Gjendje e Nxehtë Kontratash në ‘Termokos’

Pronari i kompanisë ‘Compact Group’, Saqip Shala, ka paditur javën e kaluar në Gjykatën Ekonomike të Prishtinës ndërmarrjen publike ‘Termokos’ për shkëputje të njëanshme kontratës për furnizim me mazut dhe naftë.

‘Compact Group’ e kishte furnizuar ngrohtoren e qytetit për vitin 2009 dhe 2010. Ajo kishte fituar edhe një tender në tetor 2010 për të furnizuar ‘Termokosin’ deri më 2012, por në muajin mars 2011 kontrata i ishte ndërprerë.

Drejtori i ngrohtores Arsim Janova, i cili kishte ardhur në këtë detyrë në verën e këtij viti, kishte iniciuar procedurën e ndërprerjes së kontratës me “Compact Group”.

Arsyetimi i tij është se kjo kompani kishte rrëzuar të gjithë ofertuesit tjerë në garën për tender me çmimin më të lirë 26 euro për Premium (shpenzimet e transportit, tarifat rrugore, sigurinë, shpedicionin, biodezinfektimin si dhe fitimin e operatorit ekonomik) për furnizim me mazut dhe naftë.

Gjithnjë sipas kësaj linje, këtë kontratë bordi e kishte nënshkruar më 30 shtator mirëpo menjëherë, një ditë më vonë, me insistimin e kompanisë fituese, ‘Termokosi’ kishte ridraftuar kontratën duke e futur në çmimin inicial të premiumit edhe 75 euro për transport – tash gjithsej 101 euro. (Shih kontratën këtu).

Nëse marrëveshja do të ishte 26 euro, ‘Termokos’i do të duhej të paguante rreth 27801 euro për furnizimin, në vend të 108 mijë eurove kur është shtuar edhe shuma e transportit.

Saqip Shala thotë se bordi i “Termokosit” ka qenë i njoftuar disa herë nga kjo kompani se ajo në çmimin e vet për Premium kishte paraparë edhe vlerën prej 75 eurosh për transport. “Nuk e di pse në kontratën e 30 tetorit kjo nuk ka figuruar, ndoshta kanë qenë thjesht gabime teknike të ndërmarrjes”, ka thënë Shala.

Tregimin e Shalës e konfirmon edhe një procesverbal i një takimi të bordit të “Termokosit” më 1 tetor 2010, ku zyrtari i prokurimit Astrit Shyti citohet duke përmendur pakënaqësinë e kontraktonit. (Shih procesverbalin këtu)

“Kontraktori ka cekur në ofertë transportin si të veçantë. E në dosjen e tenderit ka pasur një kontradiktë rreth premiumit dhe këtu ka qenë dilema edhe në takimet që kemi pasur në menaxhment për këtë çështje…”, citohet Shyti, në procesverbal.

Ish-kryetari i bordit të drejtorëve të Termokosit, Gani Sopi, kishte urdhëruar zyrtarin e prokurimit që të bëhen të gjitha ndryshimet në kontratë të cilat i kërkonte kontraktori:
“Të gjitha ndryshimet e nevojshme të cilat i kërkon kontraktori të bëhen deri në ora 12:00, të përmirësohet kontrata ashtu si kërkon kontraktori sepse ne jemi para fillimit të zezonës (së dimrit)”, citohet Sopi.

Pasi i ishte ndërprerë kontrata, ‘Compact Group’it i ishte bërë pagesa prej 108 mijë eurosh për furnizimet që kishte bërë gjatë vitit 2010-2011.

Por ‘Termokosi’ kishte dështuar t’ia paguajë me kohë edhe shpenzimet për vitin 2009-2010 ndaj të njëjtës kompani furnizuese. Për këtë arsye kjo e kishte paditur ‘Termokosin’ në Gjykatën Ekonomike të Prishtinës dhe kjo e fundit kishte dalë me vendimin se ndërmarrja publike ia ka borxh ‘Compact Groupit’ 970 mijë euro të cilat kompania ende nuk i ka marrë.

Rasti aktualisht gjendet në Gjykatën Supreme të Kosovës, pas ankesës së ndërmarrjes publike.

Parregullsitë dhe keqpërdorimet në procedurat e prokurimit janë evidentuar edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2010. ZAGJ ka konstatuar parregullsi të shumta, ku defektet më të mëdha janë adresuar në paaftësinë e Bordit i cili kishte dështuar në funksionimin e tij.

“Bordi kishte funksionuar kohë pas kohe dhe nuk kishte shqyrtuar problemet krruciale me të cilat përballet organizata. Bordi i kaluar kishte dështuar të sigurojë një kornizë të brendshme ligjore, me udhëzime dhe procedura të shkruara të cilat do të ofronin një bazë solide për një menaxhim të shëndoshë dhe efikas të kompanisë”, thuhet në raportin e auditorit të përgjithshëm.
 
Raporti ka theksuar se hapja e kontestit gjyqësor me operatorin “Compact Group” vështirëson edhe më shumë gjendjen financiare të Termokos’it e cila funksionon me humbje.
 
Ndërkohë, Arsim Janova kishte marrë një nismë të re të paligjshme. Në fillim të muajit tetor, me vendimin e tij, ‘Termokosi’ ka filluar t’i huazojë mazut kompanisë EXFIS. Nisma ishte arsyetuar me premtimin se më vonë kompanisë do t’i kthehej cilësia e njëjtë e mazutit.

Huazimi nuk njihet me Ligjin për Prokurim Publik.

Dhe më 21 nëntor të këtij viti “Termokosi” ka shpallur fitues kompaninë “ExFis”, pronë e biznesmenit Isa Muharremi, për tenderin e furnizimit me mazut e naftë për ngrohje për vitin 2011-2012.

Çmimi për Premium që përfshin transportin është 88.35 euro për ton, ndërsa mazuti e nafta paguhen në bazë të çmimit të tyre në bursë. Në konkurs kishin konkurruar vetëm dy kompani.

Kompania humbëse “Patroni” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe si rrjedhojë ky institucion ka vendosur tani ta pezullojë kontratën mes Termokosit dhe ExFis’it. Por, të martën, kur pritej që ngrohja të ndalej, OSHP njoftoi se do të lejonte këtë prokurim, megjithatë, për ‘hatër të qytetarëve’.

E gjithë kjo, ndonëse kryetari i ri Bordit të drejtorëve Imer Hamiti thotë se Termokosi këtë vit do të jetë në gjendje më të mirë financiare.
 
Optimizmi i tij bazohet në 2,8 milionë eurot subvencione nga Qeveria të cilat besohet se do të nxjerrin kompaninë nga kriza në të cilën ndodhet. “Përveç subvencioneve ne do të mbijetojmë edhe nga arkëtimet e borxheve nga konsumatori me një qasje krejtësisht të re të inkasimit, me një ofertë për riprogramimin e borxheve”, ka thënë ai.