GIS-i Merr Pa Balotazh Komunat e Veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të enjten vonë publikoi rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit, derisa në Mitrovicën Veriore në tri qendra votimi do të rivotohet më 17 nëntor.

Kryetarja e këtij institucioni Valdete Daka, paralajmëroi publikim e rezultateve, para një jave në Emisionin Jeta në Kosovë, por bërja publike e rezultateve u vonua.

Iniciativa Qytetare Serbe GIS, fitoi pa balotazh në tri komunat veriore serbe Leposaviq Zubin Potok e Zveçan.

Në Leposaviq Dragan Jabllanoviqi i kësaj iniciative fitoi 51, 48 për qind të votave. Në Zubin Potok, kolegu i tij Stevan Vuloviq ishte edhe më bindës me 78.74 për qind të votave të fituara, derisa Vuçina Jankoviq në Zveçan mori besimin e 57.55 për qind të votuesve.

Dalja në zgjedhje më tre nëntor, në këto komuna nuk e kalonte 22 përqindëshin, ndërsa vendvotimet qenë mbyllur para kohe, nga mundësia e eskalimit të situatës.

Kjo iniciativë është në garë edhe në gjashtë komuna me shumicë serbe këndej Ibrit, ndërsa pas zgjedhjeve në bazë të marrëveshjes së 19 prillit mes Serbisë dhe Kosdovës të arritur në Bruksel parashikohet krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Disa nga analistët kosovarë shfaqin drojën se pas konsolidimit të asociacionit, GIS-i nuk do t’u bindet autoriteteve qendrore në Prishtinë.