Gazmir Raci

Lexuesi i shefes

Gazmir Raci ka lindur në Pejë ku edhe ka kryer shkollën fillore dhe të mesme. Është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Prishtinë.

Raci, 31 vjeçar, tash punon si këshilltar i Edita Tahirit, zëvendëskyreminsitres dhe udhëheqëses së ekipit të Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë. Edita Tahiri është kryetare e ADK-së që ka nominuar Racin për kandidat për kryetar të Pejës.

Te të rinjtë pejanë, njihet si aktivist i rinisë, gjë që ceket edhe në biografinë e tij, ku thuhet se për vite me radhë ka themeluar dhe udhëhequr Qendrën e parë Rinore në Pejë “Haxhi Zeka”.

Pasi që Raci është njëri ndër themeluesit e ADK-së në Pejë, që nga viti 2004 është anëtar i kryesisë së këtij subjekti.

Raci ka kaluar shumë kohë në relacionin Prishtinë-Bruksel, në dy vjetët e fundit, duke këshilluar në procesin e dialogut. Ai jeton në Prishtinë.

Programi i Racit të Alternativës Demokratike të Kosovës bazohet në punësimin e të rinjve, rivitalizimin e Çarshisë së Gjatë dhe promovimin e turizmit.

“Ka ardhur momenti që në Komunën e Pejës të bëhet një ndërrim i gjeneratave, e jo të shfrytëzohet rinia vetëm si kozmetikë”, ka thënë Raci gjatë debatit Zgjedhjet Lokale 2013 mbajtur më 25 tetor.

Objektivat kryesore të Racit të ADK-së janë punësimi i të rinjve, koncentrimi që ekonomia prodhuese të jetë funksionale, ku përmes formimit të një agjencie, do të ketë ligjshmëri dhe do të jetë funksionale për punësimin e të rinjve, përmes projekteve.

“Pjesë e rëndësishme është edhe turizmi, pasi që trashëgojmë një pjesë të pasur turistike, ngritja e nivelit të arsimit, subvencionet në bujqësi e të tjera”, ka thënë Raci.

Është i martuar dhe jeton në Prishtinë së bashku me bashkëshortën e tij, ndërkaq në Pejë ka shtëpi trekatëshe dhe në të jeton familja e tij.

E ëma e Gazmir Racit, Shqipe Raci, duke treguar që i biri i saj të ketë qenë një fëmijë i urtë dhe shumë i sjellshëm, ka thënë se Gazmiri edhe pse jeton në Prishtinë, ai e sheh Pejën si vendlindjen e vet, ku edhe është lindur dhe rritur.

“Pas fakultetit, Gazmiri ka filluar që të punojë në qeveri, si këshilltar i Edita Tahirit”, ka thënë zonja Raci. 

Ajo më pas ka treguar që djali i saj t’i ketë lexuar të gjithë librat e “shefes” së tij.

“Me të thonë të drejtën, Gazmiri përpos librave të fakultetit, i lexon qeto librat e Editës që i ka magjistruar”, ka thënë ajo, duke e cilësuar të birin e saj si një njeri që nuk e do padrejtësinë, ndërkaq preferon ushqimin me të cilin ajo e ka rritur.

Veton Mujaj tha që ana pozitive e Racit është që “po tregohet i kthjellët nëpër debate, po jep opcione më alternative të zhvillimit të qytetit që s’i kanë përmend të tjerët”. 

Ndërsa, ana më e dobët për të, sipas Mujajt është që “është shumë i lidhur me Edita Tahirin, që nxit dilemë për pavarësinë e tij”, thotë Mujaj. 

Në biografinë e tij shënon se është laureat i çmimit “Everyday Hero”, i dhënë nga ambasada amerikane.