Gështenjat si Shpresë Për Zhvillimin e Junikut (TV)

“Ne i vjelim, i rujmë në boqa, mujmë deri në pranverë me i rujtë gshtojat e freskëta, ato i rujmë në fushë të shtrime dhe të mlume me fier”, thotë Avdi Syla, kultivues i gështenjës nga Juniku.

Komuna e vogël e Rrafshit të Dukagjinit, e themeluar në janar të vitit 2010, në shumicën e 1 mijë e 300 hektarëve të pyjeve private kultivon gështenjën. Gështenja e Junikut është më e madhe dhe më e mirë, ndërsa ambienti i kësaj komune është më origjinali në Kosovë për kultivimin e saj.

Kjo ka shtyrë zyrtarët komunalë që për t’i dhënë përparësi një frute të tillë si veçori junikase të organizojë sivjet “Ditët e Gështenjës”, një manifestim që mendohet të jetë tradicional, ndërsa do të zgjasë tri ditë, duke nisur nga 13 nëntori.

Kultivuesi Syla ka katër hektarë tokë, të mbjella me drunj që prodhojnë këtë frutë, ndërsa festivalin “Ditët e Gështenjës” të nisur sivjet për herë të parë në këtë komunë, e cilëson “festë të mirë, e cila është sikurse festa e bukës dhe e drithërave të bardha”.

Manifestimi i nisur në Qendrën Rajonale të Turizmit, ka mbledhë zyrtarë komunalë dhe mbështetës të tij, të mërkurën, ditën e fillimit të aktiviteteve në të mirë të gështenjës.

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi, tha se kjo frutë është kultivuar për vite të tëra në këtë mes.

Ka qenë njëkohësisht njëri prej produkteve më të rëndësishme qoftë si ushqim, por edhe i krijimit të të ardhurave dhe ne si qeveri [komunale] do të fillojmë me ditët e gështenjës si event që do të përcillet edhe me evente tjera dhe ne gështenjën e shohim si pjesën përbërëse të qytetarit të Junikut”, tha ai.

Haki Kola, zyrtar i CNVP-së, ka thënë se fruta dhe druri i gështenjës lidhë pemëtarinë me pylltarinë mes vete.

“Misioni i organizatës tonë CNVP, në gjuhën shqipe thotë bashkojmë vlerat e natyrës me njerëzit, edhe unë [manifestimin Ditët e Gështenjës] e quaj hap të shkëlqyer të Komunës së Junikut për të bashkuar vlerat historike, vlerat e natyrës me njerëzit, për të rritur mirëqenien”, tha Kola.

Arten Hamza, drejtor i Zhvillimit Ekonomik komunal tha se ideja për “Ditët e Gështenjës” rrodhi nga institucioni që ai drejton.

“Qëllimi i festivalit është  …  që ta stimulojmë dhe sensibilizojmë opinionin jo vetëm të Komunës së Junikut, por edhe përreth, për rolin e gështenjës edhe për gjenerimin e të ardhurave  nga qytetarët , pasi që dihet se kjo pjesë është e pasur me gështenjë dhe me fruta tjera të malit”, tha Hamza.

Elbasan Qestaj, koordinator i Qendrës së Turizmit në Dukagjin me seli në Junik, kultivimin e gështenjave në këtë komunë, e lidhi edhe me zhvillimin e turizmit.

“Festivali ka rëndësi për zhvillim të turizmit sepse në të ardhmen do të ketë më shumë turistë”, tha Qestaj.

Kryetari Kuçi, nuk pranoi se në Junik, druri i gështenjës po rrezikohet nga prerësit ilegalë të pyjeve. Tha se ky dru po lulëzon dhe po shumohet, ndërsa më të rrezikshëm se prerësit e paligjshëm, i cilësoi sëmundjet e këtij druri dhe frutës së tij.

Në debatin zgjedhor për Junikun, të zhvilluar nga Emisioni Jeta në Komunë, më 18 tetor, u debatua shumë edhe për dëmtimin e pyjeve të kësaj komune.

Kryetari Kuçi që është në balotazh me Zenun Shalën e LDK-së më 1 dhjetor dhe që vetë ka ndërtuar stan me tulla e gurë në bjeshkët e komunës së tij, tha se do të ketë edhe manifestime të tjera të organizuara nga komuna në të ardhmen.

Përmendi “Ditët e Verës” dhe “Ditët e Zhdjergave” si rikthim të traditës dukagjinase. Zhdjergat lidhen me zbritjen e blegtorëve junikas nga bjeshkët, në vjeshtë, bashkë me prodhimet e tyre të grumbulluara gjatë verës.

Ndërkaq në fund të ditës së parë të manifestimit për gështenjat të pranishmit panë e dëgjuan disa pika këngësh dhe vallesh nga nxënësit e shkollës fillore “Edmond Hoxha” të Junikut.