Dyqani i Mentor Rexhepit në Ulpianë, Prishtinë. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Gjigantët e supermarketeve ‘përbijnë’ dyqanet e vogla

Dyqanet tradicionale po shuhen si pasojë e ‘vrullit’ të hapjes të supermarketeve, të cilat çdo ditë e më shumë po zgjerohen nëpër qendra e lagje të qyteteve duke pamundësuar kështu ekzistencën e bizneseve të vogla shumëfunksionale.

Dyqani i vogël i Faik Kamberit në një cep të Vushtrrisë nuk mbijetoi as sa për të shënuar përvjetorin e parë të hapjes.

I gjendur përballë humbjeve në përfitim dhe rritjes së blerjeve nëpër supermarkete, Kamberi u detyrua të mbyllë dyqanin e tij të mbijetesës një ditë pas kësaj interviste.

Kamberi tha se shitjet e pamjaftueshme dhe rritja e çmimeve të produkteve e detyruan atë ta mbyll biznesin prej të cilit jeton.

“A po m’i jep tri krem banane?,” kërkoi njëri nga blerësit e fundit në dyqanin i cili gjendet në një nga pjesët më të frekuentuara të Vushtrrisë – i rrethuar me supermaktete të mëdha nga të gjitha anët.

Në këto dyqane të vogla, shumica e blerësve tani blejnë vetëm artikuj të lirë, nga të cilët nuk është e mundur të gjenerohen para për t’u furnizuar me produkte të tjera.

Aq sa është shitorja e vogël, aq e kishte edhe fitimin. 

Shitorja e vogël e Faik Kamberit në Vushtrri. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Të detyron ta mbyllësh. Nuk po ec. Pse me ardhë dikush me ble këtu kur diku tjetër e ka ma lirë,” tha Kamberi në një intervistë për Prishtina Insight. 

Edhe pse marketet moderne kanë më shumë punë për shkak të kërkesës më të madhe për punëtorë, sipas Korporatës Ndërkombëtare Financiare trendi i marketeve moderne mund të çojë në humbje të vendeve të punës në dyqane më të vogla tradicionale. 

Drejtori i Nismës Ekonomike për Kosovën në Vjenë, Kujtim Dobruna tha për Prishtina Insight që dyqanet e vogla janë të rrezikuara nga shtrirja dhe konsolidimi i marketeve.  

“Një arsye shtesë për këtë paraqet edhe fakti i rritjes së mobilitetit të konsumatorëve dhe ndërgjegjësimi më i madh i tyre për çmimet,” tha ai. 

Faik Kamberi thotë se çmimet që i ofrohen shitoreve të vogla për artikujt e njëjtë janë shumë më të larta se për supermarkete. Për këtë arsye ata po detyrohen të kenë çmime më të larta në shitoret e tyre, gjë që po i drejton konsumatorët tek supermarketet.

“Sa te shesim ne tani? P.sh depoja ma ka sjellë këtë produkt me vlerë 88 cent, për supermarketet 75 cent. Unë 88 cent e kam ble, e sa me shitë, kur atje është 75 cent?,” shprehet i dëshpëruar ai, duke thënë se për të gjitha produktet është i njëjti problem. 

Dështimi për të tërhequr konsumatorët

Dyqani i vogël i Kamberit nuk po arrinte të gjeneronte mjaftueshëm kërkesë edhe nga klientët që jetonin aty pranë.

“Këtu blej vetëm gjëra për fëmijët, sepse produktet e tjera janë të shtrenjta. Unë blej produkte të tjera në dyqanet e mëdha, pasi janë më të lira,” tha një blerës vendas, Nazim Binaku.

Vitet e fundit, dyqanet e mëdha janë bërë shumë më të spikatura në qytetet e Kosovës.

Përveç qendrave tregtare, ato kanë filluar të hapen edhe në lagje, duke krijuar një tjetër problem për pronarët e dyqaneve të vogla.

Sipas Dobrunës, konkurrenca nga dyqanet e mëdha reflekton mënyrën se si konkurrenca gjatë shekullit të kaluar shkatërroi ngadalë zanatet tradicionale dhe para-industriale, si rezultat i zhvillimit të industrive.

Megjithatë, sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, supermarketet kryesore në Kosovë i kanë zgjeruar dyqanet e tyre në afër 300 lokacione në mbarë Kosovën.

