Gjashtë Vjet i Takon Termocentralit të Ri

Dy blloqe të Termocentralit Kosova B planifikohen që t’i jepen në shfrytëzim investuesit privat që do të ndërtojë termocentralin “Kosova e Re”, për gjashtë vjet, pa asnjë përfitim për Qeverinë e Kosovës.

Profiti që sigurohet nga Kosova B, sipas këshillave të kompanisë Price Watehouse Cooper (PWC), do të përdoret nga Investuesi Privat për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Vetëm pasi që Kosova e Re të ndërtohet e Kosova B të rehabilitohet, do të nisë t’i ndahet Qeverisë së Kosovës hisja e saj prej 25 për qind në kompaninë e re të krijuar nga këto dy termocentrale që do të quhet “Gen Co”.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e as Zyra e Projektit për Asistencë Teknike për Energjinë nga Linjiti (PATEL) që koordinon këshilltarët e transaksionit për Kosovën e Re, nuk kanë dhënë përgjigje për konkludimet e kompanisë PWC që ishte angazhuar nga Banka Botërore për Këshilltar Transaksioni në ndërtimin e termocentralit të ri.

Futja e termocentralit Kosova B veç ka marrë miratimin në Kuvendin e Kosovës, në prill 2010, që të jetë pjesë në pakon tenderuese të ndërtimit të termocentralit Kosova e Re. Katër kompani ndërkombëtare janë parakualifikuar nga Qeveria e Kosovës në tenderin për ndërtimin e termocentralit të ri.

Konsorciumi “Adani Power / PT Adani Global” nga India dhe Indonezia, Konsorciumi “AES Electric Ltd / Demir Export A.S.” nga SHBA-ja dhe Turqia, “Park Holding” nga Turqia dhe Konsorciumi “PPC / ContourGlobal LLP” nga Greqia dhe Britania e Madhe e SHBA-ja janë në garë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Transaksioni i këtij tenderi planifikohet të përfundojë brenda 2012-ës e për këshilltar të ri të transaksionit që do të japë këshilla gjatë këtij viti, Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka zgjedhur kompaninë “Raiffeisen Investment Ag”.

Profiti i B-së nuk shkon në Buxhetin e Kosovës

Ish-ministrja për Energji e Miniera Justina Shiroka-Pula e cila ishte pjesë e Komitetit Drejtues të Projektit “Kosova e Re” kishte kundërshtuar rekomandimet e Këshilltarit të Transakaksionit që për gjashtë vjet Qeveria e Kosovës të mos merrte asnjë cent nga profiti i termocentralit “Kosova B”. Ky rekomandim, që më vonë do të miratohej në Kuvend, sipas saj, ishte i paarsyeshëm.

“Qeveria i jep lokacionin e ujin Investuesit Privat që do ta ndërtojë termocentralin e ri. Është e paarsyeshme t’i jepet edhe B-ja me arsyetim për t’i fituar 25 për qind të aksioneve në Gen Co”, ka deklaruar Shiroka-Pula për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Qeveria i jep lokacionin e ujin Investuesit Privat që do ta ndërtojë termocentralin e ri. Është e paarsyeshme t’i jepet edhe B-ja me arsyetim për t’i fituar 25 për qind të aksioneve në Gen Co” Justina Shiroka Pula

Kompania që do të fitojë në tender sipas saj do të ketë mundësi të marrë kredi në institucione ndërkombëtare financiare për ndërtimin e termocentralit të ri dhe atë ta kthejë pas ndërtimit të tij nga profiti që siguron nga pagesat e faturave të rrymës nga konsumatorët.

Në këtë rast sipas, ish-ministres së energjetikës, nuk ka qenë e nevojshme që të jepet profiti i 100 për qind i B-së për të ndërtuar termocentralin e ri. Ish-ministresha, para dy vitesh, kishte propozuar që profiti i B-së të derdhej në Buxhetin e Kosovës. Kjo nuk ishte mbështetur nga Këshilltari i Transaksionit.

“Dhënia e Kosovës B mundëson investimin e profiteve të nxjerra nga ajo në ndërtimin e TCKR-së duke e zbritur kësisoj çmimin e gjithmbarshëm të TCKR-së që sjell përfitime për konsumatorët. Ndarja e dividentave nga aksionarët nuk do të lejohet deri në përfundimin e ndërtimit të TCKR-së dhe rehabilitimin e Kosovës B”, thuhet në përgjigjet e Këshilltarit të Transaksionit dhënë ish-ministres Shiroka Pula, të datës 27 korrik 2010.

Qeveria e Kosovës, sipas kësaj kompanie, do të fillojë të marrë hisen e saj vetëm pasi të ndërtohet termocentrali i ri.

“Para vitit 2018 profitet do t’i shkojnë Gen Co për të mbuluar shpenzimet kapitale përfshirë ndërtimin e TCKR-së dhe rehabilitimin e Kosovës B. Duke filluar nga viti 2018 profitet e ‘Gen Cos’ do të ndahen në bazë të aksioneve që mbahen në të (75:25)-Investues Privat-Qeveri e Kosovës”.

