Ilustrim

Gjermani: 1 në 10 persona janë 'të varur' nga puna

Një e treta e fuqisë punëtore gjermane janë duke punuar “tepër” dhe një 10% e tjetër shfaqin sjellje pune të varur, sipas një studimi të ri. 

Studimi i porositur nga Fondacioni Hans Böckler, është i pari që e shqyrton sjelljen e varur nga puna në të gjithë sektorët në Gjermani – dhe ka zbuluar se puna “kompulsive” është e pranishme në të gjitha degët.

Çfarë zbuloi studimi?

Studimi u krye nga Instituti Federal i Arsimit dhe Trajnimit Profesional (BIBB) dhe Universiteti Teknik i Braunschweig.

Studiuesit ekzaminuan intervista nga 8000 njerëz të punësuar në Gjermani. Të dhënat u regjistruan në vitet 2017 dhe 2018 – përpara se pandemia e koronavirusit të paqartësonte edhe më shumë raportin e balancës punë-jetë.

Studimi zbuloi se 9.8% e njerëzve shfaqnin sjellje të varur dhe “kompulsive” në punën e tyre. 33% e tjerë u gjetën se punonin “tepër”, por jo me varësi.

Shumica, 54.9% e punëtorëve, iu qasen detyrave të tyre të punës me një qasje më “të qetë”, zbuloi studimi.

Gratë, sipas studimit kanë pak më shumë gjasa të jenë më punëtore sesa burrat – me 10.8% të grave që bien në kategorinë e varur, krahasuar me 9% të burrave.

Në të njëjtën kohë, të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç kanë shumë më shumë gjasa se punëtorët e moshuar të moshës 55-64 vjeç të shfaqin sjellje pune të varur – me 12.6% të punëtorëve të rinj që shfaqin sjellje kompulsive krahasuar me 7.9% të punëtorëve të moshuar.

Cilat punë jane veçanërisht të rrezikuara?

Menaxherët dhe njerëzit që janë të vetëpunësuar janë shumë më të rrezikuar nga zhvillimi i qasjeve të varësisë ndaj punës, tregoi studimi i lartcekur.

Mbi 12% e menaxherëve krahasuar me 8.7% e jomenaxherëve shfaqin shenja të varësisë nga puna.

“Midis atyre në pozicione udhëheqëse, varësia nga puna bëhet më e përhapur sa më i lartë të jetë pozicioni”, thanë autorët e studimit.

Studiuesit gjetën gjithashtu sjellje të varura nga puna në të gjithë sektorët – me shkallën më të lartë të varësisë nga puna (19%) në mesin e atyre në fushat e bujqësisë, menaxhimit të pyjeve, blegtorisë dhe hortikulturës.

Fushat që ishin më pak të rrezikuara ishin ato që punonin në teknologji, gjeografi dhe shkenca natyrore.

Faktorët socio-ekonomikë, të tillë si niveli i arsimimit ose statusi i marrëdhënieve, tregonin pak “ose shumë të dobët” faktin nëse dikush kishte më shumë gjasa të ishte i varur nga puna e tyre, zbuloi studimi.

Ata që punojnë në kompani më të mëdha, megjithatë, kanë më pak gjasa të raportojnë varësinë nga puna sesa ata që punojnë në kompani më të vogla, vuri në dukje studimi në fjalë.

Çfarë nënkupton varësia në punë?

Autorët e studimit gjerman përdorën dy dimensione për të përcaktuar dhe identifikuar sjelljen e punës “varësuese” dhe “kompulsive”.

Dimensioni i parë ka të bëjë me atë se sa shumë punojnë njerëzit, duke përfshirë: punën me orë të gjata me ngarkesa të larta pune dhe përballjen me projekte të shumta në të njëjtën kohë.

Faktori i dytë ka të bëjë me mënyrën se si puna e tyre ndikon në jetën e tyre personale.

Ata me varësi nga puna u përcaktuan në studim si ata që kishin vështirësi për t’u çlodhur në kohën e tyre të lirë jashtë punës, ata që do t’i kontrollonin me vështirësi e-mailet e punës pasi të dilnin jashtë, dhe ata që thanë se ndiheshin fajtorë pse kishin marrë pushime ose gjatë pushimeve.

Termi “i varur nga puna (Workaholic)” u krijua në vitin 1971 nga psikologu amerikan ëayne Oates, për t’i përshkruar njerëzit, qasja e të cilëve ndaj punës së tyre ishte e ngjashme me ata që e luftojnë varësitë me alkoolin.

Autorët e studimit kërkuan kërkime të mëtejshme mbi shkaqet e varësisë nga puna, si dhe ndikimet e rëndësishme që mund të ketë në shëndetin fizik dhe psikologjik të punonjësve./DW