Gjermania në krizë politike pas dorëheqjes së trashëgimtares së Merkel

Plani për trashëgimtaren e kancelares gjermane Angela Merkel, i trasuar një vit më parë, ka rënë në ujë.

Kjo pasi që kandidatja e preveruar nga vetë kancelarja, Annagret Kramp-Karrenbauer, njoftoi të hënën se nuk do të garojë për pozitën e shefes së Qeverisë gjermane, duke e futur Gjermaninë në një periudhë të paqartësisë dhe konfuzitetit.

Unioni Kristian Demokrat, CDU, ka pësuar një tronditje dhe tani është në kërkim të një rrugëdaljeje.

Edhe partia e dytë në Gjermani, Partia Socialdemokrate, SPD, nuk është në pozitë më të mirë. Edhe ajo është në kërkim të vetvetes.

Kramp-Karrenbauer, e cila aktualisht është ministre e Mbrojtjes dhe për një kohë të gjatë ka luftuar që ta vendosë autoritetin e saj brenda partisë.

Njëkohësisht, Kramp-Karrenbauer do të qëndrojë si udhëheqëse derisa partia të zgjedhë një pasardhës këtë verë.

AKK, siç ajo është thirrur shpesh Annagret Kramp-Karrenbauer, pritej të vazhdonte kursin e qendrës së CDU-së nën Merkel, e cila po planifikon të tërhiqet si kancelare në zgjedhjet e ardhshme federale, të planifikuara për vitin e ardhshëm.

Largimi i pasardhëses së saj të zgjedhur nga vetë Merkel për drejtimin e partisë, ka prishur planet e saj si dhe ka shkaktuar spekulime se mund të krijohen rrethanat për zgjedhje të parakohshme në pranverën e vitit 2021.

Tani ka propozime të shumta se kush do të duhej të zgjidhej shef i ri i CDU-së dhe njëkohësisht edhe kandidat për kancelar të Gjermanisë.

CDU tash e tutje duhet të japë shpjegim në lidhje me unitetin në parti por edhe për atë se cilat janë detyrat e saj në të ardhmen.

Kjo parti që një kohë të gjatë nuk funksionon si një parti unike – gjë që u dëshmua edhe tash së fundmi në rastin e Thuringias – por edhe në nivelin federal, në punët e përditshme, në bashkëpunim  me njëri-tjetrin.

Gjermania gjendet përballë një viti vendimtar. Nuk do të vendoset vetëm në lidhje me atë nëse partia qeverisëse CDU do të mbetet pjesë e qeverisë apo jo. Në pikëpyetje është po ashtu edhe parlamentarizmi tradicional në Gjermani, rëndësia partiake, disiplina partiake si dhe liria e deputetëve për të vendosur sipas këndvështrimit të tyre personal. Megjithatë, sfida kryesore mbetet se cila do të jetë mënyra përmes së cilës  CDU do t’u përgjigjet forcave djathtise populiste si dhe rrymave tjera ekstremiste në Gjermani.

Vendimin e saj për dorëheqje nga kreu i CDU-së e ka arsyetuar me forca të mëdha centrifugale në shoqërinë gjermane dhe për këtë kërkohet një CDU e fortë dhe me një lidership të dakorduar.

Kramp-Karrenbauer ka qenë një lojtar i vogël në politikën gjermane gjatë shumicës së karrierës së saj. Kështu ishte edhe gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015 kur Merkel iu përgjigj me shumë sinqeritet  ardhjes së qindra mijëra imigrantëve nga Lindja e Mesme  në dyert e Gjermanisë. Vendimi për lejimin e tyre në Gjermani hapi disa çarje të reja në politikën gjermane por edhe në vetë partinë e Merkel, CDU. Në vitin 2018 këto çarje të brendshme u bënë të padurueshme edhe për vetë kancelaren që të vazhdojë tutje andaj Kramp-Karrenbauer u bë zgjidhja për të menaxhuar me sukses largimin e saj duke u kujdesur që të lërë pas edhe të kaluarën e saj.

Kramp-Karrenbauer ka qenë guvernatore e një landi të vogël në përëndim të Gjermanisë të quajtur Saarland në kohën kur Merkel e caktoi si zëvendëse të partisë në Berlin. Diç më vonë, Merkel e caktoi atë në kabinetin e saj si ministre e Mbrojtjes.

Ardhja e Kramp-Karrenbauer në CDU parashihej t’i shëronte disa çarje të cilat tashmë ishin bërë brenda kësaj partie por duke mos e cenuar asnjëherë popullaritetin e madh të Merkel si dhe agjendën e saj politike, pastaj balancimin ndërmjet ideologjisë dhe pragmatizmit në mënyrë që do të knaqte bazën si dhe elektoratin e gjerë të partisë.

Merkel dhe Kramp-Karrenbauer duket se ndajnë një qëllim të vetëm: duke ia lëshuar kësaj të fundit postin e kancelares, post ky që do të mbetet vakant pas largimit të Merkel.

Dorëheqja e Kramp-Karrenbauer të hënën e kaluar kulmoi me atë që do të mund të quhej një javë katastrofike. Të mërkurën e kaluar, në landin përëndimor të Gjermanisë, Thuringia, CDU theu tabunë e pasluftës duke bashkëpunuar më një parti të ekstremit të djathtë, Alternativën për Gjermaninë (AfD) për të zgjedhur një guvernator të ri regjional.

Vendimi për pjesëmarrje në këto zgjedhje e që shkaktoi paknaqësi të mëdha në tërë vendin, u bë nga dega regjionale e CDU-së – në kundërshtim me Kramp-Karrenbauer, e cila paraprakisht e kishte kundërshtuar një vendim të këtillë.

