Gjetja e Auditorit për 2019-tën: Shteti rrezikon mbi 196 milionë euro borxhe nga paditë

Përveç borxheve ekzistente që institucionet e ndryshme të Kosovës kanë ndaj bizneseve e individëve, Auditori ka vlerësuar se ekziston edhe një borxh i ashtuquajtur kontigjent prej mbi 196 milionë euro.

Detyrimet kontigjente paraqesin pretendime të ndryshme nga ana e paditësve, që kanë gjasa në të ardhmen të krijojnë detyrime për organizatat, varësisht prej vendimeve të gjykatës të cilat mund të jenë në favor të palëve paditëse.

Këto kanë të bëjnë me kompensime për shpronësime, kompensim të borxhit, dëmit material, pagave dhe pretendimeve tjera financiare në lidhje me to.

Sipas Auditorit, në raportin e konsoliduar, detyrimet kontigjente janë gjithsej 192,337,757 euro, por të nënvlerësuara për 4,319,328 euro, sepse sipas auditimit detyrimet kontigjente do të duhej të paraqiten në vlerë 196,657,085 euro.

“Kjo kategori, si e tillë, është subjekt i gabimeve potenciale në shpalosje, sepse shënimet lidhur me këto detyrime varen nga bashkëpunimi mes zyrave ligjore të OB-ve, Avokaturës Shtetërore si dhe autoriteteve gjyqësore”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Por, gjithnjë sipas Auditorit, diferencat gjithashtu kanë të bëjnë me disa gabime që janë lëshuar nga Ministria e Financave gjatë konsolidimit të shënimeve që i kanë pranuar nga organizatat buxhetore.

Detyrimet kontigjente të nivelit qendror

Auditori thotë se vlera e detyrimeve kontigjente te niveli qendror ishte raportuar në Raportin Financiar Vjetor të vitit 2019 në shumë prej 118,539,654 euro, por që është nënvlerësuar për 220,492 euro.

Sipas auditimit, duhet të jetë 118,760,146 euro. Arsye për këtë është cilësia e dobët në mbledhjen, konsolidimin dhe raportimin e shënimeve nga Organizatat Buxhetore tek Ministria e Financave, si dhe kjo e fundit në disa raste, sipas Auditorit, kishe bartur gabimisht shënimet.

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar në Pasqyren Financiare të saj 1,178,758 euro detyrime kontigjente, shumë kjo e paraqitur në Raportin Vjetor Financiar, ndërsa sipas auditimit shuma e tyre ishte 1,435,255 euro. Pra Auditori ka gjetur se kishte një nënvlerësim prej 256,497 euro, për arsye sipas tyre, se zyra ligjore kishte raportuar tek ZKF-ja vetëm detyrimet e vitit 2019.

Ndërsa Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kishte raportuar në Raportin Financiar Vjetor shumën prej 3,489,101 euro, ndërsa sipas auditimit, kjo vlerë ka rezultuar prej 3,453,819 euro, me një mbivlerësim prej 35,282 euro.

“Shkaku i kësaj diference është se ShSKUK gabimisht kishte prezantuar në RFV shumën 35,282€; Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prinë e para për nivelin e lartë të detyrimeve kontigjente prej 31,879,568€, pastaj Ministria e Infrastrukturës 22,274,580€ ku përfshihen obligimet e mundshme për shpronësimin e tokave”.

Detyrimet kontigjente të nivelit lokal

Detyrimet kontingjente të nivelit lokal janë dukshëm më të vogla në krahasim me ato të nivelit qendror. Paditë ndaj komunave janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga pretendimet për pagat jubilare e deri tek paditë për shpronësime. Për shkak të qasjes aspak të strukturuar dhe jo formale në harmonizimin e të dhënave, auditimi ka nxjerrë në pah një mori gabimesh.

Shuma e raportuar sipas RFV e detyrimeve koningjente ishte 73,798,104 euro, ndërsa shuma e detyrimeve koningjente sipas auditimit është 77,896,939.

Komuna e Prizrenit i kishte nënvlerësuar detyrimet kontingjente për 4,191,424 euro. Këto nuk ishin raportuar në Pasqyrën Financiare Vjetore  të vitit 2019. Shkaku i kësaj diference është se komuna detyrimet e vitit 2018 në vlerë 3,610,870 euro dhe ato të vitit 2017 në vlerë 986,165 euro nuk i kishte raportuar.

Komuna e Gjilanit kishte një mbivlerësim prej 32,246 euro. Shkaku i kësaj ishte se komuna një obligim të papaguar e kishte prezantuar si detyrim kontingjent.

Ngjashëm ishte edhe te Komuna e Kllokotitit, ku kishte një mbivlerësim në vlerë prej 24,406 euro. Shkaku i kësaj ishte se komuna një obligim të papaguar e kishte prezantuar si detyrim kontingjent.

Komuna e Kamenicës, kishte mbivlerësuar detyrimet kontingjente për 21,600 euro, për shkak të një gabimi teknik, ku në vend të shumës 2,400 euro ishte vendosur shuma 24,000 euro.

Komuna e Podujevës, kishte një mbivlerësim në vlerë prej 14,336 euro. Shkaku i kësaj ishte se komuna një obligim financiar e kishte prezantuar si detyrim kontingjent.

“Komunat me detyrime kontingjente më të larta janë: Komuna e Prishtinës 25,329,751 euro, Komuna e Prizrenit 10,696,110 euro, pastaj Komuna e Gjilanit 10,936,835 euro, si dhe Komuna e Ferizajt 8,141,889 euro”.

Shpalosja jo e saktë e detyrimeve, sipas Auditorit, ka ndikuar që detyrimet kontigjente të mos pasqyrojnë gjendjen e drejtë dhe të plotë.

“Kjo mund të ndikojë që informacioni i shpalosur për këto detyrime të jetë ç’orientues për palët e interesit”.