kënaqur si janë prezantuar të dhënat në raport.

Kryetari i komunës së Gjilanit ka reaguar në raportin e Institutit GAP, duke e cilësuar atë si politik , të pasaktë dhe joargumentues.

Edhe raporti i Zyrës së Kryeministrit për realizimin e së drejtës për qasje në dokumente publike, për vitin 2012,  në mesin e komunave e radhit Gjilanin në vendin e parë me 79 qasje të lejuara dhe 3 të refuzuara.

Projekte të realizuara

Agron Demi thotë se krenaria e qytetit të Gjilanit është parku i qytetit me të cilin, sipas tij,  mburret edhe vet kryetari Mustafa.

“Ky park është ndërtuar në mandatin e tij të parë. Dhe ende është një prej parqeve më të mira në Kosovë”, thotë Demi.

Ai ka lavdëruar edhe investimet në bujqësi dhe në pjesët rurale.

Disa nga projekte tjera të realizuara gjatë kësaj qeverisje përmenden të jenë  mbështetja e dhënë qendrës  “Don Bosko” në Gjilan, investimet në terrene sportive si ajo në fshatin Kmetoc, fshat i banuar me serbë, fusha sportive në shkollë fillore “Thimi Mitko” dhe ajo në fshatin Malishevë .

Po ashtu gjatë qeverisjes së Qemajl Mustafës ka pasur investime edhe në infrastrukturë të arsimit , si ndërtimi i shkollës së mesme të bujqësisë, gjimnazit në Gjilan dhe shkollës fillore në lagjen numër II.

Historiku

Sipas rezultateve preliminare të regjistrimit të vitit 2011, komuna e Gjilanit ka mbi 90 mijë banorë.

Hapësira e komunës tani ka 392 kilometra katrorë, ndërsa deri më 2010, përfshinte një territor prej 515.

Decentralizimi e ka reduktuar këtë komunë për 123 km/2 (12 zona kadastrale), të cilat i janë bashkuar komunës së re të Parteshit (3 zona kadastrale) dhe komunës së zgjeruar të Novobërdes (9 zona kadastrale).

Sipas faqes zyrtare të komunës së Gjilanit , kuvendi komunal ka gjithsej 41 këshilltarë.
Aktualisht 15 janë të LDK-së, 14 të PDK-së, 4 të AKR-së, 1 i Partisë Demokratike Turke të Kosovës(KDTP), 1 i PSDK-së, 5 të AAK-së, dhe 1 kandidat i PD-së që ka kaluar si i pavarur.

Qeverisja komunale udhëhiqet nga koalicioni PDK-AKR .