Mosbindja vazhdoi ditëve në vijim, kur Kramp-Karrenbauer kërkoi zgjedhje të reja në atë land.

Ndërkohë, liderët lokalë partiakë nuk u pajtuan.

Me mungesë autoriteti për të shtyrë përpara vendimet e saja brenda partisë, ajo u gjend përballë shumë pak opsioneve tjera dhe si rezultat dha dorëheqjen.

Kramp-Karrenbauer ka kundërshtuar çdo bashkëpunim të partisë së saj me partitë e krahut të djathtë Alternative für Deutschland (AfD) ose partine majtiste, Die Linke. Kjo e fundit është partia më e madhe në parlamentin e Thuringias.

Politikani i Die Linke, Bodo Ramelow pritej të fitonte një mandat të dytë si udhëheqës i këtij landi dhe të drejtonte një qeveri të pakicës së krahut të majtë.

Por të mërkurën, AfD braktisi kandidatin e saj Romelow dhe së bashku me CDU zgjodhi  liberalin Thomas Kemmerich për ta votuar në mënyrë që të pengojnë Ramelowin të fitojë. Votimi shkaktoi një paknaqësi mbarëkombëtare, me shumë paralajmërim se ishte shkelur një tabu për bashkëpunimin me ekstremin e djathtë. Për shkak të presionit publik, Kemmerich dha dorëheqjen pak ditë më vonë.

Edhepse fundi i saj erdhi shumë papritur, autoriteti i Kramp-Karrenbauer filloi të zvetënohej që nga momenti kur ajo u bë udhëheqëse e partisë dhe kjo ishte pikërisht për shkak të disa hapave të gabuar të ndërmarrë nga vetë ajo. Më shumë se një herë asaj iu desh që të tërhiqej nga komentet e saja – qoftë për të drejtat transgjinore apo edhe për lajmet e rreme të cilat gjërësisht ishin interpretuar si komente fyese.

Po ashtu ajo dështoi në përmbushjen e premtimeve për një strategji efektive në lidhje me mospajtimet e shumta brenda partisë për fenomenin e migrimit pasi që i është dashur të përballej në mes fraksionit konservator brenda partisë si dhe krahut tjetër liberal e që rezultoi me një efekt negativ në partinë CDU duke i dhënë hapësirë partive djathtiste si dhe multikulturalistëve të gjelbër që t’i rrisin përqindjet e përkrahjes ndaj tyre në nivel kombëtar në veçanti në Gjermaninë Lindore ku partia djathtiste AfD ka kërcënuar me largimin e CDU-së si forca më e madhe politike.

Mbetet, ndërkohë, akoma e paqartë nëse ndonjë strategji tjetër do të ketë sukses pikërisht aty ku Kramp-Karrenbauer dështoi.

Kramp-Karrenbauer kishte disa rivalë brenda partisë të cilët me shumë gjasë shumë shpejt do të garojnë ndërmjet vete për ta pasuar Kramp-Karrenbauerin. Kandidatët e mundshëm për udhëheqjen e CDU janë ministri  aktual i Shëndetësisë, Jens Spahn dhe kritiku i Merkel, Friedrich Merz, të dy këta dy humbën kundër Kramp-Karrenbauerit në vitin 2018.

Një prej kandidatëve e cila ka shumë gjasa që ta plotësojë pozitën e zbrazët të CDU-së është Armin Laschet, presidenti i North Rhine Westphalia i cili njihet si nje politikan i linjës së moderuar brenda CDU-së.

Në secilin rast, CDU me shumë gjasë do t’i nevojitet një kohë e gjatë, deri në dhjetor të vitit 2020, kur do të mbahet konferenca e partisë në mënyrë që ta zgjedhë liderin e ri partiak.

Dorëheqja e Kramp-Karrenbauer mund të përshpejtojë largimin e Merkel si kancelare. Njëkohësisht kjo dorëheqje ka shkaktuar spekulime se mund të krijohen rrethanat për zgjedhje të parakohshme në pranverën e vitit 2021.

Merkel e vendosi me kujdes Kramp-Karrenbauer si drejtuese të CDU-së për të realizuar një tranzicion të rregullt, thonë analistët. Largimi i saj shtron tani pyetjen se kush do ta pasojë Merkelin dhe si mund të pajtohen fraksionet e ndryshme të CDU-së.

Partia ka debatuar nëse do të vazhdojë me strategjinë centriste të Merkelit apo të kthehet në rrënjët e saj konservatore më tradicionale.

Muajt e ardhshëm në Gjermani mund të jenë të trazuar

Periudha e pasdorëheqjes së pasardhësës së Merkel po vlerësohet si një lloj krize në të cilën Gjermania mund të futet ditëve  në vijim. Frika ka të bëjë kryesisht me rritjen e recesionit si dhe rënien e prodhimit industrial në Gjermani ndërkohë që analistë të shumtë paralajmrojnë mundësinë e një lloj rrëshqitjeje të lehtë drejt regresit ekonomik në këtë vend.

Kushdo që do të dojë të bëhet kryetar i ri i CDU-së tash e tutje pas dorëheqjes se Kramp-Karrenbauer, duhet ta tërheqë një vijë midis vetës së tij dhe ekstremistëve të djathtë në të gjitha nivelet në Gjermani, pastaj do t’i duhej ta ndërtonte një mirëbesim dhe bashkëpunim të ri brenda vetë CDU-së në mënyrë që t’i sanojë çarjet e shumta të cilat tashmë janë shkaktuar brenda kësaj partie.