Sipas Dobrunës me futjen e metodës së vetë-shërbimit, numri i dyqaneve në sektorin e shitjes me pakicë të ushqimeve po bie. 

Kamberi tha se të gjitha dyqanet e vogla po vuajnë nga rritja e supermarketeve.

“Ju përpiqeni kot, por askujt nuk po ia ninë për neve. Mund të ankohemi sa të duam, por askujt as nuk i intereson”, tha ai.

Ai shpreson se do të ndërmerren disa masa për të ndihmuar dyqanet e tjera, që të mos kenë të njëjtin fat si ai i tij.

“Shumë shitore janë mbyllur, por edhe ato që janë të hapura vuajnë, jo veç pse kanë fitim pak po me ia kqyrë fitoren krejt veresi i kanë. Shumica që blejnë nëpër shitore shumicën i kanë veresi”, tha ai. 

“Peshqit e mëdhenj përherë i kanë ngrënë peshqit e vegjël”

Mentor Rexhepi, i cili drejton një dyqan të vogël në lagjen Ulpiana të Prishtinës, thotë se supermarketet i kanë përgjysmuar të ardhurat e tij.

Ndonëse dyqani i tij është plotë me produkte, të njëjta me ato të supermarketeve, nuk mjafton për të mbajtur dyqanin, i cili është burimi i vetëm i të ardhurave të tij.

Sipas 50-vjeçarit, çmimet e larta po e bëjnë të pamundur shtimin e produkteve, përveç atyre thelbësore.

“Unë nuk kam hesap të blej llojëra të mishrave për shkak se shumë shtrenjtë dhe askush nuk vjen me ble këtu në vend që të blej në market,” tha ai.  

Dyqani i Mentor Rexhepit në Ulpianë, Prishtinë. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Pirro Piraj, nga kompania e prodhimit të mishit me shumicë Meka Food, tha për Prishtina Insight se produktet e tyre i shesin me të njëjtin çmim në supermarkete dhe dyqane të vogla.

Por ai pranon se supermarketet përfitojnë më shumë, pasi mund të negociojnë oferta më të mira, sepse shitjet e tyre janë shumë më të larta. Dyqanet e vogla furnizohen me çmime fikse për shkak të kërkesës më të vogël.

Duke krahasuar kohën e tanishme me 20 vjet më parë, tregtarët e vegjël flasin për rënie drastike të fitimeve.

Rexhepi pajtohet, duke theksuar se kur supermarketet favorizohen për çmime, dhe kanë më shumë hapësirë ​​për zbritje, pse qytetarët duhet të blejnë nga një dyqan i vogël?

Bizneset përshtaten me realitetin e ri ekonomik

Zgjerimi i supermarketeve është inkurajuar nga zgjerimi i qyteteve dhe vendbanimeve urbane në Kosovë gjatë viteve të fundit.

Si pasojë e kësaj është bërë e nevojshme përshtatja e infrastrukturës tregtare infrastrukturës me jetesën e re për të përmbushur nevojat e banorëve, sipas Dobrunës.

Zgjerimi i zinxhirëve të supermarketeve nëpër lagje është pasojë e mekanizmit të ofertës dhe kërkesës që është përcaktuesi kryesor në një ekonomi të tregut të lirë, shton ai.

“Banorët e rinj nëpër lagje të reja krijojnë kërkesë të re për shërbime dhe produkte, të cilave ju përgjigjet biznesi privat me ofertë adekuate”, tha ai.

Pra, një luftë konkurruese midis ofertuesve kryesorë për konsumatorët, e cila sjell çmime më konkurruese, produkte më cilësore, transparencë në treg dhe shërbime më profesionale.

Këtë vrull të konsumatorëve e sheh edhe si rezultat i shërbimeve më të mira, duke u nisur nga hapësirat për parking, argëtim, varieteti i produkteve që ofrojnë.

Megjithatë, Dobruna beson që në të ardhmen dyqanet e  vogla do të ndryshojnë duke u duke zgjeruar gamën e mallrave, digjitalizuar apo duke u specializuar në fusha të caktuara. 

Përkundër tjetërsimit të madh ekonomik, dyqanet e vogla ruajnë veçantinë e tyre në kujtesën kolektive të Kosovës.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.