Qeveria e Kosovës me dhënien e termocentralit B, sipas Këshilltarit të Transaksionit, do të përfitonte hise në kompaninë e re të prodhimit të energjisë nga linjiti.

“Kontriubuimi i Kosovës B në ‘Gen Co’ gjithashtu i jep mundësi Qeverisë së Kosovës të sigurojë një hise në ‘Gen Co’ pa pasur nevojë të investohen fonde qeveritare të cilat për momentin janë të kufizuara” Price Watehouse Coopers

“Kontriubuimi i Kosovës B në ‘Gen Co’ gjithashtu i jep mundësi Qeverisë së Kosovës të sigurojë një hise në ‘Gen Co’ pa pasur nevojë të investohen fonde qeveritare të cilat për momentin janë të kufizuara”, thuhet në dokumentet e Price Watehouse Coopers të cilat i ka siguruar Gazeta JNK.

Kosova B sipas PWC-së duhet t’i jepet kompanisë private pesë ditë pasi të shpallet fitues për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës kishte planifikuar që të udhëhiqte një proces të veçantë transaksioni për privatizimin e termocentralit Kosova B. Kjo sipas Këshilltarit të Transaksionit paraqiste rrezikshmëri për shkak se mund të dështohej në udhëheqjen e dy transaksioneve njëkohësisht.

Po ashtu sipas PWC-së mund të kishte mungesë koordinimi të proceseve që duhet të kryheshin e që janë ndërtimi i termocentralit të ri , rehabilitimi i Kosovës B si dhe dekomisionimi ose mbyllja e Kosovës A.

“Një përfitim tjetër që nxirret nga kjo, mbase përfitimi më i madh, është se nëse kemi një pronar të vetëm do t’i shmangemi ngarkesave administrative dhe protokollove dhe kontratave për shfrytëzim të përbashkët”, ka këshilluar PWC-ja.

Një marrëveshje për Blerjen e Energjisë në të ardhmen do të duhej të nënshkruhej mes Gen Co e privatizuesit të Rrjetit të Shpërndarjes së KEK-ut.

Qeveria do të ketë rol indirekt sipas PWC-së në monitorimin e kësaj marrëveshje përfshirë ngritjen e çmimit të energjisë përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Qeveria e Këshilltari i Transaksionit me vlerësime të ndryshme për B-në

Në një shkresë që ish-ministrja Shiroka Pula e kishte dorëzuar në Komitetin Drejtues të Projektit Kosova e Re, kishte kundërshtuar vlerësimet e Këshilltarit të Transaksionit për vlerën e Termocentralit Kosova B.

“Përllogaritjet e kryera nga Këshilltarët e Transaksionit mbi vlerën e TC Kosova B nuk janë bindëse dhe të pranueshme”, thuhet në shkresën e ish-ministres, të korrikut 2010.

Këshilltari i Transaksionit, sipas saj, kishte përllogaritur se për të marrë 25 për qind të aksioneve në TC Kosova e Re, Qeveria e Kosovës duhet të vendosë si kapital shumën prej 70 milionë eurosh e shtrirë në periudhën pesëvjeçare 2011-2016, pra mesatarisht 14 milionë euro në vit.  Kaq do të kishte profit për kaq vite termocentrali Kosova B sipas Këshilltarit të Transaksionit.

Ndërkohë përllogaritjet qeveritare për këtë periudhë sipas Shiroka-Pulës flasin për një fitim neto prej 162-340 milionë euro nga termocentrali “Kosova B”.

“Kjo shumë e tejkalon kapitalin e paraparë aksionar për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, thuhet në shkresën e ish-ministres së Energjetikës.

Për shkak të dallimit të këtyre numrave, shoqeria civile ka kërkuar ndarjen e B-së prej termocentraleve të reja. Aty bëjnë pjesë INDEP, GAP, FIQ dhe disa organizata tjera joqeveritare.

Nezir Sinanin nga INDEP thotë për Gazetën JnK se pikërisht për shkak se TCB është profitabil ata po kërkojnë që të ndahet procesi i privatizimit.

“Nuk ka logjikë që të shitet TCB në një tender me TCKR sepse në këtë mënyrë krijojmë monopol të gjenerimit të energjisë, gjë që në fund të ditës do të jetë më e pafavorshme për konsumatorin kosovar”.

Termocentrali Kosova B sipas të dhënave të Korporatës Energjetike të Kosovës ka dy blloqe të ndërtuara gjatë viteve 1977-84. Të dy blloqet kanë fuqi prodhimi prej 339 megavatësh energji elektrike në orë.

Ndërkohë Kosova e Re fillimisht pritet të ketë fuqi prodhimi prej 300 megavatë energji elektrike ndërsa më vonë do të ndërtohen edhe kapacitete tjera me fuqi prodhimi prej 300 megavatësh energji elektrike.